back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Foto Bala – Profesori i Liceut të Korçës që u ndëshkua nga shoku i tij i klasës – ngjarje e jetuar nga Klodi Stralla

Gazeta

Foto Bala (1908-1991)
Foto Bala (1908-1991)

Foto Bala – Profesori i Liceut të Korçës,

që u ndëshkua nga shoku i tij i klasës.

ngjarje e jetuar nga Klodi Stralla

Një fundjavë e vitit 1987. Ishte rreth orës 5.00 të mëngjezit. Ende natë. Në rradhën e gjatë të qumshtit, shishet dhe të zotërit e tyre mezi shquheshin në terrin e natës.
Afër meje një burrë i moshuar, shtatlartë, pak i krrusur, po kërkonte, me qiri në dorë, shishen e vet që, si gjithë të tjerët, e kish vendosur aty 4-5 orë përpara, për të zënë rradhë.
Ishte ky mekanizmi i asaj kohe për të siguruar ato 2 shishe qumshti, racioni ditor i çdo familje korçare!!
E njoha menjëherë, shokun e vjetër të babait – Foto Balën. Dukej që dikush, për të përfituar, ia kishte hequr shishet dhe kishte vendosur aty të vetat!!
-Ja ku i keni profesor! – iu drejtova, duke i treguar shishet e mia.
-Nuk janë këto, – më tha – i njoh unë shishet e mia.
-Po nuk prish punë, unë kam zënë edhe një rradhë tjetër, merr ti, se ke më tepër nevojë.
Me pa në fytyrë, me atë vështrimin që e takon rrallë, vetëm tek filozofët, dhe me pyeti:
-I kujt je mor bir?
-I Niko Strallës! – i thashë – Unë të njoh fare mirë nga bisedat e babait, ndonse ti s’ke si të më njohësh, se nuk ke patur mundësi.
Është e tepërt ta vazhdoj tregimin, por si tani kam para syve të mij dy pika lot që i rrodhën nga sytë që, mbas aq vuajtjesh, shprehnin dituri dhe fisnikëri të veçantë…
Foto Bala dhe Niko Stralla, Montpelier 1931
Foto Bala dhe Niko Stralla, Montpelier 1931

Kush ishte Foto Bala?

Lindi në Vuno (Himarë) më 1908. Me bursë shteti më 1921, dërgohet si konviktor në Liceun Kombëtar të Korçës, të cilin e përfundoi shkëlqyshëm në 1930, duke patur si bashkënxënës Enver Hoxhën. Studioi në Montpellier të Francës, për filozofi dhe filologji, dhe në 1934 kthehet në atdhe. Po atë vit, me dekret mbretëror, emërohet profesor i filozofisë dhe i gjuhës frënge në Liceun Kombëtar. Korçarët, por jo vetëm, i mbajnë mend kumtesat e tij, me tematikë historike dhe filozofike që, ai dhe kolegët e tij, mbanin çdo fundjavë në kinema “Luks”, si dhe artikujt e shumtë të botuar në “Bota e re”, “Minerva” apo “Përpjekja Shqiptare”.
Në qershor 1945, komunistët e posaardhur në pushtet i pushkatojnë të atin, Dhimitër Bala, një ushtarak me ndjenja patriotike. Nuk vonoi dhe do të arrestohej edhe ai, me grupin e deputetëve. Pas 10 muajsh hetuesi, në shtator 1946, dënohet me burgim të përjetëshëm, që më vonë iu kthye në 25 vjet. Nga burgu i shkroi letër “shokut” të tij të klasës, duke i parashtruar pafajësinë e tij, por më kot!!
Bëri plot 17 vite burg në Burrel! U lirua në 1963, dhe prej aty internohet në Gradishtë (Lushnje), ku ishin e shoqja dhe dy vajzat dhe, për vite të tëra, punoi si punëtor krahu në fermë.
Vetëm me zbutjen relative të sistemit në 1987, me kërkesën e tij, erdhi në Korçë. Vdiq në mars 1991, në prag të përmbysjeve demokratike.
Në 1994 nderohet me titullin “Martir i Demokracisë”
.
PS. Në foto, Niko Stralla (majtas) dhe Foto Bala (djathtas), dalë në Montpellier, Francë, 1931
.
Marrë nga Muri i nga Klodi Strallës, 7 prill 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.