back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Atë Anton Xanoni, anëtar aktiv i shoqërisë letrare “Agimi”

Gazeta

Anton Xanoni (1862-1915)
Anton Xanoni (1862-1915)

Atë Anton Xanoni, anëtar aktiv i shoqërisë letrare “Agimi”

Atë Anton Xanoni një ndër figurat e shquara
të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes,
dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë
dhe botimeve të teksteve shkollore
duke ushtruar një ndikim të dukshëm
për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe.
R.Sh. – Vatikan
.
Mё 16 shkurt, kujtojmё jezuitin shqiptar, Atë Anton Xanoni, në përvjetorin e vdekjes). I njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni (1862-1915) figurë e shquar e arsimit katolik, ndërroi jetë në Shkodër më 15 shkurt 1915. Është, pra, një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes ishte dhe Anton Xanoni, i cili dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe.
Atë Anton Xanoni lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli, në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892).
Më 1892, u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër, për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali.
Atë Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedjën (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.
Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të leteratyrës, Shkodër 1911-1912.
Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.
Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit “Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit” me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurta e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë. Mbeti në histori edhe për veprat “Gramatika shqyp”, Shkodër 1909, “Shkurtorja e historis së moçme”, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes “Rrnoftë Shqypnia”, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite.
Atë Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare.

Krijimtaria e jezuitit Anton Xanonit

1.Tremdhjet t’martet e Sh’na Ndout;
2.Dheshkroja e Shqypniis;
3.Shkurtoja e historiis (bleni i I);
4.Shkurtoja e historiis (bleni iII);
5.Muzhiktari i verbtë;
6.Priisi n’ lamë t’letratyrës ;
7.Gramatika Shqyp;
8.Dotrina e madhe;
9.Gjenovefa (romanz);
10.Julia (romanz);
11.Llagoret e mullinjve (dramë);
12.Këndime për shkollë t’para t’shqypes;
13.Unjilli i Jezu Krishtit mas Sh’M;
14.Jeta e Sh’Françesk Saverit ose “Apostulli i Hindit” (biografi)
15.Skënderbeu (dramë)
16.Prisi në lamë të Letratyrës (tekst pedagogjik )

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.