back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

E ç’ishte Kadareja para nesh…!? – nga Bukra Hysenukaj Kastrati

Gazeta

Bukra Hysenukaj - Kastrati
Bukra Hysenukaj – Kastrati

E ç’ishte Kadareja para nesh…!?

nga Bukra Hysenukaj Kastrati

(një ngjarje që ka shenjue fmininë teme)

Shkolla 8-vjeçare e katundit tem t’vogël, për mue asht tempull. Aty kam marrë dijet bazë, jo vetëm ato që mësohen në tekste, por kjo temë ka me kanë subjekt i nji rrfenje tjetër ndoshta. Tash due me iu kallxue mbi nji heroizëm t’nxansve, që n’at kohë ish klasa e 7-të, ku bajsha pjesë edhe unë. Në zonat kufitare, siç asht ajo e jona, ku Kosova, n’at kohë Jugosllavia, asht vetëm 20-minuta, vigjilenca e partisë asht kanë maksimale. Edhe na fmija ishim udhëzue se për këdo t’panjoftun që pajshim tuj kalue rrugëve t’katundit, me raportue tek prindi apo mësuesi, se me gjasa ai mundej me kanë “diversant”, qysh u thanshin atyne që kalojshin apo mbeteshin në tentativë për t’kalue kufinin.
Ish pranvera e 1991, mbi 8 muej prej ngjarjes së ambasadave e ma pak nga shpërfaqja pompoze e disidencës së Kadaresë, foton e t’cilit e kishim hjekë nga kandi brì atij të emulacionit në klasë.
Klasa jonë përbahej prej 13 nxansish, ku dominonin çikat. Shumë prej tyne ardhshin prej familjeve me biografi jo t’mirë, por me thanë t’drejtën, n’zonën tonë, kjo ndasi (lufta e klasave), nuk ka mujt kurrë me prevalue mbi lidhjet farefisnore, kshtu që n’shkollë nuk jena pa kurrë si delme t’zeza as t’bardha. Klasa jonë ka pas disa veçori. E them me plot bindjen se, referue kapacitetit të zgjuarsisë lindune që kanë pasë nxansit e asaj klase, me e krahasue me nivelin e Parlamentit sot, kishim pas me e sfidue n’mnyrën ma t’turpshme. Klasa jonë kish fmij t’zgjuet, edhe ata që nuk ishin mirë me mësime, por ishim rebelë. Ishim problematikë në nji farë mënyre. Guxojshim p.sh me lanë orët e mësimit n’grup e me u zhduk, t’vetdijshëm se pasojat ishin t’randa. Ajo që na dallojke prej tjerve, ish uniteti. Mbarë e mbrapsht ishim t’tanë bashkë e nuk tradhtojshim kurrë. Unë jam kanë kujdestarja e klasës, por gjithmonë jam kanë pjesë e gjithçkaje, për mbarë e për mbrapsht që kena bà. Nji ditë, nji prej tre djemve t’vetëm që kishim n’klasë, na flet për nji plan arratisjeje. Ishim vetëm 13-vjeçarë. Vetëm ideja na tmerroi, por pak ma vonë, filluem me e pranue, diskutimin t’paktën, që për arsye sigurie, e bamë n’pyllin me kshtaj sipër shkolle, në nji orë fiskulture, ku bindëm msuesin se duhet me mbledhë dru për stufën e klasës. Mbas debateve e ideve t’shumta që hodhëm, sa mbi procesin e arratisjes n’vetveti, aq edhe t’pasojave, për aq sa mujshim me kuptue, u vendos që fillimisht do arratiseshin tre nxanës. Iniciatori dhe dy vajza, që për mue edhe sot e ksaj dite janë heroj. Në nji kohë që vendime t’ngjashme s’mujshin as me çue nëpërmend, burra me mend e me vetdije për çka ish vendi ynë n’at kohë, kur na kish mblue mjerimi migjenian, ktë akt po e ndërmerrnin disa fmij në nji katund rranxë malit, por skèj kufinit me botën tjetër. Vendimin e poqëm mbas msimit, po te pylli. Tre do iknin si fillim, por përgjegjsia rajke edhe mbi ne tjert, që nuk do mund t’bindshim askand se nuk kena dit gjà, për ma tepër kur lidhja jonë unike, njihej n’krejt shkollën. Unë si kujdestare, e bija e drejtorit të shkollës dhe bija e mësuesit kujdestar, do merrshim koston ma t’naltë t’nesëmen, kur lajmi t’marrke dhèn. 7 jetë me i jetue, at natë s’e harroj. Frikë, ankth, padurim me zbardhë dita e me msue a u realizue plani. Çka kish me pasue?! Ngjarja ish në kufijtë e mitikes. Bahesh fjalë për tre fmij që po guxonin me sfidue pushtetin, që edhe pse n’grahmat e fundit, ish ba edhe ma i egër. Ata ishin largue prej shpie mbasdite, mbas tjerrjes s’planit s’bashku. Detyra jonë ish mos me ra n’sy që diçka nuk shkon, se për t’kallxue as nuk e çonte kush nëpër mend. Aty ma shumë se kurrë, ja kam njoft peshën Besës. Besa s’ka t’bajë me moshën, por me genin. N’nadje t’tan kishim mbrri te shkolla para orarit. Aty rreth mesdite, lajmi u mor vesh prej familjarëve, asnji prej t’cilëve nuk kish pas dijeni. Nuk mbaj mend detaje n’se ata kishin lanë mesazhe apo jo, por duhet t’kishin lanë diçka, për sa kohë lajmi kish t’bante me arratisje, jo largim apo zhdukje.

Duke ecë nëpër pyll...
Duke ecë nëpër pyll…

Tash klasa jonë ish epiqendër e shkolls, katundit e ma n’fund edhe qytetit, se ngjarja kish tronditë deri pushtetin lokal. Filloi terrori ndaj nesh. U kuptue që na kena ditë gjithçka. Qysh u pritke, t’parat u penalizuen, edhe dhunshëm fëmijët e mësuesve, prej vet atyne. As sot nuk e kuptoj se pse m’besuen t’tan kur u thash që s’kam ditë gja. Na ngujuen n’klasë. Vinte sa nji msues sa nji tjetër, na shante e na bajke presion, por na hiç. Kur na lanshin vetëm fillojshim me diskutue n’se treshja ja kish dalë me përmbushë misionin. Erdh mbasditja vonë e prej nesh s’kish dalë fjalë goje, mandej u detyruen me na lanë me shkue n’shpi. Ditën e tretë, msojmë se ata kishin kalue kufinin, ishin arratis. Autoritetet e atjeshme i kishin riatdhesue, me motivin se ishin t’mitun, po kthimi i tyne, kurrsesi s’e zhbajke trimninë e tyne as krenarinë tonë për ta. Kthimi i tyne mes nesh, ditë ma vonë, meriton nji tregim m’veti, por unë jam edhe sot krenare se kur bota mburrtte disidencën e shtirun të Ismail Kadaresë, shokët e mi guxuen me sfidue pushtetin e diktaturën në emën t’lirisë, që deri at’herë nuk ia kishim ditë kuptimin e vërtetë…
.
Marrë nga muri i FB i Bukra Hysenukaj – Kastrati, 31 korrik 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.