back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Dekomunistizimi, Ksenomania dhe Kombi – nga Alfons Grishaj

Gazeta

Alfons Grishaj
Alfons Grishaj

Dekomunistizimi, Ksenomania dhe Kombi

nga Alfons Grishaj

Dekomunistizimi, term i stërpërmendur prej 31 vitesh, sot është bërë moto e qëllim në vetvete nga një shoqëri që nuk ka asnjë lloj strategjie, boshti apo vizioni, por vetëm e përdorin këtë “inxhi” si sllogan demagogjik, që ngjan me një fishek pa barut që nuk ndez kurrë! Kërkesë e bërë prej vitesh nga ne… ra në veshë të shurdhër që asnjëherë nuk përkoi me “Ideollogët politi-qarë” që thonin se po u kthyem prapa nuk mund të shkojmë përpara…, pa e kuptuar se: “Pa regres nuk ka progres!” Prandaj sot, dekomunistizimi i folësve ngjan me një qitje kuturu që nuk ka objekt, por vetëm llafollogji, retorikë të pafundme në një sfond me hije e kufoma, përfytyrim i filmit, “Walking Dead”.
Dekomunistizimi, rënë në gojën e agonisë përpiqet të ngjitet në majën e Korabit pa pasur kondicionin mendor e fizik. Pesëmbëdhjetë, tridhjetë vite kohë nuk u mjaftuan për ta skalitur këtë ligj që të sillnin paqen shpirtërore tek të vuajturit e përjetshëm?! Por jo vetëm që nuk e bënë, por kanë lozur keq me ndjenjat dhe gjakun e derdhur të patriotëve, me inteligjencën qytetare. Deklamimi vulgar nëpër audienca i ngjan një gënjeshtre fëmijësh, të cilët fshehin duart e pista duke treguar këpucët me pluhur. Loja teatrale e këtyre delitantëve politizinj, ngjan si ombrellë me vrima që nuk mund ta përdorësh as për shi, as për diell, as për luks. 
Pas “dekomunistizimit”, karta e huaj përdoret si çelës i artë për zgjidhjen e krizës së dhimbshme që vetë e kanë psonisur. Le të mendojmë për një çast… që do shpohet qielli dhe do bien miliona ($) litra ujë në shkretëtirë, ku pas pak uji do zhduket dhe shkretëtira do mbretërojë sërish! Në këtë rast, populli thotë: “Nuk mbahet shtëpia me miell hua!” 
As dekomunistizimi spekulativ dhe as ksenomania nuk janë zgjidhja e krizave, por bashkëpunimi, strategjia dhe vizioni për të ardhmen. Paqa e bashkëpunimi midis njëri-tjetrit, dhe jo anatemimi, bullizmi, egoizmi, tradhëtia dhe skuthëria që janë ligështitë inferiore të njeriut. Sa më pak Hamza Kastriotër, aq më shumë bereqet e dashuri në votër.
Në momente të caktuara e kuptoj hidhërimin dhe shkapërcimin logjik të njeriut (përfshi dhe vetveten), dhe urrejtjen kuturu të pafundme të njeriut të vogël, por nuk e kuptoj qëllimin e pafund të shkatërrimit të njëri-tjetrit, sepse dëshira e pakufi për të dëmtuar shoqi-shojin është humbja e vetvetes, dështimi i qenësisë tonë njerëzore!

21 dhjetor 2021 - Open Ballkani i Trojkes: Vuçiq - Rama - Zaev
21 dhjetor 2021 – Open Ballkani i Trojkes: Vuçiq – Rama – Zaev

Qeveritë duhet t’i shërbejnë popullit dhe jo klaneve private oligarke. Njëherë e një kohë në Amerikë, u zgjodhën dy apo tre Presidentë nga klasa oligarke ose siç e quante Ruzvelt, “Plutokraci”. Administratat qeveritare i shërbyen filozofisë së klasës që i zgjodhi dhe jo demokracisë. Me ardhjen e Teodor Ruzvelt, plutokracia e John Pierpont Morgan me shokë u mund keq, duke u kthyer demokracia e vërtetë dhe vota e lirë. 
Çdo vetëkënaqësi megalomane është e përkohshme sepse “mbinjeriu” është një ëndërr dhe jo realitet! Qeveritë duhet të jenë në shërbim të shtetit dhe popullit, dhe jo populli dhe shteti në shërbim të qeverive. Paraja nuk e bën njeriun, po njeriu e bën paranë. Nëse qeveritari bëhet Kuçedër dhe zë burimin e ujit për vete, ka një fund: vetëshkatërrim! 
Së paku të respektojmë zakonin kafshëror dhe të mësojmë nga rregulli i tyre që, kur shkojnë tek burimi (lumi-liqeni) rreshtohen pa ulërima dhe shtyrje fizike.
“Opozita” dhe “Pozita”, duhet të kenë një mendim unik për çështjet e kombit, jo sentimentalizëm kontraversial. Bismark thoshte: “A sentimental policy knows no reciprocity…”* 
Nuk mund të mbyllësh një derë të madhe (siç është Europa) për të hapur një derickë kafazi (siç është “Ballkani i hapur”) pa gjysmën e trupit tënd Dardaninë…, dhe më keq, për t’i bërë karshillëk e presion “Nismës së Berlinit”. Asnjëherë aleancat rakitike nuk kanë pasur të ardhme, por kanë dështuar që në fillim, ose janë fikur rrugës pa shkuar në destinacion. Nëqoftëse ndez bishtukun… atë hapsirë drite do fitosh…, nëse ndez llampën… ditën do gëzosh. 
Shqiptarët kudo që ndodhen duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se respektimi dhe dashuria reciproke do e rrisë dhe fuqizojë shqiptarizmën… sepse ne kemi një gjuhë, një burim, një çati, një nënë, një liman: Shqipërinë Etnike!
Sa më i fortë shqiptarizmi aq më të forta kanë për të qenë aleancat jetike për kombin. Mendoj, çdo përllogaritje, narrativë tjetër e kundërt ka një fund: dëmtimin e interesave kombëtare dhe turpin e përjetshëm!

*Citim i Kissinger, tek libri “Diplomacy”, faqe, 129.

Marrë nga Gazeta “Dielli” 22 dhjetor 2021

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.