11.5 C
Tirana
E diel, 3 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

In Memoriam: Irena Puca – Mesuesja e Bukur – nga Artan Gjyzel Hasani

on

|

views

and

comments

Mesuesja Irena Puca
Mesuesja Irena Puca

In Memoriam: Irena Puca – Mesuesja e Bukur

nga Artan Gjyzel Hasani

E dashur Zysh… e dashur zysh Irena… e dashur Irenë… e dashur….
Më është e pamundur që fjala “e dashur” të mos jetë gjithnjë pranë emrit tënd. Besoj se kjo është letra e parë që ti merr pas vdekjes. Të paktën kështu dua të besoj në këtë ditë të parë të Ikjes tënde atje Lart…
Hedh një vështrim pas dhe kuptoj që e tërë jeta jote ka qenë një letër e gjatë dashurie për njerëzit.
Dashuri për familjen, nxënësit e tu, për kolegët dhe banorët e qytetit verilindor të Blinave, dhe për vetë atë qytet ku të hodhi destini i jabanxhiut.
Një letër dashurie që të paktën një herë në jetën e tij kush të njohu mendoi se i është drejtuar atij vetë. Dashuria jote për njerëzit me të cilët të lidhi jeta dhe puna ishte religjioni yt.
Dhe dashuria i bën të bukur njerëzit. Ata që e japin dhe ata që e marrin. Bukuria është dashuri, Zysh, dhe ti ishe E Bukura! Mësuesja me të cilën binin në dashuri të gjithë nxënësit e saj. Djem e vajza. Të parët shihnin te ty modelin e vajzës që do të donin të kishin në jetë, të dytat modelin se si donin të bëheshin.
Isha nxënësi yt i preferuar dhe nuk e di nëse në vendin tënd do kishte qenë një mësues tjetër unë do ta bëja edhe atë krenar siç të bëja ty. Ditën kur ti Zysh u shfaqe në klasën tonë të anglishtes për herë të pare unë kuptova që nxënësit kanë nevojë jo vetëm për mësues të mirë, por edhe të bukur.
Një ditë nxënësi u rrit, nuk e pa për shumë vite Zyshen e tij, por kudo që më hodhi jeta dhe fati nëpër botë dita e 7 marsit fillonte me telefonatën “Gëzuar, Zysh!” Për shumë vite me radhë dëgjoja në shkodranishte zërin tënd të ëmbël si lirikat e Mjedës në atë datë të shënuar.
“Ti zysh ke qenë dashuria ime e parë”, – të rrëfeva para disa vitesh, ndërsa flisnim në telefonatën tonë të radhës. Ti qeshe me zë të lartë dhe unë nuk e dija nëse duhet të heshtja apo të vazhdoja rrëfimin e mëkatit tim fillestar.
“Është kaq e bukur kjo që po ndodh brenda meje në këto çaste, Tanush! Është vërtet kaq e bukur! Kjo është poezia jote e munguar për zyshën!”, – ma ktheu zëri yt.
Mbaj mend herën e fundit që të pashë. Njëzet e ca vjet më parë. U lumturove kur të telefonova e ta bëra surprizë ardhjen time: “Zysh, ma hap derën!” Dera u hap dhe u gjenda në përqafimin tënd. Thinja argjendi ta hijeshonin fytyrën e bukur. Duke të pranuar në gjirin e saj pleqëria ishte fisnikëruar më shumë nga sa e meritonte. Ndjeva të njëjtin emocion si atëhere kur isha fëmijë e ti më quaje “keci im i vogël”.
Kaluan shumë vite të tjera pa u takuar dhe në një nga 7 Marset tonë të fundit më the: “Më pëlqeu shumë poezia jote “O grua e bukur!” Fatlume gruaja që i kushtohet ajo frymëmarrje cerebrale vargjesh. Në fakt mua m’u mbajt fryma, ndërsa e lexoja…”
“Është shkruar për ty, Zysh. Ti je ajo grua e bukur e atij qyteti të vogël…”, t’u përgjigja unë.
“Epo atëhere nëse është kështu, kjo poezi është më e bukur nga sa kam qenë unë, Tanush! Qënka e thënë që unë të lumturohem veç nga ty në këto vite të fundit të jetës. Por ah, zemra ime… Zysha është plakur shumë dhe jam e sëmurë!”
“Zysh… Ti gjithmonë je e bukur…”
“Mirë… Përderisa ne nuk mund të kishim bashkë sekrete të mëdha, kjo poezi le të jetë sekreti ynë i vogël…”, tha zëri yt dhe qeshëm përsëri të dy.
E dashur Zysh! Kam përshtypjen që atë poezi e kam shkruar përgjatë gjithë jetës, kur si nxënës të adhuroja buzëqeshjen, dashurinë dhe përkushtimin tënd për ne, vocrrakët e shkollës, si adoleshent të ëndërroja bukurinë e fytyrës, trupit, dhe të ecurën tënde që nuk i ngjasonte asnjë gruaje tjetër që njihja, si i rritur kuptoja bukurinë e shpirtit, rrezëllimin aristokrat të krejt qënies tënde dhe atë mirësi tronditëse sipas së cilës në parajsë modelohen ëngjëjt…
.
Vallë kush i mbron ëngjëjt?
Vallë kush i mbron ëngjëjt?
Sot sekretit tonë të vogël unë po i jap krahët e dashurisë tënde, Zysh Irena, të bëhet ëngjëll në fluturimin e vet atje lart për të ty…
Vallë kush i mbron ëngjëjt?
A kanë edhe ata ëngjëjt e tyre mbrojtës?
Ti tani je në rrugëtim dhe nuk ka kush t’u përgjigjet këtyre pyetjeve…
Por në pranverë, në të gjitha pranverat e vrullshme të botës, ka ca mëngjese që, pasi ledhatohen nga mjegullat, u dorëzohen avujve të ngrohtë të dheut dhe mbeten pezull mes rrezeve të diellit. Koha ndalon dhe bëhet heshtje. Nuk pipëtin asgjë. Një qetësi madhështore ku mund dëgjohet vetëm çelja e sythave dhe dhimbja e lëkurës së blinave teksa rriten. Dhe atëhere unë do të kuptoj që, prej atje Lart ku ndodhesh, je duke iu përgjigjur letrës sime të parë…
.
Zysh Irena
Zysh Irena

O Grua e Bukur!

një kopsë e zbërthyer në këmishën e qiellit
dhe diellit i merret fryma mes gjinjve të tu…
.
…sa herë që ti hap buzët
xhindet dalin nga shishja
bota harron dy dëshirat e tjera
dhe qiejt lëkunden…
.
sa herë që ti gëlltitesh
burrat e qytetit zvogëlohen
dhe hija jote mbars me hiret e tua
cigaret që nuk dinë ku t’i shkundin…
.
sa herë që kohën vret me ne
vend varri për të nuk ka…
në orën e madhe të retinës tënde
akrepat dëshmojnë vetminë tonë…
.
por dikur mund të të mbarohen vështrimet,
dhe… o Zot…
ajo ditë mos ardhtë kurrë,
bëje të jetë natë…
se kush do t’ia fshijë pluhurin qytetit shëndetlig
nga vitrinat bosh të syve…?
.
ti zhvishesh
dhe qyteti mërdhin…
.
pastaj ti fle
dhe qyteti humbet gjumin…
o grua e bukur!
.
Marre nga mủi i Artan Gjyzel Hasanit, 17 shkurt 2021
.

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.