back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Xhafer Deva, gjeti mënyrën t’i largojë familjet çifute për në Shqipëri ku nuk persekutoheshin – nga Ago Agaj

Gazeta

Xhaferr Deva (1904-1978)
Xhaferr Deva (1904-1978)

Xhafer Deva, gjeti mënyrën t’i largojë familjet çifute

për në Shqipëri ku nuk persekutoheshin

nga Ago Agaj

“Erdhi 28 Nëndori 1941, dhe për herë të parë, u festua në ato vende. Populli e nxënesit, muarne pjesë me gjithë zëmer e entuziazëm siç është natyra e kosovarit në çdo ndërmarrje, qoftë lufte, qoftë dasme a gëzim. Në këte rast ngjau dhe një gjë e pa besuarshme: gratë muslimane duall vullnetarisht sheshit, për herë të parë pas pesëqint vjetëve, të veshura me kostumet e tyre të bukura e të mbuluara me flori e gurë të çmueshëm dhe qëndisje artistike aqë sa te huajtë mbetën të habitur para këtij salltaneti. Kështu erdhën ato zonja në sallën e mbushur prej afro 1000 vetëve, ballëhapët, kryelartë dhe me fytyrë që shkëlqente prej gëzimit.
Kjo liri e madhe, kjo ngjallje e flakët e ndjenjave kombëtare pati efekt dhe në Shqipëri. E them atë që kam jetuar dhe kjo qe e habitëshme: kur erdha në Tiranë, burra me pozita të larta që më parë nuk më përfillnin shumë, me përqafonin e më nderonin. Ata nuk përqafonin ase nderonin mua, por lirinë e Mitrovicës, lirinë që ata e dëshironin dhe për Shqipërinë.
Sipas thënjes së Vehbi Frashërit, i cili ishte gjatë kësaj kohe në Belgrad në kontakt me autoritete të larta dhe në gjëndje t’i gjykonte ngjarjet duke dijtur dhe prapasqenat, lirija e Provincës së Mitrovicës kishte shqetësuar dhe vetë Mussolinin, i cili thuhej se kishte ndërhyrë pranë autoriteteve të larta gjermane për t’i vënë fre kësaj lëvizjes së shqipëtarëve…

Ago Agaj
Ago Agaj

Pas festimit na dolli një ngatërresë tjetër dhe kësaj radhe me autoritetet gjermane dhe krejtësisht e papritur. Komanda kishte marrë urdhër që të burgoste gjithë çifutët dhe jevgjit. Aty nuk ndodheshin shumë familje çifutësh por kishte më shumë se 4000 familje jevgjish që ata i quanin gabelë (arixhinj) e që jetonin në një lagje më vete, flisnin shqip, ishne muslimanë, dhe përherë në anën shqipëtare dhe jo sërbe. U dhamë spiegime se jevgjit (evgjitët) nuk ishin arixhinjtë, ishne me origjinë Egjyptiane prej kah dhe emri Egjypt-Evgjit, ishin muslimanë të vendosur dhe profesionistë të mirë. Kurse ciganët (arixhinjtë) janë të ardhur prej Hindisë, janë nomadë që nuk ngulen në asnjë vent dhe nuk kanë asnjë fe të njohur. Ky spiegim nuk mjaftoi dhe lypset të gjëndej një shpikje tjetër për të shpëtuar të mjerët jevgjë. Per fat m’u kujtua se 10 vjet më parë, miku dhe bashkëpuntori im Prof. E. Novack në përpilimin e Hartës gjeografike të Shqipërisë, në këte ndërkohë ishte bërë profesor universitetin e Koeln dhe në librin e tij mbi Shqipërinë, e kishte rrahur po këtë tezë. Me anën e Vehbi Frashërit libri u gjënt në Belgrad dhe kësisoj jevgjët shpëtuan. 
Jevgjit u treguan mirënjohtës dhe më dhanë një koncert si vetëm ata dijën. Që atë ditë po të doja të bëhesha kryeplak i lagjës tyre do të fitoja me qint per qint!
Çifutëve ja u lehtësuam shumë jetesën në një ndërtesë të mirë dhe me gjithë orendijat e duhura. U nxuarëm leje të shkonin ditën e prëmte e të shtunën nëpër shtëpijat e tyre për t’u pastruar për të evituar epideminë e tifos së morrit. Ky qe një pretekst masi gjermanët i trembeshin shumë kësaj sëmundjes së ndyrë. Ishin kufizuar vetëm burrat, ndërsa familjet e tyre jetonin në shtëpit e tyre. Pas largimit tim, Xhafer Deva, gjeti mënyrën t’i largojë këto familje për në Shqipëri ku nuk persekutoheshin.”
Ago Agaj, “Si e njoha Xhafer Devën”, në “Xhafer Deva, – Jeta dhe veprimtarija”, New York, 1980.
[Përgatiti për publikim A.M. 9 shkurt 2022 ]

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.