back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Le të mos jetë grueja mâ pron’ e burrit… Xhemal Farka i shkruan Haki Stërmillit

Gazeta

Xhemal Farka
Xhemal Farka

Le të mos jetë grueja mâ pron’ e burrit… 

Zotit Haki Stërmilli nga Xhemal Farka – 1938*

Parathënie përshtypjesh e shkruar nga z. Xhemal Farka
në librin “Sikur t’sha djalë” të z. Haki Stërmilli
ribotuar më 1938 në Tiranë.
Xhemali dhe Hakiu ishin kolegë.
.
Parathania e Xhemal Farka per romanin "Sikur t'isha djalë"
Parathania e Xhemal Farka per romanin “Sikur t’isha djalë”

.

I dashun zotni Stërmilli,
Ende e gjallë m’âsht ushtima e nj’asaj klithme së vrazhëd që duel nga thellësit’ të Burgut për t’i lajmërue Botës së Lirë plagë të malcueme të shoqnis’ Shqiptare. Kur qinda e qinda gurmezë katilësh, kusarësh, mashtruesash e lloj-lloj mëkatarësh ende çirren në nji mënyrë shurthuese; kur jeta n’at Ferr të mbidheshëm më rrin para syvet me të gjitha shymtyrat të saja që vetëm penda e juej prej mjeshtri ka dijtë me i shtrue mbi kartë; kur ende mendohem për detyrën që ka çdo antar i kësaj shoqnie të apë ndihmën e tij të vogël për të shlye disi at turp, befas, nji gjâmë tjetër ma e hatashme dhe që e asgjason të parën sbulohet po prej jush.
Nji Burg tjetër shumë ma i madh se burgu i katilevet dhe shumë ma i padrejtë del sheshit në veprën e juej të re “Sikur t’isha Djalë”.
Të burgosunit, zoti Haki, sikundër që keni pasë fatin e zi ta provoni dhe vetë, nuk kanë miq. Edhe në patshin pasë plot në botën e lirë, aty ku janë ata tash, s’u bâhet kush mik mâ. Por të burgosunit gjetën në shkruesin e “Burgut” nji mik të vërtetë dhe fort bujar që bukur dijti me ua qâ hallet. Gjetën nji avokat pa doktoratë, po që e vuejti vetë vrazhdësin’ e burgut.
Edhe femnat, si të burgosunit, rrallë-herë ndeshen me miq të vërtetë e të pa të keq. Femna Shqiptare as që ka pasë ndonji herë miq. Ajo asht dënue me burgim të përjetshëm prej fatit dhe ka ndodhë në duer xhahilash. Gardianë q’e ruejnë janë vetë baba, burri dhe vllau i saj.
Por qe se edhe të Burgosunat të pafaj befas gjetën një mik shumë të vlefshëm. Ju përgëzoj me gjithë zemër për kët privilegj të fituem me të drejtë e me punë. Sepse asht nji privilegj të hyjsh në rreshta të luftëtarëvet për mbrojtjen e të drejtavet të grues në botë.
E pse mos të luftojsh për të shlirue këto fatzeza?
Katilat kanë vra, pra i kanë fut në burg. Kusarët kanë grabitë; mashtruesat e dhunuesat kanë bâ dishka, pra i kanë rrasë aty n’at Ferr për të la mëkatet që kanë bâ. Po femna Shqiptare ç’të zeza bani që prej sa e sa brezash rrin e burgosun dhe torturohet pa dijtë as ajo vetë se pse?
Ja ktu qëndron naltësija e “Sikur t’isha Djalë”. Nuk asht nji roman për të lëbyrë kohën si me romane të tjerë. Jo! Ajo edhe lexuesin ma të thjeshtë e ban me vu gishtin në ballë dhe me mendue nji copë herë për fatin e Dijes: për fatin e femnës Shqiptare. Ky roman pra, përveç shijes që prodhon në të kënduem, ka edhe nji qëllim moral shumë të naltë për mirësimin e shoqnisë. Qyshë në faqe të para lexuesi bâhet antar i flakët për lirimin e femnës shqiptare.
Sepse mënyra që keni gjetë për me na qitë lakuriq para syvet të metat dhe të shëmtuetat të jetës s’onë shoqnore asht e shkëlqyeshme. Kështu si ju kanë veprue dhe Inglizët dhe Amerikanët kur luftojshin për të drejta të grues. Nuk mjaftojnë vetëm artikuj të thatë nëpër fletore dhe të përkohëshme. Ata, sikurse dhe ju, shkruejshin novela, romane, dhe drama me subjekte nga jeta e grues që shfaqeshin prej artistësh të ndigjuem, tue këthye kështu opinionin e turmavet në favor të barazimit të të drejtavet.
Parathania e Xhemal Farka per romanin "Sikur t'isha djalë"
Parathania e Xhemal Farka per romanin “Sikur t’isha djalë”
Dhe me të vërtetë, “Sikur t’isha Djalë”, qyshë në ditë të para të daljes nga shtypi, ka prodhue në nji mënyrë të habitshme efektin e duhun në gjindje, dhe, Dija që përfaqëson femnën Shqiptare të burgosun dhe të martirizueme, ka fitue mjaft miq e dashamirë që do të përpiqen për lirin e saj.
Kështu, Zoti Haki, me “Sikur t’isha Djalë” nuk i keni ba shërbim vetëm Shoqnis s’onë. Po ta marrim ma shtruet punën, i keni vleftë civilizationit dhe njerzimit mbarë. Pse, a nuk jemi dhe na nji pjesë e atij kolektiviteti ma të madh qi quhet Botë?
Keni dhanë nji kontribut të naltë e të shëndoshë për mëkamjen e elementit ma t’aftë që mâ von mund të rroki flamurin e qytetnimit dhe të kulturës në kët vend.
Sëparit uroj që “Sikur t’isha djalë” të mos ndjeki fatin e Burgut. Zani i Dijes të mos mbetet nji za në shkretì si zani i të burgosunvet, por të bâjë përshtypjen e duhun edhe mbi ata që drejtojnë Shoqninë Shqiptare.
Fundit, po s’u ba gjâ, besa-besë s’na mbetet gjâ tjetër të bâjmë, veçse të mbulohemi dhe na burrat dhe djemt me çarçaf e me ferexhe… se ndryshe s’kemi fëtyrë me dalë përjashta!
Le të mos jetë grueja mâ pron’ e burrit.
Ju lumtë!
Ju falem me shëndet,
i Jueji, Xhemal Farka
* Materiali u përgatit nga e mbesa e Xhemal Farkës, Zenita Farka; titulli i shkrimit redaksional nga radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.