back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 30 Prill, 2024

Shqiptaret e Sarajevës – nga Vildana Dibra Zhubi

Gazeta

Gra e Vajza Shqiptare në Sarajevë, në vitet '50 (fragment)
Gra e Vajza Shqiptare në Sarajevë, në vitet ’50 (fragment)
Shqiptaret e Sarajevës
nga Vildana Dibra Zhubi
Kandi i fotove historike të gegnisë

Një fotografi nga albumi i shtëpisë të bashkshortit tim, diku mes viteve ‘50-‘60, sa e sa herë më zgjon një dëshirë me ditë për jetën tonë jashtë vendlindjes me dekada dhe shekuj.
Jeta jonë në Turqi, Itali, Amerikë, Çamëri, Australi… dhe çdo pore e tokës.
Më intereson si kanë jetuar ata të shkretë mes dashurisë për vendin e vet dhe frikës që mund dikush t’i dëbonte nga ai dhe i huaj dhe përsëri i kthen në vendin e vet dhe për çudi me gjithë at mall shumica nuk kthehet kurrë ma. Ironia nuk ka fund kur prindët ikin nga aty, por dëshirojnë të martojnë bijat atje dhe nuset vazhdojnë dhe i sjellin prap në mërgim.
Shqiptarët në Sarajevë kanë emigruar para nji shekulli.
Për nji jetë ma të mirë.
Po përveç se i kanë ik “lloçit” dhe “bullicave” të Kosovës, a kanë pasë vërtetë nji jetë ndryshe nga gjakovarët e Gjakovës dhe viseve tjera të Kosovës?
A kanë dalë nga guaca shqiptarët ndonjëherë?
Gjuha, adetet, jeta… a ka qenë ndryshe në qytetin e asfaltit, pa bollica e pa lloç?
Jo, jo, përkundrazi!
Kur në Kosovë shqiptarin e kaplon moda dhe hec me kohën, në Sarajevë çdo gja kishte ngelë si ditën që kanë shkel në at tokë të Bosnjës.
Me at kokë për tokë, punonin zanatet e veta dhe kurrë zani nuk i ndihej n’at qytet.
Nga friga se dikur zhduken, ata kishin mbetë në at enklavën e mallkuar që quhet jabanxhi.
Në Sarajevë, familja e parë sa e di unë janë familja Axhanel-Idrizi. Pastaj vijnë: Domanaga, Zhubi, Varaku, Dula, Pruthi, Gola, Fehmiu, Hoshi, Dashi, Koshi, Çarkaxhiu, Nuçi, Jaha, Polloshka, Canhasi, Mullasejdiu, Shllaku, Meça… e shumë e shumë tjera.
E martume në familjen Zhubi, kam qindra e qindra gojdhana, biseda, tregime për jetën e shqiptarve, kryesisht gjakovarve n’at kohë.

Sa janë të dhimshme aq janë edhe të bukura.
Vjehrri im Qamil Zhubi, nji tregtar me nam, nga friga se mos harrohet gjuha shqipe, kurrë nuk ka leju me u folë gjuha boshnjake në shtëpi.
Varzat e veta të trijat i marton në Gjakovë, dhe djalin e madh e marton me gjakovare e lindur në Sarajevë, nga familja Axhanel.
Dhe kur u martu djali tij i dytë me mu, i ka thanë djalit vet: “Pse more bir nusen nga Ulqini, që paska me të shku jeta me valixhe në dorë?”
Pa ia marrë mendja që një ditë djali i tij do ta len edhe Sarajevën gjatë luftës dhe arrin diku edhe ma larg.
Nuk e di a keni ndëgjue at mallkimin kur të nem dikush dhe thojnë: “Të çoftë Zoti larg e ma larg!”
Të njajtën ma kanë thanë edhe prindët e mij, por fatit nuk ke kah i shkon.
Shtëpi e madhe në qendër, në rrugën Ferhadija, ish Vase Miskina, në zemër të Sarajevës kurrë nji ditë pa mysafir nuk e kishin kalue.
Udhëtimet kanë qenë të rralla dhe rruga për në Kosovë shumë e gjatë, por në Sarajevë krijuan nji Gjakovë të vogël.
Nga bisedat e Bedrijes kunatës time, dhe nga bisedat e motrave të Samisë unë shpesh herë më duket që kam kalue nji pjesë time të jetës në at Sarajevën, ku dashnija mes jabanxhive ka qenë pa kushtëzim.
Gazi, muhabeti, ndejat pranë nji televizori bardhezi, puna në zanatet e ndryshme dhe malli i përbashkët për të gjithë.
Jeta shqiptarëve në Sarajevë është një Saga në vehte dhe sa ka dhimbje, ka edhe nji mallë të çmendun mbrenda meje për nji jetë që nuk e kam përjetue vetë në vitet ‘50-’60, por më duket se kam qenë aty si dëshmitare e jetës në një vend të huaj, sepse kam ndëgjue sa e sa herë për atë jetë, dhe ma vonë prej vitit 1979 e kam përjetuar edhe vet.
Dashtë Zoti, kur të dalë në pension e shkruaj ma gjatë dhe ma bukur at të kalueme të fatit tyne, fatit tonë dhe gjeneratave që avash-avash po humbin diku nëpër botë!

Gra e Vajza Shqiptare në vitet '50
Gra e Vajza Shqiptare në vitet ’50

Në foto, janë varzat bukuroshe shqiptare të Sarajevës: kunata ime Bedrije Axhanel-Zhubi, motrat e burrit tim Litafete Zhubi-Ponosheci, Myzejena Zhubi-Kumanova, Hidajete Zhubi-Këpuska (në rreshtin tjetër), Saime Dashi, Mandush Dashi-Berisha, Bahra Domanaga, Safete Gashi-Asani, Igballe Shala-Hoxha… për të tjerat nuk jam e sigurt.
Një ndër varzat në foto asht edhe shkodranja bukuroshe, bile edhe e ka emnin tim Vildana.
Kanë emigrue prej Sarajevës në Amerikë me familjen shumë e shumë vite ma parë.
Disa lindën dhe kurrë nuk e lanë dheun e Bosnjës, sepse ajo ishte vendlindja tyne, disa të tjera prindët i martuan të reja dhe i dërguan në vendin nga erdhën vet prindët, por prindët mbetën gjithmonë aty, disa erdhën nga Kosova me u ba nuse të Sarajevës, kurse disa me gjithë prind u kthyn prap aty ku këndonte qyqja dhe lloçi t’i mbulonte këpucët, por buka ishte e ambël.
Fati jonë kurrë nuk ka qenë i vendosun.
Gjithmonë jem lëkundë me shpirt dhe zemër.
Me lotin e ndarjes valixhja kurrë s’na u nda nga dora! Por të gjithë e kishin nji amanet!
Gjuhën, gjuhën merreni me vehte kudo që shkoni! Mburruni me vetvehten. Tregojuni të gjithëve se jeni copë e çmuar antike dhe ashtu mësohen të gjithë të ju japin respektin e duhun dhe atë çka meritoni!

Marrë nga Muri i FB “Gegnisht”, 24 Mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.