back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Biografia letrare e Musa Ramadanit (21 maj 1941 – 10 mars 2020)

Gazeta

Musa Ramadani (1941-2020)
Musa Ramadani (1941-2020)

Biografia letrare e Musa Ramadanit

(21 maj 1941 – 10 mars 2020)

Ka vdekur shkrimtari i njohur Musa Ramdani, shkruan KultPlus. Ai ishte i njohur për stilin e veçante të të shkruarit dhe pas vetës ka lënë një numër të madh të titujve.
Në Gjilan e kreu shkollimin e mesëm (Shkolla e Nxënësve për Ekonomi), ndërsa në Prizren, Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe. Nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”. Çmimi i parë për poezi dhe ai i dyti për tregim, në konkursin letrar të “Zërit…” më 1968, e motivuan që t’i përkushtohet letërsisë.
Më 1972, Musa Ramadani e dërgoi për botim në “Rilindje” dorëshkrimin e librit “Neurosis XX”, por iu refuzua me arsyen se ishte vepër “pesimiste” dhe “nihiliste”. Libri në fjalë u botua një vit më vonë nga vetë autori, i cili i dha epitetin e shkrimtarit avangardist dhe prijësit të poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës. Që nga viti 1970, ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe tash i PEN Qendrës së Kosovës.
Poezia e Musa Ramadanit është prezantuar në disa antologji shqipe në Kosovë, në Shqipëri, po edhe në gjuhë të ndryshme. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana, ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013.
.
Musa Ramadani - Profeti nga Praga
Musa Ramadani – Profeti nga Praga
Gjatë viteve ’70-të në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy herë çmimet e para. Në fillim të viteve ‘80-të ishte një nga themeluesit e Teatrit të të Rinjve, të Fëmijëve e të Kukullave në Prishtinë (asokohe: kryetar i Komisionit Amë) dhe nga fundi i viteve ‘90-të e deri më sot me pasion e kultivoi edhe artin e vizatimit.
Shkrimtari Musa Ramadani, me poezinë e tij herë me shenja biografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap më tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kjo dëshmohet te veprat e tij poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969),“Thirravaje” (1971),“Neurosis” (1973),“Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).
Proza e tij është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000).
Më 1984 botoi dramën “Moisiu në Unazën e Inflandit”, e cila u inskenua në Tetarin e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Shkrimtari Musa Ramadani, me shkrimet e tij kritike dhe eseistike për teatrin dhe shfaqjet teatrale, ka ndihmuar dhe ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë artistike të dramaturgjisë shqipe në Kosovë. Duke qenë përherë i lidhur me kritikën e teatrit, ai botoi edhe dy libra eseistikë: “Fjala në skenë” (1980) dhe “Premiera shqiptare” (1994). Si përkthyes, në gjuhë shqipe solli autorët: Dino Bucati, Sadek Hedajat, Hajner Myler, Per Lagerkvist, Jashar Kemal, Jezhi Andzhejvevski etj.
Veprimtaria letrare e Musa Ramadanit është vlerësuar nga kritika akademike dhe ajo mediatike. Ajo është shndërruar në objekt studimi e kërkimi për shumë studiues të vjetër e të rinj. Madje, për veprën e tij janë botuar studime monografike.
.
Marrë nga KultPlus.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.