back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Durimi që u zhduk pa asnji gjurmë… Bedra Kaba (pjesa e VI)

Gazeta

Bedra Kaba
Bedra Kaba

Durimi  që u zhduk pa asnji gjurmë…  Bedra Kaba (pjesa e VI)

6 gusht, 2013
Pse ftohtësia ka hyrë thellë ndër njerëz, pse gjithë kjo indiferencë dhe kjo mospërfillje… aq më çudit ky fakt… sa një ditë mbeta krejt e habitur…
Zbres nga makina dhe para pallatit tim një nuse e veshur më të bardha së bashku me dhëndrin që po drejtoheshin për tek makina e tyre. Askush nuk ia hodhi sytë çiftit… as fëmijët aty përreth që luanin, s’u bënë kuriozë as ta linin lojën… qoftë edhe për pak… Një paradoks ky midis kohrave…
Dhe solla ndërmend dita kur u martova…

Eh, sa njerëz ishin mbledhur, mezi kalova për të shkuar deri te makina… si i thonë “Një mollë po të hidhje nuk binte në tokë…”
Dhe prej asaj dite u nisa drejt një jete tjetër, duke lënë mbas prindët, dhimbjen, kujtimet, dhe  barakat e mia… dhimbjen dhe gëzimin tim. Por që të nesërmen dikush kur nxorra kafet tha… “Ajo i kishte në Amerikë, po kjo ku i ka…?!”
Përnjëherë u preva por s’fola. Mbas dy ditësh vij në shtëpinë time dhe i them vëllait, “Ju nuk i keni treguar gjë për biografinë?” “Jo, – më thotë vëllai – pse duhet t’ia thonim… edhe ata kishin ca probleme!” “Po jo si tona, – i them – po te ishte për të mos treguar e kisha bërë edhe vetë, por s’kam dashur asnjëherë ta fsheh një diçka që e kam!” kaluan muaj ashtu me frikë se një ditë do e merrnin vesh dhe vërtet nuk zgjati shumë… Ju dha rasti… dhe një ditë im shoq do të shkonte në Dibër. Nga që i kam dashur shumë xhaxhallaret dhe vendlindjen time, i them meqë po shkon atje, mi shih edhe xhaxhallarët e mi. Ai shkoi tek ata… dhe njeri prej tyre ia tregon krejt historinë e arratisjes së vëllait dhe se si na kishin internuar… Kur vjen në shtëpi, mbas dy ditësh, ishte ora dymbdhjetë e ca e natës… I ra derës, u ngrita ia hap derën dhe po bëhesha gati të shtrihem. Më thotë “A ka mundësi të ngrihesh e të më tregosh diçka?” “çfarë? – i them… “Ja ato sekretet e tua… “Ashtu – i them unë – sonte po ia fus një gjumi dhe sekretet i lemë për nesër… Po të pëlqeu mirë, po s’të pëlqeu, iki vetë dhe s’jam duke e mërzitë fare kët kokë, se boll e mërzitur jam…!” Çfarë s’më kaloj nëpër mend ato çaste… dhe ashtu me sytë mbyllur dëgjoj të thotë… E di, xhaxhai yt ma tregoi krejt historinë tuaj, dhe filloi me hollësi duke treguar…
E vërtetë – i thashë – por unë s’të kam asnji faj pse s’të kanë treguar… Nuk të mora me dashuri dhe kët gjë duhet ta bënte mblesi…
Po ai s’e mërziti fort kokën për këtë gjë, por s’desh që fisi i tij ta merrte vesh…
Për fat nuk zgjati shumë, mbasi erdhi ’90, dhe  koha nisi të ndryshojë… Ndofta vërtet kjo kohë s’na solli ndonjë gjë të madhe, por… na solli lirinë, gjënë më të shtrenjtë për gjithë njerzit… Dhe askush nuk mund të më veçonte për biografinë time…

1990 - Ndryshimi i sistemit
1990 – Ndryshimi i sistemit

30 gusht 2013
Kisha dy vjet e martuar dhe tashmë e larguar por jo e harruar prej atyre barakave ku kisha jetuar për gati 26 vjet… ditë e m’ditë.
Megjithatë një herë në tri javë e shumta një herë në muaj kthehesha aty… Shkëputja s’ishte fort e lehtë, sepse kisha kaluar fëmijrinë, adoleshencën dhe pjesën me energjike të rinisë sime aty… vitet më të bukura e njëherësh më të dhimbshme të jetës sime… prandaj me merrte malli për njerzit e mi, për gjithë ata me të cilët kisha jetuar po edhe për gurët e rrugëve ku kisha shkelur përditë…
I tillë më dukej ai vend… si vendlindja ime…
Prandaj e doja, e mendoja dhe e përfytyroja gjithnji kur isha larg tij, pavarsisht asaj lufte të tmerrshme klasore që na bëhej… sepse me njeri tjetrin kishim dashuri dhe një respekt reciprok të padiskutueshëm. Kjo na bënte të ndjeheshim mirë dhe ta jetonim jetën ashtu si ajo na ofrohej…
Një natë shoh në ëndërr diçka që s’shkonte mirë në familjen time. Ngrihem ashtu e shqetësuar, por prap them: “Ndoshta ëndërr është dhe asgjë më shumë…!”
S’kishte dy muaj që kishim martuar djalin e vëllait,  pothuaj moshatar me vëllanë tim të vogël. U bë dasëm e madhe, sepse ishte gëzim i parë në familje, mbas aq e aq vitesh aty në internim… Po s’shkoi shumë dhe…

1990 - Vrasjet në kufi
1990 – Vrasjet në kufi

Ishte dhjetor i vitit 1988… bënte një dimër i ftohtë e i paparë at ditë kur u nisa nga Berati për në Savër. Rrugës s’kishte shumë qarkullim dhe nga Lushnja në Savër e bëra në këmbë, që më shkoi pothuaj një orë. Tepër e lodhur dhe e mbërdhirë mbrrij në shtëpi, po mendja më rrinte aty… te ëndrra që kisha parë. Sa hyj brenda, nëna ime më sheh me habi dhe më pyet: “Po ti nga na erdhe?” – i them “Po, ja erdha! S’e di, sikur dikush më ngriti me forcë e më tha: Shko!!” “Eh, moj bijë ç’na ka gjetë!!” Më tha me nji gjest tmerri… Unë shtanga dhe s’po e mblidhja dot veten nga frika. “Çfarë ju ka gjetë moj nanë?!” “Duri moj bijë, djali i madh i Shefqetit s’po gjendet kërkund. U nis për Dibër, te njerzit tonë… Po tani s’është kërkund! Atje nuk është, këtu s’është kthyer… Zoti e baftë mirë!”
Shefqetin, vëllanë tjetër dhe babanë i kishin thirrë në Degë dhe u kishin thënë se “Djali juaj, është arratisur!!!” Tepër të mërzitur prej kësaj ngjarje dhe të befasuar prej faktit se si mund të arratisej një djalë që s’kishte dy muaj që ishte martuar…!! Edhe sot e kësaj dite e vras mendjen dhe pyes: “Përse, e mori ai djalë kët vendim!!??”
Pa u xhveshur mirë dola nga shtëpia e nënës dhe shkova drejt e te vëllai, që e kishte shtëpinë aty ngjitë me ne, jetonim në të njejtën barakë… Sa hy brenda takoj nusen e tij, po edhe njerzit e tjerë të gjithë të shokuar e të mërzitur. “O Zot, thashë me vete, po përsëritet historia… po tani çdo të bëhej me familjen tonë?! Ngelëm gjithë jetën rrugëve dhe baltrave të Myzeqesë!”
Vëllanë e thërrisnin gati përditë në Degë duke i bërë presion: “Ti i e ke çuar vetë djalin te xhaxhai i tij! Ai është arratisur!!”
Ndërsa ai vazhdonte ta kërkonte te gjithë shokët e djalit, te krejt farefisi jonë në Dibër, por nuk gjendej askund. Të gjithëve po na brente meraku se ku mund të kishte përfunduar… A thua vërtet e kish kaluar kufirin!? Po ishte aq ftohtë at fund dhjetori sa ishte e pamundur një çmenduri e tillë… Kalimi i kufirit ishte i rrezikshëm dhe pothuaj i pamundur me atë kohë… Të gjithë filluam të shqetsoheshim me të vërtetë për fatin e tij.
E ndamë mendjen… Tashmë ishim mësuar të jetonim interrnimeve, dhe lufta e klasave e përbuzja s’na bënin fort përshtypje. S’mendonim asgjë veç fatit të djalit se ku mund të kish përfunduar… Kaluan muaj e muaj sorollatjesh, lodhjesh fizike e psiqike, e sidomos vëllanë s’e linte rehat as Dega me presionet e saj.
Unë shkoja dhe vija nga Berati në Savër,  me shpresë se diku do ta gjenim Durimin, atë djalë të heshtur e fantastik, të urtë e të qetë, që e desh dhe e vlerësonte jetën, por që ashtu papritmas na kish krijuar at enigmën e madhe të humbjes në shpirt dhe zemrat tona…
Ku mund të ishte vallë ai djalosh 22 vjeçar, i sapoliruar nga ushtria dhe i sapo martuar!? Vërtet ajo jetë në Savër, mund t’i kishte shkaktuar në shpirt shumë vuajtje dhe trishtim dhe ai s’kish gjetur zgjidhje tjetër veçse duke u larguar nga gruaja, nga familja, nga vendi i tij, drejt një jete tjetër… larg trusnisë së asaj lufte të vazhdushme klasash që na bëhej, duke na u mohuar çdo të drejtë më elementare lirie, si shkollimi, punësimi, edukimi, banimi…
Vërtet e kish pasur ai at guxim të çmendur që në një ditë të akullt të nji dimri të paparë të merrte arratinë pa e ditur se ç’mund ta priste… e ta linte jetën e vet përgjysëm atje mes dëborës së acartë të maleve të larta të Dibrës???
Oh sa lotë e sa dhimbje kam kaluar duke e menduar e duke e kujtuar atë djalë fantastik. Vëllanë vazhdonin ta thërrisnin në Degën e Lushnjes… dhe sa herë shkonte në Degën e Brendshme të Dibrës, ata jo që s’i jepnin asnjë lajm për jetën e djalit, po veç e kërcënonin. Dhe në këto orvatje e sfilitje pafund, s’e di sa muaj zgjati kjo gjë, por mua sot e kësaj dite ms duket një përjetësi…
Dikur, e thërrasin vëllanë dhe i thonë: “…Djali juaj ka vdekur. Ka mbetur i ngrirë në mes të dëborës, duke kaluar kufirin. Kemi gjetur pashaportën dhe një pallto të zeze, trupi i tij ndodhet në morg në Jugosllavi…!!”
Kthyem nusen e tij te njerzit e vet… kur na e dhanë këtë lajm… Po vëllai, vazhdoi të jetonte nën presionin e Sigurimit të Shtetit…
Kjo ngjarje na tronditi të gjithëve dhe mbeti një humbje tepër e madhe për të gjithë ne. Vëllai s’hoqi dorë nga përpjekjet për sjelljen e trupit të tij… Ku nuk shkoi… nëpër Degë, nëpër ministri, nëpër ambasada, ku e adresonin… veç të arrinte të kthente të paktën trupin e djalit. Por as atëhere dhe as sot… s’është bërë një gjë e tillë!
Kanë kaluar 25 vjet, dhe trupi i tij s’dihet se ku është. Ashtu si atëhere, edhe sot familja është nën ankthin e vazhdushëm të mosbesimit, të indiferentizmit shtetëror dhe të shpërfilljes së një shteti për humbjen e një njeriu që askush s’e di se si ka përfunduar jeta e tij.
Ankthi dhe shpresa vazhdojnë edhe sot, përderisa s’ka një përgjigje të saktë prej organeve kompetente. Tashmë vëllai im qe futur në listën e atyre që mund të pushkatoheshin nga regjimi komunist, mbasi i qe arratisur i biri! Por falë fatit, erdhi viti 1990, që shënoj ndryshimin e madh… të ashtuquajturës demokraci. Vërtet i shpëtoi vdekjes dhe një interrnimi të dytë, por jo dhimbjes së madhe të humbjes së djalit.
A thua vallë një ditë do të gjendet trupi i Durimit 22 vjeçar, që desh të sfidonte jetën për ditë më të mira, që guxoi t’i thoshte jo atij regjimi që kishte varrosur ëndrrat e shumë e shumë të rinjve?!
Oh, sa shpresoj që ky ankth një ditë të marrë fund për mua dhe për krejt familjen… për gjithë njerzit tanë, për gjithë njerëzit e Savrës që e përjetuan humbjen e atij djali edhe si humbjen e një djali të tyre… dhe që na u gjendën pranë në ato momente të vështira që kaloi vëllai dhe krejt familja jonë.
Respekt të pafundmë për gjithë mbështetjen e atyre njerëzve fisnikë të Savrës që ndanë me ne dhimbjen e kësaj humbjeje… ende sot enigmë!

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. I pres dhe i lexoj shkrimet e Bedrës me shumë deshirë…
    Ajo që më bën përshtypje më tepër, është çiltërsia dhe guximi i saj për t’i përshkruar gjërat ashtu siç janë…
    Thuhet se letërsia është vetëshprehje e artistit… Sinqeriteti i saj për të shprehur veten është shenjë talenti… Pervoja do ta mësojë edhe më tepër, që t’i shprehë edhe më me art gjërat që e kanë shqetësuar krejt jetën e saj dhe të bëhet e lexueshme për një masë më të gjerë, sidomos për brezin tonë, që i provoi fizikisht dhe shpirtërisht ato ngjarje të dhimbëshme…
    E uroj Bedrën me zemër, të vazhdojë të shkruaj për t’ia arritur suksesit që e meriton…

  2. Bedra… Vazhdon ta rrëfejë jetën e saj…
    Duket sikur dhimbja e saj nji ditë do të shterret… S’është aspak e vërtetë… rrëfimi kësaj rradhe ka lidhje me zhdukjen pa gjurmë të nipit të saj 22 vjeçar… Askush deri sot s’e ka ndihmuar atë dhe familjen e saj… për të marrë vesh të vërtetën… Ngjarja është e vitit 1988… dhe tronditi krejt opinionin e nji kampi dhe më tej…
    Bedra edhe sot pret nëse ndokush mund ta ndihmojë për të marrë vesh të vërtetën e nipit të saj…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.