back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Dhjetë hapa për të përmirësuar Kujtesën…

Gazeta

Zonat e Kujtesës
Zonat e Kujtesës

Dhjetë hapa për të përmirësuar Kujtesën…

Mendime të një shkencëtari

Çfarë mund të bëni për të përmirësuar kujtesën tuaj? Është vendimi që merrni për të përmirësuar kujtesën dhe koha që i kushtoni këtij qëllimi ato të cilat kanë rëndësi vendimtare.
Sipas njërit prej shkencëtarëve të njohur që është marrë gjatë me problemet e kujtesës (Singular, 1982), motivimi është shumë më i rëndësishëm sesa aftësitë e lindura. Pavarësisht nga aftësitë e tij për të mbajtur mend, çdokush mund të përmirësojë kujtesën nëpërmjet 10 hapave të mëposhtme:

Motivimi.
Nëse egziston një motivim i fortë për të forcuar kujtesën, do t’ia arrini qëllimit, por nëse ju mungon një dëshirë e fortë dhe një motivim për të mësuar dhe për të mbajtur mend, gjasat janë që nuk mund të bëni asnjërën nga këto. Është e nevojshme që të jeni aktivë dhe të interesuar, gjë që do t’ua bëjë mjaft të lehtë procesin e kujtesës.

Praktikimi i Aftësisë Memorizuese.
Së pari, duhet të bëhet e qartë se aftësia memorizuese është si çdo lloj aftësie tjetër. Ajo ka nevojë të ushtrohet dhe të përdoret. Nëse nuk e përdor, atë e humb. Ekspertët e kujtesës rekomandojnë për këtë qëllim ushtrime të tilla, si fjalëkryqe, anagrama, shah, etj. Është vënë re se shumë njerëz, për të mbajtur kujtesën në nivele të mira, mësojnë një gjuhë të huaj, si japonisht, ose mblidhen rregullisht për të diskutuar ngjarjet e fundit.

Bëje aktive kujtesën...
Bëje aktive kujtesën…

Vetëbesimi tek Aftësitë Personale Memorizuese.
Dyshimi tek aftësitë memorizuese të vetvetes të çon në ankth, i cili nga ana e vet, ndërhyn në aftësinë për të nxjerrë informacionin nga kujtesa.

Evitoni Faktorët Pengues të Kujtesës.
Ngacmuesit e jashtëm janë faktorë të fuqishëm pengues, si në procesin e të mësuarit, ashtu edhe në kujtesën. Është mjaft e dëmshme dhe joproduktive të mësosh dhe njëherazi të dëgjosh radion. Të mësuarit dhe kujtesa kërkojnë përqëndrim të lartë në mënyrë që të realizohen me sukses.

Detajizmi.
Përqëndrimi tek detajet është një nga kyçet e aftësisë memorizuese. Duke i kushtuar vëmendje hollësirave, kujtesa forcohet dhe elementët tërheqin njëra-tjetrën. Vetëm nëpërmjet detajeve do të jeni në gjendje të kujtoni një ngjarje me saktësi dhe kthjelltësi.

Parimi i Lidhjes.
Për një kujtesë të mirë është e rëndësishme vendosja e lidhjeve midis informacionit të ri dhe informacioneve të vjetra të depozituara në kujtesën afatgjatë. Gjeni lidhjet logjike se si informacioni i ri lidhet me informacionin e vjetër.

Vizualizimi.
Përfytyrimi është një mjet i mrekullueshëm për të nxjerrë informacionin nga kujtesa. Sa herë që është e mundur, krijoni pamje mendore të çështjeve, njerëzve, fjalëve dhe aktiviteteve që doni të mbani mend. Për të mësuar përmendësh fjalime të gjata, oratorët grekë dhe romakë kalonin dhomë më dhomë në një ndërtesë që e njihnin mirë, duke vendosur imazhet e materialit që duhet të mbanin mend në rradhë sipas dhomave ku e mësonin. Gjatë fjalimit, ata e imagjinonin veten duke kaluar nëpër dhomat dhe sipas rendit të tyre, kujtonin secilën pjesë të fjalimit.

Referencat.
Përdorni referenca që ndihmojnë në nxjerrjen e informacionit nga kujtesa. Sa më shumë piketa që të keni, aq më shumë shtohen gjasat që të mbani mend. Një mënyrë për të vendosur piketa automatike për nxjerrjen e informacionit është të krijoni rutina dhe struktura. Për shembull, kur hyni tek dera, vendosni çelësat e derës dhe të makinës në të njëjtin vend çdo ditë. Kur të pyesni veten se ku i kam çelësat, fakti që keni një vend të caktuar për çelësat shërben si piketë për t’i gjetur ato.
Ngadonjëherë diçka që nuk është rutinë e qartë dhe as e strukturuar për të qenë e tillë, mund të shërbejë si piketë. Për shembull, nëse doni të mbani mend diçka, vendosni orën (ose unazën) në dorën tjetër. Kjo në kohën e duhur do t’ju ndihmojë të sillni ndër mend atë që donit të bënit.

Celulë kujtese...
Celulë kujtese…

Mos u bazoni vetëm tek Kujtesa.
Kujtesa shumë herë të lë në baltë. Të bazohesh vetëm tek kujtesa, do të thotë që të mbështetesh në një truall të lëvizshëm dhe të paqëndrueshëm. Shkruajini gjërat që duhet të mbani mend dhe i vendosni ato në vende të dukshme. Nëse e bëni zakon këtë gjë, do t’ju ndodhi diçka e bukur: shpesh, mjafton që e keni shkruar atë dhe nuk do ta ndieni nevojën për ta riparë, pasi informacionin tashmë e keni rregjistruar në kokë dhe e nxirrni me lehtësi sa herë që dëshironi.

Jini të vetëdijshëm për Grackën e Kujtesës.
Shumë herë ndodh një fenomen i çuditshëm. Njerëzit janë fare të sigurt për diçka, por në të vërtetë nuk ka ndodhur ashtu si ata e kujtojnë. Kjo ndodh sepse në mënyrë fare të pavetëdijshme, njerëzit e “rishkruajnë” historinë sipas asaj që ata dëshirojnë të ndodhte, ose përputhin dhe pajtojnë të kaluarën me të sotmen. Sipas vëzhgimeve, kjo dukuri nuk është e rrallë, madje edhe deponimet e dëshmitarëve okularë nga eksperimentet e bëra nuk janë plotësisht të sigurta. Nga hulumtimet e psikologëve Benton, Bradshaw, Tomas në vitin 2006 në kontenë Hamilton, Tennesse (ShBA) u analizuan dëshmitë e dëshmitarëve okularë në gjyqet e zhvilluara nga 111 gjykatës. Një nga përfundimet ishte se 81% e ekspertëve mendonin që “dëshmitarët okularë ngadonjëherë identifikojnë si fajtor dikë që e kanë parë në një mjedis apo kontekst tjetër”. Për këtë arsye, kujtesa në mjaft raste duhet t’i nënshtrohet mendimit kritik.
Marrë nga “Koha Jonë” 1 maj 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.