back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Marrëveshja e Mukjes – Dokumente historike

Gazeta

Konferenca e Mukjes - (1-3 gusht 1943)
Konferenca e Mukjes – (1-3 gusht 1943)

Marrëveshja e Mukjes – Dokumente historike

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare
nga Partia Komuniste e Jugosllavisë
Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943
Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin e Mukjes
midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë
për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore
dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike.

Mbledhja e Mukjes

Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.
 
Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
.
Marrveshja e Mukjes 3-7 gusht 1943
Marrveshja e Mukjes 1-3 gusht 1943

Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Z. Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mit’hat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Patër Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:
 
Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”.
Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:
1-Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
2-Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.
3-Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.
4-Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.
5-Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.
 
Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.
Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.
Delegatët Këshilli i Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)
.

Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes

Proces-verbal
Sot më datë 1 gusht 1943, u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun. Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë:
Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator
Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.
Pika 3. Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.
Pika 4. Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.
Pika 5. Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.
.

Delegacionet: – B. Kombëtar

1.Hasan Dosti
2.Mit’hat Frashëri
3.Thoma Orollogaj
4.Skënder Muço
5.Hysni Lepenica
6.Isuf Luzaj
7.Kadri Cakrani
8.major Raif Fratari
9.Nexhat Peshkëpija
10.Halil Mëniku
11.Ismail Petrela
12.Vasil Andoni
 .

Këshilli i P.N. Çlirimtar – Partia Komuniste

1.Jahja Çaçi N.kolonel
2.Myslim Peza
3.Abaz Kupi
4.Ymer Dishnica
5.Mustafa Gjinishi
6.Omer Nishani
7.Sulo Bogdo
8.Shefqet Beja
9.Medar Shtylla
10.Stefan
11.Haki Stërmilli
12.Gogo Nushi
.

Një shënim nga  Genc Hoti

Kam pasur fatin ta diskutoj këtë temë me Ymer Dishnicën në qershor 1991, në zyrat e gazetës Republika. Thelbi i problemit, që çon në zbulimin e ngjarjes kryesore të asaj kohe, ka qenë ndryshimi midis Konferencës së Pezës dhe asaj të Mukjes. Këtë problem dikskutova dhe Ymer Dishnica dhe më tha se në Pezë nuk ka qenë pasi kishte ardhur në Shqipëri në maj 1943, dhe nuk dinte gjë për ekzistencën e partisë komuniste (Ymer Dishnica ka emrin ne Konferencën e Labinotit të marsit 1943. Kur i analizova ditarin e komunistëve shqiptare nga 1939 – (janar)1943 dhe ardhjen e Bozhe Ivanoviçit në atë mbledhje ngriti supet dhe pranoi se nuk dinte absolutisht asgjë për atë ngjarje të marsit 1943. Pyetjes në kishte pasur komuniste në Pezë m’u përgjigj se për këtë duhej pyetur Koço Tashko. Por kur i thashë se ishte dënuar me vdekje pikërisht për Mbledhjen e Mukjes, fillimisht nuk e pranoi, por kur i nxorra gazetën “Bashkimi i Kombit” dt. 31 gusht 1944, me artikullin: “Kush e vrau Mustafa Gjinishin” e pa se ishte kapur mat dhe në vend që të replikonte mbi këtë fakt bëri pyetjen se ku e kisha gjetur. Me fjalë të tjera Mukjen e organizuan britanikët për të përplasur dy forcat kryesore politike të kohës dhe sidomos për të prezantuar partinë komuniste që po dilte për herë të parë në skenën politike të kohës.
Nga Mbledhja e Mukjes britanikët kuptuan se kush e donte Kosovën dhe kush do t’ja linte në duart e serbëve.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.