back to top
21.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Në Rudinë të Nikmarashit do përkujtohet Lucë Gjò Mati i Trieshit – më 9 Gusht 2023 – nga Gjekë Gjonlekaj

Gazeta

Gjekë Gjonlekaj - Aktivist i Komunitetit Shqiptar të NY
Gjekë Gjonlekaj – Aktivist i Komunitetit Shqiptar të NY

Në Rudinë të Nikmarashit do përkujtohet Lucë Gjò Mati i Trieshit

më 9 Gusht 2023 

nga Gjekë Gjonlekaj/ New York

Është detyrë njerëzore dhe kombëtare, nderimi, kujtimi dhe respekti për ata malësorë e malësore që vepruan e luftuan për të mirën e vendlindjes dhe kombit. Popujt e qytetëruar tanimë e kanë bërë traditë nderimin e rasteve më të ndryshme, duke thënë lutje dhe fjalime pranë varrezave dhe monumenteve ku ata pushojnë në përjetësi. Në përvjetoret e ndryshme ata vendosin kurorë lulesh dhe simbole kombëtare e fetare pranë varrezave ose bustave të atyre personaliteteve që e deshtën aq shumë vendlindjen e tyre në vecanti dhe kombin në përgjithësi. I tillë ishte Lucë Gjo’ Mati i Trieshit. Për këtë burrë të madh dhe shumë të nderuar kisha dëgjuar qysh në fëmijërinë time të hershme. Dita e mortit më mirë me thënë dita e hatrit të Lucë Gjo’ Matit ishte tepër e dhimbshme, por më shumë se zakonisht sepse një burrë kaq i përmendur nuk kishte lënë djalë dhe nga kjo anë hisja e tij ishte shkretëruar. Më kujtohen ato ditë bile edhe pas mortit triesh të parët e mi flisnin me shumë dashuri për këtë burrë të dalluar. Edhe gjëmëtarët e permendur siç kishin qënë Zef Tomë Hasuri, Nikollë Gali e Hilë Toma dhe shumë malësorë të tjerë në gjëmët e tyre epike kishin thënë shumë për këtë trim të përmendur të Trieshit. Zëri i tyre kumbonte dhimbshëm deri në majat e maleve të Vistarit, Sukës së Grudës dhe Kazhenikut. Natyrisht se ata e krahasonin Lucë Gjo’ Matin me trimat më të njohur të Malësië. Një kapitull i veçantë i historisë se tij ishte udhëtimi shumë i gjatë dhe shumë i rrezikshëm për në “Dheun e Përpjetjes” siç e quanin në atë kohë malësorët Rafshin e Dukagjint. Në atë kohë një grup banditësh shqiptarë të atij Rrafshi kishin rrëmbyerë pranë një burri të moshuar një vajzë të vendlindjes së tyre. Një vepër e mbrapshtë si kjo ishte e papranushme në shoqërinë e Malësisë. Lucë Gjo’ Mati e Mal Vuksani kishin rënë dakord që së bashku do të shkojnë për të dënuar rrëmbyesin, Baram Bekën. Misioni i tyre kishte qënë shumë i rrezikshëm sepse do të kalonin nëpër male, fusha dhe pyje te panjohura. Kishte qënë rrugë e gjatë 7 ditëshe. Për atë kohë kjo rrugë ishte tepër e vështirë sepse do të kalonin malet pranë Bjeshkëve të Nemuna dhe ato lartësi të frikshme te Alpeve shqiptare. Është thënë e kënduar shumë për këtë ngjarje, disa rapsodë të njohur në botën shqiptare kanë kënduar me shumë respekt e dashuri për Lucë Gjo’ Matin dhe Mal Vuksanin, megjithatë në disa shënime kjo vepër është ekzagjeruar për shkak të lidhjeve familjare. Për njerun normal është e pabesueshme se nëna e Bajram Bekës i kishte shpëtuar pasi Luca e Mali kishin vrarë djalin e saj Bajram Bekeën. Për Luc Gjo’ Matin nuk kishte nevojë të sajonin prralla për cfarë nuk kishte nevojë as për Mal Vuksanin.
Lucë Gjo’ Mati ishte emër shumë i veçantë në Triesh dhe në Malësi, ngase ishte dalluar edhe në luftëra për lirinë e vendit. Këtë trimëri prej atdhetari e kishte treguar edhe në Luftën e Lemajës në tetor të vitit 1907. Për pjesëmarrjen e tj në këtë Luftë shkruan Gjergj Nikprelaj në një studim për Trieshin që ka mbetur në dorëshkrim. Gjergj Nikprelaj shkruan se Lucë Gjo’ Mati kishte marrë pjesë në Luftën e Lemajës. Kjo vepër shumë e mirë për të kaluarën e Trieshit nuk ka parë kurrë dritën e botimit. Të jetosh pothuajse një shekull siç ka jetuar Lucë Gjo’ Mati ishte një sfidë e vërtetë. Të bësh një jetë aq të gjatë dhe kurrrë të mos çnjerëzohesh me asnjë malësor tregonte më së miri se kush kishte qënë ky burrë i Trieshit. Lucë Gjo’ Mati kishte shërbyer për një kohë të gjatë si roja më besnike e Vojvodës së Trieshit, kapedan Marash Markut. Pas shumë luftërash e tmerresh që kishte pësuar Trieshi, Marash Marku si vojvodë e kapedan kishte hyrë në shërbim të Malit të Zi, por me kusht që refugjatët trieshianë mund të ktheheshin në vendlindjen e tyre duke vazhduar traditën dhe duke ruajtur gjuhën dhe fenë e të parëve pa asnjë shtrembërim. Marash Marku ishte autoritet shumë i nderuar në Triesh. Knjaz Nikolla i kishte dhënë shumë pushtet. Ai kishte edhe burgun në shtëpinë e tij për ata që bënin faje kundër njëri-tjetrit. Sundimi i tij prej burri të fortë nuk solli asnjë të keqe në Triesh. Si roje personale Lucë Gjo’ Mati nuk ishte çnjerëzua me asnjë trieshian. Marash Marku nuk kërkonte kurrë vepra të dhunshme nga Luca, pavarësisht se ishte i armatosur e bëntë këtë me qëllim që të mos prishte imazhin e tij prej njeriu të ndershëm dhe atdhetar. Edhe pse shërbeu për pothuajse dekada si roje personale e armatosur e Marash Markut Lucë Gjo’ Mati nuk prishi miqësinë me asnjë trieshian, duke mos sharë ose fyerë asnjë bashkëvendas të tij. Trieshianët shumë herë kërkonin që Luca to mos ua lidhte duart që ishte procedurë e arrestimit, por për të evituar këtë lloj turpërimi Luca kërkonte prej të akuzuarëve që t’i jepnin besën se nuk do të bënin përpjekje për arrati. Të pandehurit në rrugë e sipër për në Burgun e Marash Markut në Nikmarash arrinin marrëveshjen e pajtimit për të mos iu nënshtruar dënimit të Marash Markut. Kjo kishte ndodhur mes dy burrave nga Delajt. Katundi Nikmarashi është mbase fshati më i përmendur i Trieshit kur është fjala për luftërat anti serbo-malazeze. Për qëndresën e Nikmarashit është shkruar disa herë në revistat dhe gazetat e Shqipërisë siç është “Hylli i Dritës”. Këtu kanë lindur shumë trima dhe trimëresha të cilët me pushkë e pendë e mbrojtën nderin dhe dinjitetin e Trieshit dhe kombit. Trieshianët, – sipas Marash Markut – betoheshin në armët e Skënderbeut dhe sundonin me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Për historinë e këtij vendi ku lirisht mund të përfshihet edhe Lucë Gjo’ Mati mund të shkruen kapituj të shkëlqyeshëm të historisë së Malësisë së Madhe dhe shqiptarisë.
Lucë Gjo’ Mati ishte shumë i nderuar në kuvendet dhe takimet e Trieshit. Për këtë trim të përmendur dhe shumë të veçantë në oborrin e Kishës së Trieshit ruhej një gur i veçantë ku gjithmonë do të ulej ky burrë fisnik Trieshit.
Kohë më parë vëllazërit Vasel, Rrok dhe Nik Gjonaj kishin vendosur të nderojnë këtë emër shumë të njohur të fisit të tyre Gjonaj. Bile babai i tyre Vasel Marku në kohën e rinisë së tij kishte jetuar për një kohë të gjatë në shtëpinë e Luë Gjo’ Matit. Natyrisht se ishte kujdesur për të si të kishte qenë djali i tij. Vëllazërit Gjonaj që jetojnë në Shtetete e Bashkuara në Neë York dhe Michigan vendosën ta përkujtojnë në mënyrë bujare, duke ngritur një gur varri ku është gdhendur portreti i tij dhe një epitaf. Udhëtarët mund të ndalen dhe të shikojnë atë portret të dhe lexojnnë ato fjalë të bukura për këtë trim të përmendur të Trieshit. Vlen për të shënuar se Lucë Gjo’ Mati trashëgohet nga shumë nipa e stërnipa, mbesa dhe stërmbësa. Të gjithë këta janë nga dy bijat e tij të martuara në dy nga familjet e njohura të Lulgjurajve të Grudës. Bile këtu në Neë York jeton nipi i tijj Lekë Gjoku – Lulgjuraj shumë i nderuar në komunitetin tonë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.