Vogëlsirat që bërtasin ne “Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe” – nga Kastriot Marku

Gazeta

Studiuesi Kastriot Marku ne Arkivat e Vatikanit
Studiuesi Kastriot Marku ne Arkivat e Vatikanit
Vogëlsirat që bërtasin ne “Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe”.
nga Kastriot Marku
 

Urime dhe udhë të mbarë “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” me 105 000 fjalë, që mbasi u bë thuajse legjende tash 5 vjet, më në fund nga sot gjendet online!
I nisur si projekt në një vëllim të vetëm me rreth 90 000 fjalë, dhe i promovuar dy herë krye viti si punë e kryer (nëntor 2024 dhe dhjetor 2025), Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe i ndryshoi përgjat 5 viteve, përmasat dhe afatet kohore të realizimit të tij dhe kjo menduam dhe mendojmë të gjithë se i bën mirë këtij projekti të shumëpritur.
Ishte parashikuar fillimisht në një vëllim të vetëm, sikurse thamë me rreth 90 000 fjalë, pastaj u kalua në idenë për t’u botuar në dy vëllime me rreth 100.000 fjalë me pas në gjashtë e së fundmi në 10 vëllime me mbi 105 000 fjalë e tituj. Parashikohej të ishte online që verën që shkoi dhe i printuar këte vit që sapo hymë, ndërkohë që ky afat u shty duke e lënë për përdoruesit për 9 muaj deri në vjeshtë online, e për të pritur variantin e shtypur/të printuar vitin që vjen (2027).
Bukur fort. Por këto shtyrje e vonesa a e kanë përmirësuar punën në ketë fjalor, aq shumë të përdorur e të dëshiruar njëherësh!? Në kuptimin sasior/statistikor, kjo nuk le dyshim. Fjalori i ri ka një numër fjalësh rreth 2.5 herë më shumë se ai i vitit të larget 1980. Përvoja ndërkombëtare nuk na gënjen, kur themi se Fjalorët e sotëm normativë në gjuhë të medha sikurse janë anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, spanjishtja, italishtja etj., ngërthejnë në një vëllim të vetëm edhe 160.000 fjalë (kujtoj si shembull në italisht atë të Tulio De Mauro 2000, me plot 3000 faqe, apo Treccani me 150.000 fjalë e tjetri Devoto Oli, Garzanti, Zingarelli, Hoepli etj.,). Pra, botimi në shumë vëllime i këtij fjalori është çeshtje pak a shumë zmadhim karakteresh/shkronjash dhe jo i vëllimit të tij. Por gjykohet ashtu dhe nuk ka asgje te keqe. Nje fjalor tavolinë pune njëvëllimësh me 100.000 fjalë i duhet më në fund shqiptarit përdorues të gjuhës së tij: (student, shkrimtar, gazetar e intelektual). Mbase Akademia e ka menduar këtë hap në një fazë tjetër punë. Pra, fjalorët e mëdhenj shumëvëllimësh me format të madh, përkatësisht me 22 e 21 vëllime i ka model italishtja dhe anglishtja, për më afër italishtja (shih: S. Batalia 1963-2002 me mbi 220.000 fjalë), dhe T. De Mauro (6 vëllime, 2006) me 263 000 fjalë). Por le të kthehemi tek fjalori ynë.
Në krye të herës një vërejtje për shifrat. Thuhet se Fjalori i Madh i tanishëm ka 105.000 fjalë tituj gjithsej dhe i shtohen frazeologjitë, togfjalshat, shkurtimet dhe në fund rrumbullakoset numri 125.000 fjalë. Kjo “loje” numrash ka nisur me Fjalorin e 2006-ës, ku shprehimisht thuhet se ai ka 43.000 njësi/fjalë tituj dhe… me shtesat e përdoruesit, shtohen edhe 4500 njësi e numri shkon ne 48.000. Po pse kriteri i njësive frazeologjike tek fjalori i 1980-ës nuk u përdorka, kur ai fjalor ka 41.000 fjalë dhe 7.000 njësi frazeologjike, pra u dashka të ketë 48.000 fjale fjalori i Kostallarit?!
Tjetër. Po 41- 43.000 fjalët e fjalorëve të mëparshëm që janë marrë pothuajse copy-paste, siç mund ta vërtetojmë lehtësisht, madje duke bartur gabime të përsëritura p.sh., tek botimi i 2006-es, (një prej të cilëve e kisha sugjeruar publikisht, e që qe përmirësuar në një rishtypje pa’ datë botimi tek i njëjti, fjalor, por që në Fjalorin e 2020-ës sërish përsëritet gabim, duke konfirmuar kështu se është marrë nga 2006-a e është shtypur se pari, pà kurrëfarë redaktimin serioz a do të jenë pjesë e re apo e bartur?!?!
Jam i sigurt se gjuhëtarët hartues dhe redaktorë të Fjalorit, nuk do kenë me qjef me i komentu njësitë leksikore dhe shëmbujt përkatës të “Fjalorit të Madh” në statuse apo artikuj, por i duan ata fshehtas si sugjerime anonime, ndërkohë kanë vendosur në parathënie një listë fjalorësh si dekor, gjoja se i kanë konsultuar, por në fakt nuk kanë marrë asgje prej tyre, thjesht janë mjaftuar për 41.000 fjalët e 1980-ës dhe 2006-ës, duke i qethur apo retushur disi, por pà ndryshuar thelbin përkufizues marksist. Përmendet shpesh kartoteka elektronike e krijuar me rreth 800 milionë njësi. Si ka mundësi që katër gjuhëtarë në të njëjtin projekt japin shifra të ndryshme: dikush thotë 800 milionë, dikush 1 miliard? Po bini dakort de, e mandej dilni e jepni intervista se janë goxha ndryshime në shifra!?! Po Kartoteka e Leksikut të Shqipes dhe fushatat e vjeles gjuhësore në të gjithë vendin në vitet 80-të, pas hartimit të Fjalorit të 1980-ës, si nuk përmenden fare!? Janë 190.000 fjalë të listuara në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. A është hedhur në kartotekën elektronike dhe a është shfrytëzuar ajo pasuri gjuhësore për hartimin e këtij fjalori?! Unë mendoj se nuk është gjithçka numri/sasia e fjalëve në një fjalor, ndonëse kriteri sasior ka qenë bukur mirë një mungesë e madhe në leksikografinë shqiptare, por për gjuhën e bukur shqipe ka shumë rëndësi përkufizimi i saktë, shoqëruar ky me shembuj ilustrues, edhe për faktin se fjalori i vitit 1980, që merret shpesh si referencë ka qenë një manual leksikografik proprapagande ideologjike, për të cilin autorët e atij fjalori që jetojnë ende do të ndiheshin keq. Nuk pretendohet të jenë apo të bëhen leksikografë tak-fak një tufë të rinjsh që u janë bindur atyre pak gjuhëtarëve të brezit të vjetër që i kanë përdorur në hartimin e Fjalorit të Madh të Shqipes, thjesht si karrem teknik. Kjo duket sheshit. Pashë sot disa fjalë. Një zhgënjim dhe papërgjegjësi e madhe të cilën do e paraqes me kujdes, sepse mentaliteti stalinist dhe kultura leximore dhe informuese gjuhësore e ulët e gjuhëtarëve hartues dhe redaktorë e ka lënë sërish Fjalorin e ri në ujëra të vjetra të ndenjura tash e 45 vjet. Rakitizmi i kongresistëve të Drejtshkrimit të Shqipes vijon të paralizojë leksikografinë shqipe nga visaret e mushkërisë gege, por kësaj here është vetëdemaskuar pà dorëza dhe në mënyrë të turpshme institucionalisht. Për fat të mirë kam këtu në bibliotekën time në Milano, dy botimet e mëhershme (1980 & 2006), të cilët janë mëse t mjaftueshëm për të faktuar ato që përmenda këtu duke bërë krahasimet e duhura.
Të bëhen gati autorët hartues simbas shkronjave, të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Paratë publike nuk mund të shpenzohen duke shpikur e rimarrë përkufizime bajate, për më tepër të pasakta, keqinformuese dhe të njëanshme. Për mjaft fjalë terma, gjuhëtarët tanë duket se kanë një kulturë të mangët historike, posaçërisht ata të fesë së krishterët, ritit katolik roman, sepse mungojnë shembuj ilustrues e referenciale për leksema themelore që kanë shenjuar identitetin tonë historiko-kulturor. Mendoj se para se të nxirren online dhe sidomos para se të shkojë për botim do të ishte mirë të mbahej një konferencë konsultimi me eksperte të terminologjisë, politike, juridike dhe institucionale (do të kishte mjaftuar konsultimi i “Fletores Zyrtare”), lidhur me terminologjinë dhe përkufizimet me këtë fjalor, sepse për mjaft fjalë terma, ka paqartësi, pasaktësi dhe mungesa të çuditshme që të bëjnë vërtetë të mendosh seriozisht për këtë punë të madhe e cila kërkon një fazë pune redaktoriale shumë të kthjellët dhe profesionale.
https://fjalori.online
Marrë nga Muri i FB, Kastriot Marku, 13 janar 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit