“Grupi i deputetëve” – si u firmos dënimi me vdekje – nga Leonard Veizi

0
19
Gjyqi i Deputeteve - Masaker intelektuale dhe nacionaliste
Gjyqi i Deputeteve – Masaker intelektuale dhe nacionaliste

“Grupi i deputetëve” – si u firmos dënimi me vdekje

nga Leonard Veizi

Ekzekutimi i gjashtëmbëdhjetë deputetëve

të opozitës së parë në tetorin e vitit 1945

Ky edicion “dossier” bazohet mbi dosjen gjyqësore, të “Grupit të Deputetëve” të cilët u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq i cili u zhvillua në kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data 4 shtator të vitit 1947 e deri në datën 27 shtator, kohë kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona.
Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në Parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave.

Eliminimet

Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në njërin prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit, në datë 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46”, jepen këto porosi:
“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. Depozimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”.
Vetëm dy ditë më pas urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet: “Lirisë, shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Nëqoftëse Ganiu asht dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. – Enver”.
Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga vetë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.

Si filloi

Në 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputeteve të zgjedhur ishin anëtarë te PKSH-së dhe funksionarë të lartë të shtetit. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944.
Duke konstatuar se Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë etj, si Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputeteve me pikëpamje liberale. Por, pa dyshim, që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve.

Organizimi

Grupi i deputetëve doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak.
Opozita u bë prè e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist, u kushtoi jetën 16 deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament. Gjyqi i Grupit të deputetëve filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike e psikike të pashembullt gjatë hetuesisë.
Gjykata ushtarake nën urdhëra të drejtëpërdrejtë të Enver Hoxhës, urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të këtij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me Grupin e Deputetëve.

Sheh Karbunara dhe Shefqet Beja në gjyqin e Deputetëve
Sheh Karbunara dhe Shefqet Beja në gjyqin e Deputetëve

Kundërvënia ndaj Enver Hoxhës

Ishte fillimi i prillit të vitit 1946, kur në një mbledhje tjetër të bërë në shtëpinë e Hysen Shehut, nga “Grupi i deputetëve”, siç u konsiderua nga opinioni i mëvonshëm, është deklaruar se planet e tyre për të rrëzuar Enver Hoxhën së shpejti do të gjenin zbatim. Për këtë, disa anëtarë të grupit, si Riza Dani, Selman Ndreu, Kolë Kuqali etj., pak orë para se të fillonte mbledhja në fjalë, ishin takuar me misionarët e përfaqësisë amerikane në Tiranë.
Kështu, sa u mblodhën të gjithë, ata njoftuan ç’kishin biseduar me misionarët e huaj dhe për porositë që kishin marrë prej tyre. Njoftuan se prej tyre u ishin dhënë detyrat që duhej të zgjeronin organizimin e çetave, të fillonin nga aksionet e të përgatiteshin për kryengritje, pasi ata së shpejti do të zbarkonin me forca ushtarake. Konkretisht, gjatë fjalës së tij Riza Dani mësohet të ketë thënë: “Në bisedimin që kemi pasur me misionin amerikan dhe gjeneralin Hodgson, kemi marrë premtimet se ata së shpejti do merrnim masa për atë çka kërkonim, vetëm se kërkonin nga ne që të mos zhgënjeheshin”.
Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur: “Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t’ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parulla të ndryshme”.
Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm tek aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur: “Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu”.
Pas kësaj mbledhjeje, ku sipas procesverbaleve hetimore të mbajtura nga dëshmitë e vetë personave vetëm pak kohë para daljes së tyre në gjyq, është vendosur edhe për masat konkrete që do të merrnin në interes të një kryengritjeje të pritshme të armatosur, pothuaj të gjithë krerët e “Grupit të deputetëve” shkuan në rrethe për t’u marrë me organizimin.

Platforma

Ishte korriku i 1946-s kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike. Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend.
Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte:
“Ne dyshonim që me forcat tona të mund t’i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…
Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës, Shefqet Beja, deputet i Durrësit, Enver Sazani, deputet i Durrësit, Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës, Irfan Majuni, deputet i Dibrës, Faik Shehu, deputet i Dibrës, Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin, të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri, një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

Vendimi

Më së fundmi pas shumë akuzash dhe kundër-akuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27.09.1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…”
Dënohen: Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Zhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.
Në fund numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

Pushkatime...
Pushkatime…

Ekzekutimi

Plot një muaj të lidhur në një mënyrë të tillë që nuk mund të lëviznin fare kanë ndenjur të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e burgut të sigurisë së lartë Nr. 313, në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën.
Kështu secili dërgoi në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, anëtarë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje të tyre. Deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish-kolegët e tyre parlamentarë. Megjithatë ajo nuk u realizua kurrë.
Ka qenë një shkresë e nisur në drejtorinë e burgut ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga sekretari i Presidiumit, Sami Baholli, e cila u bënte të ditur refuzimin e lutjeve të tyre për t’u dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë regjistruar në numrin 180 të regjistrit të parlamentit të atij viti. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë.
10 tetor 1947, ora 3 pas mesnate, i ngarkuari me cilësinë e prokurorit, përshkoi rrugën deri në burg e mori në dorëzim të dënuarit me vdekje, deputetët:

Shefqet Beja (me varje litar)
Riza Alizoti (me varje litar)
Sulo Klosi (me varje litar)
Selaudin Toto (me varje litar)
Sheh Ibrahim Karbunara
Paolo Saggioti
Agathokli Xhitoni
Mehmet Prishtina
Abdul Kokoshi
Beqir Çela
Selim Kokalari (me varje në litar)
Tefik Deliallisi
Irfan Majuni (me varje në litar)
Pertef Karagjozi
Enver Sazani (me varje në litar)
Hysen Shehu

Me heqje lirie të përjetshme u dënuan:
Foto Bala
Ramazan Tabaku
Rram Marku
Gjovalin Vlashi

Me nga 20 vjet heqje lirie u dënuan:
Shefki Minarolli
Rustem Sharra
Xhevat Xhafa

Me 15 vjet heqje lirie u dënua:
Sulo Konjari

Trupi Gjykues
Kryetar – Major – Niko Çeta
Anëtar
Kapiten I – Nexhat Hysejni
Kapiten II – Mustafa Iljazi
Kryesekretari – Aspirant Thoma Rino
Prokuror, – Zv/ Prokuror i Përgjithshëm Josif Pashko

Marrë nga portali Fjala.al, 13 tetor 2020

Related Images:

Artikulli paraprak“Që kur vallë égjra bëhet shkak për të refuzuar grurin?” – nga Robert Martiko
Artikulli tjetërRadiografia e Shoqërisë Shqiptare në tri pamje – nga Kadri Metaj – Visar Zhiti: Këpuca e Aktorit, Onufri 2022
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.