back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Xhemal Farka, heroi dhe intelektuali i heshtur tironas – nga Marsida T. Najdeni

Gazeta

Tirana e vitit 1927
Tirana e vitit 1927

Xhemal Farka,

heroi dhe intelektuali i heshtur tironas

nga Marsida T. Najdeni

Nuk e mbaj mend kur e kam hasur për herë të parë emrin e Xhemal Farkës, por duke qenë se sa herë shikoj mbiemra tironas e shënoj diku emrin që sapo pashë dhe çfarë lexova për të. Dhe kështu ndër vite e ndër shumë artikuj mua emri i Xhemal Farkës më del e ridel në momente të ndryshme. Kam pyetur tironas të vjetër, kam kërkuar për një foto apo diçka biografike nga jeta e tij, ende s’kam patur fat. Ndërkohë që enigma Xhemal Farka rritet e rritet si fiksim brenda meje për ta zbuluar këtë figurë energjike, intelektuale, edhe trimërore. Burrë bese, besë kryeqyteti dhe jo shaka. Prandaj kushdo që mund të ketë informacione mbi këtë personazh t’ia bashkangjisë këtij artikulli.
Deri tani di që Xhemal Farka rrjedh nga familja tironase Farka dhe është i biri i Hamdi Farkës (Kujto.al). Adelina Kosturi (mbesa e patriotit Lef Nosi) për Gazetën Tema tregon se Xhemal Farka ishte njohur e miqësuar me Lef Nosin në kolegjin e famshëm privat të Stambollit “Robert College,” ky ishte arsimi i shkollës së mesme. (Gazeta Tema). Unë mendoj që të dy kanë patur diferencë në moshë. Sepse Xhemal Farka në një informacion të mëposhtëm del se ka qenë student në shkollë të lartë ndër vitet ’40-’41. Mbase znj. Kosturi ka dashtë të thotë se Lef Nosi si një ish student i “Robert College” miqësoi gjimnazistin Xhemal Farka i po të njëjtit kolegj dhe pse breza të ndryshëm gjatë kohës kur ky i fundit ishte nxënës në Stamboll.
E them këtë sepse në vitin 1929 Asdreni i shkruan letër Lasgushit student se Gazeta e Re e Tiranës po kryen një fushatë që poetit të madh pogradecar t’i publikoheshin poezitë (Gazeta Telegrafi). Po në këtë artikull me titull “Apelet për ta shpëtuar poetin: Lasgushi, studenti i varfër që dergjej nga sëmundja” mësojmë se djemtë Hazër Tufa, Xhemal Farka dhe Burhan Mulloji, shëtitën listën për dhurim parash që të shërohej studenti Lasgush Poradeci në Austri. Dhe të tre djemtë duke shëtitur listën në Pazar të Tiranës arritën të mbledhin mbi 70 franga ari.
Në një artikull tek idituri.com ku treguese është Afërdita Kici, mbesa e publicistit të famshëm Branko Merxhani, del se Xhemal Farka miqësohet me publicistin e mirënjohur Merxhani. Shkëputur nga artikulli, citoj: “Në vitin 1941-’42, një organizatë amerikane që vepronte në Egjipt, kërkonte folës për Zërin e Amerikës në një stacion radioje. Ndër refugjatët shqiptar u zgjodhën: Branko Merxhani, Prof. Dr. Mirash Ivanaj dhe Xhemal Farka (ky i fundit ishte student në Universitetin Amerikan të Bejrutit). Pas pushtimit të Libisë, të tre të lartpërmendurit, shkruan Dr. Milaj, kaluan në Jerusalem dhe punuan atje deri në mbarim të luftës. Pas luftës, Xhemal Farka kthehet në Shqipëri që të kontaktonte me mikun e tij Lef Nosi, por e pësoi keq nga komunistët. Edhe Prof. Mirash Ivanaj, u kthye ne Shqipëri për të vazhduar karrierën e tij në edukimin e brezit të ri, por vdiq në burg. Branko nuk u kthye në Shqipëri sepse kishte shkruar artikullin “Pse nuk jam marksist.”
.
Tirana vitet '30 - Kafe Kursal
Tirana vitet ’30 – Kafe Kursal

Deri këtu mund të kryej mbase një përmbledhje të Xhemal Farkës. Lindi në Tiranë. Student i angazhuar me jetën kulturore në Tiranë. Shkollohet në gjimnazin “Robert College” të Stambollit ku miqësohet me intelektualin, firmëtarin e pavarsisë Lef Nosin. Z. Farka vazhdon studimet e larta në Universitetin Amerikan të Beirutit. Përfundon si korespondent i Zërit të Amerikës dhe mëpastaj në Jeruzalem për shkak të luftës dhe rikthehet në Shqipërinë komuniste tashmë.

Kur kthehet në Shqipëri rilidhet me Lef Nosin. Është periudha që Lef Nosi fshihet sa në Elbasan dhe Tiranë ndër dyer miqsh e dashamirësish. Imagjinoni, babai i një kombi, sepse firmëtar i pavarsisë më 1912, fshihej për të shpëtuar jetën. Çmendurirat e Shqipërisë komuniste s’kanë të sosur. Në këto rrethana takohen Xhemali dhe Lefi. Nipi i Lef Nosit, Skënder Kosturi, në emisonin “Rrno për me tregue” të Nebil Çikës (I Riu), tregon se “Dajat e mi Vasil e Lef Nosi me miqtë e tyre izraelitin Marko Menahemi (që Vasil Nosi e kishte shpëtuar nga kthetrat naziste) dhe Xhemal Farkën arrestohen tek Hotel Dajti nga sigurimi i shtetit. Ndërkohe që Xhemal Farkës i thonë se mund të shkonte sepse nuk kishte urdhër arresti për të. Xhemali nuk pranon ta le mikun e tij Lef Nosin vetëm dhe pranon ta arrestojnë bashkë.”
Xhemal Farka në birucat komuniste filluan e ta konspironin me teoritë alla komuniste përrallat që vetëm ata ditën t’i thurrnin. Kështu nga albanologu Robert Elsie kam lexuar pjesë të ditarit të intelektuales Musine Kokalari. citoj:
“Three months later, I was put into isolation in a cell under the staircase leading to the director’s office. One of the prisoners, whom I could see through my little window onto the prison courtyard, told me that they were interrogating Xhemal Farka about me. I understood. He said nothing about me, and I said nothing about him.”
Përkthimi im: “Tre muaj më vonë, më futën në izolim në një qeli nën shkallët që çonin në zyrën e drejtorit. Një nga të burgosurit, të cilin e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të.”
Prej këtu del se Musineja me Xhemalin kishin qenë miq. Po si del që këta dy intelektualë ishin miq? Asikohe kur Musineja kryente publicistikë në gazetat e ndryshme të kryeqytetit një ndër pasionet e saj ishte botimi nën pseudonimin Muza. Muza shkruante në dialektin e hollë gjirokastrit. Kjo formë publicistike në dialektikë ishte mjaft e përdorur ku mund të përmendim Ibrahim Hasnaj (pseudonimi Cen Qytyku) në dialektin tironas, Mustafa Greblleshi (pseudonimi Liu i Cakut) në dialektin tironas, Xhemal Farka (pseudonimi Sula i Fajes) në dialektin tironas, Mit’hat Araniti (pseudonimi Rrem Vogli) në dialektin tironas dhe pse ky i fundit s’ishte lindur e rritur në Tiranë. Për publicistikën e këtyre personazheve kam lexuar artikujt që boton i palodhshmi miku im, Jozef Radi. Të gjithë këta u persekutuan, u burgosën, pushkatuan vetëm pse satira e tyre humoristike kishte prekur ndjenjat e bebushit Dulla.
Nga kujto.al por dhe nga Skënder dhe Adelina Kosturi mësojmë se Xhemal Farka pushkatohet si agjent anglez mbasi kishte kryer disa vjet burg. Por përse e mpleksën kaq bukur?
Nga rrëfimi i mbesës së Lef Nosit në Gazetën Tema me titull “Ditët e fundit të Lef Nosit para pushkatimit” mësojmë se Xhemal Farka duke patur njohje me aleatët anglezë për t’i shpëtuar jëtën Lef Nosit e vesh si Lefin dhe veten si fshatar me qeleshe, vendosin çibukë, shami të kuqe etj dhe e shkojnë tek Misioni Anglez në Tiranë. Ata e pranuan Lef Nosin për ta lëshuar mbas 5-6 orëve. Si vazhdon historia dihet tashmë. Lef Nosin e pushkatojnë. Xhemal Farkën e burgosin disa vjet për ta liruar dhe pushkatuar. Musine Kokalari vuan tmerre mbas tmerri. Njerëz të mëdhej të shuar pa bërë faje përse donin atdhenë, dijen dhe lirinë.
Uroj që me kohën do t’mundem të mësoj më shumë për heroin dhe intelektualin e heshtur Xhemal Farka. Shpresoj të kem sjellë një fije dritë mbi këtë trim. Nuk duhet kurrsesi ta lemë në harresë. Sa me endje do ta lexoja publicistikën e tij. Sa do doja ta shihja një fotografi të tironasit tim të dashur Xhemal Farka. Kushdo që ka informacion lutem ta bashkangjisë.
Për Miqtë që kanë kohë “të lirë” dhe “të tepërt”.
29 Korrik 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.