back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

‘Koha në lirikë’, 2008 – nga Kristaq Jorgo

Gazeta

Kristaq Jorgo
Kristaq Jorgo

‘Koha në lirikë’, 2008

nga Kristaq Jorgo

Në prag të 95-vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës (1926-2017),
përfaqësues i shquar i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, sjell këtu një artikullin tim
.
Mbi funksionin themelor të kohës në ligjërimin letrar
“Përse na duhet arti? Pse torturohemi, me tërë këto rima, ritme,
vargje gjashtë, shtatë, tetërrokësh, njëmbëdhjetërrokësh, gjashtë –
mbëdhjetërrokësh? […] Ç’do Bethoveni që shkon rrugës si i
çmendur, duke kompozuar e duke lëvizur duart? Ç’është ky mister?
Ç’i duhet njeriut arti?”
Lasgush Poradeci
Kasem Trebeshina (1926-2017) - punim grafik A. Vataj
Kasem Trebeshina (1926-2017) – punim grafik A. Vataj
Në artikullin tonë do të meditohet mbi thelbin e fenomenit kohë në veprën letrare, shembullzuar më pas me analizën nga ky pikëvështrim të poezisë “Hapat” të Kasëm Trebeshinës.
Trajtimi i një problematike të tillë, kështu të formuluar, sado në vijat më të përgjithshme e sado përanash që të bëhet, do të duhej të provonte:
– së pari, se përkundër trajtave të shumta tipologjikisht të ndryshme dhe modulimeve të pafundme në të cilat ‘koha‘ shfaqet e njëmendësuar në ligjërimin letrar, është e mundur të flitet për një thelb të fenomenit kohë në letërsi, thënë ndryshe, se shumësia e trajtave e modulimeve mund të reduktohet në një matricë elementare;
-së dyti, se kjo matricë elementare përfaqësuese e fenomenit kohë arrin të shembullzohet në formën më të qartë në kategori të caktuara tekstesh dhe në mënyrë absolutisht eksplicite në tekste të përveçëm;
-së treti, se ekziston një funksion qendror i kohës në letërsi apo i letërsisë në raport me kohën, dhe se ky funksion ka të bëjë me thelbin e veprës letrare si fenomen estetik.
 
1.
Mund të riformulohet për letërsinë vëzhgimi thelbësor për muzikën i Igor Stravinskij-t: letërsia jetësohet në vijë të kohës, ndaj lyp vigjilencë nga ana e kujtesës. Për rrjedhojë, letërsia është një art “kronologjik”. Ajo parakupton para së gjithash një organizim në kohë, një krononomi.
Përveç organizimit në kohë të ligjërimit poetik a krononomisë, të gjitha hipostazat e tjera të fenomenit kohë përnjësohen në atë që mund të quhet tematizim i kohës në ligjërimin poetik apo ‘kronografi’.
Ndësa pjesa dërrmuese e kontributeve poetologjike i janë përkushtuar çështjeve të kronografisë – do të duhet të përmendet këtu një nga kontributet e para e kryesore mbi fenomenin ‘kohë’ në poezi në lëmë të traditës studimore shqiptare, artikulli i I. Rugovës “Poezia dhe koha” – pak vëmendje i është kushtuar dhe i kushtohet krononomisë letrare. [E ashtuquajtura “kohë e rrëfimit” as vetëm zbehtësisht nuk është përfaqësuese e asaj që parakupton organizimi në kohë i rrëfimit a, më mirë, i ligjërimit poetik, krononomia.]
Elementi krononomik (organizimi në kohë i ligjërimit) dhe elementi kronografik (organizimi i kohës në ligjërim) dalin kështu si dy anë të së njëjtës medalje, pasi janë raporte të shenjuesit me të shenjuarin. Themi se kemi hedhur paksa dritë mbi atë që e cilësuam matricë elementare të fenomenit ‘kohë’ në letërsi.
Nga kjo pikëpamje – jemi të bindur se po bëjmë këtu një përcaktim të dorës së parë – mund të thuhej se shenjuesi bazal i shenjës letrare, përtej të cilit nuk mund të shkohet, domethënë i cili nuk mund të jetë i shenjuari i një shenjuesi tjetër, është pikërisht koha, më saktë kohëzgjatja, hapësira a njësia kohore, kohore-heshtësore më drejt, që mbushet pastaj me të shenjuar të niveleve të ndryshëm për t’u strukturuar së toku në trajta pafundësisht të larmishme.
Këtej del përfundimi sa i thjeshtë aq dhe thelbësor se absolutisht të gjithë të shenjuarit e të tëra niveleve të makroshenjës letrare që është vepra, edhe ato të nivelit kohor (kronografik), kanë në themel një shenjues të përbashkët, homogjen dhe elementar, njësinë a njësitë kohore. Nuk kemi parasysh me këtë, padyshim, një shenjues në kuptimin klasik të termit. Nga ana tjetër, njësia kohore nuk përfaqëson një njësi boshe, por një njësi heshtjeje, fshehëse strukturash të padukshme që ajo, njësia kohore/ mendore/ ndjenjësore e konceptuale i bart në vetvete për t’i shfaqur sakaq në vijë të shtjellës së ligjërimit poetik/letrar.
Implikimet e një përfundimi të tillë janë, sipas nesh, tepër të rëndësishme, por këtyre ne do provojmë t’u qasemi vetëm kalimthi e vetëm në fund.
 
2.
Qoftë organizimi në kohë i ligjërimit letrar (krononomia), qoftë organizimi a tematizimi i kohës në ligjërimin letrar (kronografia) arrijnë trajtën më eksplicite në lirikë. Sa është qartazi e pakundërshtueshme pjesa e parë e pohimit aq duket e dyshimtë pjesa e dytë e tij. Por ne duam të këmbëngulim se, ashtu si i pari, edhe kompleksi i fenomeneve të organizimit të kohës në ligjërimin letrar apo i kronografisë, përkundër mendimit zotërues, mishërohet në formën më të qartë, më të plotë dhe më përfaqësuese në poezinë lirike.
Në lirikë, pse, duke sjellë si mbështetje mendimin e Gëtes e të Haidegerit, poezia, posaçërisht ajo lirike, mund të konsiderohet si forma më sublime e krijimit, apo krijimi ‘tout court’; pse, duke rikujtuar tezën e Leopardit, lirika është gjenetikisht lindëse e eposit dhe e dramës; pse, çdo lirikë, me Emil Steigerin, bart farat e të tria gjinive: në nivelin e tingullit e të rrokjes: ndjenjën – lirikën e kulluar; në nivelin e fjalës: rrëfimin – epikën; në nivelin e vargut: konfliktin – dramën. Në lirikë së fundmi, pse, nëse thelbi letrar i çdo teksti është kozmografik, nëse çdo tekst dhe çdo tekst letrar në veçanti është gjithmonë një kozmografi globale apo lokale, përderisa ai transformon një gjendje kaotike të gjërave në një tablo homogjene, centripete dhe të organizuar, ky tipar nuk mund të njëmendësohet më mirë se sa në tekstin, gjenerues i të cilit është bash një forcë homogjenzuese, organizuese dhe qendërzuese par excellence – uni lirik.
Kjo specifikë nuk mund të shprehet në të njëjtën mënyrë në të tëra veprat. Ajo, supozojmë, do të duhet të dalë absolutisht qartazi në veprat lirike që njëmendësojnë një kozmografi globale antropike eksplicite; kozmografi globale – domethënë ku të mos mungojë absolutisht asgjë, asgjë nga të dukurat e të padukurat, për të përdorur një sintagmë të Shkrimit të Shenjtë; kozmografi antropike – pra me njeriun në qendër; kozmografi eksplicite – pra jo të nënkuptuar, por të tematizuar.
Kozmografitë globale antropike eksplicite janë, sipas nesh, të tematizuara vetëm në krijime të përveçme lirike. Një shembull të shkëlqyer na jep poezia “Hapat” e Kasëm Trebeshinës.
 
Hedh hapat nëpër kohët që kaluan,
Duke kërkuar për vështrimin tënd.
Padashur shkel n’orbita që nuk dihen,
Paditur dal atje ku hapësirat as nuk shtrihen…
Dhe mbetem i malluar te ky vënd!
Kërkoj gjithë vjeshtët bashk’ të nisem për diku,
Kërkoj të gjith’ pranverat të kthej te ai vënd!…
Folet’ s’jan’ më tashti, s’arrin atje mendimi,
Heq rrathët kaltërsis’dhe s’kthehet prap kujtimi,
Për lamtumir’ më kot kërkon vështrimin tënd!…
Ndaj mbetem i harruar n’asnjë kohë,
Ndaj nuk ndaloj te vëndi që s’është vënd!
Livadhit në blerim pranverash tashti humbur,
Si flutra ngjyra-ngjyra, po fluturojn’ kujtimet,
Të thinjur nuk pushojn’ tashti atje mendimet…
Dhe un’ kërkoj më kot, kujtoj vështrimin tënd!…
Dhe dal përtej një kohe dhe çdo kohe,
Harruar nuk jam më këtu dhe n’asnjë vend!
Nuk jam as te kujtimet që sillen bashk’ me flutrat,
Nuk jam as te blerimet që më nuk do blerojnë…
Në kaltërsi verbuar sa shoh vështrimin tënd!
 
E tëra zhvillohet në mendjen-shpirt të unit lirik në trajtën e introspeksionit të pastër, i cili sa vjen e thellohet, si një kërkim i ethshëm i mbushur me dështime, mohime e pengime gjithfarëshe.
Diskrepanca mes gjuhës poetike dhe gjuhës së komunikimit normal, logjikës poetike dhe logjikës së përditshmërisë, përvojës që ofron bota e poezisë dhe përvojës standarde është e jashtëzakonshme.
Kemi një tematizim të gjithanshëm e të shumëfishtë të kohës: lëvizje nëpër kohë (str. I: “Hedh hapat nëpër kohët që kaluan,”), mbledhje të kohëve (str. II: “Kërkoj gjithë vjeshtët bashk’ të nisem për diku,”), tërheqje prej kohës (str. III: “Ndaj mbetem i harruar n’asnjë kohë,”) dhe dalje përtej kohës e asgjësim të saj (str. IV: “Dhe dal përtej një kohe dhe çdo kohe,”).
 
3.
Cili është funksioni themelor i poezisë, i letërsisë, i artit? “Ç’i duhet njeriut arti?” (Poradeci). Funksioni i tij qëndron, me Niklas Luhmann-in, “në konfrontimin e realitetit (të njohur prej gjithkujt) me një version tjetër të po këtij realiteti”, të po kësaj jete, e cila, kështu Poradeci, “është e shkurtër, po sa e shkurtër është aq dhe e rëndë. Lindim duke qarë, rritemi duke qarë, humbim nënën, babanë, të afërmin, shokun, shoqërinë, humbim të dashurën, dashurinë, humbim rininë, jetën, shpresën… Për të gjitha këto dhimbje njeriu kërkon një ngushëllim, një kënaqësi. Dhe këto i gjen te arti. Prandaj misioni i artit është të na japë një kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës.”
Por mizerjet e jetës: kushtëzimi, pengimi, vuajtja, kaosi, shpërbërja, anomia, dështimi, vdekja janë të gjitha bija të ndarjes dhe ndarja vetë bijë-nënë e kohës. Koha është, si të thuash, burgu i qenies.
E tillë paraqitet në poezinë e Trebeshinës. Paraqitet për t’u kapërcyer. Realizimi i qenies, domethënë kapërcimi i ndarjes, i kaosit nuk ndodh as përmes kërkimit (str. I), as përmes mendimit e kujtimit (str. II), as përmes meditimit (str. III) – ky realizim nuk ndodh pra në kohë – por përmes takimit të drejtpërdrejtë kohëasgjësues dhe shkrirjes ekstazike të pjesëve në një (str. IV), në çastin, më saktë, në mosçastin e mposhtjes së kohës, të kapërcimit të saj, mosçast të cilit i ka paraprirë, në të vërtetë, përshkrimi e përjetimi i të tëra kohërave, ngopja me to.
Një poezi që njëmendëson një kozmografi totale antropike eksplicite, në mënyrë të pashmangshme do të tematizojë asgjësimin e kohës si kusht për realizimin e plotë të qenies, dhe kjo nuk mund të kryhet ndryshe përveçse për hir dhe me hirin e dashurisë. Këtë ka bërë Dante Aligieri me “Parajsën”, këtë Lasgush Poradeci me “Vallen e Yjve” e “Kamadevan”, këtë Kasëm Trebeshina me “Hapat”. E përderisa ne, me marrëveshje të argumentuar, e pranuam këtë të fundit si poezi përfaqësuese par excellence, mund të themi se çdo poezi e madhe e çdo vepër letrare e madhe në përgjithësi, në thelb, tematizon më shumë a më pak asgjësimin e kohës si kusht për realizimin e plotë të qenies.
Deri tani diskutuam fare shkurtimisht se ‘pse’ dhe ‘si’ realizohet asgjësimi i kohës në nivelin tematiko-narrativ të ligjërimit. (Ia vlen të sjellim këtu një pohim të shkrimtarit të madh amerikan Ëilliam Burrouhgs (1914 –1997): “Njeriu e ka shitur shpirtin në këmbim të kohës, gjuhës, veglave, armëve dhe mbizotërimit. Dhe për t’u siguruar që ai nuk del nga rreshti, këta pushtonjës mbajnë gati një garnizon uzurpues në hemisferën jombizotëruese të trurit të tij. Ideja ime si shkrimtar i gjithëditur në një zbrazëti, vacuum të pakohë është… Pra, mendoj se e vetmja gjë për të cilën ia vlen të përpiqesh në të shkruar, është pavdekësia. Por pavdekësia në hapësirë dhe jo në kohë. Ne jemi si ato krijesat ujore, të cilat vështrojnë nga ajri dhe vrasin mendjen se si të mbijetojnë në këtë mjet të panjohur. Uji ku ne jetojmë është koha. Ai mjeti i panjohur, që ne kundrojmë përtej kohës, është hapësira. Dhe ajri i ri që na duhet për të marrë frymë në këtë habitat të ri, është heshtja. Heshtja është e frikshme vetëm për ata që janë të shtrënguar të flasin, ata që flasin me pahir.”)
Diskutuam pra deri tani fare shkurtimisht se ‘pse’ dhe ‘si’ realizohet asgjësimi i kohës në nivelin tematiko-narrativ të ligjërimit. Po çlirimi prej ‘burgut të kohës’ në nivelin e krononomisë? Pasi, duhet thënë se koha si faktor estetik është e lidhur thelbësisht e para së gjithash me krononominë. Janë strukturat krononomike që estetizojnë, bashkë me gjithë strukturat e tjera, edhe ato kronografike, të cilat atyre (të parave) u mbivihen. Thënë ndryshe, nëse ligjërimi në nivelin krononomik nuk pasqyron një dukuri estetikisht të bukur, është e vështirë – në të vërtetë është e pamundur – ta pretendojë e ta arrijë këtë në nivele më të larta të organizimit të tij, të cilat, po e përsërisim, në atë nivel e kanë themelin.
Ky çlirim prej burgut të kohës mund të arrihet dhe arrihet vetëm përmes së bukurës, e cila me imediatësinë dhe pandërmjetshmërinë e gëzimit estetik që na ofron, s’është tjetër veçse shprehje e një rendi të përkryer, rezultat i kohëasgjësimit edhe në aspektin formal.
Por, kujdes! E bukura, pra shpërthimi i ‘burgut të qenies’, pra asgjësimi i kohës, arrihet përmes strukturimit të posaçëm të kohës. Mbërrijmë në përfundimin paradoksal: Koha është njëheri burgu i qenies dhe çelësi për shpërthimin e tij. Formula qendrore e liturgjisë së krishterë “Me vdekje vdekjen shkeli” mund të parafrazohej këtu plotkuptimshëm në trajtën “poezia (letërsia) përmes kohës kohën asgjëson”
Ndodhemi në nivelin njëherësh elementar dhe fundamental të krononomisë. Tundimi për t’iu qasur këtij problemi, pra mënyrës se si përmes strukturimit a manipulimit të posaçëm të kohës a strukturimit në kohë të ligjërimit poetik arrihet asgjësimi i kohës, domethënë shpërthimi i burgut të qenies, domethënë njëmendësimi i së bukurës, pra lindja e poezisë dhe e gjithë artit, tundimi për t’iu qasur këtij problemi – problemit thelbësor të hulumtimit poetologjik – është shumë i madh. Por akoma më i madh është pengimi për ta përballuar sot për sot këtë problem, më saktë këtë mister, para të cilit ne tani me përnderim tërhiqemi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.