back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kur “Zëri i Popullit” sulmonte Armikun e Popullit Dr. L.R.

Gazeta

Lazer Radi 1916-1998
Lazer Radi 1916-1998

Kur “Zëri i Popullit” sulmonte “Armikun e Popullit”

nga  Jozef Radi

Mbas dyzet e shtatë vitesh burg dhe internim të pandërprerë, Lazër Radi, u shfaq në fillim të viteve nëntëdhjetë, në rrethet intelektuale kryeqytetase dinjitoz dhe i kurajshëm, aspak duke valvitur flamurin e persekutimit, të pësuar por në përpjekje për të fituar kohën e humbur nën dhunë… Si intelektual klasi që ishte, ai u përpoq menjiherë që thërimet e mbetura të energjive të veta (në 1991, ishte 76 vjeç) t’i vinte në shërbim të ringjalljes së shpresës, të ngritjes së vlerave morale dhe afrimit e koordinimit të krejt atyre vlerave intelektuale që kishin arritur t’i mbijetonin atij gjysëm shekulli diktaturë, ndër më të egrat e Europës Lindore…
Asgjë për kët 76 vjeçar nuk ishte e lehtë… Njohjet e pakta, mundësitë ekonomike edhe më të pakta, pa një banesë të vetën, shtypi, edhe pse trokiti gjithkund s’e përkrahu, (thuhej se shtypi ishte i lirë, shkrimet e tij për më shumë se nji vit nuk ia pranoi asnji gazetë, edhe pse konsiderohesh shtyp demokratik…) Mbas disa intervistave në shtypin e huaj, mbas njoftjeve në rrethet intelektuale kryeqytetas, mbas nji interviste të gjatë në “Zërin e Rinisë”, që pati mjaft jehonë, mbas botimit të shkrimit “Tungjatjeta Lazër Radi” te gazeta “Bashkimi” dhe disa artikujve për Migjenin, Koliqin, Musine Kokalarin, Vinçenc Prennushin te gazeta Rilindja e Kosovës dhe nji serie artikujsh në gazetën “Kombi”, i ndihmuar pa rezerva nga gazetari pukjan Ndrekë Gjini, Lazër Radi, guxoi që krahas emrit dhe mbiemrit të vet, të vendosë edhe titujt e fituar në rininë e hershme si mbrojtja e doktoraturës… dhe titullin avokat… Pra Ai u shfaq si Dr. Lazër Radi… së bashku edhe me Liçencën e Avokatit dhe Laurën e Sapienzas me 110/110…
Metastazat e Komunizmit dhe shtypi i ekstremit të majtë, u vunë në alarm të plotë dhe nisi ndaj tij nji sulm i sinkronizuar, nji gjueti e re shtrigash… Artikuj ultrakomunistë prej penave të angazhuara të “Mërgatës së Qyqeve”, dhanë kushtrimin për luftë të hapët… E para që  ngriti flamurin e sulmit nuk mund të ishte tjetër veçse gazeta e tragjedisë gjysëmshekullore shqiptare: “Zëri i Popullit” dhe menjiherë mbas saj në kor do ta sulmuan nji pafundësi gazetash ultrakomuniste, të cilët bënë gjithë përpjekjet për ta trembur dhe për t’ia ndalur hovin këtij stoiku tashmë 77 vjeçar…
Po nuk ndodhi ajo që prisnin, e kundërta ndodhi… Dr. Lazër Radi u shfaq gjithkund edhe më energjik, edhe më luftarak, edhe më dinjitoz, edhe më i patrembur… Ai iu përgjigj nji për nji gjithë këtyre artikujve të paskrupullt, tip fletërrufeshë komuniste (shumica me pseudonime) e që në më të shumtën e rasteve ishte edhe nji dorë e sprovuar Sigurimsi…
Koha provoi se Ai pati kurajo të mjaftueshme për t’i shkuar deri në fund rrugës së nisur, frymës së lirisë dhe bashkimit të shqiptarëve, duke shkruar e botuar qindra shkrime, duke hapur gazeta dhe revista, (Bashkimi i Shqiptarëve, Arbëria) duke mbrojtur në shtypin e huaj dhe atë vendas çeshtjen kombëtare, duke sakrifikuar ditë e netë në udhëtime e takime pafund, për mos e lejuar demagogjinë e gjoja “pajtimit kombëtar” të valviste flamujt e fitores dhe ngadhnjimit… Ne do te vazhdojmë ta botojmë kët debat që zgjati për rreth nji vit, edhe pse e gjitha kjo tashmë i përket nji kohe të largët… e pothuaj të harruar… Kësaj here po paraqesim veç dy shkrime: Sulmin e paprinciptë të Kaso Brutit (N.J) dhe përgjigjen më shumë se dinjitoze të Dr. Lazër Radit…

Çdo lexues është i lirë ta gjykojë qetsisht kët ballafaqim faktesh, opinionesh dhe pozitash shoqërore të kundërta…
Më pas do të botohen edhe gjithë sulmet e tjera…
(25 gusht 2013)

 

Gazeta Zëri Popullit
Gazeta Zëri Popullit

Mikroportret: DR. L. R.

Kaso Bruti (pseudonim i N. J.) 

(Zëri i popullit, 30.8.1992)

A ia vlen barra qiranë që të merresh sot, pas pesëdhjet e ca vjetësh me një ish kalemxhi fashist? T’i kujtosh atij të kaluarën dhe t’i bësh të njohur opinionit punët e mbrapshta që ai ka kryer në dëm të atdheut? Në vështrim të parë, duket se nuk është e udhës t’i hysh kësaj pune, aq më tepër në klimën e demokracisë që po përpiqemi të krijojmë. Por në këtë rast, nuk do të shqetësoheshim, në qoftë se do të ishte fjala, jo aq për një person në vetvete se sa për një dukuri tepër negative që po zë vend në jetën tonë politiko-shoqërore e më gjerë. Njerëz të tërtipeve të ndryshme, karta tanimë të djegura, politikanë të falimentuar, përfaqsues gjysëm të vdekur apo tellallë zëhumbur të atyre forcave politike që historia objektivisht i ka varrosur, kanë filluar të dalin para publikut shqiptar si kërpudhat pas shiut, duke i dhënë vetes të drejtën të gjykojnë dhe të analizojnë, të vlerësojnë dhe interpretojnë ngjarje e figura historike, veç kësaj, të marrin role e poza predikuesish e profetësh, nën vellon e atdhedashurisë, humanizmit e paanësisë. Ata harrojnë mbi të gjitha se historia i ka vendosur në taborret e të mundurve dhe s’kanë të drejtën, qoftë edhe morale t’i japin vetes më shumë se u takon. Shumë shumë ata mund të përdëllehen duke shkruar kujtimet dhe të shuajnë kureshtjen e një takëmi lexuesish me bëmat e tyre.
Nuk kemi pse të shtyhemi gjatë për të paraqitur, qoftë edhe në vizat krijuese këtë skotë pseodointelektualësh e pseudopatriotësh që e kanë të dokumentuar veprimtarinë e tyre prej demagogësh, falsifikatorësh dhe puthadorësh në shtypin fashist, ballist, zogist etj. Por po vemë në fokus vetëm njerin prej tyre: Lazër Radin, emër aq i pranishëm dhe i lakuar në propagandën e zezë fashiste. Ata që e njohin e kanë për detyrë t’ia zbulojnë opinionit të sotëm fytyrën e tij të vërtetë. Në këtë rast nuk marrim përsipër ta rigjykojmë, duke i kujtuar lidhjet e ngatërruara me Logotenencën, shërbimet që i ka sjellë krerëve pushtues si Jakomonit, Parinit, De Angelsit, Zanninit etj, detyrat që ka kryer në policinë gjermane, as faktorin se ishte dishepull i mendësive e praktikave fashiste të E. Koliqit. Jo, vetëm do të hedhim dritë si protagonist i flaktë i fashizmit dhe mikroideolog i tij në Shqipëri. Duke shfletuar shtypin e viteve të okupacionit, gazetat “Fashizmi”, “Tomorri”, “Tomorri i vogël”, “Bashkimi Kombit” etj. Lazër Radi do të na shfaqet si autor i dhjetërave e dhjetëra artikujsh politik dhe ideologjikë. S’do mend se tema e tyre e përbashkët është fashizmi e Duçja, “si miqtë e parë të popullit shqiptar”, “të cilët duhet t’i adhurojnë e t’u binden urdhërave të tyre verbërisht”, sepse “Janë ata që do të bëjnë bonifikimin e shpirtërave shqiptarë… se me ta Shqipëria fashiste nuk do të kthehet kurrë pas” etj. etj. Janë këto vetëm disa citime të shpejta nga përçatjet e pafund fashiste të L.R., të cilat do të gjejnë më pas shprehjen e tyre të gjerë në librin e tij “Fashizmi dhe fryma shqiptare”, që propaganda zyrtare, do ta cilësojë si të parën vepër të kulturës politike shqiptare. (siç!) Kuptohet, se me këtë veprimtari, L.R. nuk është një artikullshkrues i rastit, po një publiçist tipik fashist i kohës, që u përpoq të përpunojë opinionin e të çorodisë mendjet e lexuesve me përralla e sofizma musoliniane. E jo vetëm kaq, por të kryejë dhe role të pahijshme, siç është rasti i botimit pa leje në gazetën “Fashizmi” të skicës “Rreze frangjijash” të Q. Stafës me qëllim që ta kompromentonte autorin para opinionit. Njihet tanimë letra revoltuese e Qemalit për këtë pabesi të L.R. Që siç shkruan ai në një letër jo vetëm “shkel rregullat ma elementare të publicitetit… por dhe parimet ma të para të burrnisë shqiptare”.
Janë këto arsyet dhe shkaqe të tjera që L.R. u dënua më 1945 nga gjyqi special i kriminelëve të luftës me 30 vjet burg! Dimë që vuajti një pjesë të vogël të dënimit, por dimë edhe se gjatë kohës së monizmit nuk u përkëdhel!
Në kushtet e proçeseve demokratike, në rrethanat e reja L.R. nuk vonoi të dalë në skenën e jetës politike shqiptare, me një vrull e pasion të përngjashëm me fillimin e viteve ‘40, po jo aq me flamurin e fitmtarit se sa me atë të persekutuarit të përvojtur. Kësaj here, nën titullin Dr. L. Radi, duke përfituar nga kaosi dhe ndryshimet e shpejta depërtoi në forumet e larta të Partisë së Unitetit Kombëtar, u bë drejtues i degës së Tiranës. Hapte dhe mbyllte mbledhjes e saj, duke derdhur në çdo rast “erudicionin” e vet politik e historik e duke u shfaqur si politikan i ditës. Brenda një kohe të shkurtër, ai do t’i kthehej zanatit të vjetër të publicistit; emri i tij do të dukej nëpër gazetat, sidomos në gazetën “Kombi”, ku do të shkruante artikuj të ndryshëm me tone patetike dhe pa asnjë lloj kompleksi për të kaluarën, do të merrte përsipër detyrën e analistit, të politikanit e të historianit, por ndërkaq nuk do ti shpëtonte nostalgjive të largëta duke evokuar E. Koliqin, jo vetëm për vlerat letrare, po dhe ato historike. Pastaj L.R. në artikuj të tjerë do të vihej në rolin e kritikut letrar, ku duke kujtuar njohjen e tij me Migjenin(?!) do të falsifikonte të vërtetën, kur do t’i mohonte poetit frymën antiklerikale dhe ateiste. Pas këtyre, “Zëri i Rinisë” nuk do të mungonte t’i merrte këtij “intelektuali të shquar” një faqe të tërë interviste në të cilën L.R. mbante në duar ballancën e drejtësisë historike e filozofike. Në këtë rast, nuk do të mbetej pas TVSH, kur do ta paraqiste fytyrën e tij nëpër mbledhje publike, duke folur nga tribuna e presidiume apo duke dhënë mendime në rrethe intelektualësh e shkrimtarësh për “rikthimin” e së vërtetës në historinë dhe kulturën shqiptare! TVSH i hyri aq për zemër Dr. L.R. sa megjithëse ai është përjashtuar nga PUK-u e ftoi dhe në studiot e saj. Duhej ai të jepte mendime për problemin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare! Kulmin e vet “veprimtaria politiko-shkencore” L.R. e arriti para pak kohësh kur u ftua në revistën televizive të shfaqte opinione prej specialisti për Konferencën e Londrës dhe çështjen e Kosovës? “O tempora, O mores!” Thua që në prag të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme, të kishin vdekur të gjithë historianët, analistët, publicistët apo politikanët, që të thirrej L.R. për të sqaruar dhe orientuar publikun shqiptar!
Jo, deri këtu nuk duhet të arrinte TV dhe shtypi ynë. Në raste të kësaj natyre historia dhe përvoja kanë diktuar disa rregulla të shkruara e të pashkruara, një divizë patriotike dhe etike social-politike të cilat po të shkelen, tregon se një shoqëri si e jona që lufton për drejtësi dhe emancipim nuk respekton vetveten dhe shkel mbi dinjitetin e saj. Çdo gjë ka kufi dhe masë.
Sa për L.R. dhe shokët e tij, të cilëve e kaluara e tyre mëkatare në një mënyrë a në një tjetër ua ka marrë fytyrën nuk kanë të drejtë morale t’i japin mësime popullit shqiptar. Shoqëria jonë pluraliste është e hapur që ata të merren me punë të tjera të dobishme, pa u ngatërruar me detyra që kurrsesi s’ju takojnë.
(Zëri i popullit, 30.8.1992)

Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere
Lazër Radi, Qazim Kreka, Sheraf Gjebrea, Agim Musta, Hazir Shala Mexhit Kokalari, Xun Çetta, …, Koço Nini, Bujar Llapi, Ahmet Pere

Inkuizicioni  vazhdon… Av. Dr. Lazër Radi

(RD, Nr.193, 16 shtator 1992)

Përgjigje “Zërit të Popullit” për artikullin “Dr. L.R.”

Asnjëherë s’kam dashur të bëj polemika në shtyp e aq më pak më anonimatë, të cilët jo vetëm nuk gjejnë guxim për të shkruar emrin e tyre, por edhe emrat e atyre të cilët rreken t’i fyejnë publikisht, i shëndrrojnë me iniciale, si të ishin personazhe të Kafkës. Kësaj here e prisha kët rregull, dhe u premtoj lexuesve se s’do ta lejoj veten të bie në shkallën e atyre që fyerjen dhe intrigën e kanë pjesë të natyrës së tyre.
Nuk është rastësi që ky anonim fshihet pas emrit Kaso Bruti. Kjo tregon për “hapsirën” e studimeve të tij. Shpjegoj faktin historik se Kasi dhe Bruti qenë dy gjeneralë komplotistë romakë që therën pabesisht Cezarin në Senat. Pas kësaj, të dy këta gjeneralë përfunduan në vetvrasje. Anonimi, pa dashur, tregon se i ka tejet të pakta lidhjet me Shqipërinë, sepse edhe në Kodin e Lashtë, kur është fjala për marrje haku, më parë i thirret në emër e mbiemër kundërshtari e, më pas qëllohet mbi të. Në këtë mënyrë edhe vrasja, sado ordinere që të jetë, fiton elementë të burrërisë!!
Lind pyetja: ky njeri që bën terrorizëm publik në epokën e demokracisë, çdo ketë bërë vallë në kohën e diktaturës, kur i priste shpata në të katër anët. Ajo që del mjaft qartë në të gjithë artikullin tuaj është se ju jeni një njeri i terrorizuar nga liria, ju vuani tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit, ju ende kërkoni të ndjeheni inkuizitor, një idhtar fanatik i luftës së klasave, një krijues i zhbirues i hershëm dosjesh, një vemje e vetmuar intelektuale e cila, më shumë se zemërim më ngjallni  mëshirë! Ti s’mund të jesh veç një mjeran i “qyqeve” që s’largohet dot nga lidhjet me diktaturën, që s’mund të braktisësh istikamin e poshtërsisë ku je zhytur.
Artikulli yt është thurje, flitet për të kaluarën time, e dyta, ku analizohet me një shtrembërsi tipike komuniste, duke shkuar gjer tek ultimatumi për heshtje.

Dokument i Laurës së Lazër Radit - Doktor Juris
Dokument i Laurës së Lazër Radit – Doktor Juris

Theksoj se nuk kam as frikë dhe as turp nga e kaluara ime. Këtë të kaluar e kam paguar njëherë, pasi e ka analizuar gjer në hollësi një kolegjium prej 24 hetuesish diabolikisht të “kualifikuar” ku vetëtinin figurat e Koçi Xoxes, si kryetar e Bedri Spahiut si prokuror. Gjyqi Special u bë “shkolla” e krimit të organizuar shtetëror në Shqipëri. Në atë gjyq isha në të njëjtën hallkë me Jakov Milajnn, Vasfi Samim Visokën, Kol Tromarën, Ibrahim Biçakçiun, Gjergj Bubanin, Mihal Zallarin, Fiqiri Llagamin e shumë figura të tjera, flamuj të shqiptarizmës, të cilët ky gjyq, për turpin e vet, i dënoi si “tradhtarë e kriminelë lufte”.
Në sallën e kinema “Kosovës” emër që sllavokomunizmi e zhduku shumë shpejt, ku zhvillohej gjyqi, unë isha më i riu: vetëm 25 vjeç dhe dënohesha për disa artikuj të shkruar në moshën 20-21 vjeç, artikuj që asnji gjyq i botës nuk do të të mund t’i quante faje e jo më krime lufte! Megjithatë, proçesi i im gjyqësor është botuar në gazetën “Bashkimi” në prill-maj 1945. Në atë gjyq të përgjakshëm u dënova me 30 vjet burg, por burgu im komunist, me gjithë trajtat e tij të përbindëshme, vazhdoi deri në moshën 73-vjeçe, duke më rrëmbyer gjithçka, rininë, energjinë, shkollën dhe kulturën e fituar me aq mund e sakrifica, doktoratën e shkëlqyer me maksimumin e notave, të marrë jo në kurset gjysmake të marksizëm-leninizmit, por në Universitetin “La Sapienza” të Romës.

Liçenca e Avokatisë e Dr. Lazër Radit
Liçenca e Avokatisë e Dr. Lazër Radit

Kaso Brutin e terrorizon gjithçka e imja: çdo artikull, çdo pronuncim publik, çdo bisedë, çdo mbrojtje e çështjes kombëtare. Ai brenda vlimit të urrejtjes patologjike, përpiqet të më fyejë duke i mbushur epitetet me thonjëza e ironi, me fyerje te cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse më nderojnë.
Fryma denigruese dhe dezinformuese e këtij anonimi duket qartë kur thotë: “…duke përfituar nga kaosi dhe ndryshimet e shpejta depërtoi gjer në forumet e larta të PUK-ut” e duke mos u ndalur në mashtrimin vazhdon: “megjithëse ai është përjashtuar nga PUK-u TV e ftoi në studiot e saj”. Ndiej për detyrë të sqaroj se në PUK-u kam hyrë rastësisht, pasi kisha botuar disa artikuj në të përjavshmen “Kombi”. Në një periudhë spostimesh kryetari I. Beqiri, kur ende nuk isha anëtar më propozoi kryetar për Tiranën! Përballë këtij propozimi të beftë, nuk  pranova jo vetëm për njohjet e pakta, por edhe për moshën time, megjithatë kontribuova me gjithë energjitë e mia, pa asnjë lloj interesi, duke menduar se Bashkimi dhe Uniteti i Kombit duhet të jetë ideali i çdo shqiptari. Aty u binda shumë se një parti e vetme, një njeri i vetëm dhe një gazetë e vetme nuk mund të krijonin kurrë premisa të përshtatëshme për bashkimin e gjithë shqiptarëve. Në këto rrethana, duke e parë se shumë gjëra nuk shkonin me bindjet e mia, pa dashur të rëndoj askënd u tërhoqa në punët e mia, duke besuar se koha do t’i japë gjithsecilit atë çka meriton! Kjo është gjithë e vërteta mbi “depërtimin” dhe “përjashtimin” tim, zoti Kaso!
Së fundi, desha të hedh pak dritë edhe mbi faktin pse ky artikull u botua në “Zërin e popullit”! Së pari mendoj se një gjë e tillë nuk është rastësi, sepse në taktikën e vet 50 vjeçare “ZP” përdor sulmin si variantin më të mirë të mbrojtjes. Kjo gazetë, historikisht më jetëgjata e vendit tonë lidhet me epokën më tragjike të jetës së këtij populli: deri dje ajo tallesh me durimin e këtij populli, sot – nga një pozicion mjaft komod sërisht tallet, por këtë radhë me padurimin e këtij populli të lodhur. Nuk është rastësi (s’ka se si të jetë) që kjo gazetë tehun e ka drejtuar kundër gjithë atyre figurave intelektuale brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët me mund dhe sakrifica kanë krijuar e vazhdojnë të krijojnë emër. “ZP” si interprete e diktaturës së vdekur, përpiqet ta shndërrojë pluralizmin në një humnerë të ndarjes politike dhe shpirtërore midis shqiptarëve. Kjo gazetë edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet si ai lumi fushor që pas çdo shiu vërshon duke mbytur gjithçka e duke mbjellë vetëm varfëri e mjerim.
Megjithatë edhe për “ZP” ka ardhur koha për të ndryshuar. Më vjen keq që nuk kam kohë për të dhënë diçka më tepër për vendin tim, sepse sado të vështira të jenë udhët për Odisetë, Itaka e demokracisë nuk do të zhduket nga horizonti shqiptar.
Kësaj jete unë ia provova të gjitha: burgun, internimin, izolimin, survejimin, denigrimin, demaskimin – gjithë nuancat e së zezës komuniste dhe fjalën e fundit dhe vulën për gjitha këto, sigurisht duhej ta vendoste “Zëri i Popullit”
Ju faleminderit!?!
Av. Dr. Lazër Radi (RD, Nr.193, 16 shtator 1992)

Related Images:

More articles

7 KOMENTET

  1. Nashi Brooker:
    Thuajse 30 vjet në këtë shkrim të Jozef Radit ndeshesh me gjuhën e shëmtuar, shpifëse dhe të një pabesie të qenit njeri human, nga anonimët e ZP, e cila një letër në të kundër të çdokujt do të thoshte gjak në muret e zeza komuniste.
    Në fund të ketij shkrimi lexon përgjigjen e Prof. Lazër Radit. Një gjuhë që të merr malli ta dëgjosh edhe sot. Një gjuhë po aq sa therëse drejtuar të pabesëve, por po aq thirrëse për qëndrime civile dhe qytetarësh. Teksti i L. Radit të mëson historinë e lashtë dhe tolerancë, por ai me një laps të lehtë të tregon trillet e pabesisë komuniste. Të tregon çdo armë të shëmtuar që pabesia komuniste 50 vjeçare pati në duart e tyre të lara me gjak të pafajshëm. Gjuha a tij është admiruese! Ai me qetësi të fton të gjykosh pabesinë komuniste që i kushtoj jetën një djaloshi 25 vjeçar ku rinia e tij nuk qe e vetmja, por e mijra jetëve të pafajshme të humbura në ngrehinat boshe komuniste. Ato ngrehina të cilat nuk u mbushën kurrë me mall, bukë dhe kripë.
    Por jetë të tilla si e tija ishin shumë më tëe ndritura dhe të ndershme, edhe 1000 herë më shumë se ato të komunistëve,
    si ai anonimi i ZP dhe atyre të Sigurimit të shëmtuar që çdo ditë në punët e tyre shkonin dhe lëviznin si krijesa të pista si miu në mure apo në gjirize!

  2. Edhe Nasho Qyqja Jorgaqi e kishte shkru artikullin famëkeq kundër superintelektualit Dr. Lazër Radi, vetëm 5 ditë mbasi kjo gazetë e fëlliqun me të gjitha ndotjet e nevojtoreve anembanë Atdheut, kishte festu 50 vjetorin e saj!
    Nderim të thellë e të gjithanshëm, jo vetëm për figurën e shkëlqyer poliedrike të Dr. Lazër Radit, por sidomos për përgjigjen e urtë e dinjitoze të nji njeriu të superedukuem!

  3. Kapitano, Ai rrugaçi arixhi e ka emnin Nashos Jorgaqis!
    S’e kisha lexu ma herët kët replikë të Lazër Radit, por deri sod s’kam pa nji replikë ma therëse prej nji ish të burgosuni politik të kohës së komunizmit. Kanë shkru replika, A.Pipa e të tjerë, por ironike si kjo ku mbyllet me nji crescendo dërrmuese, s’kisha lexu. E denjë për me u përfshi në përmbledhjen e polemikës publicistike shqiptare në kolanën “Lufta e Penave”.

  4. Përgjigje e shkurtër por mjaft dinjitoze.
    Nuk e pata lexuar më parë, por argumentat e Dr. Lazër Radit në vitin 1992, lidhur me artikullin e zi të Kaso Kuqit apo Kuqo Brutit janë bindëse dhe brenda kornizës së artit të gazetarisë.
    Ju faleminderit Jozef, që e publikove në fb, dhe të fala.

  5. Sot, është nji nga përvjetorët e shumtë të “Zërit të Popullit”…
    Urojmë që kjo gazetë “jetëgjatë” t’i kthehet frymës së shtypit të lirë dhe principialitetit… që s’i ka pasur kurrë…
    E dëshmon edhe ky shkrim të cilin e kemi përcjellë me replikat përkatëse…

  6. Çfarëdo niveli intelektual që të kesh, dhe të qenit shqiptar, sapo mbaron së lexuari këta dy artikuj, njëri i Zërit të Popullit, Gazeta më kriminale e Komunizmit, dhe artikulli tjetër, replikë kundrejt artikullit të Anonimatit Kaso Bruti, kupton fare qartë se komunizmi edhe pse ka vdekur, anonimatët nuk duan ta besojnë…
    Një replikë dinjitoze që vërteton se kush ishte Dr. Lazri dhe sa i vockël duket anonimati. Unë mbyll sytë çdo natë dhe para se gjumi të më vijë në qenien time, përsëris fjalët e mbylljes tek një nga librat me poezi të kushëririt tim Y.M., i cili shkruan: “Dhe qetësisht i lumtur vdekjen pres,/ se vdekja vdiq/ më parë se unë të vdes…/
    I paharruar kujtimi dhe vepra e Dr.Radit.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.