
Zaptimi Italian i Shqipnisë (7 – 12.04.1939)
Zaptimi Italian i Shqipnisë (7 – 12.04.1939), filloi të premten e zezë. Italia fashiste e ndërpreu zhvillimin progresiv dhe prosperues që e kishte bërë Shqipnia gjatë 11 viteve te mbretërisë shqiptare (1928 – 1939), me në krye Mbretin e Shqiptarëve., Ahmet Zogun.
Shqipnia, ishte nji ndër viktimat e para e nazi-fashizmit, gjegjësisht e boshtit Berlin – Romë, të cilëve ju bashkua edhe Japonia.
Synimi i tyre ishte që me të gjitha mjetet duke përdorur edhe luftën zaptuese, të diktojnë një rend të ri botëror, ku ata do ta kishin fjalën kryesore.
Fuqitë e mëdha demokratike, me çdo kusht tentuan t’i ikin një lufte të re botërore, një tmerri që njerëzimi e kishte përjetuar vetëm dy dekada më parë. Në kontekst të kësaj u sakrifikuan disa shtete, për t’i plotësuar apetitet e sëmura fashiste, me qëllim të evitimit të luftës së madhe.
Në vitin 1936, Musolini e zaptoi Etiopinë.
Në vitin 1938, Hitleri e aneksoi Austrinë
Me 15.03.1939, Hitleri e pushtoi Çekosllovakinë
Me 07.04.1939, Italia fashiste e pushtoi Shqipninë.
Të gjitha këto veprime antinjerëzore të fuqive të boshtit, u bënë para syve të mbyllur dhe para veshëve të shurdhër të botës demokratike. U tentua të evitohet Lufta e Dytë Botërore me sakrifikimin e këtyre shteteve dhe me marrëveshje të fshehur në mes të Hitlerit dhe Stalinit për ndarjen e Polonisë.
NMT Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, dy vite më parë e kishte paraparë Luftën e Dytë Botërore.
Ambasadori i SHBA-së Hugh G. Grant, e përshkruan kështu takimin me Naltmadhninë:
“Fuqitë e Mëdha qenë duke kërkuar pozita të favorshme në rast të një ndeshje botërore. Mbreti Zog, në një nga audiencat që pata me të, me 1937, më paralajmëroi se një Luftë e Dytë Botërore do të plaste brenda dy viteve. Profecia e Tij u vërtetua. Mbreti Zog ishte nje studiues i hollë i punëve ndërkombëtare dhe ishte i informuar mirë mbi skenën politike evropiane.”
Mbreti Zog I, i hudhi poshtë të gjitha kërkesat Italiane dhe refuzoj të bëhet vasal i Italisë fashiste.
Kërkesat për ndihmë diplomatike dhe ushtarake të Mbretit Zog I dhe qeverisë Shqiptare drejtuar me kohë fuqive të mëdha demokratike, hasën në vesh të shurdhër. Shteti shqiptar u la në mëshirën e njerës prej fuqive më të mëdha botërore, andaj shpëtim nuk kishte.
E Premtja e zezë, e shtatë Prillit 1939, ishte fillimi i robërisë dhe mjerimit fashisto-komunist të Shqipërisë për plotë 51 vjet. Pasojat e kësaj periudhe kohore gjysëm shekullore po i ndjejmë edhe sot.
Kjo histori shërbeu si leksion, që fuqitë e mëdha demokratike mos ta përsërisin të njëjtin gabim në shkurt të vitit 2022 me rastin e agresionit rus në Ukrainë.
Faktikisht, pushtimi italian i Shqipërisë në prill të vitit 1939, shënon fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe jo 9 shtatori i atij viti, kur Gjermania naziste sulmoi Poloninë dhe për disa ditë e detyroi të kapitulojë.
Gazeta franceze – Le Journal – e 8 Prillit 1939 shkruan: “Shqipëria mbrohet nga invadimi italian.”
Edhe përkundër rezistencës së madhe të trupave ushtarake të Mbretit Zog, agresorët me armatime të rënda dhe të fuqishme ushtarake, arritën të fitonin terren në vendet kyçe bregdetare, Durrës, Shëngjin, Vlorë, Sarandë… (V. Makolli)