Letër Gencit dhe Vilsonit – në 40-vjetorin e pushkatimit nga Agron Tufa

0
9
Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Letër Gencit dhe Vilsonit – në 40-vjetorin e pushkatimit

nga Agron Tufa

Të dashur Genc dhe Vilson,
Nëse ekziston bota e përmatanshme (dhe unë nuk jam në gjendje t’ia refuzoj këtë as vetes, as juve dhe askujt që e beson), atëherë sot, pra, u mbushën 40 vjet, që shpirtërat tuaj shtegtojnë në hapësirat e pamata të Përjetësisë. Sigurisht, e dimë, se liria juaj e amëshuar nuk është e kërcënuar në ato sinore, nga asnjë kushtëzim, nga asnjë kompromis.
Kam qenë në Berzezhdën tuaj këtij viti, kur pranvera si një dragua i gjelbër e pikëlor sa kishte shpërthyer mbi shpat e luginë. Për pak sa nuk më shkrepën dënesat, Genc, në gurin e sheshtë të oborrit të shtëpisë tënde të rrënuar. Vetëm ai kishte mbetur aty, midis barit të oborrit, midis rrënojave të mureve përreth. I sheshtë, paralelpiped, e i lëmuar nga prekjet e shumta. Jot motër thoshte se ishte vendi yt i preferuar ç’prej miturie. Mundohesha të të imagjinoja, si uleshe aty i vogël, me tasin e përsheshit, e mandej, në vijim, me rritën tënde, si kaloje orë të tëra, duke ndjekur lindjet dhe perëndimet e diellit, duke lexuar, medituar, ëndërruar, duke shkruar motivet e para, si uleshe mbrëmjeve vonë, i dërrmuar nga zhgënjimet e një jete, që po mbyllte para teje të gjitha perspektivat e ëmbla…
 

Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Kam qenë tek shtëpia jote Vilson. Jam rrënqethur nga ngjashmëria me shtëpinë time të fëmijërisë. Mundohesha ta përshkoja me sytë e tu peisazhin piktoresk të luginës së Shkumbinit, që hapej nga ai ballkon lartësie. Mundohesha ta përshkoja peisazhin, ta imagjinoja me sytë e tu të gjallë, me vlimet e pasionet, me fluturimet e tua pindarike, me vizionet që të lejonin të merrje arratinë nga realiteti mizerabël, për t’i dhënë krahë imagjinatës, i projektuar në një botë të lirë.
Ç’të keqe do të kishte atdheu ynë prej muzave tuaja?
Pse duhej t’u ndërpritej bujtja juaj në këtë tokë hidhërimesh, o vizitorë të trishtuar?
Këtë mund ta dinë vetëm persekutorët tuaj, ajo shpesëri e përzishme nate!
 .
Përmendorja e poetëve të Blloshmi dhe Leka të vrarë nga Diktatura...
Përmendorja e poetëve të Blloshmi dhe Leka të vrarë nga Diktatura…

Të dashur Genc dhe Vilson,

Nuk e di nëse ia keni idenë, se si kanë shkuar e shkojnë punët në këtë tokë të Atdheut tonë, të cilën ju e deshët dhe e pavdekësuat me lirën tuaj poetike. Nuk e di nëse ia keni idenë se si po shkon fati i sivëllezërve tuaj më të vegjël poetë, në Trishtoren tokësore të këtij atdheu të përbashkët. Por, me të drejtë e më të voglit, fare pak fjalë mund t’ua nis unë, në këtë ditë përkujtimore, kur farisejtë tanë të kuq, të etur për gjak, u mblodhën dhe vendosën t’ua ndërpresin jetën e këtushme tokësore, ndonëse ata pjella të Kainit, nuk mundën dot t’i zhbëjnë gjurmët tuaja të pashlyeshme. Ato tashmë janë të gjalla e të pavdekshme në qindra vargje anembanë atdheut.
Do thënë, se edhe në këtë mision të së Keqes, farisejtë e diktaturës komuniste dolën të dështuar, sepse në këtë përballje të lashtë, fiton ai që ka natyrë të përjetshme – poeti, sikundërse humb ai, që ka natyrë të përkohshme, nomade – diktatura.
Por, siç thashë, vrasësit e djeshëm, sikundërse dhe të tjerë, të sotëm, simahorë të diktaturës, përpiqen të na ndajnë me ju, me çdo kusht. Të vendosin murin midis nesh (ndonëse nuk ia kanë dalë dhe mendoj, se kurrë nuk do t’ia dalin). Ata përpiqen, që gjurmët e shpirtit tuaj, t’i fshijnë, e nëse kjo është e pamundur, t’i fshehin, me shpresën e mjerë, se mos midis nesh do të rritet një pyll i madh me drurë, gjethe e bar harrimi.
Nuk kanë për t’ia dalë…
Nuk kanë për t’ia dalë, sepse zëri juaj i gjallë, lira e shpirtit tuaj poetik, dhembja dhe trishtimi për njerëzit e këtij vendi të ngopur në lot e hidhërim, ka nevojë të tingëllojë si dyzet vjet më parë. Saharaja jonë është mbushur plot me hijena e çakej, plot me orla e zogj të përzishëm nate. Saharaja jonë ende vret… ajo vret kujtimet e shtrenjta, mendimin, përkushtimin për t’u lartësuar mbi banalitetet e përditshmërisë sonë të mjerë. Saharaja jonë, edhe kur nuk vret, përdhos.
Po unë dua t’ju siguroj, se fjalët tuaja të dashurisë, dhimbjes dhe bukurisë janë bërë testament për ne e për brezat që vijnë, natyrisht, për ata që e duan të bukurën dhe të vërtetën. Për ju është bërë shumë, ndonëse kurrë aq, sa do të donim ne. Vëllai juaj i gjakut, Bedriu, që i shpëtoi për fije tehut të vdekjes, për t’i rrëfyer botës fytyrën e vërtetë të krimit, ashtu siç ishte ajo – një meshë e zezë satanike, me flinë tuaj, në lulen e rinisë. Vëllau juaj i gjakut, si në amanetet e lashta, nuk la gur pa lëvizur, dry pa shpërthyer, skutë pa depërtuar, dhe ju zhburgosi nga arkivat sekrete. Ai nuk la xhep, sukë e përroskë të vendlindjes pa kërkuar, derisa jua gjeti skeletet e tretura, për t’ju kthyer një copë tokë të denjë në varrezat e të parëve, rrethuar nga nderimi i gjithë shqiptarëve normalë anembanë atdheut.
 .
Te varret e poetëve - 17 korrik 2017
Te varret e poetëve – 17 korrik 2017

Të dashur Genc dhe Vilson,

Sot mund të themi se janë të shumtë ata që kanë bërë diçka, sipas mundësive, për rikthimin tuaj midis nesh, me vepra e me përmendore, me këngë, me tituj nderi, me vend të artë ndër antologjitë e poezisë shqipe…
Por kjo ende nuk mjafton plotësisht. Kjo është ende vetëm rrugë për të bërë drejt jush. Sepse jeni e do të mbeteni pasqyra morale e poetëve martirë, që u masakruan pse e donin të bukurën dhe lirinë, pse kishin një etje të pashuar e mall për kulturën amtare e botërore. Ju jeni bijtë e civilizimit tonë. Dhe në këtë 40 vjetor të ndarjes së dhunshme prej nesh, ajo që rëndon, ajo që ende vazhdon të na ngrysë në kujtimin tonë të shenjtë për ju, është trashëgimia kainiane e vrasësve tuaj të djeshëm, që nuk e thanë kurrë një fjalë pendimi.
Vrasësit tuaj, vrasësit tanë…
E pabesueshme karriera e tyre. I pabesueshëm cinizmi, mohimi, alibia, refuzimi për të kërkuar ndjesë. Thonë, se vrasësja juaj e mbijetuar… E mbijetuar?! Jo! E shpërblyer, e përkrahur dhe e lumturuar nga farisejtë e shtypit dhe lumpen- kulturës. E pra, vrasësja juaj, Genc, paska shkruar një dramë, thonë, ku mëton të lajë blanat e gjakut në skenë… d.m.th, një dramë ku ajo tjerr alibinë e pafajësisë, dhe se Teatri ynë Kombëtar, mezi po e pret për ta vënë premierën e kësaj surrogatoje të ledi Mak(th)beth-it. E pabesueshme lehtësia me të cilën marionetat e shtypit dhe kulturës rreshtohen në anën e vrasësve. Kjo, më së paku na thotë, se e keqja vazhdon të ketë përkrahës besnikë. E keqja vazhdon të stërvisë, të rekrutojë ushtarët të rinj në frontin e vet publik, duke i dhënë cilësi të keqe, krrupë e ndot lirisë tonë. Lirisë…?! Fjalë njëmend e fryrë…
Dhe kjo e bën edhe më të shëmtuar krimin. Edhe më të urryer, edhe më të përbuzur karierën e tyre të përgjakur, zhyerjen, kredhjen e tyre në mëkat! Ata janë Saharaja që ka vrarë e vret çdo ditë.
Ç’të them më shumë për këtë përvjetor të ndarjes suaj fizike? Sigurisht, e dimë, se liria juaj e amëshuar nuk është e kërcënuar në ato sinore, nga asnjë kushtëzim, nga asnjë kompromis. Kurse e jona këtu, po! Me ndoht, me krrupë, me duhmë, me neveri, të cilën mundohen të na e imponojnë si normë, si rregjim mendor e shpirtëror frymimi. Por kjo mbetet të zgjidhet prej nesh. Dhe zgjidhjet ekzistojnë, gjithmonë… pa asnjë kompromis! Ndryshe nuk do ta meritojmë dot kurrë një mundësi takimi me ju, në mbretërinë e amshimit…
Me këtë bindje dhe këtë shpresë, ju përcjell nderimet e mia,
në dyzet vjetorin e pushkatimit tuaj,
Agron Tufa, 17 korrik 2017
P.S: Letër e autorit, e dërguar dhe e lexuar në sallën tubimit përkujtimor të 40 vjetorit të pushkatimit të poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi,
Librazhd, me 17 korrik 2017

 

Related Images:

Artikulli paraprakKush ishte intelektuali që u ekzekutua i pari nga komunizmi? nga Andreas Dushi
Artikulli tjetërLetra e plotë e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në 2 prill 1980
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.