
Zgjuarsia e të parëve: Kongresi i Alfabetit
nga Artan Kafexhiu
Shqipja, pavarsisht përpjekjeve për t’i veshur një zhgun “civilizimi” siç është standardi, konsiderohet akoma një “gjuhë në gjendje natyrale”, e jo e inxhinjeruar. Kjo për arsyen e thjeshtë, se është futur në brazdat e gjuhës se shkruar shumë kohë më vonë, në ndryshim nga gjuhët e tjera të mëdha të botës, përfshirë edhe ato ballkaniket.
Hapi i parë i rëndësishëm ishte vendimi i dalë prej Kongresit të Manastirit në 1908, për të adaptuar alfabetin latin. Ky hap vendosi edhe fatin europian të literaturës shqiptare, e ku sigurisht e natyralisht i takonte të ishte. I pari që sugjeroi përdorimin e dialektit të Shqipërisë të Mesme, – pellgu Tiranë, Durrës, Elbasan, – për krijimin e një gjuhe letrare kombëtare të unifikuar të shqipes me qendër dialektin e Elbasanin, ishte Gustav Ëeigand në botimin e gramatikës se tij shqipe(1913) bazuar në këtë dialekt.
Në 1916, Komisia Letrare Shqipe, e formuar në Shkodër me iniciativën e njerëzve iluministë të kohës, vendosi që e folura e Elbasanit, si dialekti geg më afër atij të Jugut, tosk, të ishte gjuha mbi të cilën do të bëhej edhe unifikimi i gjuhës shqipe. Një ndër ideatorët dhe partizanët e kësaj qasje ishte Aleksandër Xhuvani, një pioner i nevojës të standardizimit të gjuhës shqipe.
Zgjidhja ishte praktike, neutralizonte kontradiktat dhe gravitacionet dialektore midis përfaqësuesve më me zë veri-jug. Filloi përgatitja e mësuesve të parë të gjuhës shqipe nën drejtimin e Luigj Gurakuqit, në atë institucion kombëtar, që sot njihet si Normalja e Elbasanit. Ndërkohë, në 1918, Komisia Letrare Shqipe botoi e vuri në qarkullim një broshurë udhëzuese, ku tregoheshin karakteristikat e përbashkëta dhe ndryshimet midis dy dialekteve kryesore, dhe udhëzonte përdorimin e rregullave ortografike që do të aplikoheshin në gjuhën e shkruar.
Kjo përqasje “konvergjuese” midis dialekteve, ishte parimi që udhëhoqi zhvillimin e shqipes deri në vitin 1952. Në atë vit, me orientimin e ardhur prej instancave më të larta partiake komuniste, u vendos që standardi, gjuha e shkruar e unifikuar do të mbeshtetej kryesisht në dialektin tosk. U organizua një konferencë në Institutin e Gjuhësisë, po sipas udhëzimeve partiake rreth proçesit që do ndiqej për të arrirë këtë objektiv me peshë politike, kur shumica e udhëheqjes shqiptare ishte toske. Po të lexohet materiali që të ofron Buletini i Institutit të Shkencave i atij viti, merr vesh se kjo u kundërshtua nga një numër gjuhëtarësh, por afërmendsh, jo si opozitë direkte ndaj orientimeve nga lart.
Ndër to ishte Aleksandër Xhuvani, i cili me zgjuarsi përdori citime për gjuhën nga vetë Stalini: “Marksizmi nuk pranon një hov(shpërthim) të papritur në zhvillimin e gjuhës”.
Xhuvani nuk doli hapur kundra, por tha se ndryshimet duhet të jenë evolutive, në një gjatësi kohore me shtrirje tre brezash. Ai donte të fitonte kohë. U shpreh metaforikisht se gjuhën (dialektin) “nuk mund ta hedhësh tutje si gunën e vjetër, apo ta futesh në një muzeum” (perifrazimi im), kur kjo është gjuha e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare.
Në të njejtën linjë edhe albanologu Max Lambertz, e kundërshtoi e vazhdoi përpjekjet e palodhura për të shmangur këtë proces të adaptimit të standardit bazuar kryesisht në dialektin tosk. Derisa në një mënyrë, vetë Enver Hoxha, ia bëri të qartë Lambertz-it, që të hiqte dorë nga përpjekjet e tij, se nuk kishte rrugë tjetër. Ishte një vendim politik.
Megjithatë, gegërishtja vazhdoi të penetronte/ depërtonte tekstet letrare me iniciativën e më guximtarëve, duke u toleruar disi nga instancat përkatëse. Më në fund, pas 1972, nuk u prodhua më asnjë tekst i mirëfilltë letrar në gegërisht.
Ps. Ky bllok i vogël shënimesh, u bazua në të dhënat e Camajt dhe Pipës.
© Artan Kafexhiu