back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Fatet e njerëzve në dosjet e Sigurimit të Shtetit – nga Xhaferr Sadiku

Gazeta

Xhaferr Sadiku
Xhaferr Sadiku

Fatet e njerëzve në dosjet e Sigurimit të Shtetit

nga Xhaferr Sadiku

(Kumtesë mbajtur në Simpoziumin shkencor organizuar nga Autoriteti për
Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, Përmet, 13 dhjetor 2019)
.
Nëse tregohemi indiferentë ndaj aktiviteteve
që bëhen për të kujtuar vuajtjet tona,
nuk ka pse ankohemi kundër atyre
që na shkaktuan vuajtjet.
Xhafer Sadiku
Simpoziumin shkencor - Përmet, 13 dhjetor 2019)
Simpoziumin shkencor – Përmet, 13 dhjetor 2019)
Sigurimi komunist i informacionit në Shqipëri daton që në mars 1943, kur në Konferencën e Parë të Vendit të Partisë Komuniste itë Shqipërisë (17-22 mars 1943), u vendos krijimi i shërbimit informativ. Partia Komuniste nëpërmjet celulave të saj e shtriu rrjetin e informacionit në tërë vendin.
Në Përmet celula komuniste u formua në shkurt 1943 me vetëm 6 antarë, të gjithë të rinj. Njëri prej tyre ishte i ngarkuar me informacionin. Në zonat e rrethit vepronin 21 informatorë që do të përbënin edhe rezidenturat e para të Sigurimit të Shtetit. Informatorët e kohës së luftës do të ishin njerëzit më të pushtetshëm gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist.
Në 31 maj 1943, celula ekzekutoi Dervish Mekon, ndërsa në qershor arrestoi Papa Aleksin dhe Agathokli Xhitomin. Ata u dërguan në Zagori, por pas disa ditësh u lanë të lirë nga Bedri Spahiu, sekretari politik i qarkorit të PKSH. Në shtator te atij viti celula ekzekutoi të riun Rahmi Mezini, ndërsa një muaj më pas babain e tij, Muke Mezinin, që në moshën e rinisë kishte qënë kandidat për kryetar të Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA dhe njihej me emrin Muke Përmeti. Ekzekutimet gjatë vitit 1944, ishin të shumta dhe lista e të vrarëve është e gjatë.
Që në fillim të veprimtarisë së tij, niveli arsimor i punonjësve të Sigurimit ishte shumë i ulët. Në historikun e Sigurimit të rrethit Përmet, theksohet: “Kuadrot e sigurimit nuk kanë patur ndonjë shkollë, por janë mbështetur në urdhrat e ardhura nga lart dhe nga eksperienca e fituar në punë”. Më 1962, nga 16 kuadro të Sigurimit në Përmet, vetëm dy kishin mbaruar shkollën e mesme, gjashtë kishin kryer nga dy vjet të shkollës së mesme, njëri kishte mbaruar vetëm një vit dhe shtatë të tjerët ishin me arsim shtatë vjeçar”. Duke qënë në këto nivele, qysh në fillim u morën masa që ata të kalonin në format e edukimit marksist – leninist.
Në vitet e luftës celulat komuniste listuan elementët me influencë të klerit, parisë lokale, borgjezisë tregtare dhe inteligjencës patriote dhe, me marrjen e pushtetit, filluan goditjen e tyre. Ata ekzekutuan Papa Aleksin ndërsa dënuan me burg disa të tjerë si: Nuli Konomin, Athina Konomin, Ilia Angjelin, Petraq Poplin, Koço Kajon, Pano Vasilin etj. Në fakt, në dosjen hetimore nuk ka asnjë provë shkencore që të vërtetonte akuzën kundër tyre. Ata u dënuan vetëm me shpifjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Perveç të dënuarve, Sigurimi implikoi edhe 106 persona në zonën Përmet-Çarshovë. Ata do të ishin kontingjente “armike” mbi të cilët Sigurimi do të bënte goditje të tjera në vitet që do të vinin. Fati i tyre ishte në ato dosje dhe për shumë prej tyre do të rezultonte tragjik.
Në vitin 1947, Sigurimi e shtriu goditjen në zonën Përmet – Këlcyrë – Tepelenë – Gjirokastër – Delvinë – Sarandë, kundër atij që e quante grupi kundërshtar ose grupi miks. U quajt miks pasiqë Sigurimi bashkoi të ashtuquajturit “grupin Ballist” dhe të “Sillogut”. Në zonën Përmet – Këlcyrë u dënuan dhjetëra të pafajshëm. Gjithnjë sipas Sigurimit, në Këlcyrë, grupi i “Ballit” kryesohej prej Sali Beut, ndërsa grupi i “Sillogut” prej Rako Cekës. Grupi ballist i Këlcyrës lidhej dhe udhëzohej nga Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar (Islam Radovicka) si dhe me Komitetin qarkor te Ballit Kombëtar të Gjirokastrës (Baba Ali Tomorri e Veliko Malile). Sipas Sigurimit, në zonën e Përmetit vepronte një komitet me dy kryetarë: Agathokli Xhitomi për të krishterët dhe Ilmi Doko për myslimanët.
.
Simpoziumin shkencor - Përmet, 13 dhjetor 2019)
Simpoziumin shkencor – Përmet, 13 dhjetor 2019)
Për këtë dosje Sigurimi skedoi 136 persona, kryesisht në Përmet dhe në lokalitetet Këlcyrë e Ballaban.
U dënuan dhjetëra të pafajshëm me afate të gjata burgimi, ndërsa Agathokli Xhitomi, Ilmi Doko, Kristaq Peshtani, Baba Ali Tomorri, Sali Bej Këlcyra e Vasil Duda u ekzekutuan apo vdiqën në hetuesi nga torturat. Të ekzekutuar pati edhe në rrethet Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Vlen të theksohet se shumë prej të dënuarëve kishin qënë organizatorë të rezistencës kundër pushtimit të vendit, si Islam Radovicka, Kristaq Peshtani, Baba Ali Tomorri, etj., ndërsa Sali Beu ishte babai i dëshmorit Naim Guri.
Nëse bëjmë një bilanc për pasojat e ballistëve pas vendosjes së regjimit komunist, rezulton se 12 krerë lokalë të Ballit Kombëtar u ekzekutuan, 23 u burgosën, prej të cilëve 6 vdiqën në burgje. Në 1959, Seksioni i Sigurimit urdhëroi punëtorët operativë të studionin ish-ballistët e burgosur që ishin liruar nga burgu dhe t’i përpunonin aktivisht. Më 1962, seksioni i Sigurimit të rrethit Përmet shkroi historikun e Ballit Kombëtar për rrethin e Përmetit. Krahas ish-ballistëve, në lista u përfshinë edhe ish-partizanë nga familje të parisë lokale, ish krerë lokalë dhe antarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, që mbas luftës i kishin burgosur, antarë të komandave të vendit dhe patriotë të njohur që s’kishin patur lidhje me partitë politike gjatë dhe pas luftës. Në zonën e Dëshnicës, Dangëllisë dhe Mbrezhdan-Malëshovë u vunë në përpunim aktiv dhe kontroll operativ 65 persona. Ata përpunoheshin nga 31 bashkëpunëtorë të Sigurimit. Shumica e ish-ballistëve ishin të moshuar, ndërsa një pjesë e më të rinjve do të përfundonin në burgje.
Në vitet që do të vinin Sigurimi hapi dosje drejtimi dhe në fillim të vitit 1973, në përpunim aktiv dhe kontroll operativ Sigurimi përpunonte 127 persona që i konsideronte “mbeturina të Ballit”. Kundër tyre kishte drejtuar 3 agjentë 13 rezidentë dhe 71 informatorë.
Kontroll i ashpër dhe goditje e rëndë iu dha parise lokale, të cilësuar kulakë, të cilët, pasi u tatuan dyfish, një e treta e tyre u arrestua dhe u dënua me burgime të rënda. Nëpërmjet të ashtuquajturve “Grupi” i Këlcyrës, i Zhepovës, i Kiçokut, etj, Sigurimi goditi njerëz të nderuar që gëzonin autoritet dhe kishin influencë në ato vise.
Me ekzekutimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, postin e ministrit e mori Mehmet Shehu, i cili theksonte se “ka ardhur koha që ta vrasim armikun me duart e tija”. Kjo do të thoshte se tani rolin kryesor do ta luante agjentura, si themeli dhe shtylla e organeve të Sigurimit. Por, për sigurimin u krijua një situatë e rrezikshme. Propaganda e regjimit kundër Koçi Xoxes krijoi për Sigurimin urrejtje të madhe nga ana e komunistëve, të cilët filluan të diskreditonin policë dhe oficerë me fjalë fyese. Kishte raste, që punonjës të Sigurimit ishin dhunuar fizikisht. Urrejtja e komunistëve të vëzhguar nga Sigurimi i shtetit mund të përhapej edhe në popull.
Për të ndaluar urrejtjen kundër Sigurimit, Enver Hoxha në Kongresin I të Partisë u tërhoqi vëmendjen komunistëve: “…çdo antar partije duhet ta dojë e ta mbrojë armën e Sigurimit, pse ajo mbron interesat vitale të tij. Vetëm armiqtë e Partisë dhe të popullit mund të mejtojnë dhe të veprojne ndryshe… Në rast se antarët e Partisë fillojnë ta shofin me bisht të syrit Sigurimin e Shtetit, si një gjë të huaj e të dëmshme ahere e kemi dëmtuar Partinë e popullin…” Në Rezolucionin e KQPPSH të atyre viteve, udhëheqja komuniste detyronte komunistët të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit, madje urdhëronte që çdo komunist të ishte një çekist.
Përjashtimi nga partia konsiderohej si “pushkatim politik” për komunistët, ndërsa të përjashtuarit merreshin nën kontroll nga Sigurimi.
Në raportin vjetor për vitin 1959, seksioni i Sigurimit në Përmet, theksonte se gjatë atij viti ishin zbuluar mbi 30 anëtarë partie që implikoheshin në proceset e ndryshme si agjentë të zbulimeve kapitaliste… zhvillonin “aktivitet armiqësor në agjitacion e propagande”.
.
Xhafer Sadiku - Simpoziumin shkencor - Përmet, 13 dhjetor 2019)
Xhafer Sadiku – Simpoziumin shkencor – Përmet, 13 dhjetor 2019)
Sipas Sigurimit, ata kishin marrë kontakt me diversantët, ishin vënë në shërbim të tyre, u kishin dhënë informata e kishin marrë detyra.
Në raportin vjetor për vitin 1960, Sigurimi vinte ne dukje se ishin përjashtuar nga Partia rreth 400 komunistë. Për të mbajtur në kontroll të përjashtuarit nga partia, Sigurimi kishte rekrutuar nga radhët e tyre 5 agjentë dhe 19 informatorë. Numri i komunistëve të përjashtuar nga Partia u rrit pas vitit 1974, ku shifra i kaloi 700 të përjashtuar. Disa prej tyre u dënuan me vite të tëra në burgje.
Përveç komunistëve të dënuar, edhe më i madh ishte numri i ish partizanëve dhe antarëve të këshillave nacional-çlirimtare, komandave të vendit etj. Për të ilustruar sa thamë, shumica e ish partizanëve të çetës së Rrëzës përfunduan në burgje, madje dy prej tyre u ekzekutuan. Ish partizanet e dënuar në zonat e tjera të Përmetit, si në Dëshnicë e Dangëlli, konkuronin për nga numri me ballistët e dënuar.
Krahas tyre, Sigurimi mbante nën kontroll edhe rininë dhe shkollat. Në vitin 1964, përfundoi ngritja e rrjetit agjenturor në shkollat e rrethit Përmet. Vetëm në shkollën e mesme të Këlcyrës, p.sh, rrjeti i Sigurimit përbëhej nga një rezident, një strehues e një informator. Merret vesh, që të tre ishin arsimtarë. Atë vit rinia e qytetit të Përmetit nuk kishte kryer asnjë vepër penale, rasti i vetëm në Shqipëri dhe strukturat e regjimit në rreth mund të krenoheshin. Por, Sigurimi shqetësohej se në radhët e rinisë shkollore nuk kishre rekrutuar asnjë bashkëpunëtor!
Në fillim të viteve 1960, Sigurimi hapi dosje drejtimi në Zonën e Këlcyrës, të emëruar “Murtaja” dhe në zonën e Çarshovës dosjet “Gjarpëri”, “Farmaku”, “Hithra” etj, ndërsa në komunën Qendër dosjen “Rrugaçi”. Megjithëse janë manipuluar disa herë, po të lexohen me vëmendje ato dosje formulare, do të duket qartë pafajësia e të dënuarëve. Po ashtu, gjatë kontrollit të banesave të tyre, kur u arrestuan, nuk u gjet asgjë e kundraligjshme. Për ironi, të ekzekutuarit dhe dënuarit me shumë vite në burgje, mbajnë ende akuzën “tradhëti ndaj atdheut”! Gjithë akuza ka qënë me informata të rreme të agjentëve të Sigurimit të Shtetit dhe dëshmi që ua kanë marrë nën tortura. Torturat ishin të tilla si: goditje me dru, lënie me ditë të tëra pa ujë, shtërngim të duarve me hekurat, etj. Krahas hetuesve të Sigurimit të Shtetit në Përmet si: Marko Vodica, Reshat Hasanaj, Bilush Makashi, Avdulla Abazi, një rol shumë negativ kanë patur hetuesit e Drejtorisë së Sigurimit, të dërguar enkas në Përmet për të hetuar të ashtuquajturin “grupi” i Ilia Gudës, si: Odhise Porodini, Petro Shapo, Koço Josifi, Stefan Konini, Haki Shahinaj, Faik Minarolli, Nevzat Haznedari, etj.
Ndryshe nga egërsia e tyre, edhe nga radhët e punëtorëve operativë dhe hetuesve kishte sjellje njerëzore, si kapiten Hasan Bejko, që për dy vite e gjysëm nuk realizoi asnjë përpunim në zonën e Çarshovës dhe majori i Drejtorisë i të Sigurimit, Sali Hoxha. Ky i fundit e ka marrë në pyetje Dhimitër (Miço) Kitën nga një ore dhe i ka bërë nga dy-tre pyetje. Krejt ndryshe sillej hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Odhise Porodini, i dërguar në Përmet, i cili u shtoi akuzën Ilia Gudës në “tradhëti ndaj atdheut e kryer në bashkëpunim”.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit duhet të kërkojë nga prokuroria të tërheqë akuzën kundër të dënuareve pa prova dhe të denoncojë shkelësit e ligjeve të kohës. Dosjet formulare 2-A janë prova që vërtetojnë krimet e kryera nga Sigurimi i Shtetit kundër njerëzve të pafajshëm. Vendimet e dënimit të tyre duhen rishikuar nga gjykata dhe duhet t’u jepet pafajësia.
Sipas statistikave, nga 1945 deri në vitin 1961, numri i përgjithshëm i të implikuarve nga Sigurimi në Përmet arrinte në 946 persona. Nga këta, ishin dënuar 139, ndërsa 707 ishin këshilluar e demaskuar.
Kategoritë shoqërore kundër të cilave vepronte Sigurirni i Shtetit i skedonte si kontigjente armike. Vendosja e sistemit të biografive dhe zhvillimi i të quajturës lufta e klasave vendosi vijën e ndarjes në popull: në mbështetës të regjimit dhe kundërshtarë të tij. Kjo ndarje ndikoi edhe në përcaktimin e numrit të atyre që Sigurimi i quante “kontigjente armike”. Qëllimi kryesor ishte njohja, mbajtja nën kontroll, përpunimi, demaskimi dhe burgosja e tyre.
Kështu, ndërsa në vitin 1953, numri i kontigjenteve ishte 344 persona, në 1964 Sigurimi kishte regjistruar 800 kontingjente, nga të cilat 342 u përkisnin kontigjenteve të hapura, ndërsa 458 ishin me biografi “të mirë”, por që Sigurimi i kontrollonte si kontingjente të zbulimeve të huaja. Ka qenë iluzion perceptimi i njerëzve me biografi të “mirë”, sikur regjimi ishte i tyre. Po të studiohen dosjet e Sigurimit nga studiues që e njohin edhe terrenin, do të rezultojë krejt e kundërta. Sigurimi i Shtetit dyshonte tek të gjithë dhe nuk kishte mëshirë për asnjë .
Më 30 qershor 1971, drejtori i Drejtorisë I të Sigurimit të Shtetit miratonte detyrat funksionale të Degës I në kohë lufte. Degët e Punëve të Brendshme do të përpilonin dy lista, njëra për ekzekutimet dhe tjetra për arrestime e internime. Operacioni i spastrimit duhej të kryhej në një kohë të caktuar, brenda disa orëve, mundësisht kërkohej që operacioni i spastrimit të kryehej natën”.
Në kontekstin historik të atyre viteve, në prill-qershor 1974, u bë përsëri regjistrimi i kontigjenteve “armike” në bazë zonash dhe u evidentuan se në Përmet kishte 2007 kontingjente, në të cilën u përfshinë edhe 336 persona nën moshën 14 vjeç. Kjo shifër ishte mjaft e lartë, krahasuar me popullsinë e rrethit Përmet, të moshës mbi 18 vjeç.
Për kohë lufte ndryshonte edhe funksionimi i rrjetit agjenturor. Kështu, p.sh., zona e Këlcyrës do të kishte 20 kanditatura për rrjetin sekret, nga të cilët 4 rezidentë, 2 agjentë dhe 14 informatorë. Zona e Çarshoves do të kishte 11, prej të cilëve 1 rezident dhe 10 informatorë. Interesante ishte përbërja: 4 ishin femra ku shquhej rezidentja, një mësuese e shkollës Çarshovë. Të gjithë ishin rekrutuar mbi baza “patriotike”.
Sigurimi i Shtetit mbështetej nga një numër i konsiderueshëm bashkëpunëtorësh. Kështu, deri në vitin 1987, Seksioni i Sigurimit i Degës së Punëve të Brendshme Përmet listonte afro 1000 bashkëpunëtorë, por aktivë ishin pak më shumë se 200, duke përfshire të katër kategoritë. Po të hedhim një vështrim mbi sasinë, 57 bashkëpunëtorë vepronin në Këlcyrë (qytet dhe fshat), 19 në Katundisht, 16 në Strëmbec etj. Numrin më të dendur e kishte Çarshova, si zonë kufitare, ku 7 prej tyre ishin arsimtarë.
Pas viteve 1990, thuhet se shumica e ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit kanë qënë nga rradhët e ish të persekutuarëve. Nisur nga analiza e shifrave, kjo nuk i qëndron së vërtetës. Vetëm disa shembuj na ilustrojnë të vërtetën për rrjetin e ish Sigurimit të Shtetit në Përmet. Kështu, p.sh., në fshatin Alipostivan, nga 6 BP., nuk kishte asnjë të persekutuar, në Katundisht nga 19 B.P., vetëm 5 ishin të persekutuar, në Topojan nga 7 B.P., vetëm njëri ishte i persekutuar etj.
Duhet theksuar se djemtë dhe vajzat më të mira të Përmetit, Sigurimi nuk i vuri dot në shërbim të tij. Shëmbujt e shkëlqyer të rezistencës përballë Sigurimit kanë qenë të shumtë edhe në Përmet, por veçoj këtu qëndrimin e patundur të Lime Shehut, Dhimitër (Miço) Kitës dhe Jani Argjir Kitës, që përballuan torturat në qelitë e errëta dhe refuzuan me përbuzje bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit që synonte t’i rekrutonte si agjentë me material shtërngues. Duke refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin, ata vuajtën vite të tëra në burgje.
Krahas rekrutimeve mbi baza patriotike dhe vullnetare, si Rezidentë, Strehues apo edhe informatorë, Sigurimi përdorte rekrutime me material shtrëngues. Këta i përdorte zakonisht në rolin e agjentit. Ndërkohë, është vërtet për të ardhur keq kur njihesh me faktin që disa bij që u ishin kalbur baballarët në burgje, u thyen dhe u detyruan të shërbenin në rolin e agjentit kundër bashkëvuajtësve të tyre. Megjithatë, duhet vënë në dukje se informacioni që i jepnin Sigurimit nuk ishte i rrezikshëm për objektet kundër të cilëve i kishte drejtuar.
.
Simpoziumin shkencor - Përmet, 13 dhjetor 2019)
Simpoziumin shkencor – Përmet, 13 dhjetor 2019
Nebil Cika, Selami zalli, Xhafer Sadiku
Ndryshe nga këta, rezidentët, dhe informatorët me biografi të “mirë” ishin agresive në goditje, duke përdorur shpifjet, fakt që është vënë në dukje nga raportet e Sigurimit të Shtetit. Nga të dhënat e rreme të tyre u dënuan dhjetra të pafajshëm. Kështu, nga informacionet e rreme të rezidentit “Çapkëni” dhe agjentit “Sokoli” u dënuan Leonidha Poçi, Nasho Popo, Vangjel Gramozi, Nikolla Shupuli, Jorgji Gramozi, etj. Duhet theksuar se me arrestimin e tyre, përveç stimujve materialë u përdorën edhe stimujt morale dhe agjenti “Sokoli” u falënderua me shkrim, rast i vetëm deri atëherë në seksionin e Sigurimit në Përmet.
Rezidenti “Çapkëni” dhe agjentët “Zanaçiu”, “Danubi”, “Graniti”, “Maqinisti”, “Petriti”, “Seanca e parë”, etj., dënuan dhjetëra njerëz të pafajshëm në zonën Përmet-Çarshovë.
Me shpifjet e agjentëve “Xhuleta”, “Guri” dhe “Sazani” janë dënuar Kol Kostare, Lime e Ramo Shehu, Bektash Shkëmbi, Sherif Dalipi, Hysen Sakollari, etj., si dhe janë rekrutuar me material shtrëngues shumë bashkëpunëtorë të Sigurimit, në zonën e Këlcyrës.
Nga shpifjet e bashkëpunëtorit “Floriri” janë dënuar Abaz Sevrani, Kaso Meço e Ramadan Jaho, ndersa me gënjeshtrat e agjentit “Korabi” u dënua Ramadan Malko.
Ndonëse me informacionet e rreme të agjenteve dhe informatoreve u arrestuan e dënuan dhjetëra të pafajshëm, çka i kishte evidentuar vet Sigurimi, asnjë prej tyre nuk u lirua nga burgu.
Një ekip kontrolli i Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar në Degën e Punëve të Brendshme Përmet konstatoi se që nga viti 1953, rezidenti “Çapkëni” i kishte gënjyer në shumë raste e megjithatë, përsëri Sigurimi në Përmet vazhdonte të punonte me të për një kohë të gjatë! Sipas ekipit të kontrollit, më e keqja ishte se ai përdorej për marrjen e ustanovkave (biografive) të njerëzve dhe Sigurimi i besonte plotësisht të dhënave që ai jepte. Sa e sa përmetarëve iu nxi biografia nga shpifjet e “Çapkënit”!
Agjentët që kishin rezultate në përfundimin e përpunimeve me arrestime shpërbleheshin. Kështu, u shpërblyen agjenti “Tomori”, 13 herë, “Çelësi” 7 herë etj., por shumica e tyre nuk paguhej asnjëherë. Është e pasaktë shprehja qe flitet shpesh në popull sikur bashkëpunëtorët paguheshin me 1200 lekë. Shuma që kishte marrë “Tomorri” ishte nga 200 lekë në 12 raste dhe 150 lekë në një rast. Po kështu “Çelësi” kishte marrë nga 200 lekë.
Me gjithë shtypjen e egër dhe kontrollin e rreptë të Sigurimit të Shtetit, përmetarët e shprehnin pakënaqësinë kundër regjimit në forma të ndryshme. Gjatë viteve 1976-1980, nga të dhënat e Sigurimit rezultonte se kishte pasur 1462 komente kundër regjimit ku përfshiheshin 731 persona. Ndërsa vetëm, kur u tufëzuan bagëtitë, pati 112 komente kundër regjimit. Sigurimi i Shtetit e kuptoi se po humbiste terren dhe ishte i lodhur, siç ishte e lodhur edhe udhëheqja e regjimit, vegël e të cilit ishte.
Për të zvogëluar përmasat e krimeve të veta, Sigurimi ka manipuluar dosjet dhe regjistrat. Vetëm nga dosja e Jani Argjir Kitës janë asgjësuar 34 raporte agjenturale, ndërsa në regjistrin e këshillimeve-demaskimeve janë regjistruar vetëm 45 demaskime. Por, gjurmët e këtij manipulimi zbulohen në një dokument tjetër të Sigurimit të Shtetit, ku theksohet se vetëm në dy vite (1966-1967) u demaskuan 32 persona. Po kështu gjatë viteve 1976-1980 Sigurimi demaskoi 14 persona. Kur për 7 vite u demaskuan 47 persona, lehtë kuptohet se sa mund të jenë demaskuar për 38 vite të tjera.
Kur e ndjenë se do të kishte ndryshime politike, Sigurimi asgjësoi dosjet e përpunimeve dhe të agjenturës dhe manipuloi regjistrat. Kështu, në 9 korrik 1990 veçuan 99 dosje përpunirnesh për t’i asgjesuar, ndërsa në 19 dhjetor 1990, asgjësuan 111 dosje. Dosjet e fundit u asgjësuan në 20 mars 1991, 11 ditë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Në rregjistrat e agjenturës nuk figurojnë të listuar emrat e agjentëve “Muzina”, “Petriti”, etj., të dalluar në goditjen e njerëzve të pafajshëm.
Dosjet e asgjesuara janë zgjedhur në mënyrë selektive dhe jo sipas kritereve të njëjta. Numri më i madh i dosjeve të asgjesuara është i përpunimeve nga radhët e kontigjenteve të hapura, në mënyrë të veçantë e personave të cilësuar “kulakë”.
Në regjistrin e përpunimeve të Sigurimit të Shtetit numurohen vetëm 239 persona të përpunuar për veprimtari politike, por numri i tyre real ka qënë shumë i madh. Duhet vënë në dukje se nuk janë regjistruar qindra të përpunuar në vitet 1945-1960.
Si përfundim duhet theksuar se:
-Përmeti para vitit 1944 ka patur elitë politik dhe kulturore që ishte pjesa dinjitoze e elitës politike dhe kulturore të vendit. Turhan Pashë Përmeti, Ali Këlcyra, Koço Tasi, Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Mihal Zallari, Kostandin Kote, Nikolla Kote, Akile Tasi etj., ishin figura të shquara politike dhe kulturore në Shqipërinë e viteve 1912-1944.
-Për 45 vjet të regjimit komunist, me ndonjë përjashtim të rrallë, Përmeti nuk nxori dot figura të shquara as në politike dhe as në kulturë. Fati i djemve dhe vajzave përmetare ishte shkruar në dosjet e Sigurimit dhe prej tyre i shkonin Partisë. Në ato dosje është përcaktuar dhe përcaktohet ende fati i djemve dhe vajzave më të mira të Përmetit.
-Përmeti kishte të skeduara kontingjente “armike” sa Tepelena dhe Skrapari të marra së bashku. Kështu, më 1987, Përmeti kishte 1081 kontigjente armike, kur Tepelena kishte 663 dhe Skrapari 345.
-Për të shtypur rezistencën e heshtur të përmetarëve, Sigurimi kishte ngritur një rrjet të dëndur informatorësh. Kështu, ndërsa në vitin 1987, Sigurimi i Shtetit në Përmet kishte 208 persona, në Skrapar 159 dhe në Tepelenë 133, rrethe këto që kishin popullsi të përafert me Përmetin.
-Një tregues tjetër i rëndësishëm përbën fakti që ndërsa në Skrapar nga 159 bashkëpunëtorë 106 ishin mbi baza patriotike, në Përmet ishin vetëm 45 të tillë. Pjesa më e madhe e të tjerëve ishin detyruar me material shtërngues.
-Nga radhët e personave të këshilluar Sigurimi siguronte dëshmitarët e gjyqeve politike. Kështu, nga 22 persona që u këshilluan në 1962, 13 prej tyre pranuan të delnin dëshmitarë dhe të demaskonin elementin armik.
-Përmetarët e mundën regjimin komunist dhe Sigurimin e Shtetit me rezistencë të heshtur, me kulturë dhe dinjitet. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, personat e përpunuar dhe të dënuar ishin në nivel më të lartë se punëtorët operativë dhe rrjeti sekret i Sigurimit, madje edhe se hetuesit dhe gjyqtarët që i dënuan.
-Në luftën e ashpër për liri dhe dinjitet ndërmjet njerëzve të kulturuar dhe dinjitozë nga njëra anë dhe strukturave të errësirës nga ana tjetër, triumfuan të parët. Triumfuan, ndonëse me një çmim të lartë. Ishte çmimi që ata i paguan Dinjitetit dhe Lirisë.
.
Marrë nga Muri i Fb i Xhafer Sadikut, 14 dhjetor 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.