back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 12 Dhjetor, 2025

Zorrë e plansa… – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa
Zorrë e plansa…
nga Muçi Xhepa

“Të ftoj të marrësh pjesë në promovimin e “meTeorite” në bibliotekën “Qemal Baholli”.” 
Ngazëllehem. Revista “meTeorite”, e përdymuajshme kulturore, artistike, historike dhe politike, e ndërtuar mbi publikimet e portalit radiandradi.com, është vepër e mikut tim Jozef Radi.
-Do të jem aty, – i përgjigjem me një frymë në telefon.
Jozefi, fëmijë i dy prindërve intelektualë të dënuar me burgim nga pushteti i punëtorëve dhe fshatarëve, e kaloi një pjesë të jetës në Gulaget – kampet komuniste të shfarosjes, Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe së fundi në atë të Savrës.
Salla është e mbushur me studentë, mësues, studiues, poetë, kritikë arti…
Ulem në radhën e dytë, pranë një të moshuari. Më vështron ngulazi. Pa e pyetur më prezantohet… Nga mbiemri kuptoj se është ish i përndjekur i regjimit komunist. Në qytetin e Peqinit, familja e tij, Gjevori, është persekutuar rëndë. Në murin e jashtëm të shtëpisë diktatura i kishte vendosur një pllakë betoni, ku shkruhej se aty ishin strehuar armiq të pushtetit popullor.
-Shiko portretet e varur në mur, cili të pëlqen?! – buzëqesh me shpoti.

Në bibliotekën e Elbasanit "Qemal Baholli"
Në bibliotekën e Elbasanit “Qemal Baholli”

***
1977. Dimër. Mbrëmje. Soba e llamarinës në mesin e sallës s’është ndezur. Të ftohtit më ka hyrë në palcë. Fus në çantë fletoren e shënimeve dhe dorëzoj fjalorin anglisht-anglisht. Është kopja e vetme e bibliotekës dhe s’të lënë ta marrësh me vete. Te shkallët, jashtë, më bën me dorë Nazif Baholli. Mik i babait. Punojnë bashkë mësues në Cërrik.
-Po shkon në shtëpi. Si herët.
-Do doja të qëndroja gjatë, por më kanë hyrë të dridhura. Akull brenda.
-As ngrohje nuk kanë siguruar. Plehra. E di historinë e bibliotekës.
-Po, ma ka treguar babai. Vepër bamirëse e Nazif Bahollit të parë. Në përkujtim të të birit, Qemalit, që humbi jetën në moshë të re.
-Ta dinte se ç’do të bënin me pasardhësit e tij…
Ka të drejtë them me vete. I përzunë nga shtëpia, u grabitën plaçkë e laçkë dhe i degdisën fshatrave. Dhe, për të shuar etjen prej bishe, vëllanë e madh e burgosën, persekutuan – përfundoi i sëmurë rëndë dhe vdiq pa mundur të krijojë familje.
-Më keq akoma. Tempullin e dijes e kanë kthyer në vend ç’edukimi, ku shërbejnë antivlera; mashtrimet e kalemxhinjve të paskrupull…
-Ke të drejtë, gjigantë si Et’hem Haxhiademi i kanë mbyllur burgjeve.
-Ti je i ri, do të jetosh të shohësh se drejtësia vonon por nuk harron – rrugët do të kundërmojnë zorrë e plansa…
***
-Dritëroi, Kadareja apo Qosja?
-Më vjen keq që nuk shoh penën e artë të qytetit tim, Et’hem Haxhiademin…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nezir Sefaj
    Muç, shpalosje tablosh drithëruese, zemrën e rëndojnë, shkyejnë shpirtin pamëshirshëm, neronistët shuajnë jetët, shpresat fikun, kështu stil i lartë rrëfimi, mbron vuajtjet, dhimbjet… Respekt pafund, pa kufi…

    Fiore Di Palma
    Tregim drithërues Muçi… Na fute të ftohtët në shpirt, po më kërcasin dhëmbët…
    Në filmin tim të imagjinatës bëhem pjesë e tregimeve të tua… Kjo asht forza e penës tënde i nderuar, të bën të jetosh realitetin e përshkruar përtej dekadave të shkruara…
    Kur artisti vishet me bizhamet e ideologjisë… quhet ushtar i partisë… Dhe s’kemi më as art, as shpirt… por indoktrinim masiv.
    Ata ndajnë çmimet, të tjerët thërrimet…

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.