back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026

Zef Zorba dhe arti i fshehur: – një poet që jetoi në izolim, por shkroi përtej kohës së vet

Gazeta

Zef Zorba (1920-1993)
Zef Zorba (1920-1993)
Zef Zorba dhe arti i fshehur:
një poet që jetoi në izolim, por shkroi përtej kohës së vet

Afërsisht në të njëjtën kohë me Camajn do të shkruante në heshtjen e tij desidente, hermetiku i parë i letërsisë shqipe, Zef Zorba. Ai, me librin e vet “Buzë të ngrime në gaz” paraqet poetin që në kushtet e izolimit total, “arrin të ndjekë hap pas hapi kohën e vet, atë kohë që lëvizte aq vrullshëm përtej kufijve”.

Me vargjet e tij të panjohura në letërsinë shqipe, vargje këto me një natyrë të komplikuar stilistike, të vështira për t’u kuptuar pa patur një përgatitje e qartësi estetike, ai është i gjithi larg poezisë tradicionale. Ndaj themi se Zorba është i pari poet hermetik shqiptar që jetoi e krijoi brenda vendit të vet.
Ardian Ndreca në “Zef Zorba: Një poet i lindun në kohna të mbrapshta”, “Hylli i Dritës”, 1-2010, shprehet: “Zef Zorba, së bashku me Martin Camajn, janë të vetmit poetë të mirëfilltë hermetikë që ka letërsia jonë bashkëkohore”. Kuptueshëm vepra e tij u njoh vetëm në vitin 1994, botuar nën kujdesin e Stefan Çapalikut, një libër ky, jo vetëm i shkruar një gjysëm shekulli para botimit, por edhe i harruar për po aq kohë, “tue qenë që atëherë pranë nesh, jo vetëm në kohën fizike, por edhe në atë estetike”.
Çuditërisht pra, edhe pse i ndryer “hermetikisht” në “parajsën” e socializmit, poezia e Zorbës nuk e vuajti izolimin, përkundrazi ka vetëdijen e teknikave moderne bashkëkohëse “të mjeshtërisë së një Ungareti, apo një Kuazimodos, të forcës shprehëse të një Debysije, apo të një Faureje”. (“Shpejto prandverë!/ Kjo shpresa à i tharm që shpirtin brenë ma keq/ se urithi dhenë”.)
Zorba zgjodhi rrugën e shkrimit të një poezie që i çlironte shpirtin dhe i konfirmonte qënien e tij si njeri i lirë. Në vitin 1996, juria prestigjoze e vlerësimit të veprave letrare i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”, për vëllimin poetik “Buzë të ngrime në gaz”, me këtë motivacion: “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipëri që artistikisht dhe moralisht e rimerrshin fillin e këputur” të vazhdimësisë së letërsisë shqipe dhe e rimëkëmbnin lidhjen me rangun e saj të lartë që kishte fituar me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi”.
Regjisor i vendosjes në skenë të “Juda Makabe” të Fishtës me Shtëpinë e Kulturës, në vitin 1945. Zef Zorba është edhe autor i libretit të operës “Rozafa”, të të riut të talentuar të asaj kohe, Ndoc Pistullit, vepër kjo që lindi dhe mbeti në errësirën e diktaturës e që s’mund t’i vihej në skenë autorëve me “cene” në biografi.
Duke shfrytëzuar rastin të shkruaj diçka për autorët e talentuar të kësaj opere, Ndoc Pistullin e Zef Zorbën, shtojmë se vepra ishte një bashkëpunim i frytshëm i dy mjeshtrave të talentuar, që njihnin mirë e realizuan mjeshtërisht në vepër elementët përbërës të një opere: ariozën, arien, duetin, trion, kuartetin, koralet si dhe momentet e gjetura në kohë e vend për përshkrimin e situatave vetëm përmes orkestraleve. Legjenda e Rozafës është trajtuar në vepër, jo duke mbetur në legjendën, së cilës i afrohet dhe i largohet, duke ia mbërritur një përgjithësimi artistik.
Muzika e operës së Ndoc Pistullit, e analizuar nga njohës e mjeshtra të kësaj gjinie të muzikës, rezulton një krijim me vlera funksionale artistike, deri në orkestracionin mjeshtëror të Pistullit ku shquhet tingëllimi modern në “Tutti orchestra”.
Marrë nga shkodrazone.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.