back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Zhvillimet Historike në Kosovë dhe Shqipni – Periudha Shtator, 1943 – Nandor 1944 – nga Xhafer Deva

Gazeta

Xhaferr Deva (1904-1978)
Xhaferr Deva (1904-1978)

Zhvillimet Historike në Kosovë dhe Shqipni

Periudha Shtator, 1943 – Nandor 1944

nga Xhafer Deva

Para shpalljes së kapitullimit të Italisë gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqij shkurtasi paraqitej si vijon:
Ushtrija italjane: Afër 7 divizione të kambësorisë, të vendosuna nëpër qytetet kryesore të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Përveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshta shqiptare të kambësorisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gillanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroportave të Beranës dhe të Podgoricës (Mali Zi), aeroportet në Shqipni gjindeshin n’at kohë nën kontrollin e plotë të ushterisë gjermane.
Masat ushtarake gjermane: Dy divizione t’ushtërisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shënueme ma sipër, ishin përqindrue rreth e përqark të kufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gadi me ndërhye me shpejtësi të madhe.
Gjendja e mbrendëshme në Shqipni: Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iljaz Haxhi Agushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emën, mbasi kishte humbë pothuej krejt kontrollin e drejtimit shtetnor për arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamëshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vërtetë dhe komunistave të mbuluem nën emnin e famshëm të “nacional-çlirimtares”.
Në Shqipninë e Jugut lufta ne mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazën decizive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë përfundoj muej ma vonë me fitimin e nacionalçlirimtares. Shqipnija e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin ma të madh të agjitacionit dhe të propagandës së mbrendëshëm e të jashtëm komunist dhe të radiovet perëndimore. Ndër këto rrethana natyrisht jeta normale e popullatës shqiptare kishte pësue nji tronditje të thellë. Komunikacionet midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimisht të rrezikueme jo vetëm prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelësh që vritshin dhe plaçkitshin udhtarët. Ndër qytete organet e sigurimit të dobsueme dhe të frigsueme nuk ishin në gjendje me mbrojtë jetën dhe pasuninë e popullsisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentateve politike dhe të hakmarrjeve personale. Shkurtasi, gjendja në Shqipni të 1913-ës kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma për nji jetë të përbashkët të rregullit e të drejtësisë shtetnore.
Gjendja në Kosovë: Në kontrast me sa ma sipër, gjendja në Kosovë paraqitej normale edhe e qetë. Megjithëse nuk kishte ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore, tue përfshi edhe organet e sigurimit publik, vazhdonte me funkcionue në rregull të plotë. Koshjent të rrezikut të perhershëm nga ana e grupeve shoveniste Serbe (çetnikve) formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet, gjindeshin në krye të detyres.

Në prag të kapitullimit italjan
Në mbështetje të marrëveshtjes me Përfaqsuesin të Plotfuqishëm për Evropën juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Dr. H. Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime për sa vijon:
a)Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës etc. që gjindeshin nën okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tës;
b)Vazhdimin përkohësisht me mbajtë statusin e deritanishëm të 4 Nënprefekturavet të banueme me shumicë prej shqiptarve të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gëzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb;
c)Gjermanija, në nji çast të volitshëm me ngjarjet në zhvillim e sipër të kapitullimit italjan, do të bante nji shpallje zyrtare, në të cilën të njihen: çkputja e shtetit shqiptar nga Perandorija italjane dhe pamvarësija shtetnore e tij.
d)Gjermanija përgjat luftës madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë, tue premtue tërhjeqjen e tyne të plotë në mbarim të luftës.
[Xhafer Deva, “Jeta dhe veprimtarija” – “A Biographical Portrait”, New York, 1980.]

 

Delegacioni i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga Mitrovica – Xhafer Deva (në mes) Mitrovicë
Delegacioni i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga Mitrovica – Xhafer Deva (në mes) Mitrovicë

[Pjesa e dytë]
Në dijeni të plotë të gjendjes së përshkrueme ma sipër, mbas nji udhtimit të shpejt prej Belgradit në Mitrovicë, mbrrina me 7 Shtator 1943, në Prizren. Përnjiherë mora kontaktet e nevojshme me parinë e Prizrenit dhe me disa personalitete shqiptare që gjindeshin aty, dhe së bashkut vendosëm me ba nji mbledhje, në të cilën të bisedoheshin të gjitha problemat që mund të rrjedhshin nga kapitullimi italjan. Për kët qëllim, të gjith ishim të nji mendimit me mbajtë nji kuvend në Prizren, ku të merrshin pjesë përfaqsues të zgjedhun të të gjitha krahinave shqiptare të ish mbretnisë jugosllave për me themelue nji organizatë që do të fliste dhe vepronte në emën të kësaj popullate shqiptare (nënviz. A.M.). Në bazë të propozimit të bame prej z Tahir Zajmit, mbledhja pranoj njizanit që Kuvendi i ardhëshem të ket emnin “Lidhja e II e Prizrenit”, si pasardhëse e Kuvendit historik të Lidhjes së Prizrenit. Me qëllim me përgaditë sheshin e mbajtjes së këtij Kuvenid u caktue nji Komitet i përbamë prej shtatë personash që kryesohej prej patriotit të vjetër të Prizrenit, Musa Shehut.
Mbas këtyne vendimeve vazhdova udhtimin për në Shkodër, ku me 8 Shtator mësova kapitullimin e Italisë.
Pa humbë kohë vazhdova udhtimin për Tiranë me nji qëllim të përcaktuem, të çlirimit nga kampi i Porto Romanos afër Durrësit të disa prijsave të njoftun të Kosovës që gjindeshin të intemuem prej italjanëve siç ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Xhelal Mitrovica etj. Bashkë me këta personalitete u formue nji përfaqësi që mund të fliste në emën të Kosovës me përfaqsuesët e dalluem të Shqipnisë së 1913-tës.
Në kët kohë gjendja në Shqipni paraqitej mjaft e përzime dhe konfuze për arsye se grupet politike nacionaliste, që sigurisht paraqitshin shumicën e popullit shqiptar, nuk ishin qenë në gjendje jo vetëm me krijue bashkim midis tyne, por as me koordinue veprimtarinë e tyne në lidhje me rrethanat e reja që priteshin të ngjajnë mbas kapitullimit italjan dhe ndërhymjes eventuale të ushtrisë gjermane në Shqipni.
Dy grupet kryesore politike nacionaliste në mbështetje të lidhjeve që kishin me misionet aleate veprojshin me koncepte që deri dikund i pengonte me marrë përgjegjësina të hapta në periudhën e realitetit gjerman në tokën shqiptare. Si rrjedhje e natyrëshme e kësaj gjendje, u paraqiten disa personalitete shqiptare të gjenerates ma të re, të cilët tue pa rrizikun e madh që i kërcënohej Atdheut nga verprimtarija e vendosun dhe mirëkoordinueme e t’ashtuquejtunes Lëvizja nacional-çlirimtare e udhëhjequn prej emisarve të partisë komuniste jugosllave dhe materijalisht dhe moralisht e përkrahun prej Komandës aleate të Mesdheut, ishin gadi të merrshin përgjegjesina të randa ndaj popullit shqiptar.
U formue nji grup i përbamë prej 22 vetëve, midis të cilëve gjindeshin persona të pakalueme politike të maparëshme, dhe persona qi kishin lidhje si me grupet e mdhaja nacionaliste shqiptare, ashtu edhe me grupin e vendosun anti-komunist që deri dikund kishte pasë lidhje me qeveritë e periudhës italjane.
Folësitë e grupit të 22 vetave, tue pasë mbështetjen e plotë të antarve, hynë përnjiherë në bisedime paraprake me Përfaqësuesin e Plotfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. H. Neubacher. Mbas diskutimeve të gjata ma në fund u mbërri nji marrëveshtje në baza që janë shque në pikat e shënueme ma sipër. Grupi i 22 vetave, ase Këshilli në fjalë, zgodhi nji Komitet ekzekutiv të përbamë prej 7 vetave, të cilët nga ana e tyne zgodhën si Kryetar z. Ibrahim Biçakun, bir i patriotit dhe ish antarit te Këshillit Naltë, Aqif Pashë Elbasani.

Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare
Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare

Detyrat Kryesore të Komitetit Ekzekutiv ishin:
1)Pranimi imediat i dorëhjekjes së qeverisë së fundit të periudhës së kalueme;
2)Fuqizimi dhe normalizimi i jetës administrative shtetnore dhe t’organeve të sigurimit;
3)Përgaditja e sheshit për mbledhjen e nji Kuvendit Kushtetues Kombtar, që lypsej të mbahej mbrenda nji kohës së shpejt;
4)Çlirimi i ma se 2000 të burgosunve politikë nga kampi i Porto Romanos, midis të cilëve gjindeshin edhe komunista të njoftun.

Zhvillimet e Ngjarjeve në Kosovë:
Në kët ndërkohë Këshilli ekzekutiv i Prizrenit i përbamë prej; Xhafer Deva dhe Aslan Boletini prej Mitrovicës; Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda dhe Pjetër Vuçaj prej Prizrenit; Tahir Zajmi prej Gjakovës dhe Qazim Bllaca prej Suharekës, që ishte ngarkue me organizimin e Kuvendit në Kosovë, kishte marrë të gjitha masat e nevojëshme për krijimin e komiteteve përkatëse në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunet në Kosovë, Tetovë, Dibër, Ulqin, etj. Përnjiherë qenë dhanë udhëzimet e nevojëshme për zgjedhjen e përfaqsuesave të krahinavet shqiptare të sipërshënueme që do të merreshin pjesë në Kuvend. Mbarë popullësija e këtynve Prefekturave caktoj për secilën Nënprefekturë nga dy përfaqsues të zgiedhun simbas sistemit demokratik me vota të dyta. Mbledhja e Kuvendit u ba me 16 Shtator 1943, nën entuziazmin e madh të popullsisë së Prizrenit dhe të krahinavet tjera të Kosovës. Kuvendi që njizanit u pagëzue “Lidhja e II e Prizrenit”, caktoj pikat e rendit të ditës, mbasi zgodhi Kryesinë të perbame prej: Musa Shehu, Kryetar, Aqif Bluta, Nënkryetar, Rexhep Krasrdqi, Nënkryetar dhe Bedri Gjinaj, Sekretar, dhe u muerrë me problemet jetsore të kohëssiç vijojnë:
1)Bisedim mbi shpalljen e vullnetit të popullit per bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe të Tuzit si pjesë integrale të Shtetit Shqiptar;
2)Mbi bashkimin me Shqipni gjithashtu të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri që ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bajshin pjesë në shtetin Serb;
3)Mbi organizimin politik e ushtarak të popullit dhe përgaditjen e mbrojtjes së kufijvet ethnik;
4)Mbi krijimin e nji Komiteti Qendror me seli në Prizren dhe të Nën-komiteteve në të gjitha qendrat e tokave të lirueme për të drejtue veprimtaritë e nevojshme të qeverisjes dhe të mbrojtjes së vendit;
5)Mbi përpilimin dhe aprovimin e kushtetutës së organizatës Kombtare Lidhja e II e Prizrenit;
6)Mbi proceduren që do të ndiqet per zgjedhjen e përfaqsisë së krahinave të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit e të Tuzit per në Kuvendin Kombtar që do të mbahej në Tiranë.
Kuvendi vazhdoj bisedimet e veta mbasi zgodhi të gjitha pikat të shënueme ma sipër dhe u shpërnda me 23 Shtator 1943, tue ngarkue si autoritet suprem nji Komitet Qendror të përbamë prej nji Kryetarit, Rexhep Mitrovica, dhe 6 antarëve në Prizren.

Rashkoci - Deva- Krasniqi - Kaliforni 1972
Rashkoci – Deva- Krasniqi – Kaliforni 1972

[Pjesa e tretë]
Kuvendi Kushtetues Kombtar në Tiranë
Përfaqësuesat e Kosovës që do të merrshin pjesë në Kuvendin Kombtar ishin zgjedhë me frymë demokratike në mbeshtetje te udhëzimeve të Lidhjes dhe të nji qarkores së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë. Nji veprim i tillë për pjesën e Shqipnisë së 1913-tës ishte teknikisht i pamundëshem të realizohet nga rrethanat kaotike që ekzistojshin në at kohë atje. Prandaj, nji komision i zgjedhun prej Komitetit Ekzekutiv të Tiranës i përbamë prej personaliteteve të shqueme shqiptare që ndodheshin në Tiranë, që u kryesue prej patriotit të njoftun Lef Nosit, kishte marrë përsipër me zgjedhë përfaqsuesat e të gjitha Prefekturavet të Shqipnisë së 1913-tës që do të merrshin pjesë në kët Kuvend.
Në kët ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv, tue u marrë me pikat e shënueme ma parë të veprimtarisë së vet, në radhë të parë pranoj dorëhjekjen e kabinetit të ma parëshëm që u paraqitë në tanësi në godinën e Kryeministrisë në Tiranë. Mandej, me disa veprime të shpejtueme por efektive, iu vuni fre, sa ishte e mundëshme, veprimeve kriminale, si atentatave, djegjeve dhe vjedhjes së pasunisë shtetnore dhe private në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Në kët mënyrë, mund të thuhet se autoriteti shtetnor filloj të forcohet sa me e ba të mundëshme mbajtjen e Kuvendit. Siç ishte parapà, Kuvendi u hap me 23 Tetor 1943 në ish pallatin e ri mbretnor në rrugën Tiranë-Elbasan. Simbas rregullavet të zakonëshme, Kuvendi Kushtetues Kombtar, në të cilin për të paren herë në historinë kombtare, merreshin pjesë përfaqsuesa të zgjedhun të krahinave shqiptare t’ish mbretnisë Jugosllave, të lanuna padrejtësisht jashta kufinit të Shqipnisë së 1913-tës, zgodhi Kryesinë e vet të perbame prej Lef Nosit – Elbasan, Kryetar, Mark Gjon Markaj, Kapidan i Mirditës, Nënkryetar; Dr. Rexhep Krasniqi, Kosovë, Nënkryetar.
Me gjithë përpjekjet e komunistave me e ba të pamundëshme mbajtjen e Kuvendit, mbledhja kombtare vazhdoj punimet e veta në lidhje me programin e rendit të bisedimeve të caktueme nga Kryesija. Pikat kryesore të ktij programi ishin:

1)Anullimi i statusit që kishte kalue Shqipnija gjatë okupacionit italjan dhe rishpallja e pamvarësisë shtetnore shqiptare;
2)Anullimi i kushtetutes dhe i të gjitha ligjëvet t’imponueme gjatë okupacionit të huej dhe këthimin e statusit ligjor të periudhes së pavarësisë;
3)Me gjith qenjen e ushterisë gjermane në tokat shqiptare, u ba shpallja e neutralitetit shqiptar në konfliktin e madh botnuer në vijim e sipër;
4)Në mbështetje të kerkesës së njizanit të përfaqesisë legale të tokave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave, nën nji atmosferë të enthuziazmit të papërshkrueshëm, bahet Shpallja e Bashkimit të tokave dhe e popullësisë shqiptare të shënueme ma sipër me Shtetin Shqiptar;
Zgjedhja e Këshillit të Naltë të Regjencës si autoritet shtetnor suprem të përbamë prej patriotëve nder ma të shqueme të kohës: Mehdi Frashëri, Pader Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra.
Mbas betimit të bamë të antarvet të Këshillit Naltë të Regjencës, me përjashtim të Padër Anton Harapit, i cili ma vonë e kreu betimin e vet para Parlamentit, Kuvendi Kombtar Kushtetues u transformue në nji Parlament, në të cilin për arsye të gjendjes se luftës, bajshin pjesë vetëm frakcione të kufizueme të krahinave që kishin marrë pjesë në Kuvend. Në vend të Lef Nosit, Kryetarit të Kuvendit, që u zgodhë antar i Këshillit Naltë të Regjencës, u zgjodh nji Kryetar i ri i Kuvendit dhe ma vonë i Parlamentit, patrioti veteran i mirënjoftun Idhomen Kosturi, prej Korçës. Ky i fundit pak ditë ma vonë ra viktimë i nji atentati të përgaditun nga komunistat. Kryesija e Parlamentit u plotsue së shpejti me zgjedhjen e Prof. Mihal Zallarit, si Kryetar.

Podujevë 1941 - në plan të parë Xhaferr Deva
Podujevë 1941 – në plan të parë Xhaferr Deva

Formimi i Qeverisë
Këshilli i Naltë i Regjencës, mbas konsultimevet të zakoneshme, ngarkoj z. Rexhep Mitrovicën me formimin e qeverisë. Ky, pa vonesë, muerr kontaktet e nevojshme me personalitete shqiptare dhe me grupe politike të njoftuna të nacionalizmit shqiptar, megjithë sa prej ktyne formalisht gjindeshin në luften e rezistencës kundra okupatorit të ri.
Mbrenda nji kohe të shkurt Kabineti i kryesuem prej Rexhep Mitrovicës u paraqitë para Parlamentit në kët formacion:
Kryetar i Qeverisë, Rexhep Mitrovica
Ministër i Drejtësisë, Rrok Kolaj
Minister i Punëve të Mbrendëshme, Xhafer Deva
Ministër i Ekonomisë, Ago Agaj
Ministër i Financave, Sokrat Dodbiba
Ministër i Botores, Musa Gjylbegaj
Minister i Kulturës e i Propagandës, Kolë Tromara
Minister i Arësimit, Koço Muka
Minister i Punëve të Jashtme, Bahri Omari
Nënsekretarë të Shtetit, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca dhe Ernest Çoba.

Kjo qeveri që muerr pëlqimin e plotë të Parlamentit, siç mund të shifet, përbahej prej personaliteteve politike të të gjitha krahinave shqiptare, disa prej të cilëvet konsideroheshin si përfaqsues të grupeve politike nacionaliste që formalisht gjindeshin në luftë të qindresës kundra okupatorit.
Si mbas programit të paraqitun përpara Parlamentit, detyrat kryesore të kësaj qeverije ishin: Me sigurue qetësinë e mbrendëshme në të gjitha fushat e jetës shtetnore; me shque poziten neutrale të Shqipnisë ne botën e jashtme, gja që u njoftue zyrtarisht në vijën diplomatike shteteve neutrale siç ishin Vatikani, Svicra, Tyrqija etj. Mbi këto, u banë edhe këto veprime: shpallja e lirisë së plotë të mbledhjeve, e fjales dhe e shtypit për të gjitha grupet politike me përjashtim të partisë komuniste; Ndërmjetësimi pranë shtetit gjerman për çlirimin e gjithë atyne shqiptarëve që gjindeshin t’internuemë në Itali; Ndërmjetësimi pranë shtetit gjerman për transferimin prej Romës në Tiranë e të gjitha banknotave shqiptare (120 million franga) që ndodheshin në Banca d’Italia në Romë, dhe njikohësisht të veglave për shtypjen e banknotave në fjalë; Përpjekje për konsolidimin e jetës ekonomike-tregtare që kishte pësite tronditje të thella si rrjedhje e kapitullimit të Italisë.
Midis masave të marruna nga qeverija në sheshin ekonomik dhe financjar lypset shque marrëveshtja monetare me shtetin gjerman, gja që i siguronte monedhes shqiptare të drejtën e qarkullimit të vetëm në tokën shqiptare dhe, që detyronte shtetin gjerman për nevojat t’ushtrisë vet në Shqipni me ble frangat shqiptare me monedha ari.

(Përgatiti për publikim A. Morina)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.