back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Xhevat Ndreu – Njeriu që diti të buzqeshë edhe në Ditët e së Keqes… nga Jozef Radi

Gazeta

Xhevat Ndreu (1940-2016)
Xhevat Ndreu (1940-2016)

Njoftim Mortor mbi vdekjen e Xhevat Ndreut

Të premten mbasdite, 6 Maj 2016,
Xhevat Xhetan Ndreu,
pas një sëmundje të rëndë,
ndërroi jetë në Staten Island University Hospital, New York,
duke patur pranë bashkëshorten, dy djemtë, të afërmit dhe miqtë.
Xhevat Xhetan Ndreu u lind në Korrik 1940 në Sllovë, Peshkopi
dhe ndërroi jetë me 6 Maj 2016 në New Jork.
Ai la në pikëllim të thellë gruan Zenepe,
dy djemtë Adriatikun dhe Emilianon si dhe tre mbesat dhe një nip.
Njoftojmë komunitetin se shërbimet Funerale do të kryhen nesër,
e Shtunë 7 Maj 2016, duke filluar nga ora 4 p.m deri në ora 9 pm
Albanian Islamic Cultural Center, që ndodhet në adresën:
307 Victory Blvd, Staten Island, NY 10301,
ndërsa varrimi do të kryehet të Dielën me 8 maj 2016,
në varrezat Laurel Grove Memorial Park në Totowa,
që ndodhen në adresën: 295 Totowa Rd, Totowa, NJ 07512.
Funerali hapet të Dielën në orën 9 të mëngjesit.
Nisja nga Staten Island bëhet në orën 11 paradite.
Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta Dielli
i përcjellin ngushëllimet më të thella bashkshortes Zenepe,
djemëve Adriatik dhe Emiliano, e të afërmëve dhe miqëve.
Xhevati ishte një vatran i përkushtuar.
Marrë nga http://gazetadielli.com/xhevat-ndreu

Familja e Xhevat Ndreut
Familja e Xhevat Ndreut

Njeriu që diti të buzqeshë edhe në Ditët e së Keqes…

Requiem për Xhevat Ndreun

nga Jozef Radi

Shumë prej atynë që e njofin Xhevat Ndreun, nuk e besojnë, se s’do tw mund ta takojnë më Xhevatin… as unë nuk do ta besoj, se nuk do të takohem më me të…
Se Xhevat Ndreu, hyn te ata njerëz që edhe kur ikin ashtu papritmas, ikin pse ata kurrë nuk bezdësin me jetën e tyre, e me vdekjen kurrsesi… pse gjurmët që ata kanë lenë mbeten kaq e pashlyeshme, jo për ndonjë madhështi, po për at thjeshtësinë e tyre, për njerëz si Xhevat Ndreu do të vazhdojë të flitet  e do të vazhdojnë të kujtohen gjithnji… Kush e ka njohur Xhevatin s’mundet ta mohojë urtësinë e tij, as atë fytyrën e tij gjithnji të qeshur, të ndritshme e babaxhane, as papërtueshmërinë e tij për gjithçka, as atë fjalën e matur, të pakët, të shtruar e gjithnji të arsyeshme; as për shpirtin e tij punëtor e të gjindshëm, as për duart e arta që gjithçka prekte e bënte të ndriste…
Xhevat Ndreu ishte me të gjithë i tillë, sepse ishte njeri i vërtetë
Xhevat Ndreu, si pjesa ma e madhe e fisit të Ndreve të Sllovës, po aq sa qenë të dalluem për nder, besë e trimni; po aq “u dalluan mbas Çlirimit” për mbushjen e kampeve dhe burgjeve komuniste… Nuk ka pasë kamp interrnimi të mos kishte fragmente të këtij fisi të madh të coptuar barbarisht në kater anët e Shqipërisë, që i kishte dhënë jo vetëm historisë së hershme po edhe vetë asaj të komunizmit personazhe idealistë, por që kur erdhi puna, ishin që taksat e komunizmit i paguan ndër të parët, e që për ta qenë tejet të egra, të pamëshirshme, e të padenja! Po kjo tashma është histori, dhe Xhevati ka qenë pjesë e saj dhe e këtyre taksave makabre, po le të kthehem te Ai.
Xhevat Ndreun, e kam njohur, nga fundi i viteve ’60, kur ai erdhi së pari në Savër, si nji djalë i ri, i gjatë e i hijshëm, pretendues dhandër i nji kampi me emër si Shtyllasi në nji tjetër kamp po aq famëkeq si ai i Savres. Ai qe mik i mjaft familjeve dibrane që jetonin në kam që u bënë edhe shkak i kesaj krushqie, po edhe i njohjes sime me të…
Ai u fejua me vajzën më të urtë, e më të vuajtur të kampit Zenepe Sinën, nji vajzë jetime me babë gjallë, e cila sapo kish nisur t’i bëhej krah nënës, dhe dy vëllezërve të saj më të vegjël Dikës dhe Beqirit, që ishin edhe shokët e mi të fëmijërisë…

Xhevat Ndreu dhe e shoqja Zenepja
Xhevat Ndreu dhe e shoqja Zenepja (New York)

Nëse nuk gabohem, Zenepja u martua pak mbasi kaloi të 16-at, dhe hyri në derën me emër të Ndreve, ku kaloi adoleshëncën, rritjen dhe la nji përkushtim të rrallë në at familje, por ajo që ra më shumë në sy të ky çift kohësh të vështira qe harmonia dhe përkushtimi i të dyve për njeri tjetrin, dhe për dy djemtë e tyre e për emrin e fisit!
Me kalimin e viteve, me Xhevatin na u dha rasti gjithnji e më shpesh të gjindeshim bashkë, të ishim në tavolina gostie, ndër biseda, shpesh edhe ndër debate politike, ku si gjithnji Xhevati ishte ai, njeriu i urtësisë, i humorit… po edhe i ironisë së hollë dibrane. Mbas ’90, ai punoi për mjaft vite edhe si shef i administrate në Ministrinë e Jashtme, duke qenë nji shembull jo vetëm korrektese, dhe respekti për gjithë ata që e kanë njohur e që kanë punuar me të…
Ky ishte Xhevat Ndreu… i Ndreve të Sllovës, nji njeri që s’e shihje kurrë të zemruar, nji njeri që mund të bisedoje gjithçka me të, e të ndaje çaste, që në kujtesën time kanë mbetur vetëm të bukura…
Mbas ’97, si për shumë shqiptarë të shkelur nga komunizmi, e që qëndruan në atdhe duke besuar se Shqipëria ishte edhe vendi ynë, zhgënjimet e njipasnjishme e shtynë të marrë rrugën e emigracionit drejt Amerikës.  Nji jetë jo fort e lehtë, po të marrësh parasysh moshën e tij, po si gjithnji ai qe në krah të familjes së vet dhe Zenepes së vuajtjeve pafund e
s’rreshti së punuari deri në sakrifikim, po edhe dy djemëve të tij Adrit dhe Milit, për të cilët mendoi si prind i devotshëm, deri ditën e fundit të jetës…
Me Xhevatin, pata rast të takohem edhe dy-tri herë në Nju Jork. Sigurisht në raste festash!  Edhe aty treguam histori të vjetra vuajtjesh, e histori të reja emigrimesh, pa harruar asnjiherë humorin, pa lanë mbas dore as problemet shqiptare të emigracionit e në veçanti ato të Vatrës, ku Xhevati edhe pse jeta e qytetit të madh, mosha, apo edhe vetë jeta e kishin shtrënguar në vështërsi, ai vazhdoi të mbetej nji Vatran i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë…
Xhevat Ndreu, u largua ngutshëm nga kjo botë, në harkun e nji jave… duke lanë në dhimbje të thellë së pari Zenepen, gruan e sakrificave pafund, që e pa gjithnji at njeri si shpëtimtar hyjnor, dhe dy djemtë Adrianin dhe Emilianon.
Gjatë gjithë kësaj jave kam qenë në dijeni dhe në ngushëllim të shëndetit të tij, që kaq papritmas mori teposhtën, dhe mund të them, se njerzit që i kanë qendruar afër dhe e kanë përcjellë gjendjen e tij kanë qenë të shumtë e të panumërt, e që këto shënime të miat, nuk bëjnë tjetër, veçse mbeten nji përcjellje modeste të nji njeriu që e ka dashur, e ka vlerësuar dhe e ka respektuar për gjithë vlerat e tij njerëzore që bëheshin nyje te Xhevat Ndreu…
I lehtë të qoftë dheu i huaj o Xhevat Ndreu, dhe ju paç lanë uratën gjithë atyne që le mbas vetes…
7 maj 2016

Xhevat Ndreu Midis te afermve te Fisit te vet
Xhevat Ndreu Midis te afermve te Fisit te vet

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.