back to top
34.5 C
Tirana
E enjte, 20 Qershor, 2024

Jeta dhe vepra e Dom Shtjefën Kurtit (24 dhjetor 1898 – 29 shtator 1971)

Gazeta

Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)

Jeta dhe vepra e Dom Shtjefën Kurtit

(24 dhjetor 1898 – 29 shtator 1971)

“Pushkatohet nga rregjimi komunist
prifti katolik Dom Shtjefën Kurti me 1971,
në moshen 74 vjeç,
sepse u shqiptonte pagëzimin fëmijeve të vegjël,
kur për ne shqiptaret “Formula e Pagëzimit”
është dy herë e shenjtë”.
(nga parathënia e librit “Vilsoni dhe Genci”).

Jetëshkrim  

Dom Shtjefen Kurti ka lindur ne Prizren me 24.12.1898, natën e Krishtlindjes nga një familje kosovare, e cila në vitet e para të ‘900 u zhvendos në Ferizaj. Nga koha e Turqisë dhe deri në kohën e Serbisë së Parë, i ati ka qenë marrë me tregtinë e drithrave dhe artikujve ushqimore duke siguruar një pasuri të mirë. Shkollën fillore e kreu në Ferizaj ndërsa gjimnazin në shkollën e Jezuitëve në Shkodër. Në vjeshtën e vitit 1918, është i regjistruar në Universitetin Shtetëror të Insbruckut – Austri për teologji. Pas një viti, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore shkon në Itali për të vazhduar atje studimet e e tjera të larta. Mbasi ne vitin 1921, shugurohet prift kthehet në Mbretërinë Jugosllavisë dhe fillon punë si sekretar i Kryepeshkopit në Shkup për 6 muaj dhe meqënëse Kryepeshkopi u transferua në Shkodër caktohet famullitar në katundin Novosellë të nënprefekturës së Gjakovës. Kërcnuar nga organizata serbe “Crna Puka” me dt. 2 janar 1930, kalon kufirin ilegalisht për në Shqipëri. Po atë vit merr nënshtetësinë shqiptare duke mbajtur dhe nënshtetësinë jugosllave pasi nuk kishte bërë shpërngulje civile. Fillimisht vendoset në Shënaprende të Krujës dhe në v. 1933 emërohet famullitar në fshatin Gurëz. Në prill 1938, emërohet famullitar i Famullisë Katolike të Tiranës deri ne tetor 1947, kur ndodh arrestimi i parë dhe dënohet nga një Gjykate Ushtarake me 20 vjet burg. Dënimin e kryen në burgun e Burrelit deri në maj 1963. Mbas refuzimit për të punuar si famullitar në Jubë të Durrësit nga organet komuniste të atij qyteti, rikthehet në kishën e Gurëzit. Pas mbylljes së dhunshme të objekteve fetare dhe ndalimit të ushtrimit të fesë punon si kooperativist në kooperativën bujqësore të Gurëzit deri me 11 qershor 1970 kur ndodh arrestimi i dytë. Në 22 korrik të vitit 1971, dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet në moshën 74 vjeç ne mënyre shumë të fshehtë me 29 shtator 1971.
Akoma deri më sot nuk i është gjendur varri i tij.

Prizreni - Shtator 1863 (Foto: Josef Székely)
Prizreni – Shtator 1863 (Foto: Josef Székely)

Veprimtaria fetare

Mbasi mbaron me nota të shkëlqyera universitetin teologjik të “Propaganda Fide” në Romë, ftohet të punojë në Shtetin e Vatikanit, por ai refuzon, duke e motivuar “fatin tim e kam të lidhur me fatin e popullit tim shqiptar dhe prandaj dua të gjendem pranë tij”. Por gjendja popullsisë shqiptare në Kosove ishte e mjerueshme nën sundimin dhe genocidin e vazhdueshëm serb ndaj tyre. I edukuar dhe shkolluar me parimet e të drejtës së patjetërsueshme universale të jetës, të lirisë, të pronës, gjuhës amtare, të shprehjes së mendimit etj. nuk mund ta pranonte realitetin shtypës dhe vrasës që shteti i Mbretërisë së Dytë të Jugosllavisë ushtronte mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare në trevat e saj. Për këtë qëllim ai, së bashku me dy priftërinj të tjerë, Dom Gjon Bisaku dhe Dom Luigj Gashi mbledhin fakte, dëshmi etj., dhe përgatisin një material të fuqishëm denoncues të emërtuar “Memoire”, ku në 50 faqet e saj në mënyrë të shkëlqyer denoncohet dhuna dhe gjenocidi i shtetit të Jugosllavisë mbi popullsinë shqiptare që jetonte në atë kohë në hapsirat e Mbretërisë së Jugosllavisë. Ky material iu dorezua Eric Drumond, Sekretar i Pergjithshem i Lidhjës së Kombeve, në atë kohë me qendër në Gjenevë. Aty në Gjenevë të Zvicrës ai deklaronte: “Zoti Sekretar i Përgjithshëm, ne nuk jemi të dërguarit e parë të popullsisë shqiptare që jetojnë në Mbretërinë e Jugosllavisë e që po paraqesin përpara Lidhjes së Kombeve gjendjen aq të trishtuar që i është krijuar kësaj popullsie nga thundra serbe. Ne me siguri, nuk do te jemi as të fundit që po protestojmë përpara këtij forumi të lartë për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare, po qe se politika e pushtetarëve të Beogradit nuk do të ndryshojë rrënjësisht në qëndrimet e tij kundër popullsisë shqiptare…
Dënuar nga një fat i zi dhe duke kaluar nga një verdikt në tjetrin, kjo pjesë e kombit shqiptar jo më e pakët në numër se sa ajo që përben Shtetin e Pavarur Shqiptar, asnjëhere e për asnjë çast, pas kaq shekujsh, nuk e ka shijuar mirësinë e lirisë. E drejta e vetëvendosjes së popujve, e shpallur me aq solemnitet nga themeluesit e Lidhjes së Kombeve, apostuj të paqes ndërkombëtare mbetet për ne vetëm një dëshirë e shenjtë”. Ky fjalim dhe materiali denoncues “Memoire” bëri që Lidhja e Kombeve të hapte një hetim ndërkombëtar duke ngritur një komision të përbërë nga përfaqësues diplomatë nga Spanja, Kina dhe Norvegjia. Mbretëria e Jugosllavisë menjeherë për të amortizuar situateë e krijuar në këtë organizëm ndërkombëtar të lartë emëron menjëherë si ambasador pranë Lidhjes së Kombeve shkrimtarin e madh serb, fitues i çmimit Nobel Ivo Andriç. Ky ambasador me reputacion të madh europian duke përfituar nga diplomacia e dobët e shtetit ame dhe duke shfrytezuar lidhjet e forta qe Serbia kishte me kancelaritë perëndimore arriti pas tre vitesh të bindte Komisionin tripalësh Spanjë-Kinë-Norvegji, që ky dokument të konservohesh. Kjo veprimtari e madhe patriotike rriti akoma me shumë reputacionin e tij që nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdim i angazhimeve fetare dhe patriotike që gjithmonë kanë kryer klerikët tanë.

Martirizimi

Ardhja e regjimit komunist në 28 nentor 1944, Dom Shtjefën Kurtin e gjen në krye të Kishës Katolike të Tiranës të cilën e drejtonte prej vitit 1938. Reputacioni i tij ishte shumë i lartë, reputacion i ngritur jo vetëm si meshtar i kishës katolike autoritare mbi 100-vjeçare të ndërtuar nga Perandori Austriak Franc Jozef në qendër të kryeqytetit, por dhe se për një vit deri ne prill 1939, ai ishte Kapelani i Mbretëreshës Gjeraldinë të cilës i kishte ndërtuar një kapele ne pallatin mbretëror për nevojat e saj shpirtërore të lutjes. Ndërkohë gjatë periudhës së pushtimit italian dhe gjerman ay shpëtoi mbi 10 hebrej nga persekutimi, shpëtoi me dhjetra familje tiranase duke i strehuar në kishë gjatë bombardimeve, duke shpërndarë e dhënë ndihma, mbështetje, solidaritet njereëve në nevojë, antar i komisionit qytetar të Tiranës për mbrojtjen e qytetit nga djegia që mund të pësonte nga projekti i futjes së partizanëve në kryeqytet pas largimit të pushtueseve italianë shtator 1943, etj, nga influenca absolute që ai kishte në Kupolën e Arqipeshkvisë së Durrës-Tiranë. Për kete arsye ai qe ne ditet e para te vendosjes se qeverisjes komuniste shenjestrohet per izolim dhe likujdim. Ne tetor 1946 arrestohet dhe ne prill 1947, dënohet nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Në vendimin e saj nr. s’ka dt.17.4.1947 thuhet: “Me akuzën: ka qenë antar i udhëheqjes dhe organizator i Organizatës Fashiste Terroriste të Sami Qeribashit dhe në bazë të neneve 3,7 paragrafi 8, 9, 10 të Ligjës nr. 372 e dënon me 20 (njëzet) vjet burgim punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile dhe politike për 5 (pesë) vjet kohe”. Gazeta “Bashkimi” e dt. 18. prill 1947 do të shkruante nën një titullin pompoz se “Dje Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës dha vendimin e saj kundra një grupi klerikësh armiq të popullit shqiptar që të veshur me petkun fetar, kanë punuar për rrëzimin e Pushtetit Popullor duke qënë në lidhje me agjentë të huaj prej të cilëve kanë marrë të holla dhe udhëzime. Në këtë grup bën pjesë Dom Shtjefën Kurti, Dom Pjetër Meshkalla. Rrok Abati dhe peshkopi Irine Banushi…
Të pandehurit Dom Shtjefën Kurti dhe Pjetër Meshkalla kanë bashkëpunuar ngushtë me okupatorin dhe kanë kontribuar në stabilizimin e regjimit të tyre. I pandehuri Don Shtjefën Kurti në kohën e okupacionit italian ka qenë Kapelan i Vilës së Jakomonit, ku ka kryer shërbime informative në favor të fashizmit… Dom Shtjefën Kurti ka bashkëpunuar me agjentë të huaj si Gjeneralin Hodgson, Kolonelin Palmer, Majorin Smith… ka patur lidhje me misionet ushtarake angleze dhe amerikane, si dhe me Majorin ushtarak francez Nisdrov… Dom Shtjefën Kurti ka përgatitur një memorandum dërguar këtyre misioneve ku është i gatshëm të krijojë një detashment prej 4.000 njerëzish për të shkaktuar çrregullime në vend dhe kërkojë ndihma ushtarake anglo-amerikane për të rrëzuar Pushtetin Popullor”. Me 11 qershor 1970, në moshën 72 vjeç ai arrestohet për së dyti tanimë në Gurrëz, në magazinë si puntor kooperative duke shkoqur misër. Pas një viti hetuesi të pashembullt për të vërtetuar akuzat e rrejshme politike, propagandistike dhe dëshmitë false në korrik të 1971, ay dënohet nga Gjykata e Rrethit Krujë pas një gjyqi popullor treditor me dënim maksimal. Në vendimin nr. 54, dt. 31. 7. 1971 të trupit gjykues thuhet: “Me akuzën për Agjitacion e Propagandë e Sabotim të Pushtetit Popullor dhe në bazë të neneve 72 e në lidhje me nenin 42, germa a, të Kodit Penal e dënon me vdekje me pushkatim. Në bazë të nenit 73 të Kodit Penal me 10 (dhjetë) vjet heqje lirije dhe sipas neneve 27 dhe 28 me heqjen e të drejtave elektorale për 5 (pesë) vjet kohë. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të Kodit Penal e ka dënuar me Vdekje me Pushkatim, me konfiskimin e pasurisë dhe heqjes e të drejtave elektorale për 5 (pese) vjet. Gjykata e Lartë Ushtarake e ka aprovuar dënimin me vdekje të Dom Shtjefën Kurtit”. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e miraton vendimin e Shkallës së Parë pa marrë as mundimin për rishqyrtim të këtij vendimi, por e miraton njëzëri relacionin duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës së Krujës.
Në këtë relacion thuhet: -Shtojcë në pikën e 7, Rendi i ditës së mbledhjes dt. 23.9.1971, ora 11, “Relacion mbi të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti”. “I mbrujtur me armiqësi të thellë kundër pushtetit, menjëherë mbas masave revolucionare të marra kundër fesë, ay përsëri është hedhur në një veprimtari armiqësore të tillë. Në biseda me të gjykuarit dhe me dëshmitarët e pyetur nga gjykata ai ka errësuar realitetin socialist dhe ka bërë fjalë për nivelin e ulët të jetesës tek ne, veçanërisht për gjendjen e varfëruar të fshatit duke konsideruar si shkaktar të saj sistemin kooperativist bujqësor. Ai thoshte se në vendin tonë nuk ka liri, se masat e marra kundër fesë janë një “mohim i grimcës së fundit të lirisë” dhe njëkohësisht ka mburrur jetën në vendet kapitaliste. Duke dëshiruar rrëzimin e pushtetit popullor, ay ka përshëndetur të ashtuquajturën “Pranvera e Pragës” dhe ka uruar që ajo të përshëndeste sa më parë dhe vendin tonë…
Në materialin përfundimtar të parashtruar në Gjykatën e Lartë të RPSSH thuhet se: “Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, mbasi dëgjoi relacionin e anëtarit dhe prokurorit për lënien në fuqi të vendimit dhe mbasi shqyrtoi e analizoi çështjen në tërësi: Vëren “Vendimi i Gjykatës është i drejtë dhe si i tillë duhet lënë në fuqi.
Në bisedat që kanë zhvilluar në këtë rast të gjykuarit e kanë paraqitur gjendjen ekonomike dhe nivelin e jetesës në vendin tonë si shumë të ulët dhe me pasoja të dëmshme për popullin. Ata kanë bërë krahasime me vendet kapitaliste e revizioniste dhe kanë mburrur “epërsinë e pronës private”. Në mënyrë të veçante ata kanë goditur sistemin kooperativist bujqësor dhe e kanë konsideruar atë si shkakun nga i cili populli vuajtka nga mungesa e prodhimeve bujqësore. Kanë dëgjuar emisione të radiove të huaja dhe i kanë komentuar ato sipas shijeve të tyre. Eshtë vërtetuar se në vitin 1965, ka filluar agjiatcion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe i gjykuari Shtjefën Kurti, përveç sa u tha më sipër, ka propoganduar sikur gjendja ekonomike e politike e vendit tonë qenka në buzë të greminës dhe së shpejti kjo situatë do të ndryshonte me ndërhyrjen nga jashtë. Nga materialet e çeshtjes ka rezultuar se në vitin 1967, është shfaqur haptazi aktiviteti armiqësor i të gjykuarit Shtjefën Kurti, i cili para një viti ka qenë klerik në fshat. I mbrojtur me armiqësi të thellë kundër pushtetit popullor duke marrë shkas nga masat revolucionare të marrë kundër fesë ai ka vënë të gjitha aftësitë e tij në shërbim të qëllimit të tij kundërevolucionar. Fillimisht në bisedë me të gjykuarit si dhe me dëshmitarët e pyetur nga gjykata, ai ka derdhur vrer kundër pushtetit popullor duke filluar nga e ashtuquajtura gjendje e varfëruar e fshatit, tek mohimi i grimcës së fundit të lirisë personale, siç i quante ai masat e marra kundër fesë, ose dëshira e tij e flaktë që e ashtuquajtuara “Pranvera e Pragës” ta përshëndeste sa më shpejt vendin tonë. Ay duke komentuar lajmet e emisioneve të huaja reaksionare, bënte fjalë për gjoja në mënyrë të argumentuar për epërsinë e sistemit kapitalist, për të ashtuquajturën garantim të lirisë personale e për nivelin e lartë të jetesës në këto vende. Të gjendur në pozita të tilla armiqësore këta të gjykuar nuk kanë munguar që të bisedojnë edhe çeshtjen e arratisjes së tyre jashtë shtetit. Në këtë mënyrë i gjykuari Shtjefën po bëhej gradualisht një frymëzues dhe një nxitës kryesor i kësaj veprimtarie armiqësore dhe njëkohësisht një drejtues me përvojë i tyre. Lidhur me këtë fakt i gjykuari… ka thënë se Shtjefni e nxiste që të luftonin pushtetin mbasi kështu do të kishin merita në të ardhmen… Me qëllim organizimi të mëtejshëm të kësaj veprimtarie armiqësore nga fundi i vitit 1969, në shtëpinë e të gjykuarit Shtjefën është organizuar një darkë ku kanë marrë pjesë i gjykuari Shtjefën, etj. Mbas bisedave të tjera me karakter armiqësor i gjykuari Shtjefën u ka përsëritur të pranishmëve që të vidhnin sa më shumë kooperativën që ajo të shkatërrohej. Në vazhdim të bisedave të tyre ay u argumentonte atyre se kjo nuk është gjynah mbasi në këtë mënyrë merrnin djersën e tyre dhe sipas fesë gjynah ishte në rast se do të vidhnin njeri-tjetrin. Kështu siç ka pranuar edhe vetë i gjykuari përvetimin ay e ka filluar në vitin 1968, ndërsa gjatë vitit 1969, vetë dhe në bashkeëunim me persona të tjerë ka përvehtësuar drithëra dhe të holla me një vleftë prej 6.658 lekë. Në këto rrethana, gjykata me vend, këtë veprimtari e ka cilësuar jo sipas nenit 80 të KP., por sipas nenit 72 të këtij kodi. Duke përvetuar në mënyre sistematike në dëm të kooperativës bujqësore, para se gjithash ata kanë dashur të realizojnë qëllimin e tyre kundërevolucionar për të shkatërruar ose dëmtuar kooperativën bujqësore, d.m.th. për të minuar bazën ekonomike të pushtetit popullor. Pra në veprimtarinë e tyre kriminale ata janë shtyrë nga motive kundërevolucionare dhe këtë fakt i gjykuari Shtjefën Kurti e ka pohuar në hetuesi dhe në gjykatë. Përveç kësaj përpjestimet e mëdha të dëmit të shkaktuar kooperativës bujqësore janë një provë tjetër e qëllimit të tyre për të minuar bazën ekonomike të pushtetit popullor. Veprimtaria sabotonjëse kundër pushtetit është zhvilluar edhe nga persona të tjerë. Në zbatim të orientimeve të dhëna prej të gjykuarit Shtjefën Kurti ka rënë në marrëveshje me të gjykuarit e tjerë dhe të tre së bashku kanë kryer veprimtari tjetër sabotonjëse. Kështu gjatë prashitjes së misrit ata e kanë dëmtuar atë duke hequr bimët e shëndosha e duke lënë ato më të këqijat. Në një rast tjetër me qëllim që traktori të mbetej pa punë për një kohë sa më të gjatë kanë lënë pa përhapur plehun kimik në një pjesë të parcelës ku punonin. Këta të gjykuar nuk kanë munguar të shkëmbejnë mendime për ta dëmtuar kooperativën bujqësore nëpërmjet djegies së stallave, kavaletave të kashteë ose të prodhimeve të tjera bujqësore…”
Këto vendime juridike nga Gjykata e Rrethit Krujë deri në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë komuniste të shkojnë në vend kur mendon se me çfarë lloj gjuhe juridike, prova dhe fakte është vërtetuar dhe justifikuar dënimi me vdekje me pushkatim i një prifti, i një qytetari, i një të moshuari 74 vjeçar. Nuk mund të bësh dot asnjë lloj komenti me idiotesirat, budallallëqet, çmendurinat e perversitetet e këtij vendimi të përshkruar nëpër këto dokumenta që morën jetën e një plaku 74 vjeç.
Nëse do t’ju jepen këto dokumenta të përkthyera juristëve tëhuaj për interpretim do të kapnin kryet e kokës dhe nuk do ta besonin që këto krime kështu kanë ndodhur realisht në regjimin komunist shqiptar.

Kleri Katolik Shqiptar (mjaft prej tyre janë martirë të fesë e të Atdheut)
Kleri Katolik Shqiptar (mjaft prej tyre janë martirë të fesë e të Atdheut)

Reagimi ndërkombëtar

Pushkatimi i Dom Shtjefën Kurtit u bë në mënyrë jashtëzakonisht të mistershme për të cilën ay rregjim e kishte përvojën me të mirë. Varrimi u krye në një vend të fshehtë dhe nuk është gjendur asnjë dokument në të cilën të përshkruhesh veprimi i pushkatimi dhe vendi varrimit, siç bëhej për raste të tilla. Kjo vrasje u mbajt e mbyllur dhe vetëm në pranverë të vitit 1973, ai u bë e ditur nëpërmjet agjensive italiane e austriake, të cilët morën të parat informacion e këtij rasti. Reagimi ndërkombëtar mbi këtë krim ishte i menjëhershëm dhe rregjimi komunist u vendos nën kritika dhe akuza mjaft të rënda. Pothuajse të gjitha agjensitë e lajmeve, gazetat prestigjioze europiane, televizionet kryesore më në zë e denoncuan këtë fakt dhe dënuan regjimin e Enver Hoxhës si regjimin më të egër e kriminal të botës lindore. Në Amerikë diaspora shqiptare u trondit thellë nga ky akt dhe organizoi tubime të fuqishme pranë pallatit të xhamtë të OKB në Nju Jork. Ato me parrulla dhe slogane antikomuniste u ngjitën deri në katin e 20 ku ndodhesh misioni ynë diplomatik dhe vetëm ndërhyrja e policisë zmbrapsi një shpërthim dhe një ndëshkim inati mbi këtë mision. Radio Vatikani zyrtarisht konfirmoi si barbare vrasjen e Dom Shtjefën Kurti.

Reagimi i regjimit komunist

Zbardhja e krimit të vrasje së meshtarit katolik Dom Shtjefën Kurti nga bota perëndimore e vuri në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë rregjimin komunist përpara vendeve dhe shteteve perëndimore. Menjëherë ky rregjim pasi ju zbulua krimi i bërë filloi sulmet e tij paranojake mbi të gjithë armiqtë e tij të jashtëm dhe të brendshëm. Kështu gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, etj. Radio e TVSH, Ministria e Jashtme e qeverisë së Mehmet Shehut dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike të atij regjimi në botë, kongreset e PPSh në Tiranë, ajo e gruas në Shkodër, Frontit Demokratik Shqiptar e BRPSH, qindra letra dhe telegrame të organizatave të partisë, gruas e rinisë etj. shpallën kryqëzatën me të egër ndaj figurës dhe veprës së Dom Shtjefën Kurtit dhe njëkohësisht të gjithë botës kapitaliste dhe revizioniste të botës. Vatikani u lut për shpirtin e tij dhe për popullin martir shqiptar nën vuajtjen e diktaturës enveriane.

Vlerësimi

Fitorja e demokracisë në vitin 1991, solli jo vetëm përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri por dhe ndriçimin e shkëlqimin e figurave karizmatike shqiptare të mbuluara e të arkivuara nga ay rregjim shtypës.
Me hapjen e Kishës Katolike të Tiranës “Zoja e Këshillit të Mirë” në rrugën e Kavajës populli katolik i Tiranës menjëherë vendosi një pllakat mermeri në respekt të meshtarëve të saj martirë: Dom Shtjefën Kurti, Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi. Në prani të personaliteteve të larta të Selisë Shenjtë, At Virginio Bussanelli, At Trifone Laberlarte, At Umberto Chiarrello dhe deputetit Pal Dajçi në muajin qershor 2002, në oborrin e Kishës Katolike te Gurëzit vendoset busti i Dom Shtjefën Kurti dhuratë e familjarëve të tij. Me propozim të shoqatave “Dom Shtjefën Kurti”, “Intelektualëve Katolike Shqiptare “ dhe asaj “Dukagjini” Këshilli i Komunës Fushëkuqe me unanimitet të plotë miratoi propozimin e këtyre shoqatave për vendosjen e emrit të gjimnazit të kësaj komune “At Shtjefën Kurti”. Në Republikën e Kosovës shkolla tetëvjeçare e fshatit Novoselë të Komunës Gjakovë mban emrin e nderuar të “Shtjefën Kurtit”.
Shtjefën Kurti mban medaljen “Martir i Demokracisë” dhe urdhrin “Për Veprimtari Patriotike” i klasit I. Në v.1993-1994 janë botuar dy vol. me titull “Dom Shtjefën Kurti, Kronikë e një jete në amshim” me autor Vlash Prendin dhe vol. III “Dom Shtjefën Kurti mes Krishtit dhe Kosovës” me autor Ndue Malajn. Bashkia e Qytetit Berat ka nderuar me “Medalje Mirënjohje” për kontributin e Dom Shtjefën Kurti në shpëtimin e jetës së shumë qytetarëve hebrej të strehuar në Shqipëri nga përndjekja naziste.
Oborri Mbretëror dhe personalisht Mbreti Leka Zogu i ka dorëzuar familjes Kurti një “Mirënjohje” të Familjes Mbretërore për Kapelanin e Mbretëreshës Geraldinë, Dom Shtjefën Kurti. Selia e Shenjtë duke e vlerësuar veprën baritore dhe sakrificën e jetës së famullitarit të saj Dom Shtjefën Kurti, me dekret të Papa Gjon Palit të Dytë, në Shkodër me 2 nëntor 2002, lexuar nga i dërguari i tij i posaçëm Kardinali Creshenze Seppe, u konfirmua fillimi i procesit të kanonizimit të Dom Shtjefën Kurti, së bashku me 40 kandidatë të tjerë proces, që është përfunduar në Shqipëri dhe priten procedurat e fundit kompetencë e Selisë së Shenjtë për deklarim zyrtar të këtij kanonizimi.
Shoqata HJQ “Dom Shtjefen Kurti”.
Nikolin Kurti (Kryetar)

Ky shkrim u botua në Gazetën 55 me rastin e 110 vjetori i lindjes, 24.12.1898 – 24.12.2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.