I mallkuari Beden, me shtylla kryqëzimi për ata që flisnin për politikë – nga Ventigjar Hamzaraj

0
14
Ventigjar Hamzaraj (1923-1999)
Ventigjar Hamzaraj (1923-1999)
Kanalet e Kenetave te tha
Kanalet e Kenetave te thara

I mallkuari Beden, me shtylla kryqëzimi për ata që flisnin për politikë 

nga Ventigjar Hamzaraj

Ish-i dënuari politik Ventigjar Hamzaraj përshkruan me detaje
një nga kampet më të egra në vitet e para të diktaturës komuniste
për nga kushtet e jetesës, të punës dhe ushqimit
që thuajse i shndërroi në kafshë të burgosurit. Jo vetëm flinin në baraka
me llamarina që piqnin si furrë, jo vetëm punonin sa lindte e derisa perëndonte dielli,
jo vetëm ushqeheshin me ca çorba të gatuara në fuçi,
por edhe rriheshin e torturoheshin, qoftë edhe për argëtimin e rojeve.
Një nga torturat ishte kryqëzimi me duar dhe këmbë hapur në dy shtyllat vertikale
që qëndronin gjithmonë aty, në atë Golgotë të Kavajës ku ndëshkoheshin
ata që kryenin krimin e pafalshëm: flisnin për politikë 

⁠.
Ishte i ndërtuar me baraka. Shtylla druri të ngulura në tokë dhe veshje me rrogoza në faqet anësore; ndërsa mbulesa ishte bërë me llamarinat e fuçive të ndryshme të bitumit. Gjatësia e barkave varionte nga 40 m deri në 60 m. Një rrugicë e ngushtë rreth 80 centimetra shërbente për kalim. Në të dy anët e kësaj rrugice ishin ndërtuar dy kate dysheme në të gjithë gjatësinë e barakës dhe që shërbenin si krevate për të fjetur. Lartësia ndërmjet këtyre dyshemeve ishte e atillë sa që nuk mund të ngriheshe në këmbë sepse goditje kokën në dyshemenë e sipërme ose në llamarinat e mbulesës. Në muajt e asaj vere, ato llamarina nxeheshin aq shumë sikur të ishin një furrë e vërtetë. Nevojat personale kryheshin mbi një gropë të hapur prapa një barake. Mbi këtë gropë ishin hedhur disa dërrasa të veçuara, rreth dy metra larg njëra nga tjetra. Duhej një kujdes i madh kur shkoje mbi to, sepse lëkundeshin dhe ishin gjithmonë të lagura nga urina. Sikur të shkisje, bije drejt e në fekale ku dukeshin miliarda krimba me bisht që ushqeheshin atje. Ishte një pamje që të kallte krupën.
Fillimisht ndihej një farë turpi kur kryeje nevojat personale hapur, në prani të shumë vetave, dhe shumë të burgosur merrnin me vete ç’të gjenin, ndonjë copë letre ose rrecke për ta mbajtur para pjesëve intime. Me kalimin e kohës, uria, lodhja deri në palcë, dobësimi fizik ekstrem, rrahjet e policëve, bënë që edhe ky turp të mos ndihej më. Asgjë nuk të bënte më përshtypje, vuajtja ua ndryshoi natyrën njerëzve. Pak nga pak u krijua një farë bindjeje se aty na kishin sjellë për të vdekur, kështu që nuk kishte më kuptim të turpëroheshim. A ndjejnë turp kufomat? Bile, ndodhte që të bëhej muhabet me njëri-tjetrin duke kryer nevojën, ashtu normalisht pa bërë përshtypje. Aty shikoje se si u varej lëkura nga dobësia njerëzve, sidomos atyre në moshë pak a shumë të kaluar. Lëkura e tyre ishte më pak elastike, ndërsa tek të rinjtë ky fenomen nuk ndodhte, edhe kur arritën të bëhen kockë e lëkurë…
Policët që bënin roje brenda kampit ishin të pajisur me shkopinj të trashë e me nyje në vend të armëve dhe, për t’u zbavitur, herë pas here, ndonjë të moshuari që shkonte për në nevojtore, i jepnin disa të goditura. Natyrisht, jo të gjithë policët e praktikonin këtë metodë, kishte që nuk rrihnin, veçse ishin të rrallë, shumica e tyre ishin bisha të egra. Baraka kishte vetëm dy porta të ngushta: një në fillim për të hyrë dhe një tjetër në fund për dalje. Në të dy anët e daljes së portës rrinin të fsheh egërsira që godisnin papritmas me shkopinj. T’i shikoje se si zgërdhiheshin, kur rrëzonin përtokë me një goditje në kokë ndonjë fatkeq. Qeshnin dhe i mburreshin njëri-tjetrit për këto trimërira. Një ndër ata që e ka pësuar më keq, që e kanë rrahur më shumë, ishte Razi Murati nga Qishbardha e Vlorës, të cilin e thërrisnin “bej”. Zgjimi bëhej kur fillonte të agonte. Orë nuk lejohej të kishte njeri, askush nuk duhej të dinte sa ishte ora. Sikur të ndodhte të pyesje ndonjë polic, fillonin telashet; “Pse pyet për orën?”, “Çfarë ke ndër mend të bësh?”, “Çfarë do të marrësh vesh?” etj.. Dhe mund ta pësoje keq. Njerëzit filluan të orientoheshin me diellin dhe kishte mjaft veta që i afroheshin shumë orës së saktë, veçanërisht ata që kishin qenë barinj. Për një farë kohe në mëngjes na jepnin një lugë uji të ngrohtë me pak sheqer dhe këtë e quanin çaj. Më vonë na e hoqën me pretekstin se me sheqerin do të bënin hallvë kur të fillonte Kongresi I i Partisë Komuniste.
Meqenëse u hoq dhe ajo lugë uji i ngrohtë, atëherë menjëherë pas zgjimit do të shkoje të viheshe në rresht për dy në brigadën e punës ku ishe efektiv. Jo të gjithë ishin të shpejtë për t’u çuar e veshur. Për ata që vonoheshin druri ishte gjithmonë në veprim, si nga policët ashtu dhe nga komandantët e kompanive dhe brigadave.
⁠Në skuadrën ku punoja kishte edhe njerëz të mirë, sikundër ishin Injac Serreqi e Karlo Suma nga Shkodra, Selaudin Peshkëpia e Nazif Deromemaj nga Vlora, Qamil Sefa nga Lushnja, si dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet emri, me të cilët mund të bisedoje ndonjë gjë të thjeshtë pa frikë. Komandant i brigadës sonë ishte një i burgosur ordiner nga Shkodra, quhej Xhevdet G.
Një ditë ky fëlliqësirë goditi një të quajtur Zef (mbiemrin nuk e mbaj mend) dhe meqë ky reagoi, në ndihmë të Xhevdetit, vajti Kapter Hodo Halimi, roja i brigadës Niazi dhe një ndyrësirë nga Vlora i quajtur Baçe J. Të katër filluan ta goditnin me shkopinj sa i thyen kockat dhe e rrëzuan përtokë. Pastaj filluan ta mbulonin dheun e gërmuar të kanalit dhe qeshnin. Si duket Zefit nuk i kishte dalë shpirti dhe këta kënaqeshin kur ai përpëlitej dhe lëvizte dheun e hedhur. Ne shikonim nga larg këtë skenë makabre të pashembullt, që kryenin njerëzit e rendit më të përparuar në botë.
Nuk mund të përshkruhet urrejtja jonë kur ndodhnin akte të tilla: për njerëzit që i kryenin dhe sidomos për ata që i urdhëronin, Enver Hoxha e Koçi Xoxe; si dhe për bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë punës çdo dy ose tri orë na bënin dhjetë minuta pushim, pastaj sillej dreka me kazanë, që ishin të bëra me gjysma fuçish. Kuzhinierët që e sillnin pranë vendit të punës, ishin të burgosur. Gjella ishte gjithmonë supë: me oriz, me makarona ose me fasule. Në të rrallë na jepnin ndonjë kockë të zjerë, se mishin e hanin policët, ata që ishin komandantë si dhe kuzhinierët që ishin të gjithë informatorë të komandës. Kur fillonte të perëndonte dielli, lihej puna dhe na kthenin në kamp. Sa orë punohej? Nuk e morëm vesh kurrë. Ajo zgjaste sa kishte dritë, 10 orë deri 12 orë punë rraskapitëse.
Pas kthimit në kamp, binte bilbili për mbledhje. Komandanti i kampit, një i quajturi Haxhi Pela nga Roskoveci, ishte zgjedhur për këtë punë sepse ishte nga më mizorët dhe nga më injorantët. Kishte një urrejtje (ndoshta urdhër) për intelektualët, sidomos për profesorët. Kur mungonte uji në kamp për supën e darkës, bërtiste: “Profesorët në rresht”. Të shkretët profesorë çoheshin dhe merrnin bidonat e rëndë metalikë që kishte sjellë dikur U.N.R.A. me karburante dhe të shoqëruar me policë të aramatosur bënin disa kilometra rrugë për t’i mbushur me ujë në burim. Më pikonte në zemër kur shikoja mikun e shokun tim të paepur, Bego Gjonzeneli, me trupin e tij të vogël, me bidon në krah pas gjithë asaj pune prej skllavi që kishte bërë në kanal. Në këto mbledhje të darkës, na lexohej nga gazeta, ndonjë artikull që i pëlqente komandantit. Pas leximit të gazetës, një inxhinier italian i burgosur, i quajtur Ugo Monai, lexonte realizimin ditor: sa metër kub ishin gërmuar nga secila brigadë. I gjithë kampi rrinte i ulur përtokë.
Pas Ugos, komandantët e brigadave, që sikundër e kam thënë, ishin të gjithë pa përjashtim, informatorë, jepnin emrat e fatkeqve që, sipas tyre, nuk punonin si të tjerët, ose që gjatë punës kishin thënë ndonjë fjalë që komandantëve nuk u kishte pëlqyer. Mjerë ata që u dilte emri për këto gjëra! E fillonte të rrahurit vetë komandanti, e vazhdonin policët roje brenda kampit që thërrisnin edhe spiunët për t’i ndihmuar. Këta tregoheshin edhe më të zellshëm para tyre.
Një terror i vërtetë. Çdo ditë, çdo natë, vazhdimisht terror.
Në mes të kampit kishin ngulur dy shtylla druri për të lidhur të burgosurit nga duart dhe nga këmbët, një farë kryqëzimi, por me këmbë të hapura. Ky dënim përdorej për ata që ishin raportuar në komandë për biseda politike. Kush dënohej për t’u lidhur në shtylla, e kishte të vështirë të shpëtonte gjallë. Në kamp nuk lejohej asnjë takim me familjarët, asnjë ushqim nga jashtë. Asgjë, me përjashtim të duhanit dhe të ndonjë dore kripë, që ishin të lejuar të na jepnin vazhdimisht kuzhinierët.
Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba deri në lartësinë 4 metra dhe mjaft i gjerë e i pleksur. Askush nuk duhej të afrohej pranë rrethimit, afër të cilit në lartësinë 2-3 metra ishin ngulur disa tabela druri të vogla që tregonin se deri tek ato mund të afroheshe. Po të tejkalohej tabela, rojet hapnin zjarr. Mbi lartësinë e telave me gjemba dilnin kullat prej druri ku qëndronin rojet me mitraloza dhe automatikë, gjithmonë gati për të goditur me plumb. Brenda kampit, po me tela me gjemba, kishin rrethuar një sipërfaqe të vogël, ku ishte vendosur një çadër në mes, për ata të izoluar që dënoheshin pa bukë. Haxhi Pela kishte vendosur dënime të ndryshme: rrahje në çadër, në shtylla ose me vdekje. Si t’ia donte qejfi, ishte vetë zot, vetë shkop. I kishin dhënë kartë të bardhë për jetët tona. Ky katil arriti një ditë të na thotë: “Mbase ju doni të vdisni, por ne nuk ju lëmë derisa të mbaroni kanalin, pastaj do t’i qërojmë hesapet me ju mutër, armiq të popullit”.
Mendoni për një çast gjendjen tonë shpirtërore, kur dëgjonim ato fyerje nga këta injorantë të pashpirt e të paskrupull dhe s’kishim mundësi të përgjigjeshim. Si i kishin zgjedhur ato fytyra! Njëri më i keq se tjetri. Gati të gjithë vrasës e xhelatë, punë që kryenin me zell e kënaqësi të madhe. Edhe bishat e egra kur ngopen, nuk sulmojnë më kot, kurse këta kanibalë nuk u ngopën kurrë me gjakun dhe vuajtjet e të burgosurve politikë….

…………………….

Ventigjar Hamzaraj (1923-1999)
Ventigjar Hamzaraj (1923-1999)

Ventigjar Hamzaraj ishte lindur në vitin 1923, në një familje patriotike në Vlorë. I ati i tij kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Ventigjari, u dërgua në Metz të Francës për të kryer shollën e mesme dhe më pas shkoi në Itali, ku nisi të studionte për inxhinieri. Nuk i përfundoi studimet. U kthye në atdhe, ku u burgos në vitin 1946 dhe u dënua me 30 vjet burg, nga të cilat kreu 10. Punoi gjithë jetën si punëtor. Ventigjar Hamzaraj ishte një ndër themeluesit e Partisë Demokratike në Vlorë, në vitin 1990, kur disa nga takimet e para të demokratëve u mbajtën në shtëpinë e tij. Ndërroi jetë në vitin 1999. Ka lënë pas disa shkrime me rëndësi historike.

Marre nga Kujto.al, 27 Gusht, 2021 

Related Images:

Artikulli paraprakÇun Mula (1818-1896), – delegat dhe komandant i Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Artikulli tjetërNuk shuhet Zeri i Sherif Merdanit – nga Visar Zhiti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.