back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Me këta miq që janë sot… – nga Tahir Dizdari

Gazeta

Orintalisti Tahir Dizdari (1900-1972)
Orientalisti Tahir Dizdari (1900-1972)

Me këta miq që janë sot…

nga Tahir Dizdari

(Rubrika skica nga jeta shqiptare)

Në fshatin e vet që bânte pjesë në Labëri të Vlorës, numërohesh ndër të ndërmjemë me pasuni: me të vërtete me tokë ishte i pakët, por, në vath i blegërojshin 300 e sa dhên. I kulloste herë në merana komunale, herë në kullosa që i merrte me qira. Tânë kujdesin dhe veprimtarinë e vet e kishte përqëndruar në mbarështimin e kopésë së vet të bekueme.
Birçeja ishte vet i shtatëti: nji nânë, nji grue, dy djelm; njâni prej t’cilvet teksa ishte djersitë kripit me nisë me hy në rradhë të burravet, dhe dy vajza mâ të vogla. S’kish përse të ankohesh, gjithkah puna i shkonte mbarë. I delte me jetue, më mbajtë hapët derën, me u bâ ballë detyrimevet.
S’kish gëzim mâ të madh për të se sa kur ia msynte shtëpinë ndoj mik. Shtegtar sado i panjohtun, s’kalonte aty pari për pa u përbujtë në konak të tij, që s’ishte tjetër veçse një kthinë e shtëpisë e posaçme për miq.
Djalin e madh, Selamin, bëhesh një vjetë që e kish fejue. Përgatitesh të paguej kistin e mbrâmë së shumës së préme simbas ujdis së preme dhe ashtu të sillte në shtëpi nusen me nji darsëm që të kënaqte farefis e miq, si ç’i kishte hije. Kishte zânë bijë të birit, si i përshtatesh fisit, i të cilit ishte pjestar.
Njeri i urtë, i matur, s’i kish gjak as varrë, as që kishte për të dhânë ndonjë llogari ngatrresash.
Me gjithë këto mirësira që i aq dorëhapas i kish rreshë i Lumi, pa pritë e pa kujtue, në mëngjezin e nji dite i del para bir’i vet, Selami, e i jep lajmin se 10 a 12 dele ishin gdhi të smuta e s’lujshin vendit! Birçja, që me shumë arsye, për dhentë e veta ishte xheloz pa pasë nevojë të pyesi mâ gjatë, bani brof në kâmbë dhe mbas pak çasesh u gjet në katue të gjâsë. E ç’ë të shofi: bagëtitë e gjora, shtri përdhé, shbërthye sysh, po shkumojshin nga goja. Parashef rrezikun që i kanosesh për krejt kopénë, çon e thërret me të shpejtë dy-tre shokë të fshatit të motshëm që kishin haber në smundje bagëtishë. U kryen të gjithë dermanet, tue u marrë gjak në veshë, tue u dhânë voj për të pi, por, pa kurrnji dobi.
Ngordhi grupi i parë, e ndoqën të tjerë nji mbas nji. S’patën kalue dy jave e grigja 300 e sa dhênsh, u zhduk si të mos kishte qenë. S’i ngeli asnji për derman. Asokohe (para 30 vjetësh), s’kishte barna, as edhe teknikë mikëqyrës udhëzues. Të tilla fatkeqsina s’formojshin eksepcion, ndodhshin kudo.
U vorfnue tepër i ngrati Birçe, sikur të mos kishte pas gjà mbas shpirtit! Nji e tillë fatkeqsi kosiderohesh baras me humbjen e nji robi të shtëpisë, prandaj simbas zakonit, i tânë fshati krye për shtëpi dhe miq të tjerë, shkuen për ta ngushëllue Birçen.
Birçea i pret burrnisht, me të gjitha sajdinat e racës por, nuk mujtte të mshefi zymninë e fytyrës. E rrethojshin gjithnduer mendimesh: si i erdh ky skam i papandehun, me çë mjetesh do të mund mkâmbesh përsëri; si do të përballonte aq detyrime?!
Shoqja e tij, Zykoja, nji grue që përfaqsonte sokoleshën fisnike të maleve të Kurveleshit, prej kah ishte bijë, tue u da kafet miqvet të shumtë që kishin zânë vend okolle kthinës së madhe, kah shef qindresën e zymt të burrit, zén e i thotë: -Pse dishprohesh kaq o Imzot. Pa vështro njiherë se sa miq na ka falë Zoti!
Birçe Selmani, bir i zgjuet dhe i denjë i maleve të Laberisë, që në rasa të tilla përgjegjen e japin tue vargëzue, kambë e në dorë i thotë:
 
“Me këta miq që janë sot,/ Qoftë harram dhe miqësia,
Edhe pa tà s’e bëjmë dot,/E si ta bëjë Perëndia”.
 
Kështu u pat shprehë para 30 vjetësh, burri që filozofonte malsorçe.
.
Marrë nga Gazeta “Bashkimi i Kombit” 1944
 
Tahir Nasuf Dizdari (1900-1972)
Tahir Nasuf Dizdari (1900-1972)

Tahir Dizdari (Shkodër 15 nëntor 1900 – Tiranë 9 maj 1972)

Tahir Dizdari qe orientalist, gjuhëtar dhe leksikograf shqiptar.
 
Jeta
Leu në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i Nasuf Dizdarit. Pas arsimit fillor vazhdoi Ruzhdijen, por studimet u ndërprenë, sepse shkolla u mbyll më 1912 për shkaqe lufte. Kaloi në bankat e kolegjit “Xaverianum” të jezuitëve duke përfunduar mësimet më 1918. I prirun për nga gjuhët e huaja, kishte njohuri në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhë lindore.
Punon në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.
Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Tahir Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Në maj të vitit 1945, bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.
Në shkurt të vitit 1951, arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.
Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.
Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Tahir Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ai vdiq.
Prof. J. Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.
Tahir Dizdari - Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe
Tahir Dizdari – Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe
Vepra dhe mirënjohje
Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.
Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.
Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973.
Me propozimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në shenjë mirënjohje e nderimi, në vitin 1995, Presidenti i Republikës z. Sali Berisha e dekoroi në pragun e Ditës së Flamurit me urdhrin “Naim Frashëri” të kl. I-rë me motivacionin: “Për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike”
Marrë nga Wikipedia

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.