back to top
23.8 C
Tirana
E hënë, 15 Qershor, 2026

Xi Jinping – Reformatori dhe me rezultate të pabesueshme

Gazeta

Familja e Xi Jinping
Familja e Xi Jinping
Xi Jinping – Reformatori dhe me rezultate të pabesueshme

Xi Jinping i bën 73 vjeç me 15 Qershor të këtij viti.
Është Shefi i Kinës prej 14 vitesh (prej vitit 2012)

Ai nuk është produkti tipik i një militanti partie. Jetën e ka pasë goxha të vështirë dhe ka ditur të mbijetojë dhe të jetë shembull kudo ku jeta e ka hedhur. Është i zgjuar, diplomat, jashtëzakonisht reformator dhe me rezultate të pabesueshme kudo ku ka udhëhequr.
Ai nuk erdhi nga klasa punëtore. Përkundrazi, babai i tij ishte funksionar i lartë në kohën e Maos. Ai mbajti një sërë postesh pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministër dhe zëvendëskryetar të Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor.
E hëngri nga spastrimet kulturore në vitin ’63 kur Xi ishte vetëm 10 vjeç. E përjashtuan nga Partia Komuniste. Ishte koha ku indvidualiteti ishte turp. Gruaja e fundit e Maos, që ishte edhe flamurtarja e revolucionit kulturor, gjente ku të mos ishin mbeturina individualiteti. Ajo hodhi idenë e heqjes së emrave të autorëve në veprat artistike. Psh, një libër nuk e ka shkruar Filan Fisteku por “populli”. Prej andej duhet të ketë ardhur edhe zhdukja e individualiteteve artistike në Shqipëri që sot njihen “populli”. Do shkruaj një herë tjetër për gruan e Maos se e gjej shumë interesante.
Pra, që t’i bie pak shkurt, Xi Jinpingu ra nga maja e piramidës në fund të saj diku kur ishte fëmijë në klasë të tretë. I ati u internua punëtor fabrike.
Kur ishte 15 vjeç (1968) babanë ia rrasën brenda. Megjithatë nuk u dekurajua.
Për të rregulluar biografinë niset për në fshat në përgjigje të lëvizjes maoiste “Poshtë në Fshat”. (Ne e kishim “tu qepemi kodrave e t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat).
Mirëpo puna në fshat ta mban entuziasmin tri ditë, pastaj të kap një e papërmbajtshme dëshirë për t’i bërë naftën. Ashtu bëri edhe Xi-ja 15 vjeçar. U kthye në Pekin.
Partia e arrestoi me shpejtësi pas kthimit të tij si “dezertor i fshatit”. U dërgua në kamp pune, hapi kanale si skllav. Pasi u rehabilitua shkoi përsëri në fshatin “e dashur”…
Revolucionit Kulturor la gjurmë të thella te Xi. Nuk ishte vetëm babai dhe internimi i fëmijës në fshat; edhe gjysmë-motra e Xi-t, Heping, vari veten në akademinë e saj ushtarake.
Megjithatë prap kjo nuk është gjë…
Nëna e tij u detyrua të denonconte publikisht të atin, ndërsa ai u poshtërua para një turme si armik i revolucionit… E imagjinoni dot një fëmijë që sheh nënën të denoncojë të atin dhe poshtërimin publik të të atit…
Xi-ja u shtrua, u bë manar. Shkoi në fshatin Liangjiahe ku jetoi në kushte të skëterrshme. Megjithatë filloi të përshtatet dhe të bëhej një figurë e dashur për komunitetin. Fshatarët e donin dhe e propozuan për t’i përfaqësuar në PKK (Partinë e Maos). Pas shumë refuzimesh të shoqëruara edhe me njëfarë pakënaqësie në popullsinë fshatare të zonës, Partia ia njohu meritat dhe në vitin 1974, Xi u bë Kryetar i Degës së Partisë së Liangjiahe (provincë në Kinën Qendrore). 21 vjeçar u bë Sekretar Partie. Me babën të persekutuar politik. Posti i Partisë i priu për mirë. Në vitin 1975, 22 vjeçari Xi shkoi në Universitet për të studiuar inxhinieri kimike.

Familja e Xi Jinping
Familja e Xi Jinping

Ishte entuziast dhe punëtor i zellshëm. Në vitin 1979, filloi punë. Bënte jetë partie por shquhej edhe për aftësi të jashtëzakonshme organizative dhe sociale. Dukej i lindur për udhëheqës.
Karriera filloi të bënte për lart. Më 1982, pa i bërë akoma 30 vjeç, bëhet zëvendës sekretar i Partisë së Qarkut Zhending, në Hebei. Një zonë bukur e madhe gjeografike, rreth 468 km katror (nja 10 herë sa Tirana që ka 41.8 km katror).
Pra, 30 vjeçari bëhet numri 2 i një zone të rëndësishme industriale të Kinës. Karriera sapo ka filluar dhe nuk ndjek asnjë zbritje.
Filloi t’i ankohej Partisë për kushtet e vështira të vegjëlisë vendase. Jo pa sukses. Përkushtimi, talenti dhe zgjuarsia politike po fillonin t’i shpërbleheshin. Njerëzit e donin shumë, si gjithmonë. Zhendingu po përmirësohej ndjeshëm dhe kontributi i Xi ishte i pamohueshëm. Idetë dhe projektete e tij ia rritën popullaritetin. Xi shkoi në Amerikë në vitin 1985, asokohe 32 vjeçar, për të studiuar teknologjinë e përpunimit të misrit (Ioëa).
Ngritja e radhës nuk do të vononte. U bë Nënkryetar i Xiamenit, një ishull port i madh në Jug të Kinës, përballë Tajvanit. Shkëlqeu edhe atje me projekte konkrete, ide të mëdha dhe plane studimi afatgjata. Nuk ishte një sekretar partie militant por një ekspert i nivleve më të larta dhe superlider. Më 1988, kur ishte 35 vjeç u martua me Peng Liyan.
Më vonë, shokët e partisë së Fuijanit (një zonë e madhe gjeografike me 121 mijë km katror 4.5 herë sa Shqipëria dhe me një popullsi prej 41 milionë banorësh) menduan se nuk kishin ku të gjenin kandidaturë më të mirë se shokun Xi për zëvendës sekretar të Komiteteit të Partisë së gjithë krahinës. (zëvendësit shpesh ia bëjnë gropën Sekretarit).
Ishte viti 1995, Xi ishte 42 vjeç.
Katër vjet më vonë, në vitin 1999, ai u ngrit në detyrën e Zëvendësguvernatorit të Fujianit dhe u bë guvernator një vit më vonë. Ylli i tij veç shtonte shkëlqimin. Bëri çudira atje me projekte dhe e bëri vendin dritë. Deri në vitin 2002.
Pastaj shokët e Partisë e panë me vend që ta qarkullonin sepse aftësitë e tij duheshin për të ngritur edhe zona të tjera. Shkoi në Zheijangun fqinj, në verilindje të Fuijanit. Atje u bë edhe guvernator, por mori edhe detyrën e Sekretarit të Partisë. Normal, po hynte në të 50-at, nuk kishte kohë për nënkryetar më.
E rriti ekonominë e Zheijangut me 14% në vit. Talent i madh. Koha po e thërriste në një skenë të madhe. Filloi masakrimin e zyrtarëve të korruptuar. E kuptoi që kjo është Leva e Arkimedit. Udhëheqësit e mëdhenj filluan gjithmonë e më shumë të dëgjonin emrin e tij, media po i bënte shumë publicitet. Në sfond u shfaq Shanghai i madh. Sekretari i partisë së atjeshme seç bëri një skanadal me sigurimet shoqërore dhe Xi ishte gati.
U emërua Sekretar i Partisë së Shanghait. Aty Xi vuri disiplinë duke dhënë shembull personal dhe duke u bërë simbol i korrektësisë, aftësisë dhe ndershmërisë. Bënte operacione spektakolare propagande që mundi të mos i shkonte kot. Në shumicën e çështjeve u bënte jehonë udhëheqësve qendrorë… (dinte të ruhej, e kishte bërë jeta të kujdesshëm).
Në vitin 2007, u bë anëtar i Byrosë Politike të Kinës. 54 vjeç. Me zell, disiplinë, aftësi organizative dhe talent politik të jashtëzakonshëm. Shpejt u pa që Xi është njeriu i duhur për Kinën moderne. Askush nuk e përballonte nga talenti politik e as organizativ. U bë e qartë që ai është pasardhësi i Hu Jintao, Shefit të atëhershëm të Kinës. Ishte çështje kohe. Në Mars 2008 u bë Nënkryetar i Kinës! Hajt shnet!
E pati një farë rreziku të vogël nga ngritja e shpejtë e një ylli tjetër, Bo Xilai – sekretar Partie në një zonë tjetër të madhe të Kinës, Chongqing. Edhe ishte vërtetë që Bo po punonte mirë dhe ishte shumë popullor. Por qyqarit i ndodhi një skandal me një vrasje ku implikohej gruaja e tij dhe shpejt ylli i tij u shua. Nuk mund të bëhej Kryetar i Kinës një njeri i dyshuar për vrasje.
Për disa punë duhet edhe fatin ta kesh me vete. Dhe Xi-ja e kishte. Në 1 Shtator 2012 u bë Kryetari i Kinës dhe ndoshta njeriu më i fortë politik i botës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.