back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Historik i shkurtër i ligjeve lustruese të hartuara nga partia demokratike ndër vite – nga Agron Tufa

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Historik i shkurtër i ligjeve lustruese

të hartuara nga Partia Demokratike ndër vite.

nga Agron Tufa

Këtu jam munduar të përmbledh sa më shkurt një ekstrakt ligjesh e aktesh ligjore/nënligjore të ndërmarra nga vullneti i PD në dy legjislatura, për sa i përket përpjekjeve zyrtare për dënimin e komunizmit dhe trashëgimisë komuniste, deri tek Ligji i Lustracionit.
Me këtë synoj të ndriçoj (nëse kjo është e mundur) një pjesë të profanizmit dhe thashathemnajës masive. Paqartësisa dhe konfuzioni i disave që kanë rënë prè e dezinformimeve të qëllimshme është shumë i madh. Korit që përsërit se “nuk është bërë asgjë”, se “Saliu na tradhëtoi”, se “u zbatua Katovica” (një shpikje kjo ekskluzivisht shqiptare, për sa historikisht kurrëfarë mbledhjeje apo marrëveshjeje në Katovicë nuk ka patur ndonjëherë), apo “gjyqi i kafeve”, e plot profka të tjera të frymëzuara, po i vëmë një pjesë të vogël të ligjeve të ndërmarra, me sa është e mundur të paraqitet në një publikim të kufizuar si FB. Sigurisht Berisha duhet të kishte bërë kthimin e pronave pronarëve dhe kjo është një e metë e madh e tij dhe e PD. Por ta fajësosh për diçka që e ka bërë, madje në avangardë, krahasuar me shtetet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore, është mungesë e thellë realizmi. Kritizerë të tillë dhe përhapës profkash të frymëzuara, zakonisht nuk lexojnë. Madje nuk kanë durim të lexojnë as dhe një paragraf apo një dokument. Epo Zoti qoftë me ta…!
Unë këtu ju sjell një pasqyrë të shkurtër të ligjeve/projektligjeve, sipas kronologjisë:
 
* * *
Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore, janë bërë përpjekje për t’u shkëputur nga e kaluara totalitare. Këto përpjekje janë shprehur në një sërë masash ligjore, institucionale dhe financiare, të cilat përfshihen në konceptin e “drejtësisë tranzitore”. Një nga instrumentet e përdorura në këtë kuadër është dhe legjislacioni për pastërtinë e figurës (“lustracioni”).
 
1.Parlamenti shqiptar, nëpërmjet ligjit nr.7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, ka deklaruar qëndrimet politike dhe ligjore për trajtimin e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, si dhe aspiratat për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, që respekton dhe mbron të drejtat njerëzore bazë. Në preambulën e këtij ligji, ndër të tjera, pranohet se: “…gjatë 45 vjetëve, shumë qytetarë shqiptarë janë akuzuar, gjykuar, dënuar dhe burgosur, internuar apo përndjekur për shkelje të natyrës politike duke dhunuar të drejtat e tyre civile, sociale, morale dhe ekonomike.” Po në këtë pjesë, Parlamenti “…u jep ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë pafajësinë” dhe në emër të shtetit juridik “u kërkon falje këtyre njerëzve për dënimet politike dhe vuajtjet që kanë pësuar në të kaluarën”.
 
2.Ligji nr. 7666, datë 26.01.1993 “Për krijimin e komisionit për rivlerësimin e lejeve për ushtrimin e avokatisë dhe për një ndryshim në ligjin nr. 7541, datë 18.12.1991 “Për avokatinë në Republikën e Shqipërisë” ka pasur për objekt pastrimin e figurës në funksionin e avokatisë. Ky ligj ndalonte ushtrimin e avokatisë nga persona që kishin qenë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorë të tyre; ish- anëtarë të komiteteve të Partisë së Punës të Shqipërisë, si dhe punonjës të aparateve të tyre në qendër, rrethe e rajone; ish-drejtues të organeve shtetërore në qendër dhe rrethe; ish- punonjës të burgjeve dhe kampeve të vuajtjes së dënimit. Gjithashtu, ndalimi shtrihej edhe te personat që kishin mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë mbi bazën e arsimit të shkollës së lartë të Partisë; që kishin qenë ish-kryetarë të zyrave të kuadrit të të gjitha niveleve; që kishin marrë pjesë si hetues, prokurorë ose gjyqtarë në proceset politike speciale, të montuara; që kishin kryer funksione të larta drejtuese në organet qendrore të drejtësisë; që kishin përdorur dhunë fizike ose psikike gjatë hetimeve apo veprimeve të tjera; që kishin marrë pjesë në vrasjet në kufi. Ndalimi për ushtrimin e avokatisë për personin që prekej nga ligji ishte 5 vjet. Kundër vendimit të marrë sipas këtij ligji mund të bëhej ankim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
.
3.Kushtetutshmëria e ligjit të përmendur më sipër u bë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, mbi bazën e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Gjykata Kushtetuese e deklaroi ligjin në fjalë antikushtetues. Kjo Gjykatë, ndër të tjera, u shpreh se rivlerësimi i lejeve të ushtrimit të profesionit binte në kundërshtim me dispozitat kushtetuese për sistemin gjyqësor, të cilat parashikojnë se avokatia ishte një profesion i lirë e rrjedhimisht, i vetadministrueshëm. Më tej, Gjykata mbajti qëndrimin se ndalimet e ligjit cënonin kriterin demokratik të vlerësimit individual dhe jo kolektiv të figurës dhe cilësive të avokatëve, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës, si dhe parimet e ndarjes së pushteteve dhe prezumimit të pafajësisë (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GJK) nr. 8, datë 21.05.1993).
 
4.Në vitin 1995 u miratuan dy ligje që lidhen me pastërtinë e figurës: Ligji nr. 8001, datë 22.09.1995 “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” (Ligji për genocidin) dhe ligji nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” (Ligji për verifikimin e figurave). Ligji për genocidin kishte si qëllim përshpejtimin e çështjeve penale që lidheshin me krimet kundër njerëzimit për motive politike, ideologjike, klasore dhe fetare, organizuar dhe kryer nga shteti komunist, si dhe të ndalonte që ish-drejtues të lartë në funksione politike, të zgjedhura, ekzekutive e gjyqësore gjatë sistemit komunist, si dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit të mund të zgjidheshin në organet qendrore dhe lokale të pushtetit apo të emëroheshin në administratën e lartë të shtetit, në sistemin gjyqësor dhe në masmedia, deri në 31 dhjetor 2001.
 
5.Qëllimi i ligjit për verifikimin e figurave ishte sigurimi i pastërtisë së jetës demokratike të shtetit shqiptar në periudhën e tranzicionit postkomunist. Sipas këtij ligji, organet dhe funksionet që do t’i nënshtroheshin verifikimit të figurës ishin: Presidenti i Republikës, të zgjedhurit, funksionet drejtuese në ekzekutiv dhe në administratën shtetërore, drejtues në Forcat e Armatosura dhe forcat e policisë, ndihmësgjyqtarë, gjyqtarë, prokurorë dhe policia gjyqësore. Gjithashtu, verifikimit do t’i nënshtroheshin dhe drejtuesit e redaktorët në RTSH dhe ATSH; gazetarët dhe punonjësit me detyrën më të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje; funksionet drejtuese në bashkësitë ekonomike, institucionet shtetërore financiare dhe të sigurimeve, si dhe në bankat shtetërore; rektorët dhe drejtorët në universitete dhe shkolla të larta. Në mënyrë të përmbledhur, për të shërbyer në funksionet e mësipërme, personi duhej që, gjatë gjithë periudhës 28.11.1944 gjer më 31.03.1991, të mos kishte qenë drejtues në strukturat politike të Partisë së Punës, i zgjedhur, drejtues në ekzekutiv ose në administratën shtetërore, oficer dhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit apo i ndonjë shërbimi të huaj analog, denoncues ose dëshmitar i rremë në proceset politike, hetues, prokuror ose gjyqtar në procese politike speciale.
 
6.Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate paraqitën kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për deklarimin antikushtetues të dy ligjeve të sipërpërmendura. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e datës 31.01.1996, në tërësi, rrëzoi kërkesat e këtyre dy subjekteve (me përjashtim të pretendimit për jokushtetutshmërinë e dispozitës që parashikonte që gazetarët e gazetave i nënshtroheshin kontrollit dhe dispozitës, sipas së cilës Ministri i Drejtësisë lejohej të bënte kërkesë për verifikimin e kryesive të partive dhe shoqatave politike) (vendimi i GJK nr.1/1996). Sipas Gjykatës, dy ligjet përcaktonin kufizime të arsyeshme dhe iu përgjigjeshin kërkesave morale të shoqërisë demokratike në Shqipëri.
 
7.Sipas parashikimeve të ligjit për verifikimin e figurave, për zbatimin e tij, ngrihej një komision shtetëror i përbërë nga 7 anëtarë. Kundër vendimit të Komisionit personi që i nënshtrohej verifikimit mund të ankohej në Gjykatën e Kasacionit brenda 7 ditëve nga dita e komunikimit. Komisioni i ngritur sipas ligjit ushtroi veprimtarinë e tij deri në fund të vitit 2001.
 
8.Duke filluar nga viti 1996, ligjit për verifikimin e figurave iu bënë disa ndryshime, të cilat, kryesisht, ngushtuan fushën e veprimit të tij. Kështu, me ligjin nr.8151, datë 12.09.1996, u përjashtuan nga verifikimi i figurës të zgjedhurit dhe kandidatët për t’u zgjedhur në organet e pushtetit vendor. Ndryshimi i dytë, në maj të vitit 1997 (Ligji nr.8280, datë 13.05.1997), ngushtoi rrethin e pozicioneve dhe cilësive të mbajtura gjatë sistemit komunist që konsideroheshin si kusht pengues për të shërbyer në funksionet publike të përcaktuara sipas ligjit (në ndryshim nga ligji bazë fakti që një person kishte qenë i zgjedhur, në funksione politike jo të larta, në funksione ekzekutive, gjyqtar, prokuror ose hetues etj., gjatë sistemit komunist nuk përbënte një kusht pengues…). Dy ndryshimet e fundit ligjore (ligjet nr. 8232, datë 19.08.1997 dhe nr. 8280, datë 15.01.1998) kufizuan edhe më tej fushën e veprimit të ligjit dhe bënë disa ndërhyrje në procedurat e funksionimit dhe vendimmarrjes së komisionit për kontrollin e figurës. Ligji për verifikimin e figurave, sipas parashikimit fillestar, i pushoi efektet në 31 dhjetor 2001.
 
9.Me datë 30. 10. 2006 në Parlamentin shqiptar u mbajt një seancë e posaçme për dënimin e krimeve të komunizmit, dënimin e diktatorit Enver Hoxha dhe heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Kjo seancë në Parlament u shtjellua në trajtën e një Rezolute duke iu referuar Rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht: Rezolutës 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”; Rezolutës 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, si dhe vendimeve të Konventës së Parë Kombëtare të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Përndjekurve Politikë dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës “Për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, datë 12. 05. 2006.
Seanca Parlamentare paraqiti Rezulutën e saj të përbërë prej 17 pikash, ku i bëhej thirrje shoqërisë shqiptare dhe të gjitha instituteve të saj për dënimin e krimeve të komunizmit.
 
10.Më datë 22.12.2008, Kuvendi miratoi ligjin nr. 10034 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, Ligj i cili, me ankim të Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr 9. datë 23.3.2010.
Duhet theksuar se në përbërjen e trupës së Gjykatës Kushtetuese, të gjithë anëtarët, pa përjashtim, bënin pjesë në aparatin e dhunës, akuzës, torturës, gjykimit dhe dënimit komunist. Shumë prej tyre kanë dhënë dhjetëra dënime me vdekje gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Rasti i njërit prej anëtarëve të kësaj Gjykate është flagrant: në gusht të vitit 1988 ai dha dënimin me varje për poetin-disident Havzi Nela, madje duke shkelur ligjet dhe proceduarat e atëhershme.
 
11.Projektiligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve” ose “Ligji i Lustracionit”
Projektiligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve” është një projektligj që, nëpërmjet kontrollit ligjor të funksionarëve të lartë, synon pastrimin e politikës shqiptare dhe të administratës publike, të sistemit të drejtësisë dhe të diplomacisë, të sistemit arsimor dhe të medias, si dhe të sektorëve të tjerë publikë, nga individë, të cilët, me veprimtarinë e tyre legale apo ilegale për ish-Sigurimin e Shtetit dhe në shërbim të tij, kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për individë dhe familje, të cilët përbënin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.
Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj historisë së vendit tonë. Gjithashtu, miratimi i këtij ligji është një detyrim moral ndaj shtresës së ish të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste nga ish-blloku komunist.
Shoqërisë shqiptare, nëpërmjet këtij ligji, i krijohen kushte për t’u shkëputur një herë e mirë nga kjo pjesë e errët e historisë dhe për t’u ndarë nga kjo e kaluar tejet e hidhur. Nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të këtij ligji, arrihet zbardhja dhe qartësimi i asaj që ka ndodhur në të vërtetë në kohën famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit, sikurse, nëpërmjet hapjes së këtij procesi, ne shkojmë gradualisht drejt mbylljes së tij, por tashmë pasi e kemi zbardhur.
 
12. Baza Ligjore dhe Politike e Projekt-Ligjit
Fryma e projektligjit është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me legjislacionin shqiptar, si dhe me rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (30.10.2006). Gjithashtu, fryma e projektligjit është në përputhje të plotë me rezolutat e Ansamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht, me Rezolutën 1096 (27.06.1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, si dhe me Rezolutën 1481 (25.01.2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.
Projektligji që paraqitet është një projektligj integral i tre projektligjeve të paraqitura në Kuvend nga grupet parlamentare PD, PS dhe PDK, si dhe merr në konsideratë Ligjin Nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, si dhe ndryshimeve që i janë bërë këtij ligji nëpërmjet Ligjit Nr. 8220, datë 13.5.1997 “Për një ndryshim në ligjin Nr. 8043, datë 30.11.1995”, Ligjit Nr.8232, datë 19.08.1997 “Për një ndryshim në ligjin Nr. 8043, datë 30.11.1995” si dhe Ligjit Nr.8280, datë 15.01.1998 “Për një ndryshim në ligjin Nr. 8043, datë 30.11.1995”.
Në bazë të këtij ligji, hapen dosjet për deputetët, anëtarët e qeverisë, nivelin e lartë të administratës publike, diplomatët, juristët, drejtorët e shkollave, arsimtarët, gazetarët, botuesit, zyrtarët e pushtetit lokal si dhe drejtuesit e kompanive shtetërore. Të gjithë këta zyrtare janë të detyruar që të aplikojnë pranë National Remembrance Institute, për të verifikuar pastërtinë e figurës së tyre. Nëse rezultojnë bashkëpunëtorë, ata humbasin pozicionet e tyre.
 
13. Përpjekje për rikthimin në parlament të “Ligjit të Lustracionit”
Pas rrëzimit të Projektiligjit “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve” ose “Ligji i Lustracionit” nga Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr 9 të datës 23. 3. 2010, sipas ankimit të deputetëve të PS-PDS për shkak të konfrontimit me disa pika të Kushtetuës, kemi një përpjekje për ta rikthyer në Parlament në vitin 2015 me iniciativë të shoqërisë civile e pikërisht nga Drejtoresha e Grupit shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri dhe ISKK.
Pas një rishikimi të projekt-ligjit të Lustracionit me ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë, në mënyrë që projekt-ligji të mos binte ndesh me nenet e Kushtetutës së Republikës dhe me mbështetjen e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike të përfaqësuar asokohe nga deputetja Mesila Doda. Projekt-ligji i shoqërisë civile nuk u përkrah nga OSBE. Për ligjin e shoqërisë civile pati reaguar dhe OSBE, e cili qe shprehur kundër nismës së shoqërisë civile, e mbështetur nga dy deputetët Mesila Doda e Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Sipas OSBE, qe thënë se ky projektligji nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për çështjen e lustracionit. “Pas një shikimi të kujdesshëm të projektligjit, duket se paragrafët kyç lidhur me procedurën e lustracionit, projektligji ofron të njëjtat mjete dhe procedura si ligji nr. 10034, i datës 15/01/2009 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Ky ligj, sidoqoftë, u shpall si antikushtetues dhe u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e shtatorit 2010”, thuhet në raportin e OSBE. Në fakt, asnjë eskspert i OSBE as nuk mori mundin ta lexonte, por u urdhëruan nga Partia Socialiste që të shpreheshin kundër. Asokohe OSBE dhe Partia Socialiste thuajse ishin një strukturë e përbashkët. Ekspertiza e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit nuk gjente asnjë përplasje me Kushtetutën në këtë variant të projektligjit.
 
14.Projektligji qeveritar “Mbi Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit” dhe miratimi i tij
Në kohën kur projektligji po diskutohej me grupet e interesit dhe ekspertët juridikë në disa takime gjatë muajve nëntor-dhjetor 2014, befas u shfaq i propozuar nga qeveria socialiste një projektligj tjetër konkurrent ndaj “Ligjit të Lustracionit”, që u quajt në fillim “Ligji Veliaj”, pasi u paraqit i propozuar nga ministria që drejtonte asokohe ai (Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë), ndryshe i përmendur si projektligji “Mbi Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”. Ky projektligj nuk pati asnjëherë mbështetjen dhe miratimin e grupeve të interesit, sidomos të ish të përndjekurve politikë të diktaturës, përjashto përkrahjen e institucioneve të linjës qeveritare. Shkaku kryesor i mospërkrahjes dhe kritikave në shtyp të këtij projektiligji qeveritar ishte fakti, që:
1.Projektligji e vinte theksin më fort tek ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të shtetit, agjentët, denoncuesit, ndërsa nuk parashikonte gjë për rekrutuesit, ish-oficerët operativë të Sigurimit, hetuesit, prokurorët, gjykatësit dhe tërë zinxhiri i dhunës dhe i drejtësisë komuniste, kur dihej mirë se me çfarë metodash shtrënguese i kishin detyruar qytetarët të “bashkëpunonin”.
2. Ligji nuk parashikonte asnjë masë për njerëzit e implikuar në strukturat e dhunës shtetërore të Sigurimit. Qytetarëve nuk u përcillej asnjë mesazh moral për katarsis shoqëror.
 
15.Megjithë kundërshtimin e skajshëm të këtij projektligji të iniciuar nga ministri Veliaj, megjithë artikujt në shtyp, Kuvendi i Shqipërisë me dt. 30. 4. 2015 e miratoi projektligjin qeveritar, tashmë të emërtuar përfundimisht si projektligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Projektligji u miratua me 84 vota pro dhe 22 kundër, duke hedhur poshtë njëherazi “Ligjin e Lustracionit” të paraqitur nga shoqëria civile. Gjithashtu, ligji i sapomiratuar atë ditë përcaktonte edhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e “Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)”, institucion që e filloi punën me 17 prill 2017 dhe që shënon fillimin e rrënimit përfundimtar, fshehjes, manipulimit dhe instrumentalizimit të Dosjeve.
Me fjalë të tjera, tashmë kemi një Ndërmarrje propagandistike qeveritare mbi Dosjet.
.
Marre nga muri i Fb i Agron Tufes, 15 mars 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.