Bashkë, si një degë e paqme ulliri… – nga Arben Imeri

0
13
Ilir Alibali
Ilir Alibali
Ilir Alibali
Ilir Alibali

Bashkë,  si një degë e paqme ulliri…

nga Arben Imeri

Balo nuk tregon shumë për vuajtjet, kërkon t’i harrojë. Ç’të të tregoj, më thotë, lotët e nënës time që qante çdo ditë?
Ka të drejtë. Gjatë viteve të diktaturës, përjashto ato të fëmijërisë, ka bërë më shumë vite në internim, se sa jashtë tij.
Nëna e tij, Adivija, ka qenë balerinë e njohur, Mamica e filmit Skënderbeu, ndërsa i ati, jurist.
Jemi në messenger, duke folur e duke u parë, “se kështu ka lezet muhabeti”. Është mbrëmje vonë.
-Prit se do mbush një gotë, – më thotë, – se duhet të luftojmë virusin.
Mua më jep leje që ta shoqëroj me birrë, sepse raki nuk kam.
Rakia i bën mirë, i jep kurajo si dhe zell për të treguar.
-E di ti se ç’është qilizmi? – pyet.
-Qylymat e Kavajës, që çanin tregjet? – e ngacmoj.
-Jo mër jo! Na se ta them unë: qilizmi është kur toka punohet me një thellësi prej 40 cm. Atë punë kam bërë, kur na internuan në Labovë të Gjirokastrës, me 16 tetor të ’75, e mbaj mend si sot… Vinte katunari dhe maste thellësinë e qilizmit, po të ishte 38 cm e thellë, nuk e merrte në dorëzim punën… nuk na paguante.
Për Balon, katunari nuk është epitet gjeografik apo racist: është i keqi, personifikim i spiunit, i njeriut të lig apo xhelatit. – U ankuam te ata të Degës, se donim t’i hapnim kafkën me kazmë, aq shumë na e nxinte jetën, katunari i dreqit! Sollën një tjetër dhe shpëtuam. Pas dy vitesh, mblodhëm ato pak rraqe e na degdisën në Berat, në Sheqëz…
-Isha te “Petro Nini”, kur na internuan, – më tregon, – Për motive politike, kaq shkruhej në urdhërin e shkruar. Më përjashtuan nga Organizata e Rinisë si dhe nga zbori, sepse dëgjoja muzikë të huaj. Ndërsa, për vëllanë gjetën preteks një libër të Frojdit, që dikush e kishte marrë te shtëpia jonë. Ndërkohë, dy xhaxhallarë, oficerë të lartë, sapo i kishin arrestuar. Njërin si agjent të polakëve dhe tjetrin sepse kishte sharë shokun Enver dhe shokun Hysni, kur kishte qenë me shërbim në Odesa të Ukrahinës, para nja 15 vitesh!”
-Booo! – ia bëj – E paskan spiunuar shokët. Gjynah!
-I doli njëri dëshmitar në gjyq, por kur xhaja ua faktoi që nuk kishte shkelur kurrë në Odesa, i gjetën një tjetër akuzë dhe e dënuan me dhjetë vjet. Ç’a ti bosh!? Vetë e kanë fajin, se dulën partizon… i ikën gjyshes prej dore ne u bashkun me partizont! Edhe me gjermont, po të kishim qenë, rrezik s’do e hashim aq shumë! O burra t’gjith’, n’garë me u bo partizon… Pesë vëllezër! – vazhdon Balo, me dialektin tironc.
-Gëzuar, Balo. Ndaj je kaq i mirë ti, se ke vuajtur. Ne të tjerët, kot bëjmë gam-gam.
-Unë dhe vëllai vuanim për prindërit, ata vuanin për ne. Bashkë, vuanim për fatin tonë dhe padrejtësitë.
Në Berat ishim pak më mirë, fshatarët na donin, edhe pse ishim “armiq”. Punoja në kooperativë, për 30 lekë në ditë. Ishim çuna të rinj dhe ia dilnim që të arrinim edhe te 1500 lekë në muaj, sa për ushqim e cigare dhe për ndonjë libër!
-Lexonit libra?
-Ç’të bënim pas punës!? Nuk trazoheshim shumë me vendasit apo të tjerë të internuar, frika e spiunimeve, intrigave apo provokimeve nuk na linte të lidhnim miqësi me familje të tjera. Kishim vetëm pak miq të besur, disa kokrra!
-Sa vjet ndejtët në Berat?
-Duhej të rrinim pesë, se aq parashikonte ligji, por na e shtuan edhe pesë vjet të tjera. Ndërkohë, xhaja që ishte “armik” i bëri cik më cik vitet e burgut dhe u lirua, ndërsa ne, jo. Ne na “harruan” në Sheqëz. Gëzuar, Beno! Na morën rininë…
-Gëzuar, Balo.
-Pas 11 vitesh, në ’86, pas shumë mundimesh, gjyshja në Tiranë ia doli që të realizonte lirimin tonë. Na erdhi shkresa e lirimit. Na thanë, veçse, që në Tiranë nuk ktheshim dot më. Ky ishte kushti. Ne zgjodhëm Shkodrën, qytetin e babës.
-Hallall! Vllaznia – perenia! – i them, duke i përmëndur thirrjen e tifozëve shkodranë.
-Ajo perënia jote u bo Perondi… e di ti ku bje Perondia?
-A ta mush ne i got’, apo u bo vonë për ty?
I jap leje për gotën e dytë, kur ai e ka mbushur vetë atë.
-Pse Perondi? Ti the në Shkodër.
-Faji im. Kur erdhi urdhëri i lirimit, në vend që të ngrinim rraqet e t’ia mbathnim në Shkodër, lashë familjen në Sheqëz dhe ika dhjetë ditë në Tiranë. Kisha mall për gjyshen, për dajat, tezen e farefisin. Edhe për qytetin.
-S’ke pas faj.
-Po, por pas disa ditësh, babën e thirrën në Degë. I dhanë një letër ku shkruhej se internimi ynë zgjatej edhe pesë vite të tjera. Arsyeja: ti nuk falenderove Partinë për dekretin e lirimit, ndaj, ridënoheni përsëri… U bo helm, baba, protestoi. Ishte jurist dhe i dinte ligjet, por nuk ia varën. Ashtu ka vendosur Partia, i thanë. U bëmë për hekura, kur u kthye në shtëpi. Nëna vetëm qante…
.
.
Ç’a ti them, Balos, njeriut që vetëm buzëqesh e që nuk nxjerr një fjalë mallkimi nga goja, përveç fjalës katunar. Rrëfimi i tij është tepër i sinqertë, i çiltër, prekës. Flet thjesht, pa fjalë të mëdha, me zërin e mbushur dhe burrëror, që vetëm një herë sikur u zbeh disi, në momentin kur foli për lotët e së ëmës. Është rrëfim tavoline ai i tiji, rrëfim i një nate marsi, me një gotë raki përpara. Është rrëfim, nuk ka asnjë fije urrejtje në ato që thotë, asnjë ndjenjë hakmarrjeje. Është nga ata njerëz që mendon se si të bëjë më mirë për familjen e tij, e jo të kërkojë shpagim te ata që i kanë bërë keq. Duhet të jetë vuajtja që e ka bërë kështu, mendoj, vuajta ose formimi familjar e kulturor. Ose, të dyja bashkë.
-Ishte dhunë fizike internimi, por, më tepër, dhunë psikologjike dhunë e përditshme. Për t’u treguar të fortë, na shtypnin më tepër neve, na trajtonin edhe më keq… Ja, kështu, duke na shtuar vitet e internimit, sipas oreksit të tyre. Ne, ndoshta ishim më me fat, sepse ata të Lushnjës, ishin më keq akoma… ata hanin dynjanë me dhëmbë… dramë e vertetë…
-Gëzuar, Balo, i them, – duke mërmëritur disa fjalë ngushëlluese. Pastaj ndrroj temë dhe e pyes për një shok.
-Prit, më, se s’kam mbaruar. E pe Guxin në foto?
-Nuk e njoh, jam më i vogël se ju.
-Guxi o burrë, Gux Bekteshi që ka luajtur basketboll me Partizanin dhe Tironën. Ç’a tifozi je ti që nuk njeh Guxin!? Ishte edhe ai aty, me familjen, ngaqë babanë ia burgosën. Ishte Guxi që na mbante gjallë me batuta. E kisha shok brigade. Atë foto e kemi bërë vetëm pak ditë pasi na shtuan internimin, në ’86. Hajde, më tha Guxi, hajde o i internuar i dreqit, të bëjmë një resme, se do e kemi për kujtim. Ku do ikje ti pa Guxin… doje liri ti? Po tre herë apel në ditë, kush do bëjë, vetëm Guxi do bëjë?
Ai ka në dorë mbesën, vajzën e motrës, ndërsa unë mbaj shatin, pa bisht. Kur binte shi, hiqnim veglat e punës nga bishti dhe i çonim te kovaçi i fshatit, që t’i mprihte. Të nesërmen, e bënim normën më herët, derisa, shati konsumohej përsëri. Jetë internimi…
Në foto mungon Ronçja…
-Ronçja? Kush është ky?
-Çuni i Hasonit, që ka qenë zëvëndësministër. Kur doli nga burgu, Ronçja ishte i lirë, por, nuk kishin më shtëpi në Tiranë, ndaj, iu bashkua familjes në internim dhe punonte në bujqësi. Ronçja dhe Guxi ishin të paparë, tërbuan fshatarët. Jo vetëm që u mësuan bixhozin, aq sa ata mezi prisnin të bënin një vijë bati e të hidhnin dhjetë lekshat në ajër, por u mësuan edhe llotosportin.
-Llotosportin!? Hahaha.
-Po, ore. Ronçja shkonte e vinte në Tiranë, sepse ishte i lirë. Ai ishte postieri ynë: sillte lajmet, tregonte të rejat, kush kishte vdekur apo ishte burgosur, lajme nga farefisi dhe shokët. Na mësoi lloton, në fillim luanin vetëm katër vetë. Pastaj, fshatarët na panë që rrinim gjithë ditën me letra në duar duke shkruar rezultatet dhe u bënë kuriozë. U pëlqeu llotoja edhe atyre dhe nuk shqiteshin më. Rai-in italian e merrte në atë zonë dhe njihnin disi edhe skuadrat, kusurin ua mësoi Ronçja i Hasonit!
Rrëfimi i Balos s’ka fund, rrjedh si vetë lumi. Më duket sikur i vrari nga vuajtjet jam unë, jo ai. Aq bukur tregon, aq me ëmbëlsi rrëfen.
Nga biseda me të tjerë shokë që kanë pasur fatin e tij të keq, kam arritur në konkluzionin se kura e tyre mendore, shpirtërore dhe fizike, në mund të quhet kështu, është përpjekja për të kujtuar e treguar vetëm ato grimca e ndodhi pozitive, të cilat i kanë përdorur si barna apo integratorë për të ruajtur dinjitetin e për të mos përkulur trupin nga pesha e vuajtjeve. Sepse, ballin, falë vullnetit dhe besimit në drejtësinë hyjnore, e kanë mbajtur gjithmonë lartë…
Biseda jonë mbaron vonë. Më premton që të falat e mia do ia përcjellë nënës së tij, “Mamicës së Kastriotëve”…
.
 
* * *
Avokat Ilir Alibali dhe familja e tij mbaruan internimin vetëm në vitin 1988.
Sot, në mëngjes, gjeta në postën e fb- një foto të tij me prindërit.
Më bëri përshtypje fisnikëria e tyre: sharmi i nënës së tij, bukuria e saj, shamia mbi kokë, buzëqeshja e tyre. Flokët e thinjur e të bardhë të babait, njësoj si jaka e këmishës, optimizmi i fytyrave të tyre. E pastaj, dora e Balos në xhep, me gishtin e madh jashtë. Fytyra të ëmbla të mënçura, të skalitura.
Kundrova degët e pemëve, dritaren e vjetër, ashtu si dhe muret e banesës së pasuvatuar.
E, përsëri, u ktheva te buzëqeshja e tyre.
Bashkë, pranë njëri-tjetrit, si një degë e paqme ulliri.
Ilir emrin e kam, por i lirë unë nuk jam, këndonte në internim…
.
Marrë nga Muri i Arben Imeri, 28 Mars 2020

Related Images:

Artikulli paraprakRrëfimet e Teze Lolosë… – pak për të qeshur nga Avni Delvina
Artikulli tjetërFilmi shqiptar: një arkivol që e paraqesin si djep – nga Edison Ypi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.