back to top
17.2 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

“Zbulimi” i vetes përtej gruas-poete, në poezinë e Marsela Nenit – analizë nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi
“Zbulimi” i vetes përtej gruas-poete, në poezinë e Marsela Nenit
analizë nga Emrije Krosi

Poezia femërore po merr jo vetëm përmasat e një poezie sa moderne dhe postmoderne, por dhe një poezi që po dominon tregun libror duke krijuar një brez të ri lexuesish, që “gjurmojnë” vlerat por dhe atë që quhet ndryshe, poezia/letërsia femërore apo penat femërore. Femrat “ushtrojnë” më shumë ndikim tek lexuesit, pasi janë një pasqyrë e realitetit ku jetojnë. Përmasat e imazhit poetiko-letrar, femrat shkruese nuk i “himnizojnë” përmes subjektivitetit, por e de/familjarizojnë atë. Ato, e thyejnë surrealitetin mashkullor, me nje realizëm aq dhembës, kur përshkruajnë vetëveten si “qenie akoma të nënshtruara”, përballë patriarkalizmit të shoqërisë shqiptare, ku dominancën e kanë akoma meshkujt. Poezia femërore shqiptare i ka fillesat që në vitet ‘60-të. Gati treçerek shekulli, plotëria e botës femërore shqiptare shpaloset përmes konceptit feminizëm dhe femërore, që kur lindi kritika feministe (Moi: 1985),  jo vetëm si shqetësim për  gjininë në letërsi, por (një praktikë teorike dhe kritike që i shërben luftës kundër patriarkalizmit dhe  seksizmit), kritika feministe mund të përdorë çdo metodë apo teori, por qëllimi është që teoritë feministe  mos të qasen si modele sociale dhe personale mes sekseve, por modele të mendimeve të pavarura dhe të lira. Mendimi konceptual feminist, se femrat janë të viktimizuara intelektualisht, dhe gratë trajtohen si viktima të  përjetshme të punës së burrave  (Spender: 1982: 136),  “rrëzon”  çdo formë patriarkaliteti se fati e të qenit femër, apo femër shkrimtare, nuk janë të barabarta me vizionet mashkullore, në art, ekonomi, politikë, sidomos në letërsi. Shpeshherë konfuzioni  në botime dhe media, për feminizmin dhe të shkruarit femëror (Coward: 1980: 84), cënon dhe dallimin mes femërores dhe feminizmit, që duhet të qartësohet, se “femërorja”, lidhet me edukimin dhe “femra” me natyrën. Një model i tillë në Shqipëri mungon, se femrat janë (a)tipike të vendimeve mashkullore, si në familje, shoqëri dhe letërsi, prandaj libri me poezi Nântë herë grue(Neni: 2023), është një libër, ku shpirti femëror i gruas klithmon dhe rebelohet ndaj padrejtësisë së saj si femër, por dhe gjithë maskilizmit “skllavërues” mashkullor, në çdo shoqëri dhe çdo kohë. Libri ka një stukturë të tillë:

Pjesa e parë: [unazë gjaku]; me nën/ndarjet;

nëndarja e parë: (vajza): kur thyhen klishetë/ trarët, pushkët. Vajet nuk qajnë/ hëna bëhet petull/ dielli lind dy herë/ poezia zbret lartësive, me rreth 35 poezi, sendërton një kundërshtim mes vetes dhe botës, mes vajzës dhe poetes, mes gruas dhe nënës, ashtu si vetë kundërvëniet metaforiale të fjalëve: [pluhur-rërë/ ujë-kripë, dhé-qiell, burrë-grua]; 

nëndarja e dytë: (rrënjët), me 6 poezi. Vargu: O muzë!/ Kujt t’i këndoj më parë/ asaj që s’u bëra/ apo asaj që jam, përngjasmim me Iliadën: këndo, hyjneshë, mërin e Akil Pelidit/ që shumë hidhërime e kobe akejve u solli… (Iliada, kënga I: 2015), i jep forcë poezisë si një thirrje  klithmuese të poetes se “Femna s’asht Njeri” (Dushi: 2020), ngjesh dhe ngërthen “thekun e premw” të Kanunit, se: “Grueja asht shakull me bajtë” (Kanuni: krye i pesët/ nyje 29), duke e trajtuar atë jo si qenie, por thjesht “thes me bajtë”. Autorët postmodernë nuk e konceptojnë origjinalitetin si shpikje “ex nihilo”, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti, që në postmodernizëm, shpjegimi i këtij procesi kthehet në parim krijues dhe njihet me emrin “poioumenon” (Fowler: 1989: 16), në formë riciklimi apo “përmbysjeje” idesh.

Pjesa e dytë: [unazë zjarri], me nënndarjet;

nëndarja e parë: (gruaja) me 21 poezi, vargjet: vetëm atëhere kuptova/ pse zgjidhja atë parfum/ për ta mbajtur mes gjijëve… nga poezia “Aromë gruaje”. Kodet dhe funksionet gjuhësore, poetike të poezisë postmoderniste, vijnë përmes kuptimësisë:

a.në kuptimin e përcaktuar nga poezia,
b.mbi obkjektivin drejt lexuesit nëpërmjet shenjave të fjalëve,
c.për/mbi domethënien dhe marrëdhënien tekstore,
d.për kuptimin dhe vetëdijen,
e.mbi konceptin dhe situatën,
f.si referencë mbi/ dhe realitetin, që vetë ekzistenca semiotike nuk është vetëm një narrativë potenciale (Fointanille: 1989: 348) e një gruaje, që lëviz jo vetëm brenda vetes dhe poezisë, por dhe brenda dashurisë, duke shkrirë horizontin e të shkuarës dhe të tashmes.

nëndarja e dytë: [ishuj] me 3 poezi, ndërtuar në formë poeme, si magji e metaforave që herë-herë ngjasojmë me receptimin e hermetikëve duke kumtuar larushi të “figurave radikale”, se dukuritë shenjuese, janë motive lëvizëse metaforike me lidhje associative/ emotive, si mënyra abstrakte të thënies. Veçantia diskursive në kuptimin gjithëpërfshirës të saj, në trajtën e simbolit, nëpërmjet simbolikave personale, nuk humbet në shtjellën poetike, por ajo është në kërkim të njeriut, si ngadhnjim mbi heshtjen, se brendësitë ideo-estetike janë ligjërime, që nuk mund të tjetërsohen. Mëtimi i një poezisë e shkruar nga një femër është “një mënyrë specifike e trajtimit të një objekti” që merret me poetikën dhe stukturën poetike, përmes zgjerimit dhe përshkrimit, si provinca e femrës (Spiegelman: 2005: 84), se qenësia e vetë autores femër, nënë, dhe grua, ngrihet dhe bie po nëntë herë, (analogji me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, pra si qëndresë ndaj të keqes/ dhimbjeve/ vuajtjeve etj.).

nëndarja e tretë: [syri i tretë] me 4 poezi, në analogji me Trininë e Shenjtë. Metafora e numrave [3/7/21], dalin përtej Syrit Hyjnor, apo pse jo, por dhe në të kuptuarit e botës numerologjike dhe simbolike, të një prej qytetërimeve më të mëdha të lashtësisë egjiptiane, përtej Syrit të Horusit.

Pjesa e tretë: [unazë fryme], me nënndarjet;

-nëndarja e parë: [luleve të vetes] me 7 poezi: vargjet: bija ime/ sa e bukur është dashuria jote/…/ fati ynë është me dashtë, nga poezia “Fati ynë është me dashtë”, se vetë pjesa bën lidhjen mes vajzës/ nënës/ gruas, përmes Pemës së Tamlit= [Gjyshe+Nanë+Vajzë]. Njëjtësimi i unit poetik autorial me persiatjet e metaforës emërore: hijet e mia (shumës), imazhi i vetes i pasqyruar në formën e hijes, si materie e padukshme (jashtë fizikes), ku femërorja është aq këmbëngulëse. Fjalët në poezi janë të lidhura me dukuritë shkakore jo thjesht një “letraritet”, por trope të metaforës së pasqyrimit të vetes përtej vetvetes (Bloom: 1975: 31), se ajo e ushqen shpirtin me ndjesi të reja, me larushi temash plot shqetësime jetësore, nëpërmjet temperamentit impulsiv. Metoda dhe intuita zëvendëson qëllimin, duke ndjekur një teori ekspresioniste dhe konstruktive, nëpërmjet asgjësimit të vetë post/modernizmit që decentralizon autoritetin dhe përqafon pluralizmin (Ashton: 2005: 17), duke inkurajuar një pikë “panoptike” ose të shumëanshme të pamjes.

-nëndarja e dytë: [ashti] me 7 poezi. Trasmentimi i lidhjes përmes brezave, nëpërmjet Pemës së Tamlit, kumtimëson këtë varg të mrekullueshëm antologjik: duhet të kesh sy fëmije/ për t’i parë mrekullitë/ nga poezia: “Nëna ime kishte dhjetë duar”, pasi bota femrore është përcaktuar si bota që bën “çdo gjë dhe gjithçka”, se kur thuhet se femrat kanë “shtatë shpirtra” (në formë metafore fyese), por ata kanë shumë duar që bëjnë njëkohësisht shumë punë, por kurrë nuk vlerësohet puna e tyre, që “quhet e rëndomtë”, si “skllave” apo “pastruese”, që poetja Neni, jo vetëm nuk e pranon, por e refuzon me forcë.

-nëndarja e tretë: [degë jetë] me 22 poezi. Vargjet: në valixhen pak tesha, në qeska pa ajër paketuar/ dashuritë, zhgënjimet/ ora e vjetër e florinjtë në amanetin e gjyshes/ akrepathyer. Kjo është “paja”, nga poezia “Dhimbja vishet nuse”, vazhdimësia është dega e jetës, pasi postmodernizmi, realizmi është thjesht një nocion mashtrues jokoherent dhe tregon një papërcaktueshmëri radikale, në të kundërt, nuk ankohen për idenë e fragmentimit ose inkoherencës, por më tepër që e teston atë në artin shkrimor. Në këtë mënyrë, poezia e Nenit bashkon përvojat e saj edhe si artiste postmoderne, edhe si poete femër, që merret me trupin dhe ndjenjat femërore, si dhe lidhjen e saj me realitetin bashkëkohor, por dhe ajo personalizon këtë eksperiencë që kalon nga shpirti-zemra-mendja. Ajo nuk mund të shpëtojë nga përvojat, fantazitë dhe ndjenjat e saj të fëmijërisë, teksa dominojnë jetën e saj mendore (Moramarco: 1989 : 8), duke shtuar në këtë mënyrë shumë elemente personale në poezinë e saj. Poezitë përfshijnë dhe çështjen e gjinisë. Si një poete femër, Marsela ekspozon shqetësimet e saj nga pikëpamja feministe dhe gjinia e saj duket se ndikon në vargjet e saj. Rrethi i “vdekjes” dhe “rilindja” në poezi, mund të jetë gjithashtu një aludim për synimet e postmodernisteve femra.

-nëndarja e katërt: [gjerbë malli] me 7 poezi. Simbolika e numrit [7 (shtatë) shfaqet shpesh në kulturë dhe histori. Për shembull, janë shtatë mrekulli të botës, shtatë ditë të javës, shtatë rrathë të universit, shtatë mëkate dhe shtatë nota bazë muzikore. Ndërsa për krishterimin, Zoti përfaqësohet nga rrethi i shtatë, i cili ndodhet në qendër të shtatë rrathëve të krijimit. Sipas traditës hebraike, shtata është numri i inteligjencës, ndaj ka shtatë Ditë të Shenjta në vitin hebraik], kjo dëshmohet edhe në traditën tonë popullore të bartur brez pas brezi beja në shtatë palë tokë e shtatë palë qiejve (Namani: 2024).

Pjesa e katërt: [çeltinë (njeriu)] me 15 poezi. Jam një shpirt i vulosur/ në një shishe/ jo rastësisht vala më nxori/ në bregun tënd/ që të më merrje ti ndër duar/ e të shkundullonte qielli im/ nga trandja jote, poezia: “Të më merrje ti ndër duar, poetja dallohet për zhvendosje psikologjike më komplekse, të cilat ngrejnë pyetje për identitetin e saj poetik. Kërkimin e vetvetes përmes eksplorimit të saj, me peizazhe të brendshme, duke u angazhuar thjesht në një dialog të brendshëm, prezanton elementet e zërit publik dhe kuptimin, që vetëvetja mund të ekzistojë dhe të përkufizohet në hapësirë ​​dhe kohë, atë që Bakhtin e përcakton si kronotop kohor/ hapsinor. Dyshimi  se postmodernizmi, në mënyrë efektive ndalon eksplorimin e subjektiviteve (të ndrydhura) nga/ dhe në emër të grave (Di Stefano: 1990: 254), sado pozitiv që mund të duket ky pluralizëm në këtë rast,  ka ndryshim midis vendeve të ndryshme dhe kohëve të ndryshme dhe gjithashtu, midis gjinive (sekseve) të ndryshme. Lidhja e kryesemës [grua] me gjithë stukturën e veprës:

       
       
 

Pjesa e pestë: pasuria leksiko-gjuhësore dallohet për një gjuhë të pasur; për metaforat, krahasimet, përsëritjet, përdorimi i parafjalëve/ lidhëzave bashknënrenditëse/ pjezëzave/ përemrave/ ndajfoljeve/ trajtave të shkurtra/ foljeve kam/ jam/ parashtesave/ prapashtesave etj.

-Fjalëformimi: dymbëdhjetë/ mbijetesës/ përshpirtesh/ nëkundërrryma/ jetëvdekjet/ përjashtësohen/ përplotësi/ antinarciz/ pulëbardha/ këmbësorkadhe/ eshtërpërvjedhur/ përhurëmishtë/ nazemëndafsh/ cipëfildish/ limanprehje/ magjiplotë/ fundoqean/ jetëvdekjen/ përngjas/ buzëqeshje/ përhumbur/ shpirtqiell/ papenduar/ kryefjalët/ pikëçuditjet/ panginjur/ parathënë/ frymëmarrje /përhumbjes/ pakuptuar/ paçmuar/ bishtfikurit/ aromëkafen/ tejpërtej/ zemërshkulur/ gjysmëplot/ xhepashpuar/ ngamot/ pavlerësuar/ pafjala/ përkora/ përhirimin/ jashtëbotshme/ tungjatjeta/ kapërdredhur/ buzëndezur/ titakoj/ buzëndezur/ aromëbruztën/ përndezur/ gjithçkaje/ përjetësie /ujëvarë /pazëvendësueshme / çajëmali/ vetëmbështillem/ pangjashmërisht/ matanë/ çastshkrepjeje/ syperënduar/ mosdashnisë/ përdredhin/ papërkulura/ përgjumura/ pamëkat/ dritëhije/ bashkëtingëllorja/ symbyllur/ frymëfëshfërimë/ përvjedhur/ ujdhesë/ arqipelag/ drejtpeshimin /harkhënat/ fundbotës/ përgjysmë/ krahëthyer/ tjetërbotë/ zorshkrueshme/ paputhura/ patakt/ paturp/ vetëshpall/ vetëveten/ përdredh/ përkryer/ buzëmbrëmjen/ lëkurëzedhkët/ mirënjohëse/ përjetshëm/ pafundëm/ sypërhitura/ shtojzavalle/ shpirtkulluar/ symbyllje/ magjiplotë/ përditën/ shumëvjet/ zhurmëmëdha/ duardashuri/ fatbardhë/ buzëqeshun/ papërsosmërisht/ mbijetuar/ panginjur/ dritëhijeve/ këpucëgrisur/ mirëkuptomë/ mirëpresin/ kurrëkundit/ keqardhjeje/ syçelë/ tejpërtej/ buzëplasur/ stërkala/ pasosuna/ pashpërthyer/ stërkëmbësha/ bashkëlumnuesi/ sypërvëluar/ qiejqëndisur/ akrepathyer/ tripikësh/ ëndërrvrarët/ përhumbur/ shpirtthyemi/ gjasendi/ përplasë/ përdorë/ disavargëshe/ floknajë/ gjithnji/ përtejposhti/ bashkëshorte/ çeltinë/ vetëpërsosje/ muzikëkulluar/ pëshpërima/ përthyer/ ripërtypur/ saporënë/ parëvere/ ndonjëherë/ përndrisë/ tjetërkush/ sivdekur/gjysmëhyjnesh/ magjiplotë/ përgjakura/ qimekuq.

-Trope metaforike: shpirti në bebe të syrit/ pasion që më veson/ ekstazë që feks në fluturim/ një xhep rrugë/ndonjëherë/ ngjyrë dashurie/ jastëkë resh puplore/ në batanijen e butë të qiellit/ shpirtit përmbytet/ mes ëndrrash të ujshme/ zemra i thinjet bukur/ të dhemb qielli i syve/ në vallen krahëhyer të frymës/ me erën kërcen/ një natë mbolla një ëndërr/ me ylberin shtrënguar ndër dhëmbë/ si malli i maleve/ zgjim i blertë/ kurthe të lëngëta/ koha thinjet bukur.

-Fjali urdhërore: Shko të flesh!
-Mallkim: – Oh… Mos qofsh…!
-Lutje: “Zoti ua bëftë dritë!”
-Enumeracione: udhët/ hapat/ gjurmët/ dhimbjet/ gjak/ jetë/ dhè/ qiell/ yje/ hise.
-Fjalë nga leksiku gegnisht: shitues, trandet, çeltinë, Parriz, prajshëm, mirrë, harlis, andje, bujtem etj. 

Zemërshkulur
mallin e thura vargje                   elipsa
polosidentët shkallë                                               
zemrën me zor mbarta nga vargu në varg
larg më shtyu baticët e kohës, sa larg!  

Epiteti  – një gjethe si ar, i buzëqeshur shkon
Onomapete: Dinggg-dooong/ shshshshtt.
Pjesëza [s’]  s’murë/ s’e din/ s’kurseu/ s’ka/ s’dua/ s’është
kalben
këcasin
ngrihen prej tokës    asidenti
zverdhen
vallëzojnë
me u përqaf
me u rrotullue n’ajri
me u ni gjallë                                trajtat e paskajores    
me u shpitrnue paprâ
me zjarrmue n’dimën
me dashtë e me u dashtë

…më ngjan tjetër kohë
…gruaja lind në këmbë
nga xhepi pa liri…             retiçencat
nga netët pa hënë…
nga gjumi pa ëndërra…

                                 pa i njomur fjalët
     anaforat            pa i dashur fjalët         epiforat
                                   pa i ndritur fjalët

                      disa çelin ditën
                      disa gjallnojnë
 përsëritja     disa ndjekin diellin
                     disa hijen freskojnë ndër vete
                    disa tekanjoze duan shumë kujdes
                    disa lulnojnë kudo kurmi t’ua vesh

Së fundmi: Poezia e M. Neni-t, është një poezi që ka një gjuhë të mbushur me një figuracion jo vetëm nga letërsia dhe mitologjia jonë shqiptare, por dhe nga mitologjia e vjetër greke-romake, përmes poezisë filozofike dhe mendimit. Se ndërtimi i rrymave përmes [izmave] si: absurdi, ekszistencializmi, modernizmi, postmodernizmi, surrealizmi, imazhizmi etj., pasurojnë poezinë shqipe femërore postmoderniste, përmes një kolazhi mozaiku gjuhësor, si pasuri, kur vlerat e gjuhës shqipe po bjerren çdo ditë, nga “gjuha” e internetit.

Marsela Neni
Marsela Neni

Bibliografia:
1.Ashton, Jenifer: (2005): From modernism to Postmodernism, Cambridge University Press. 
2.Bloom, Harold. (1975): The Anxiety of Influence, New York.
3.Coward, Rosalind: (1980), This novel Changes Women’s Lives: Are Women’s Novels Feminist? “Feminist Review”, 5, XX-XX.
4.Di Stefano, Christine.  (1990): “Dilemmas of Difference: Feminism, Modernity, and Postmodernism.” Feminism/Postmodernity. Ed. Linda J. Nicholson. London: Routledge.
5.Dushi, Ledia. (2020): Femna s’asht njeri, “Bard”, Tiranë.
6.Fontanille, Jasques: (1989), Les spaces subjectifs: introduction à la sémiotique de l’observateur, Hachette, Paris.
7.Fowler, Alastair: (1989), The History of English Literature. Cambridge: Harvard University Press.
8.Gjeçovi O.F.M, Shtjefën: (2018), Kanuni i Lek Dukagjinit, “Kuvendi”, Lezhë
9.Homeri. (2015): Iliada, përkth: Gjon Shllaku, “Onufri”, Tiranë.
10.Moi, Torill: (1985), Sexual/TextualPolitics: Femisnit Literary Theory, London.
11.Moramarco, Fred. (1989):  Modern American Poetry. Twayne Publishers, Boston.12.Namani, Qazim. (2024): Simbolika e numrit shtatë (7) në kulturën tonë popullore dhe te popujt me qytetërim të lashtë, “Dielli” USA:
https://gazetadielli.com/simbolika-e-numrit-shtate-7-ne-kulturen-tone-popullore-dhe-te-popujt-me-qyteterim-te-lashte/
14.Neni, Marsela. (2023): Nântë herë grue, “Klubi i poezisë”, Tiranë.
15.Spenser, Dale: (1982), Women of Ideas and What Men Have Done to Them, London.
16.Spiegelman, Willard, (2005), How Poets See the World: The Art of Description in Contemporary Poetry, Oxford University Press.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.