back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj, 2026

Zemra e skllaves – tregim biblik nga Ram Oren (Shqipëroi – Irena Stein-Steinova)

Gazeta

Abrahami -Sara dhe Agar
Abrahami -Sara dhe Agar
Zemra e skllaves – tregim biblik nga Ram Oren
Shqipëroi – Irena Stein-Steinova

“Dhe do të shohë Sara të birin e Agar egjyptianes…
dhe do t’i thotë Abrahamit:
Përzeje këtë grua dhe të birin e saj…”
(Bibla – Zanafilla 21: 9/10)

Parathënie –
Heronjtë e historisë së lashtë të popullit hebre ishin njerëz të jashtëzakonshëm, ishin njerëz me ndikim të fuqishem tek të tjerët dhe ishin me dell karizmatik. Heronjtë e lashtësisë ishin njerëz me të gjitha ndjenjat e tyre njerëzore, ishin njerëz me pasion dhe tundim, të cilët rrugëtuan në thellësitë e labirintheve të jetës duke kërkuar, si gjithë ne, dashurinë e vërtetë.
Historitë e dashurisë të heronjve të lashtë nuk janë realizim i ëndrrave të tyre, edhe ata arritën në përfundimin se ëndrra për të gjetur dashurinë e vërtetë ishte vetëm një iluzion i hidhur. Këta heronj i ruajtën këto kujtime të dhimbshme të dashurisë zhgënjyese deri në ditën e vdekjes.
Ndodhitë e periudhës së Biblës Hebraike dhe historitë e dashurisë, të gërshetura në to janë bërë magnet tërheqës për shumë komentues, predikues dhe studjues të asaj kohe. Këto histori dashurie kanë tërhequr vëmendjen edhe të shumë shkrimtarëve, piktorëve, skulptorë që gjetën të hapura portat e Biblës për të hulumtuar dhe për të sjellë në dritë këto histori dashurie nëpërmjet veprave të tyre artistike.
Përmbajtja e këtij libri është bazuar në vetë Biblën dhe në libra të tjerë veç Biblës. Kjo përmbajtje është bazuar edhe në legjendat, në komentet e ndryshme që, gjatë rrjedhës së kohës, janë shkruar për historitë e dashurisë të periudhës së Biblës.
Çdo tregim i këtij libri flet dhe trajton pika kyçe të dashurisë të heronjve të ndryshëm nga periudha Biblike. Këto histori dashurie janë të tashmë njohura nga ne, por në këtë libër ftohet lexuesi që t’i shohë këto histori nga një kënd tjetër vështrimi. Në këtë libër, unë do ta njoh lexuesin edhe me aspekte të mija personale për këto histori dashurie të heronjve të lashtë.
Falenderimet e mija Dr. Yoel Rafel dhe Dr. Pnina Galpaz-Peler që më udhëzuan të orientohem në shtigjet e raftit të librave hebraikë, komponentët e tij dhe u bënë për mua burim dije dhe informacioni.
Ram Oren – Autori

Re të zeza, që vareshin në qiell të ngarkuara me sasi të mëdha uji spërkaten furishëm gjithë javën me shira të bekuar shelgjet e shkretëtirës në Negev. Sipërfaqet e kullotave u mbuluan me qylym të gjelbërt, kopetë e bagëtivë përtypnin me oreks barin, barinjtë mbanin në krahët e tyre viçat dhe qingjat e sapolindur. Në çadrat pushuese, që vështronin në fushat e gjëra, gratë e skllevërve i ishin futur punës për përgatitjen e bukës në furrat e mëdha prej argjili dhe endnin copa prej lesh bagëtije. Fëmijët e tyre brohorisnin të gëzuar, vraponin zbathur e të shkujdesur në çdo vend me përjashtim të majës së kodrës ku ngrihej çadra e madhe e Zotnisë. Kjo çadër dhe rreth e përqark saj ishte e ndaluar në mënyrë absolute për fëmijët e skllevërve. Asnjërit prej tyre nuk u lejohej të afrohej dhe ta shqetësonte Zotninë që pushonte. Ky ndalim kishte edhe një arsye tjetër. Zotnia nuk donte që ndokush ta vinte re se si ai e lëvizte tendën e çadrës dhe kundronte fshehtas fëmijët e skllevërve të tij, kur ai vetë ishte i dëshiruar për të pasur një fëmijë të tij, gjë që ja digjte shpirtin dhe e dëshpëronte.

Në të vërtetë ai kishte pothuajse çdo gjë që mund ushqente ëndrrat dhe dëshirat e shumicës së burrave: Grua të dashur dhe të përkushtuar, para, flori, troje, bagëti dhe pasuri të shumta, shëndet të mirë, zgjuarsi të madhe, njerëz që e respektoninn dhe për më tepër kishte kaluar me sukses të gjitha provat që Perëndia ia kishte vënë përpara.
Vetëm provën më të rëndësishme nga të gjitha nuk e përballoi dot!
Ai nuk mund të realizonte bekimin e Perëndisë që të sillte në botë pasardhës, të cilëve do t’u lihej Toka e Premtuar.
Kur u martua me Sarën (motrën e tij nga babai – e lindur nga nënë tjetër) nuk pati dyshim se brenda një kohe të shkurtër do t’i sillte në jetë një djalë.
Në mendjen e tij përfytyronte trashëgimtarin e vogël të ulur në prehërin e tij, i cili e përqafonte me krahët e tij të vegjël. Ai e bisedoi edhe me Sarën se si do ta edukonin birin e tyre.
Kur u bë e qartë se Sara ishte shterpë, ai e pati shumë të vështirë ta pranonte shterpërinë e së shoqes, prandaj i solli asaj mjekë të dëgjuar dhe astrologë fenomenalë, bëri kurban dhe ju lut Perëndisë. Edhe pse të gjitha këto nuk e ndihmuan Sarën të ngelej shtatzënë çifti nuk u dorëzua. Ata vazhduan të kërkojnë mundësi të tjera. Ata nuk pushuan së shpresuari dhe refuzuan të mendonin mundësinë që ata të dy nuk do të kishin një trashëgimtar dhe gjithë ato që kishin arritur të vinin, si trojet, kopetë e bagëtisë etj. do të kalonin në duart e farefisit të largët. Ndoshta këto prona mund të binin edhe në duart e Eliezer, kryeskllavit të Abrahamit!
Çifti ishin të gatshëm të jepnin çdo gjë, vetëm e vetëm që emri dhe pasuria e tyre të mos zhdukeshin. Ata u mbushën me gëzim dhe lumturi ditën që Perëndia i premtoi farën.
Por ditët, javët dhe vitet kaluan dhe asgjë nuk po ndodhte.
Çifti tashmë nuk ishte më si më parë, ata po plakeshin dhe frika se mosha do të bënte të vetën po u shtohej gjithnjë e më tepër. Abrahami shqetësohej se me moshë, epshi seksual do t’i binte. Sara kishte frikë se edhe po të arrinte të lindte një djalë nuk do të kishte fuqi për ta rritur. Zoti kishte kohë, ata të dy jo! Kishte vetëm një mundësi që mund ta bënte të mundur që Sara të kishte fëmijë sa më shpejt të ishte e mundur: Skllavja e saj egjyptiane, mund ta lindte fëmijën në vend të saj.
Agar, si çdo skllave, ishte pronë personale e zonjës së saj. Çdo gjë që i takonte skllaves, fillimisht ishte pronë e asaj që i shërbente, kështu ishte në kohen e lashtësisë, prandaj Sara i propozoi të shoqit që t’ia dërgonte skllaven e saj, që ta mbarste.
“Fëmija që do të lindë, – i tha Sara Abrahamit, – do të jetë fëmija im!” Abrahami e dha pëlqimin e tij, dhe tha se: ”Ideja e saj ishte me vend dhe e drejtë!“
Era e freskët e mbrëmjes lëkundte copat e çadrave në trojet e tij dhe njerëzit ishin zhytur në gjumin e thellë të natës kur Zotëria e ndjeu se Agar hyri në çadrën e tij me hapa të lehtë, e mbështjellë me një pëlhurë të hollë dhe këmbëzbathur. Ai zgjati krahët e tij në drejtimin e saj, e tërhoqi dhe ajo e gjeti vehten të shtrënguar në gjoksin e tij të ngrohtë. Prekja e trupit të Agarit ia ndezi zjarrin e rinisë dhe bëri dashuri me të me një pasion dhe epsh që prej kohësh s’e kishte ndjerë.
Agar ishte dhjetra vjet më e re se ai, e nxirë nga dielli i shkretëtirës, lëkura e saj e lëmuar, lëvizjet e saj delikate dhe të ëmbla, sytë e saj të ndritshëm, trupi i saj i virgjër si llastar, e etur të vaditej nga shirat e bekuar, priste që ai t’ia shuante atë etje.
Agar ia solli djalin e parë dhe i dhuroi atij diçka më shumë, diçka që u gdhend thellë në zemrën e tij dhe i ndryshoi atij jetën:
Ajo i dhuroi atij dashurinë, një ndjenjë të tillë ai po e provonte për herë të parë në jetën e tij.
“Çudi, – pyeti ai vetveten me habi, – Si nuk e kam vënë re më parë bukurinë e kësaj skllave?! Si ka mundësi që deri më atë mbrëmje ka parë tek ajo thjesht një skllave si gjithë të tjerat?! Ajo gatuante, lante rrobat dhe përmbushte të gjitha porositë që i ngarkoheshim dhe me përpikmëri i kryente kokëulur.
Ajo ishte e veshur me rroba që i mbulonin gjithë trupin, që ia fshihnin linjën e trupit të saj të bukur. Flokët e saj të shpupurisur, fytyra e saj e djegur, e plasaritur nga dielli i shkretëtirës dhe nga stuhitë e rërës. Si nuk dalloi se mbas gjithë asaj fshihej një grua e ndezur dhe e dëshiruar, që diti të zbërthejë kapilaret e ndjenjave të tij, dhe të ndezë tek ai zjarrin e dashurisë?
Nga ajo natë dhe në gjithë netët që erdhën më pas, ata vazhduan të rrinin bashkë.
Agar arriti të pushtojë zemrën e tij dhe ta bëjë atë të ndjehet rob i saj. Çfarë kishte tek ajo që e bëri atë ta deshte kaq shumë? Hovi i saj rinor, shpërthimi i vrullshëm i ndjenjave të saja, shkëlqimi i syve kur ajo e vështronte, buzët e saj të njoma që puthnin lëkurën e tij të plakur e të rrudhosur dhe flokët e tij të rralluar, prekja e duarve kur ia lante këmbët me ujin e parfumuar? Sytë e Sarës kapnin çdo ndryshim në sjelljen e Abrahamit karshi skllaves. Mendimet e saj u përqëndruan në atë që po ndodhte në çadrën e Abrahamit dhe gjumi s’e zinte natën. Ajo vërente, si Agar hynte natë për natë në çadrën e Abrahamit dhe dilte me të zbardhur dita. Me shumë mundim u përpoq të largonte xhelozinë që e pushtonte kur shihte burrin e saj që ndante shtratin me skllaven dhe nuk i binte më ndërmend për të, qoftë edhe një herë së paku. Ajo i fshehu ndjenjat e saj, kafshoi buzët. Ajo ndjehej e gatshme të vuante, të fyhej, të humbte gjumin e saj, qetësinë e saj shpirtërore derisa skllavja të mbarsej.
Por kët dashuri?! Ajo nuk e priste.
Shumë shpejt, përballë syve të Sarës u bë Agar xhevahiri i kurorës së Abrahamit. Agari u bë gjëja më çmuar nga gjithë ç’kishte Abrahami. Agar u bë njeriu më i afërm për të, më shumë se çdo njeri tjetër. Skllavja arriti ta njohë të dashurin e saj në pllëmbë të dorës, dinte t’ia lexonte në sytë dhe të kuptonte se çfarë mendonte, duke ju përgjigjur deri më një dëshirave të tij.
Kur Abrahami i tha asaj se tashmë e kishte gëzuar jetën e tij dhe nuk mund ta privojë dashurinë e saj për burra të rinj në moshë, ajo ja hodhi poshtë me një të qeshur të madhe: “Për mua ti je burri më ri nga të gjithë!”
Jeta e tij s’kishte më kuptim pa atë. Ai kishte frikë se mos e humbte, ndaj e dëshironte çdo çast, kërkonte t’i bënte dhurata, por ajo refuzoi t’i pranonte ato.
“Unë të dua pa kushte. – i pëshpëriti ajo në vesh, – Ti je drita ime, ti je e vetmja rreze drite për mua!”
Agar nuk u tall kurtrë me gruan që po plakej në brinjë të tij. Ajo e vlerësonte përkushtimin dhe dashurinë e saj ndaj të shoqit, ajo nuk e keqpërdori dashurinë që Zotëria kishte për të. Ajo vazhdoi t’i përmbushë me besnikëri porositë që i ngarkoheshin. Abrahami e vlerësonte shumë këtë gjë.
Me sy të përgjëruar, Sara ndiqte gjithçka po ndodhte mes të shoqit dhe skllaves. Zemra e saj pikonte gjak, kur i shihte të kapeshin përdore dhe vërente si vështrimet e tyre kryqëzoheshin. Ajo, gruaja e parë u shty mënjanë, doli jashtë e rrethuar nga shërbëtorë e skllevër, nga madhështia dhe lluksi, por e zhytur e gjitha në trishtim, në dhimbje e në vetmi.
Kur e kapën dhimbjet e lindjes Agarin, Sara nuk nxitoi të shkonte në çadrën ku u thirr mamia dhe babai i bebes. Vetëm prej së largu i dëgjoi të qarat e para e foshnjës, sapo doli nga barku i nënës së tij. Që nga ajo ditë, skllavja nuk u kthye më në punën e saj, ajo ja përkushtoi gjithë kohën e saj kujdesit të foshnjës së sapo lindur. Gruaja e Zotërisë e pa për herë të parë foshnjën kur Agari e nxori jashtë çadrës të thithte ajër të pastër. Ajo e vështroi foshnjën sikur të ishte fëmijë i huaj dhe jo si trashëgimtari që mezi e kishin pritur. Gjendja shpirtërore e saj u rëndua kur mendoi se ishte ajo që e solli skllaven në shtëpinë e saj, ishte ajo që e hodhi atë në krahët e të shoqit. E vetmja gjë që donte tani ishte që të largohej prej saj sa të ishte e mundur.
Sara fajësonte vehten vazhdimisht që shkoi me të shoqin në Egjypt dhe kur u kthye që andej solli me vehte Agarin. Sikur të mos ishin thatësira, uria dhe mungesa e ushqimit që pllakosën vendin ajo do të rrinte me Abrahamin në Kanan dhe nuk do të zbriste në Egjypt asnjëherë. Ajo kujtoi tokën e plasaritur, kullotat e thara, ajo kujtoi ata endacakët e uritur që mbrritën në trojet e tyre për të lypur pak ushqim, kujtoi bagëtinë që ngordhte një pas një, qilarin që ngeli bosh, kujtoi fqinjët që braktisën çadrat e tyre dhe dolën të kërkonin burim jetese në tjetër vend. Ajo e mbante mend atë natë që të shoqin nuk e zinte vendi vend, që ecte poshtë e lart dhe i dëshpëruar i tha asaj:
“Nuk na ka ngelur më asgjë, edhe ne jemi të detyruar ta braktisim këtë vend.”
“Për ku?” – pyeti ajo.
“Për në Egjypt, atje do të mund të gjejmë ushqim. Do të rrimë andej për sa kohë do të zgjasë thatësira, kur të mbaroj do të kthehemi.”
Ajo e dinte se nuk kishte zgjidhje tjetër, kriza po thellohej nga dita në ditë dhe nuk kishte rrugë dalje tjetër. Së fundi mbas shumë lëkundjesh dhe hezitimesht vendosën të mbledhin ato dy gjëra që u kishin ngelur dhe morën rrugën drejt jugut plot shpresa për një të ardhme më të mirë. Ata nuk ishin të vetmit që morën atë drejtim. Familje dhe individë të uritur dhe të varfër kaluan me vështirësi rërat e shkretëtirës me shpresë se do t’ju ndriste fati në vendin e ri dhe do të gjenin atje ushqim dhe punë për të jetuar.
Rruga ishte shumë e mundishme. Duke ecur përtypnin bukën e thatë që e mbartnin me vehte, shkulnin barishtet që gjenin dhe pinin ujë të ndenjur të mbetur nga shirat në gropat e shkëmbinjve. Këmbët mezi i zvarritnin nga plagët e shumta. Trupi ishte bërë copë nga pickimet në pjesët e pa mbuluara. Dielli i godiste me forcë ditën kurse natën bënte ftohtë.
Kaloi shumë kohë, ditë të tëra, derisa panë çadrat e para të egjyptianëve. Ato pak gjëra të çmuara që kishin me vehte i këmbyen për pak ushqim që të shuanin urinë e tyre. Një pjesë e tyre u punësuan si barinj ose bujq dhe ngelën aty, të tjerët vazhduan rrugën.
Rojet e kufirit të kaluar mbi deve i ndaluan dhe i morën në pyetje. Ata deshën të dinin arsyen se përse ata deshën të futen në Egjypt.
“Si quhesh?” – e pyetën Abrahamin:
“Abraham, biri i Terahut” – tha ai
“Po gruaja, si quhet?”
“Sara.”
Ai shpresoi se nuk do të merreshin me të, por jo, ata ja ngritën perçen që i mbulonte fytyrën dhe fërkuan sytë e tyre. Shumë kishte dëgjuar për vajza dhe gra nga Kanaani që merreshin nga rojet e mbretit dhe silleshin në haremin e tij. Ai pati frikë se ata do të merrnin edhe gruan e tij. Ajo nuk ishte më e re, por ishte akoma e bukur dhe tërheqëse. Fytyra e saj ishte e lëmuar, pa rrudha, sytë e saj bojë qielli si deti, këmbët e saj të gjata dhe flokët e lëmuara ngjyrë kafe e tregonin atë më të re.
Abraham dhe Sara shkëmbyen shikimet e tyre dhe ai vuri re tek ajo dyshim dhe frikë. Frika depërtoi edhe tek ai. Ai e dinte se, në se ajo do t’i pëlqente egjyptianëve ata do ta vrisnin Abrahamin. Kështu ishte zakoni atëhere, vrisnin burrat dhe gratë i dërgonin në haremin e mbretit. Kështu kishte ndodhur me shumë njerëz përpara Abrahamit.
Për një moment mendoi se mund t’ju jepte ndonjë ryshfet, por nuk i kishte ngelur gjë që të mund t’ju prishte mendjen rojeve egjyptiane. Ai tani ishte i varfër dhe gruaja ishte gjëja më me vlerë që kishte.
“Kjo është jot shoqe?” – pyeti njëri nga kalorësit.
“Jo!” – ia ktheu ai menjëherë.
“Përse është me ty atëhere?”
“Është motra ime.”
“Do ta marrim me vete.”
Drithërima ia përfshiu trupin Abrahamit.
“Ajo është e sëmurë.” – u përpoq t’ju ndërronte mendjen.
Roja egjyptiane qeshi me tallje: “Edhe njerëz të tjerë përpara teje e kanë përdorur këtë hile, por s’ia kanë dalë.
Roja egjyptiane kontrolloi sytë dhe dhëmbët e gruas. Pastaj e urdhëroj atë që të ecë disa hapa. Ajo eci ngadalë duke i zvarritur këmbët e saj, por ndjeu se nuk arriti t’i bindë.
“Kjo më duket e shëndoshë, si molla!” – tha roja egjyptiane.
Abrahami kafshoi buzët e tij. Nuk kishte se ç’bënte tjetër.
Roja egjyptiane e hypi gruan në devenë e tij, u ul vetë pas saj, i ra me kamzhik devesë dhe me vrull morën drejtimin e jugut. Burri i ndoqi me sy derisa u zhdukën në horizont. Ai mendoi se nuk do ta shihte më gruan e tij.
Udhëtimi, kaluar mbi deve, rrokur nga roja egjyptiane që kundërmonte erë të rëndë djerse, qe për të një mankth i vazhdueshëm.
Lëkundja e vazhdueshme e trupit nga hapat ritmike të devesë, po ja shkatërronte kockat Sarës. Etja dhe uria e rraskapitën. Ajo iu lut kalorësit për pak ujë, për pak pushim… por ai as e mori mundimin t’i përgjigjej, por vazhdoi udhëtimin…
Ca nga ca peisazhi natyror filloi të ndryshonte. Rrugës dalloheshin fshatarë me karroca që transportonin prodhimet nga fshati në qytetet e mëdha. Sytë e Sarës rrokën fusha të gjelbëra të ndara në parcela në të cilat rriteshin qepë dhe kunguj e shtriheshin deri në tej në horizont ku uji mbushte kanalet vaditëse. Sara mendoi e pikëlluar thatësirën që kishte pushtuar vendin e saj, Kanaan, që prej kohësh nuk kishte pasur një bollëk të tillë.
Pranë kryeqytetit të Egjyptit, ata parakaluan pranë piramidave, tempuj të mëdhenj dhe miniera të ari të mbretit. Sarës i ra në sy vrulli i madh i zhvillimit. Skeletet e godinave që po ndërtoheshin dukeshin si këpurdhat mbas shiut. Rrugë të reja po hapeshin gjithandej. Punëtorët e punishteve të artizanatit ngarkonin devetë me copa lini dhe me stoli të punuara nga artixhanë me përvojë. Binte në sy që shumica e qytetarëve ishin veshur bukur, binte në sy bollëku me të cilin ata ishin bekuar. Të gjithë kishin punët e tyre dhe të ardhura të mira.
Sarën e zbritën nga deveja dhe e kaluan nëpër ca korridore të gjatë dhe të përdredhur, e së fundi e futën në një sallë pritjeje të pallatit mbretëror. Ajo u detyrua të priste derisa mbreti ta thërriste. Sytë e saj dalluan muret e mbuluara me piktura mbretërish që u ofronin temjan perëndive dhe piktura me anije me vela që lundronin drejt vdekjes, të shoqëruar nga të afërmit e tyre dhe mjaft sende luksoze. Rreth e përqark vërehej një pasuri dhe begati e madhe. Cohat që vishnin karriget dhe divanet ishin me fije ari; tavanet e gdhendura prej guri, nga dritarja shfaqeshin pamjet e kopshteve të mirëmbajtura, skulptura në ujra dhe vendpushimi për ata që shetisnin në ato kopshte. Ashtu, e veshur me rrobat e saj të thjeshta, me flokët e shpupurisur dhe të pakrehura prej ditësh, me fytyrën gjithë pluhur Sara u ndie keq. Ambienti që e rrethonte nuk pèo ja lehtësonte ankthin që gurgullonte në zemrën e saj, as po ia hiqte mallin për burrin e saj, nga i cili e kishin shkëputur ashtu papritur. Sara e dashuronte të shoqin nga ditët e fëmijërisë. Ata ishin njohur në shtëpinë e kryetarit të fisit. Me arritjen e moshës së pjekurisë, kur ata u martuan, baballarët u uruan atyre lumturi dhe shumë fëmijë. Mbas dasmës, ajo kaloi në çadrën e Abrahamit. Trojet e tij ishin të vogla dhe të ardhurat në atë kohë ishin të pakta, por ai mundohej me gjithë shpirt ta mbante mirë. Ai e ndihmonte në të gjitha punët e përditshme, e mbante në krah. Ajo ndjehej shumë e lumtur me të, derisa u bë e qartë se ajo s’mund t’i dhuronte fëmijë. Kur kjo gjë iu bë e qartë Abrahami kishte të drejtë ta ndante ose të merrte edhe një tjetër për grua, por ai nuk e bëri këtë gjë.
Sara e vlerësoi shumë këtë sjellje të Abrahamit, duke e konsideruar si shprehje e rrallë e dashurisë së tij ndaj Sarës.
Kaloi gati një orë mbasi Sara kishte mbrritur, kur në punësi i mbretit iu drejtua asaj… dhe e urdheroi të shkonte në zyrën e madhërisë së tij. Ajo u ngrit dhe e zbatoi urdhërin.
Me të hyrë Sara, në zyrën e mbretit, nëpunësi që e shoqëroi tërhoqi derën mbas saj dhe u zhduk.
Mbreti ishte ulur në karrigen e tij dhe askush tjetër s’ishte i pranishëm veç tij. Ai ishte mjaft i vjetër në moshë, por gjithsesi më i ri se Abrahami.
“Afrohu, – i tha mbreti, – Mos kij turp!”
Koka e tij e shogët dhe fytyra e tij ishte vrarëlije. Ai kishte veshur petka të florinjta dhe kishte vënë një paruke me flokë gjatë që i arrinin deri te supet e tij.
Mbreti ishte barkmadh, me sy të vegjël po me vështrim të mprehtë.
Sara iu afrua mbretit.
“Ti je një grua e bukur, – u përkul mbreti drejt saj, – A e dini përse të sollën ty këtu?”
Ajo shtërngoi buzët dhe heshti.
“Të sollën këtu që të më kënaqesh mua, – dhe pastaj shtoi, – kjo do të jetë detyra jote këtej e tutje!”
Mbreti trokiti dyshemenë me këmbën e tij dhe menjëherë, se nga doli një shërbëtor që u përkul përpara tij.
“Merre këtë dhe çoje të lahet, vishe me rroba të reja dhe ma sill kur të bjerë mbrëmja!”
Si në një makth kaluan orët e ditës. As ishte e zonja të vinte re duart që e zhveshën, që e lanë trupin e saj dhe i veshën një petk prej pëlhure lini të bardhë. Si nëpër tym, veshët e saj dëgjonin zërat gazmore të grave të haremit. Si nga larg, flegrat e hundës së saj ndjen erën e parfumeve të spërkatur në dhomat madhështore. Ajo u drodh dhe i kaluan mornica nëpër trup kur mendoi se ç’e priste atë natë në dhomën e gjumit të mbretit.
Mbas perëndimit të diellit, erdhi shërbëtori dhe e shoqëroi deri tek mbreti.
Ai po e priste lakuriq në shtratin e tij.
“Ti tani dukesh edhe më e bukur!” – i bëri një elozh ai.
Si e shtangur në vend pranë shtratit të tij, ajo nuk lëvizi nga vendi.
“Eja, – e urdhëroi ai, – mos më zhgënje!”
Një grumbull mendimesh e përfshinë trurin e saj. Pa dobi kërkoi një justifikim për të evituar hyrjen e saj në shtratin e tij. Nëse do t’i rrëfente të vërtetën atij, do t’i vriste burrin, nëse do të pranonte do ta tradhëtonte burrin, të cilit ia ruante besnikërinë. Nëse do ta refuzonte do të ngjallte zemërimin e tij dhe kush e di se ç’i ndodhte asaj.
Ai u ngrit në këmbë dhe drejtoi trupin. Ajo e vështroi atë me tmerr ndërsa i afrohej asaj.
Sytë e saj u mbyllën dhe një rrëqethje frike e përfshiu krejt trupin e saj.
Mbreti bëri një hap përpara drejt saj kur papritmas nxori një gërhitje me zë të lartë. Fytyra e tij u shtrembërua, sytë e tij u rrotulluan dhe trupi i tij u shemb në dysheme.
Sara ulëriti nga lemeria dhe paniku.
Shërbëtorët e mbretit nxituan të vijnë e thirrën mjekun, gruan e çuan në harem.
Mjekët nuk dinin çfarë t’i bënin mbretit që po dridhej e fliste përçart.
Ata thirrën në ndihmë magjistarin e pallatit. Ai mbrriti me librin e lashtë të parashikimeve dhe një bastun që i ngjante gjarpërit, të cilin e tundte disa herë para mbretit. Mërmëriti disa fjalë të pazakonta, që vetëm ai ua dinte kuptimin, bëri edhe një ceremoni magjike për largimin e shpirtërave të këqinj. Pastaj u përkul pranë mbretit dhe i tha në vesh: “Ajo gruaja që ishte këtu, e solli mallkimin. Ajo luajti rolit e motrës së virgjër të burrit hebre dhe nuk tregoi se është e shoqja.”
Mbreti u përmënd menjëherë.
“Silleni menjëherë atë!” – urdhëroi ai.
Kur ajo mbrriti, e pyeti përse nuk i tregoi se ishte e martuar.
“Kisha frikë!” – iu përgjigj ajo.
Ai nuk fuste kurrë në haremin e tij gra të martuara. Sipas këshillave të magjistarit të pallatit, atij i lejohej, si bir i Perëndisë që ishte, të bënte dashuri vetëm me virgjëresha, që nuk i kishte prekur asnjë mashkull përpara tij.
“Ktheja, gruan të shoqit dhe mundohu t’i japësh dëmshpërblim që i rrëmbeve gruan. – i tha magjistari, – vetëm atëhere mund ta marrësh vehten dhe të të vijnë forcat!”
Njerëzit e mbretit dolën të kërkojnë Abrahamin… dhe nuk ishte detyrë e lehtë për ta. Ishte shumë vështirë të gjeje Abrahamin mes gjithë asaj popullsie që kishte zbritur nga Kanaan turma, turma. Shumica e tyre ishin shpërndarë në zona fshatare, pjesa tjetër që ngelën i ndihmoi ta gjenin.
Abrahamin e gjetën duke punuar në trojet e një stani te madh. Aty ai po merrej me qethjen e deleve. I frikësuar për vdekje, i bindur se e kapën që ta dënojnë pse nuk u tregoi të vërtetën, që ishte i martuar, ata e sollën në pallatin e mbretit dhe ja dorëzuan njerëzve të oborrit mbrëror.
“Jam i detyruar të zbatoj urdhërin që më ka dhënë mbreti, – i tha Abrahamit njeriu i oborrit, – Mbreti më ka urdhëruar të ta kthej gruan që të rrëmbyen dhe të dëmshpërblej për atë çka të kanë bërë. Ti do të bëhesh njeri i pasur.”
Abrahami s’po i besonte veshëve të tij. Ngeli ashtu me gojëhapur, pa e kuptur se ç’po ndodhte me të. Vetëm kur hyri e shoqja në dhomë, ai arriti të qetësohesh. Ajo u drejtua nga ai dhe ja rroku dorën me ngrohtësi.
“Mbreti nuk më ka ngarë!” – i pëshpëriti ajo në vesh.
“E përse të liroi? – desh të dinte Abrahami, – E përse ai mendon se duhet të na dëmshpërblejë ne!?”
“Ta tregoj më pas!” i premtoi ajo.
Oborrtari i mbretit i shoqëroi ata. Aty ishin edhe disa burra e gra të mbledhur bashkë në grup.
“Zgjidh nga ky grup skllevërit e tu!” – e urdhëroi ai Abrahamin.
Njeriu nga Kanani hezitoi. Ai s’kishte pasur kurrë në jetën e tij skllevër dhe s’po e kuptonte përse i duheshin tani.
“Nëse mbreti po na dhuron skllevër, – i pëshpëriti Sara burrit të saj në vesh, – si duket ai e di se do të na duhen!”
Plot vetbesim ajo bëri një hap përpara dhe zgjodhi një dyzinë skllevër.
“Hajde marrim edhe një skllave personale për ty, – i sugjeroi Abrahami, – kjo mund të ndihmojë ty në punët e tua të përditëshme. Kështuqë do të lodhesh më pak!”
Sara u vërtit rreth grumbullit me skllevër dhe syri i kapi menjëherë një vajze të re esmere me sy të gjelbërt dhe lëkurë të butë.
“Si të quajnë?” – e pyeti ajo vajzën.
“Agar.”
“Ke punuar si shërbyese?”
“Asnjëherë, – iu përgjigj vajza me mirësjellje, – por unë jam e fortë, besnike dhe e përkushtuar. Unë do të mund të përmbush dëshirat tuaja zonjë.”
Njeriu i oborrit u dha urdhër skllevërve të zgjedhur të shkonin në drejtim të karrocës që po i priste në hyrje të pallatit të mbretit. Ai vetë u hapi derën e karrocës dhe ftoi Sarën dhe Abrahamin të hypnin.
Të pushtuar nga habia dhe emocioni, nga ky udhëtim që po e përjetonin për herë të parë në jetën e tyre, dolën nga qyteti të ndjekur nga dyzina e skllevërve. Ata mbrritën në një stan të rrethuar me gardh të gjerë, ku lopët lëviznin nëpër stalla dhe bagëtia blegërinte në vathë.
“Mbreti urdhëroi që t’ju themi se çdo gjë që ndodhet këtu, është e juaja. – u tha njeriu i oborrit.
Sara dhe Abrahami të habitur e të ngazëllyer, nuk arritën të nxjerrin asnjë fjalë nga goja. “Veç kësaj, – shtoi egjyptiani, – Mbreti do t’ju japë para, flori dhe shumë rroba.”
Çifti ngeli i shtangur e gojëhapur përpara asaj begatie që ju dha falas. Vetëm me një vendim të mbretit, jeta e tyre e varfër u shëndrrua në një kujtim të largët. U dukej ëndërr, që nga ai çast e tutje atyre nuk do t’u mungonte asgjë.
Ditë më vonë, dërguesit e posaçëm të mbretit sollën arka me para, me flori e dhurata të çmuara, Abrahamit i erdhi mendja vërdallë. Befas e kapi frika.
“Po sikur papritur Mbreti të pendohet?” – e pyeti ai të shoqen.
“Vështirë të ndodhin gjëra të tilla, – u përpoq ta qetësoje Sara.
“Po sikur papritur, një ditë mbreti të zgjohet nga gjumi e të vijë t’ju thotë: Ju kam dhënë më shumë se duhet?!” – tha ai. Ajo nuk dinte se ç’përgjigje t’i jepte.
“Unë them që të mbledhim gjithçka që mundemi dhe të kthehemi sa më shpejt në Kanaan.” Sara nuk kundërshtoi.
“Ikim natën, – vendosi Abrahami, – në errësirë do ta kemi më të lehtë të mos biem në sy.”
Ata mblodhën skllevërit, i urdhëruan të mbledhin bagëtinë, t’i zbrazin të gjitha çadrat nga çdo send me vlerë dhe t’i ngarkojnë mbi devetë. Agimi i gjeti ata jashtë qytetit, në rrugën drejt shkretëtirës që ndan Egjyptin me Kanaanin.
Ata ecën për një kohë të gjatë në shkretëtirë të hapur, të pambrojtur nga kushtet e natyrës. Gjatë rrugës, ata kërkonin burime uji si vend për t’u shplodhur, ku bagëtia që kishin me vehte të shuante urinë dhe etjen. Kur këmbët e tyre shkelën në kufirin e Kanaan-it, me gëzim të madh vunë re se për fatin e mirë të tyre, thatësira kishte përfunduar. Abrahami dhe Sara vendosën të jetojnë në veri të shkretëtirës së Negev. Të dy ata e pëlqenin klimën e Negevit verior, ku kishte mjaft kullota për bagëtinë dhe puset tashmë ishin përplot me ujë.
Agar iu përshtat shpejt ambientit të ri. Ajo i zbatonte me besnikëri e devotshmëri porositë që i kërkonin pronarët e rinj. Ajo u rrit, u zbukurua dhe ishte shërbëtore e përkryer, punonte pa pushim, kërkonte me gjithë shpirt të kënaqte zonjën e saj. Agar i hyri në zemër zonjës së saj. Tani, Sara dhe Abrahami nuk merreshin më me punët e përditëshme, skllevërit nxirrnin bagëtinë për të kullotur, milnin lopët, dhitë dhe delet, bënin djathë, korrnin fushat e mbjella dhe shisnin prodhimet e tyre në treg. Abrahami merrej me mbikqyrjen, llogaritë, shiste dhe blinte lopë e bagëti, dhe me fitimet mundohej të plotësonte nevojat e tjera për trojet e tij. Sara e kalonte shumicën e kohës në çadrën e saj, e shtrirë në një shilte, e qarkuar nga jastëkë shumëngjyrësh. Skllavja kujdesej për pastrimin e çadrës, përgatiste vaktet e ushqimit, lante rrobat e Sarës, ia krihte flokët, kruante baltën e ngjitur në sandalet e Sarës, ndërsa Sara, përkushtimin e saj, e shpërblente herë mbas here skllaven me një shumë lekësh ose e lejonte të merrte ushqime në çadrën e saj.
Agar çohej pa gdhirë, në mënyrë që të përmbushte gjithë kërkesat e zonjës. Ndojëherë punonte deri në të ngrysur, por asnjëherë nuk ankohej o të kërkonte t’i bënin lehtësira. Agar kishte një çadër të vogël e të rehatëshme, ku jetonte fillkat vetëm, dhe shmangte të bisedonte me skllevërit e tjerë dhe nuk pranonte që t’i bënin korte.
“Preferoj të jem beqare, – i tha ajo Sarës, – se sa të martohem me një skllav e kështu të humb çdo mundësi për të përmirësuar jetën time.”
Ajo nuk bisedonte ballë për ballë me zonjën e saj. Ajo, zakonisht i bënte gjërat në heshtje, me kokën ulur mundohej të plotësonte çdo detyrë që i ngarkohej. Nganjëherë përfitonte shkarazi ndonjë fjalë të mirë nga Abrahami, kur qëllonte të kalonte pranë saj. Nganjëherë Sara i hidhte ndonjë fjalë të mirë ose dy. Ajo nuk kishte nevojë për më shumë. Ajo e dinte se ata e donin dhe e vlerësonin, më shumë se çdo skllav tjetër që punonte në trojet e tyre.
Një mëngjes, Sara e thirri për një bisedë personale, gjë që nuk e kishte zakon. Agar u paraqit në çadrën e zonjës duke fshehur me zor kuriozitetin.
“Ti e di që unë jam shumë e kënaqur nga puna jote.” – i tha Sara.
Agar aprovoi duke tundur kokën me mirësjellje.
“A do të jeshë e gatëshme të bësh gjithçka për mua?”
“Nëse do të jetë për të mirën tënde, nuk do të refuzoj.”
Sara buzëqeshi e kënaqur. Ajo ishte përgjigja që priste.
“Patjetër e ke vënë re, – tha – që unë nuk mund të mbarsem. Perëndia e ka mbyllur mitrën time dhe kjo na mërzit shumë, si mua edhe Abrahamin. Që të dy ne ëndërrojmë një trashëgimtar. ”
“E kuptoj, zonjë!”
“Prandaj do të gëzohem shumë nëse do të na sjellësh një fëmijë!”
Gjithçka e kishte kaluar në mendje, por për një gjë të tillë as i kish fshikur kurrë mendja e saj.
“Po si?” – pyeti ajo me naivitet.
“Thjesht fare! Hyr në shtratin e Abrahamit dhe kjo do të ndodhë vetvetiu!”
Agar nuk mund ta refuzonte. E kishte në gjak gadishmërinë er zbatimit të urdhërave të zonjës së saj. Për Agar-in ishte e qartë se duhej ta plotësonte dëshirën e zonjës së saj, që e kishte blerë si skllave, por i lindi një dyshim.
Abrahami ishte i moshuar, dhe nuk ishte e sigurt nëse mund të mbarsej prej tij.
“Zotnia e di kët gjë?” pyeti me zë të mbytur ajo.
“Po, e di!”
“Kur më duhet të shkoj tek ai?”
“Kësaj nate!” – iu përgjigj Sara.

Papritmas ndryshoi gjithçka. Bota u përmbys. Sara dhe Agar ndryshuan vendet. Skllavja duke bërë çdo gjë që i ishte ngarkuar me përkushtim. I kërkuan të mbarset, të lindë fëmijë dhe t’ia japë Sarës. Pa vetëdije, ajo bëri të pabërën: ajo ia rrëmbeu zemrën padronit dhe ai e gjeti veten të lidhur më shumë mbas skllaves se mbas gruas së tij.
Reagimi i Sarës ishte njëlloj si te gjithë gratë e tjera të botës. Ajo ndryshoi qëndrim dhe sjellje ndaj skllaves së saj. Në vend të buzëqeshjeve dhe fjalëve të mira, ajo filloi të sillet me zemërim dhe të shajë Agar-in, t’i jepte me qëllim punë të rënda, të bënte sikur s’e vinte re se ajo mbante në bark beben që ajo vetë e dëshëronte kaq shumë që ai të lindte.
Herë mbas here e sëmbonte zemrën Sarës pendimi për gabimin fatal që bëri. Ajo vuante dhe ndëshkonte vehten që dërgoi Agarin tek Abrahami, që i bashkoi të dy padyshuar se një lidhje intime mund të krijoj marrëdhënie të ngushta për kohë të gjatë. Ajo mendoi se e njihte të shoqin shumë mirë, se e njihte karakterin e tij, se ishte e zonja të parashikonte si ai do të sillej në çdo rast. Ajo mori parasysh çdo gjë, veç faktit që Abrahami ishte burrë mbresëlënës dhe Agar vajzë e re tërheqëse.
Për vite me rradhë Sara u mësua që në çadrën e saj të vinte rrotull një skllave e nënshtruar, e bindur, e paaftë të bënte keq. Ajo nuk mund të kuptonte se si i shoqi mund ta braktiste dashurinë e tij ndaj Sarës dhe të hidhej në krahët e një dashurie të re plot zjarr e pasion.
Për Sarën, kjo qe një goditje e rëndë, shumë e rëndë.
Fillimisht Agar nuk reagoi kur Sara po sillej keq me të. Ajo mjaftohej me kujtimin e ditëve dhe netëve kur Abrahami ishte pranë saj, ajo mjaftohej me deklaratat e dashurisë që ai i bënte; ajo mjaftohej me përkëdheljet që ai i bënte barkut të saj që fryhej nga dita në ditë; ajo mjaftohej me premtimet që i bënte Abrahami se nuk do ta braktiste kurrë. Sjelljen e keqe të Sarës ajo e quajti si një e keqe që duhej kapërcyer.
Kur u lindi djali, ajo e quajti Ismail (Ishmael – në hebraisht: Perëndia do të dëgjojë), si shenjë mirënjohjeje ndaj perëndisë që i dëgjoj lutjet e saj dhe i dhuroi një djalë të shëndetshëm e të shkathët. Ajo ndjehej shumë e emocionuar dhe plot entuziazëm kur ëngjëlli i premtoi se nga ky djalë do të dalë një popull i madh dhe i shumtë, prandaj heshti me përulje kur ai i kërkoi që të vazhdonte t’i shërbente Sarës me gjithë vuajtjet që do t’i sillte ky shërbim.
Abrahami ishte i lumtur. Ai e mbante në krahë me krenari birin e tij.
“Më në fund Perëndia na dhuroi një trashëgimtar, – i tha ai së shoqes.
Ajo e vështroi atë dhe fëmijën me përbuzje. Në dukje, ay fëmijë ishte gjithçka që ajo aq shumë e kishte dëshiruar, por në të vërtetë ai fëmijë i kishte sjellë shumë trishtim. Ajo u mbyll në çadrën e saj dhe u mbyt në lot për sa kohë Abrahami kalonte me të dashurën e tij dhe djalin.
Në moshën e pleqërisë, kur Sara ishte 90 vjeç, ndodhi mrekullia që i premtoi perëndia. Fillimisht ra në shtrat, pastaj e kapën të vjellat dhe së fundi zbuloi se mbante në barkun e saj një fëmijë. Kur u bë e qartë, mbasi u hoqën të gjitha dyshimet, se ajo ishte me të vërtetë me barrë, asaj i shpërtheu një hare e çmendur, një e qeshur e pakufi: e sigurt se perëndia po bënte një shaka të këndshme me të. Lajmi se Sara ishte shtatzanë e habiti edhe Abrahamin. Ai nuk priste fëmijë tjetër, aq më pak nga gruaja e tij. Jo më pak u habit Agar… dhe frika e pushtoi zemrën e saj.
“Tani Sara do të bëjë gjithçka që biri i saj të jetë trashëgimtari dhe jo i yni! – i tha ajo Abrahamit.
Ai u mundua ta qetësojë.
“Të dy do të jenë trashëgimtarët tanë!” – i tha ai, po Agari nuk u bind.
“Unë e njoh gruan tënde, – i tha, – ajo nuk heq dorë kollaj.” Dhe kishte të drejtë.
Kur lindi biri i Sarës, Izhaku, Ismaili ishte tashmë, një djalosh i shkathët, çamarrok, e plot hare. Ishte mjaft i ri për ta kuptuar gjendjen në të cilën ndodheshin marrëdhëniet e prindërve të tij. Me naivitetin e rinisë, ai u gëzua shumë për lindjen e të vëllait. Ai u mundua t’i afrohej me të, ta përkëdhelte, të luante me të, por Sara s’ lejoi t’i afrohej. Kur Agar i propozoi Sarës ta ndihmonte për t’i shërbyer bebes, zonja refuzoi me nerva të tendosura.
Lindja e Izhakut i dha Sarës hov të ri dhe ia përforcoi kokëfortësinë e saj. Për të Agar dhe Ismaili ishin tashmë një barrë. Ajo nuk i dëshironte t’i kishte më pranë.
Abrahami e donte Ismailin jo më pak se Izhakun. Kurse dashuria e tij për skllaven ishte më zjarrtë se kurrë. Ai e kishte shumë të vështirë të pranonte sjelljen e Sarës karshi atyre të dyve.
“Unë nuk mund ta duroj sjelljen tënde karshi Ismailit dhe Agarit, – e qortoi ai të shoqen, – harrove se edhe Ismaili është biri im. Ai ka të drejtë të trashëgojë nga unë njësoj si Izhaku!”
Bisedat mes tyre u kthyen në zënka me zë të lartë. Abrahami e mbronte Ismailin dhe Agarin me ngulm. Ai e kuptoj se të hiqte dorë nga ata, do të thoshte të hiqte dorë nga ajo çka donte. Po Sara qëndronte tek e saja. Në grindjet me të shoqin ajo e zbrazi gjithë mllefin që i qe mbledhur në zemrën e saj. Orë të tëra ajo e shau Abrahamin për romancën e tij me Agar-in. Bile tallej me diferencën në moshë mes tyre.
“E bëre veten qesharak, – ia përplasi ajo në fytyrë, – të gjithë po tallen me ty mbrapa shpine.”
Ai u mundua t’i flasi me llogjikë asaj. “Dashuria është diçka që ndodh, kjo i ndodh edhe burrave të tjere. Gjeta dashurinë e jetës time. Më vjen keq që kjo të lëndon ty, por unë nuk mund të heq dorë!”
“Ti e do Ismailin më shumë se Izhakun, – u mundua ajo që ta prek atë nga një kënd tjetër, – ty të vjen keq që Izhaku erdhi në jetë!”
Abrahami tundi kokën në shenjë kundërshtie.
“Unë i dua që të dy, – tha me zë të qetë, – dhe mos guxo të fusësh sherr mes meje dhe bijve të mi!”
Kur Izhaku u rrit dhe pushoj së piri qumësht nga gjiri i nënës, Abrahami bëri
një gosti të madhe. Sara vuri re se Ismaili ju afrua Izhakut dhe ajo i kërkoi që të largohej menjëherë që andej.
“Përse e bëre këtë?” – u hidhërua Abrahami.
“Ai është i rrezikshëm, – ia preu Sara, – dhe nuk dua që ai të afrohet këtu!”
“S’ke çfarë të bësh, – i tha Abrahami, – ai është i imi, po aq sa edhe Izhaku!”
“Ai nuk do të jetë i yti edhe për shumë kohë!” – i mërmëriti ajo nëpër dhëmbë.
Kur mbaroi gostia, ajo ju drejtua të shoqit, me duart në ije. Zëri i saj kishte tingullin e urdhërit të prerë…
“Vendosa ta përze Agar-in me gjithë fëmijën, – ia preu ajo – nga nesër ata s’do të jenë më këtu!”
Abrahami ngeli si i ngrirë përballë saj. Nuk e kishte pritur një gjë të tillë.
Sara thirri një nga skllevërit që kaluan aty pranë.
“Thirre Agarin.” – e urdhëroi atë.
“Ti ke marrë zjarr, – reagoi Abrahami, – mendoje mirë këtë punë!”
“E kam menduar, bile më shumë se duhet, – e ngriti ajo zërin, – s’ka ditë që s’e kam menduar. Ajo duhet të shporret që këndej!”
“Dhe çdo të bëhet me mua?!” – pyeti ai.
“Ti do të qëndrosh këtu me mua dhe me trashëgimtarin tënd të vetëm!”
“Unë nuk mund të lejoj që ata të ikin. Unë do iki me ata!! – tha i prerë ai.
Sara e vështroi me zemërim.
“Ik po deshe! Leri të gjitha ç’ke këtu, të gjitha: pasurinë dhe jetën e rehatshme. Të shohim sa do të dojë Agari kur të të mungojë çdo gjë!”
“Ajo do të më dojë gjithmonë! – tha ai me zë të lartë dhe besim të plotë, – ajo do
të më dojë mua dhe unë do ta dua atë!”
Ai dalloi Agar-in që po vinte drejt Sarës. Skllavja pa nga ai dhe nga Sara me
vështrim pyetës. E kuptoi se diçka kishte ndodhur, por s’po e kuptonte çfarë kish ndodhur.
Sara nuk humbi kohë.
“Merre Ismailin dhe zhdukuni që këndej që nesër në mëngjes, – e urdhëroi ajo, – dhe mos guxoni të ktheheni më këtu!”
Agar u gjend në befasi, por e ruajti gjakftohtësinë. Ligësia e Sarës po ia tendoste nervat në kufirin që s’mund të mbante më. Ai urdhër i Sarës e shpëtoi atë nga një torturë e vazhdueshme.
Sytë e saj u takuan me sytë e Abrahamit. Ai iu afrua asaj dhe ia zgjati dorën. Agar e rroku me guxim dorën e tij.
“Do të largohem bashkë me ty!” – i tha.
Lotë të mëdhenj mbuluan prej syve të saj.
“Do të jem gruaja më e lumtur në botë nëse e bën këtë që thua!” pëshpëriti Agar.
“Dilni, largohuni që këndej! – bërtiti Sara, – Nuk mund t’ju shoh më me sy!”
Të nesërmen pa zbardhur drita, të pajisur me kacekë lëkure të mbushur me ujë, me bukë dhe mish të thatë, ata e filluan të tre udhëtimin drejt jugut. Sara nuk doli nga çadra të ndahej me ta.
Ata dolën përtej kufijve të trojeve të Abrahamit, dhe ai s’e ktheu asnjëherë kokën mbas. Zemra e tij qe e vendosur të braktiste gjithçka për dashurinë e tij. Buzët e tij mërmërisnin të vetmen lutje: Që Perëndia të ishte me ta, që t’i ndihmonte, t’i ruante nga të këqijat dhe t’u jepte shëndet.
Agari kërkoi të kthehej në Egjypt.
“Është i vetmi vend që unë mund të ndjehem në shtëpi.” – i tha ajo Abrahamit.
Ai s’e kundërshtoi.
Drita e ditës e ndriçote shkretëtirën që i kërcënonte t’ua mbushte sytë me rërë. Ata ecnin ngadalë. Djali u printe. Dielli i nxehtë, filloi të përvëlonte me shpejtësi.
Mundimi dha shenjat e veta tek Abrahami. Ritmi i hapave të tij u bë më i ngadalshëm dhe ritmi i frymëmarrjes së tij më i shpeshtë. Ai kërkonte të pushonin herë pas here dhe Agar pranonte, duke e fshehur shqetësimin e saj.
Natën ata flinin mes shkureve, sepse nuk kishin si të mbroheshin nga temperaturat e ulta të natës në shkretëtirë. Dhëmbët e Abrahamit kërcisnin nga të ftohtit. Qysh se u kthyen nga Egjypti në Kanaan ai qe mësuar me një jetë të mirë e të rehatshme. Ai nuk dilte për kullotje nëpër fusha, çarçafët e tij ishin prej pëlhure të butë dhe çadra e tij ishte gjithnjë e ngrohtë. Sakrifica që po bënte për Agarin dhe të birin ishte shumë e rëndë për të, që ta përballonte.
Ditën e dytë e pati edhe më të vështirë të lëvizte nëpër rërën zhytëse të shkretëtirës. Agari e përkëdhelte me dashuri.
“Nëse do ta vazhdosh rrugën me ne mund edhe të vdesësh në shkretëtirë, – i tha me butësi Agar, – e unë s’dua të jem përgjegjëse për vdekjen tënde. Kthehu në shtëpine tënde Abraham! Unë do të vazhdoj të të dua gjithë jetën time!”
Ai nuk pranoi. Vapa dhe vështirësitë e rrugës bënin punën e tyre. Në mbrëmje Abrahami iu nënshtrua fjalëve të Agar-it dhe me zemër të thyer vendosi të kthehej në shtëpi. Ajo e pajisi Abrahamin me pak ujë që iu kish mbetur dhe pak bukë. E përqafoi me ngrohtësi, ndërsa lotët i rridhnin rrëke, kur mbeti vetëm me të birin.
Abrahami u kthye në trojet e veta me forcat e fundit. Sara buzëqeshi e kënaqur kur e pa. Ajo kërkoi të fliste me të, por ai e shmangu, dhe shkoi në çadrën ku jetonin Agari dhe Ismaili dhe u shtri në rrobat e tyre. Aroma dehëse e trupit të Agarit, ishte akoma në ajër, dhe ai e ndjeu veten më të vetmuar se asnjëherë…

Abrahami - Agar dhe Ismaeli
Abrahami – Agar dhe Ismaeli

Larg, shumë larg prej aty, Agari po vazhdonte rrugën nëpër shkretëtirë duke mbajtur përdore Ismailin. Zemra e saj ndihej bosh dhe buzët e saja ishin të çara. Uji që kishin marrë me vehte mbaroi shpejt dhe etja i pushtoi të dy, nënë e bir.
Shkretëtira u tregua e mizore me ta. Ata humbën në dunat me rërë pa e ditur se nga të shkojnë. Nuk binte në sy asnjë çadër, asnjë oaz, asnjë kalimtar. Ismaili kërkoj të pinte ujë por kacekët e ujit që kishin me vete tashmë ishin bosh. Me dëshpërim ajo e la djalin pranë një shkurreje që t’i bënte atij pak hije. Ajo ndjeu se forcat po e linin, këmbët nuk po e mbanin më. E dëshpëruar u shtri pak më tutje nga djali duke pritur vdekjen. Sytë e saj të rraskapitur, të mbyllur përgjysëm vështronin rërën e shkretëtirës që e përvëlonte… kur papritur si në ëndërr iu shfaq ëngjëlli i perëndisë. Ai i tregoi me gisht përtej kodrës. Ajo e dëgjoi zërin e tij që po e urdhëronte të shkonte në drejtimin që ai tregonte. Ajo u zvarrit, me forcat e pakta që i kishin mbetur, në vendin që i tregoi ëngjëlli i perëndisë dhe s’u besoi syve të saj. Përballë saj gurgullonte ujë i vërtetë, brënda pusit të fshehur nga shkurret. Ajo i mbushi kacekët prej lëkure me ujë dhe nxitoi te i biri, buzët e të cilit ishin djegur nga etja. Pastaj piu edhe ajo vetë. Vdekja që e ishte aq pranë u largua. Ajo filloi të ndjejë t’i vinin forcat. Thellë në zemër, ndjeu se Perëndia ishte ajo që e shpëtoi nga vdekja të birin edhe atë vetë.
Rruga u gjet shumë shpejt. Ajo dhe djaloshi vazhduan të ecin së bashku, tashmë të freskuar dhe plot shpresë. Nga larg filluan t’u shfaqen çadrat. Kur mbrritën pranë tyre njerëzit u dhanë bukë dhe strehë për të pushuar e për ta marrë veten. Prej aty rruga për në Egjypt iu duk e shkurtë.

Kaluan ditë, kaluan muaj, kaluan vite.
Ismaili u rrit e u bë burrë. E ëma e martoi me një grua të pasur egjyptiane, kurse ajo vetë nuk rreshti së menduari për Abrahamin. Ajo shpresonte ta shihte atë së paku edhe një herë. Shpesh asaj i kujtoheshin ditët e dashurisë së tyre të zjarrtë dhe sytë i mbusheshin me lot. Natën shihte ëndrra sikur të dashurin e zemrës së saj po e varrosnin. Ndarja nga Abrahami la tek Agar shenjat esaj. Ajo u mplak shpejt, forcat filluan ta linin dhe trupi i saj u dobësua. Ismaili i propozoi të shkonte të jetonte me të, por ajo nuk pranoi.
“Dua të rri vetëm, me kujtimet e mija!” – iu përgjigj Agari të birit.
Dalëngadalë Abrahami u mësua me mendimin se nuk do ta shihte kurrë më Agarin. Jeta pranë së shoqes ishte bërë e pakuptim. Nga malli për Agarin dhe Ismailin s’e zinte gjumi natën. Ai pyeste veten, se çdo të jetë bërë me ta vallë; A u ka ecur fati; A mendojnë më për të; Apo e kanë harruar?!
Ai u vinte rreth trojeve të veta me kurriz të përkulur nga vuajtjet e shpirtit dhe nga pleqëria, dhe gjente ngushëllim vetëm në praninë e Izhakut, i cili e vizitonte shpesh.
Edhe jeta e Sarës s’ishte më si më parë. Hidhërimi i hyri në thellësi të shpirtit dhe mosha e saj tashmë e thyer, bënin punën e tyre. Kur vdiq Sara, e shoqëroi Abrahami, në krye të kortezhit në shpellën e varreve të dyfishtë, në Hebron, mbështetur në krahun e Izhakut. Gjatë rrugës ai mendoi për jetën e tij me Sarën. Vallë, a do të sillej ndryshe sot, pyeti ai veten, a do të shmangte romancën e tij me Agar-in duke ditur dhimbjen që do t’i shkaktonte Sarës? Jo! Ai s’mund të sillej ndryshe. Dashuria e tij për Agar-in ishte më e fortë se ai, më e fortë se dashuria për Sarën.
Kur u kthye në çadrën e tij, mbas varrimit të Sarës, në mendjen e tij vërtitej një mendim vetëm. Ai donte ta shihte përsëri Agarin dhe Ismailin. Ky mendim s’e linte të qetë. Ndaj digjej nga dëshira, qoftë edhe një herë të vetme, ta përqafonte Agarin dhe të përkëdhelte kokën e Ismailit. Dëshironte t’i dëgjonte zërat e tyre, t’i shihte fytyrat e tyre dhe të dinte se ç’kish ndodhur me ta.
Abrahami dërgoi njerëz në Egjypt që t’i gjenin të dashurën e tij dhe të birin. Pa të dhëna të sakta mbi vendndodhjen e tyre. Njerëzve të Abrahamit iu desh shumë kohë për të kërkuar… së fundi ata gjetën Ismailin, i cili iu rrëfeu për vdekjen e nënës së tij.
“Tët eti po i afrohet fundi, – i thanë Ismailit, – nuk i kanë mbetur edhe shumë ditë për të jetuar. Ai do të të shohë përpara se t’i mbyllë sytë!”
Ismaili nuk hezitoi aspak e në vend iu përgjigj:
“Do të vij menjëherë!”
Kur mbrriti në Kanaan, e gjeti Abrahamin të shtrirë në shtrat, me duart që i dridheshin. Ia përkëdheli duart Ismailit, dhe nga sytë i rrodhën lotë, kur mori vesh se Agari kish vdekur.
“Jam i gëzuar që arrita të të shoh sa jam gjallë! – pëshpëriti me zë të pafuqishëm.
Me të mbritur Izhaku, hodhi vështrimin nga Ismaili dhe e njohu. Nga koha e fëmijërisë nuk ishin takuar. Izhaku e përqafoi Ismailin me shumë mall e dashuri. Ata filluan të flasin për kujtimet e fëmijërisë së tyre. Asnjëri s’e zuri me gojë sjelljen e Sarës, ndaj skllaves dhe birit të saj, nuk folën as për largimin e tyre nga trojet e Abrahamit. Ata donin të hidhnin tutje çdo kujtim të keq të asaj jete.
Abrahami vdiq mbas disa ditësh. Ismaili së bashku me vëllanë e tij Izhakun e shoqëruan Abrahamin në banesën tij të fundit. Të heshtur dhe plot emocione ata qëndruan përballë varrit të tij në shpellën e dyfishtë në Hebron. Të ngashëryer, ata kryqëzuan me njëri-tjetrin duart, në shenjë dashurie e vëllazërimi.
01.08.2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.