back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Gazeta “Rilindja” – shkollë emancipuese e kulturës shqiptare – Isak Ahmeti & Ilir Seci

Gazeta

Numri i Pare i Rrilindjes -12 shkurt 1945
Numri i Pare i Rrilindjes -12 shkurt 1945

Gazeta “Rilindja” (12 shkurt 1945 – 12 shkurt 2018)

73 – Vjetori i numrit të Parë

Prof. Isak Ahmeti
Prof. Isak Ahmeti

Gazeta “Rilindja” shkollë emancipuese e kulturës shqiptare

nga Isak Ahmeti

“Rilindja” kishte arritur të bëhej shkollë, fakultet e pse jo edhe akademi, duke ndihmuar që njerëzit të emancipoheshin, t’i hapnin sytë mirë ndaj asaj që ishte relevante për emancipimin kulturor, letrar, arsimor e kombëtar.
“Rilindja” si shkollë, fakultet, akademi siç thotë shkrimtari Ibrahim Kadriu te: (Fatime Duraku – Pesha e fjalës, shkrimtari në veten e parë, Prishtinë 2013, fq.78-79) e kishte rolin e orëve të mësimit. E tillë, thotë Kadriu, mbeti deri në fund, prandaj pushteti serb e ndaloi me dekret.
“Rilindja”, me rubrikën e kulturës i jepte krah zhvillimit të letërsisë, përmes faqeve dhe këndeve standarde, siç ishte faqja e tregimit origjinal për çdo të shtunë, këndi i poezisë dy ditë në javë, faqja e tregimit të përkthyer në çdo të enjte, romani në vazhdime, eseistika, vlerësimet kritike mbi librat… Edhe unë jam rritur, si shkrimtar, në “Rilindje”, ku i kisha faqet e hapura, ajo i kishte dyert e hapura për talente, shumë shkrimtarët e afirmuar sot, hapat e parë i bënë te “Rilindja”, e cila përherë animonte forma për popullarizimin e arteve, siç ishte edhe forma e konkursit të përhershëm për tregime dhe roman…
Si sot më kujtohet vizita ime e parë (1969), në shoqërim te Ibrahin Kadriut, tek Rilindja, ku kam takuar, për herë të parë Anton Pashkun (ishte redaktor i rubrikës së kulturës) Xhojsin shqiptar, i cili më pat pritur me shumë dashamirësi duke më ofruar bashkëpumim dhe përkrahje të vazhdueshme edhe për faktin se n’ato vite të largëta isha pothuaj i vetmi në Kosovë që njihja shumë gjuhë të huaja prej nga edhe përktheja vazhdimisht, edhe për Rilindjen, poezinë bashkëkohre gjermane dhe italiane… Dhe që nga ajo ditë e takimit tim me Ibrën dhe Antonin (për të cilët kam ruajtur një respekt të veçantë), Rilindja, rubrika e kulturës, për shkrimet e mia, ishte gjithmonë e hapur…
.
Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Gazeta “Rilindja” – frymëmarrje e shtypit shqiptar

nga Ilir Seci

Sot asht përvjetori i Gazetës “Rilindja” të Kosovës, numri i parë i së cilës doli në qytetin e Prizrenit në datën e sotme, 12 shkurt, të vitit 1945. Plot 73 vjet ma parë kjo gazetë u ba mediumi i shqiptarëve të Kosovës.
Për vite me rradhë kjo gazetë mbajti dhe zhvilloi shtypin shqiptar duke u kthye në një shkollë të gazetarisë shqiptare në Kosovë. Në kushtet e kohës së Jugosllavisë, kjo gazetë mbrriti me gjakue shqip duke u ba emën i dashtun për lexuesit shqiptarë. Gazeta mblodhi në redaksinë e vet shumë nga emnat e njoftun të publicistikës dhe letërsisë shqipe në Kosove. Stafi i kësaj gazete ishin edhe bërthama krijuese e LDK-së në vitet ’90, në fillimet e kësaj Lëvizje, dhe bash për këtë arsye kjo gazetë u mbyll nga regjimi i Beogradit n’atë kohë.
Mbas mbylljes së kësaj gazete në Prishtinë nga regjimi i Millosheviçit, në vitin 1993, gazeta “Rilindja” filloi me dalë në Tiranë, fillimisht në mjediset e nji shpie tiranase në rrugën mbrapa Muzeut Historik Kombëtar dhe ma vonë në redaksinë te Rruga “Myslym Shyri”.
Kur erdhi në Tiranë, gazeta “Rilindja” solli nji tjetër frymëmarrje në shtypin shqiptar të asaj kohe.
Gazeta “Rilindja” erdhi në Tiranë në nji kohe kur shtypi në Shqipninë e mbas ndryshimeve të vitit 1991, e kishte kuptue lirinë e shprehjes si nji liri-papërgjegjshmëri, deri në shthurje.
.
Gazeta "Rilindja" - (1945-1999)
Gazeta “Rilindja” – (1945-1999)
Në tregun e shtypit shqiptar asokohe kishin gjetë lulëzim gazetat tip tabloidesh, përherë në kërkim të sensacionit, skandalit, shpifjes, papërgjegjshmënisë. Prototipin e këtij modeli shtypi te papërgjegjshëm e përbante gazeta “Koha Jonë” e asaj kohe, gazetë që luejti ma së shumti me zjarrin e papërgjegjshmërisë, derisa kulmoi në ngjarjet e vitit 1997, në Vlorë.
Kur doli në Tiranë në vitin 1993, gazeta “Rilindja” solli para lexuesve në Shqipni modelin e shtypit normal, shtypit objektiv që sjell lajmin ashtu siç asht pa u përpunuar nga opinionistët, pa ndërhyrje redaksionale. Ndryshe nga shtypi i tabloideve që u servirte lexuesve lajme të ripërtypura në redaksi, “Rilindja” rrezatonte pjekuri, përgjegjshmëri, atdhedashuri, staturë morale, pasuri kulturore. Gazeta “Rilindja” botohej përdite me nga 16 faqe, në faqet e para kishte lajmet kryesore nga vendi, në mbrendi kishte faqet me analiza dhe opinione nga emra të njohur të publicistikës, kishte faqet e përhershme letrare, të historisë, kulturës, faqet për fëmijë, faqet e argëtimit, të tanë lëmitë e jetës.
Ardhja e gazetës “Rilindja”, si model pjekurie profesionale në mesin e shtypit të papërgjegjshëm të Tiranës, vetkuptohet që nuk u prit mirë. Në vitin 1995, në një seri shkrimesh të botueme në gazetën “Zëri i Popullit”, ish-sigurimsi Neshat Tozaj e pati kërcënuar publikisht gazetën “Rilindja” duke thanë se “Po të duan serbët e mbyllin edhe në Tiranë gazetën “Rilindja”, ashtu si e kanë mbyllur në Prishtinë!”
Kam pasë fatin me qenë gazetar, pjestar i redaksisë së kësaj gazete kur doli në Tiranë, ku jam njoftë me shumë nga gazetarët e kësaj gazete, për të cilët ruaj respektin dhe nderimin ma të madh. Me disa nga këta kolegë jemi njohur edhe familjarisht dhe ruajmë lidhje edhe sot e kësaj dite, anipse pse jemi larg. Në këtë redaksi njoha Ramadan Musliun, Skënder Zogajn, Mehmet Gjatën, Mehmet Krajën, Jusuf Buxhovin, Enver Robellin, Ramush Tahirin, Gani Mehmetin, Sabaudin Krasniqin, e tjerë…
Për fat të keq “Rilindja” ky institucion i fjalës sot nuk botohet ma, as në Prishtinë dhe as në Tiranë, sepse edhe shtypi shqiptar në Kosovën e mbas vitit 1999, u orientua nga sensacionalizmi i tabloideve njëjtë si Tirana e mbas vitit 1991…
Sot gazeta “Rilindja” i mungon lexuesve që kërkojnë një gazetë që ka si të shenjta: profesionalizmin, përgjegjshmërinë, respektin ndaj ndjekësve. Mungesa e gazetës “Rilindja” sot asht edhe ma e trishtë kur kemi parasysh portalet e sotme në nivel analfabetesh, portale që gëlojne papërgjegjshmërisht nëpër portale si fyerje për inteligjencen njerëzore.
Vërtet e dhimbshme mungesa e gazetës “Rilindja” kur sheh se sot shtypi shqiptar, si në Shqipni ashtu edhe në Kosovë nuk e ka një gazetë institucion, besueshmëria e së cilës të mos vihej në dyshim…
12 shkurt 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.