back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Faleminderit Mjeshtër! – nga Petrit Ruka – Një mbresë mbi librin “Pikëllim në një foto të vjetër” të Qerim Vrionit

Gazeta

Qerim Vrioni - “Pikëllim në një foto të vjetër”
Qerim Vrioni – “Pikëllim në një foto të vjetër”

Faleminderit Mjeshtër!

mbresa nga Petrit Ruka

mbi librin “Pikëllim në një foto të vjetër” të Qerim Vrionit

Studimet në fushën e fotografisë shqiptare, mbi historinë, estetikën dhe vlerat e saj janë ndoshta një nga fushat më të varfra e të zbehta të kulturës sonë. Dhe jo vetëm të varfra, por edhe të vonuara në kohë. Gjithmonë janë numëruar me gishta njerëzit që i kanë kushtuar mundin dhe jetën e tyre kësaj dege të rëndësishme të artit, fotografisë, njërës prej magjive më të madhe të shpikura prej mendjes njerëzore. E midis këtyre të paktëve, pas viteve ’90 fillon të spikasë e të zërë vend qendror në këtë hulli studiuesi Qerim Vrioni, nga më aktivët dhe më të përkushtuarit, me botime serioze të njëpasnjëshme, të cilat po zënë ballin e kësaj dege të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare. Me mbi 100 artikuj të këtij lloji në shtypin tonë periodik, pas librave të suksesshëm “150 vjet fotografi shqiptare” e “Fotografia – një grusht diell” me artikuj e studime mbi fotografinë, Vrioni erdhi me librin e vyer “Fjalor i fotografisë”, i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, i cili plotësoi një mungesë të thellë mbi artin e kësaj gjinie. Për herë të parë në një libër të plotë vijnë njohuri bazike mbi terma e gjini, rryma e drejtime të fotografisë, histori botimesh botërore të kësaj fushe, proceset e instrumentet me të cilat ajo realizohet. Libri mbushi një boshllëk të madh jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, që duan të dinë se si lindi dhe funksionon ky art, por edhe për profesionistët e tij, studentë të artit pamor e të kinematografisë, për gjithkënd që do të dijë mbi këtë pasuri kolosale që është vetë kujtesa e shoqërisë njerëzore.
Dhe ja së fundi vjen me një surprizë tjetër duke sjellë nga harresa e gati një shekulli një zbulim të thukët, emrin dhe veprën e një fotografi të madh si Kolë Maca, pothuajse i panjohur nga publiku shqiptar dhe historia e fotografisë sonë.  Libri titullohet “Pikëllim në një foto të vjetër” dhe hedh dritë mbi një emër të madh e mbi një vepër fotografike të rrallë që pati një rrezatim përtej kufijve të Shqipërisë, ndër gazetat e revistat më të njohura evropiane. Shkas për këtë libër është bërë një fotografi e famshme e fotografit shkodran me titullin “Gjon Pali dhe e bija” një shkrepje fatlume e vitit 1913, gjatë luftës për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtimi malazez, e botuar së pari në gazetën italiane “La Domenica del Corriere”, shtojcë javore e “Corriere della Sera” të datës 25 maj – 1 qershor 1913, për artikullin redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike.)
Kaq ka mjaftuar si majá për studiuesin Vrioni për të mpiksur një libër të tërë të mrekullueshëm me një shikim shterues mbi jetën, vlerat dhe peshën e këtij fotografi të madh, mbi historinë e kësaj fotoje, estetikën e saj, rrethanat në të cilat u ngjiz, kohën e psikologjinë e atyre viteve. Një vështrim i gjithanshëm mbi një foto të vetme dhe një histori e tërë e një epoke, mbi etnografinë, ritualet e vdekjes, zakonet, veshjet, psikologjinë, karakterin e shqiptarëve në luftë, jetë e vdekje, lidhjet shpirtërore familjare e sa e sa kumte të tjera…           
Fotografia e lartpërmendur, që shërben si nismë për  një libër të tërë, është me të vërtet një vepër e rrallë artistike, pak e njohur deri me ardhjen e këtij libri, i cili i bën një vështrim shterues asaj nga të gjitha drejtimet e mundshme nga ato dimensione që kërkon një studim serioz dhe me përkushtimin që e karakterizon Qerim Vrionin në punët e tij. Kështu, me dinjitetin e plotë të një punimi shkencor libri merr vlerën e një zbulimi për një fotograf të madh të panjohur në ato përmasa që ai meriton, por dhe bëhet një shembull i shkëlqyer se si studiues të tjerë duhet të gjejnë pasionin dhe vullnetin për t’i dhënë kulturës sonë studime të tjera të kësaj natyre mjeshtërore. Vepra i kapërcen kufijtë e një studimi monografik për jetën dhe veprën e Kolë Macës duke rrezatuar më gjerë zhvillimet e artit fotografik në Shqipëri përgjat gjithë një shekulli. Për qindra e mijëra njerëz që janë të pasionuar pas historisë së këtij arti, por edhe për lexuesin e gjerë, ky libër përbën padyshim një pasuri të madhe sepse leximi i tij përveç krenarisë për trashëgiminë tonë kulturore të mbush edhe me mirënjohjen e merituar ndaj studiuesve të tillë si Vrioni, që meritojnë nderim dhe falënderimin e të gjithëve. Çdo libër i tillë është së pari një akt i madh dashurie ndaj vendit të tij e kulturës sonë kombëtare dhe autori këtë ka dëshmuar në çdo faqe e rresht te tij. Ndaj unë dua të jem veçse njeri prej të parëve që nxitoj t’i them faleminderit dhe t’i shpreh urimet e mia këtij mjeshtri të palodhur.
U shtofshin njerëz të tillë që na i bëjnë jetën më të bukur e më të pasur!
.
Gazeta “Telegraf”, 21 qershor 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.