Viti i Brishtë – Kalendari…
nga Klodi Stralla
Për dashamirësit e Astronomisë
Sot është 29 shkurt, një datë që përsëritet vetëm çdo 4 vjet. Viti që e ka muajin shkurt me 29 ditë (vitet e tjera e kanë me 28 ditë), quhet Vit i Brishtë.
Por cila është aresya e një dukurie të tillë? Kjo lidhet me matjen e Kohës, me Kalendarin.
Matja e kohës është aq e lashtë sa vetë njerëzimi. Duke vrojtuar dukuri që përsëriten, si rrotullimi i Hënës apo i Diellit rreth Tokës, u krijuan ato që quhen Dita, Muaji, Viti dhe nënfishat e tyre si, ora, minuta dhe sekonda. Lindi kështu Kalendari, që shërbente kryesisht për të menaxhuar punët e bujqësisë apo për të përcaktuar festat dhe ritet fetare të popujve.
Sot edhe nxënësit e shkollës fillore e dinë se dita është koha e një rrotullimi të plotë të Tokës rreth boshtit të vet, muaji është koha e një rrotullimi të plotë të Hënës rreth Tokës dhe viti është koha e një rrotullimi të plotë të Tokës rreth Diellit. Në bazë të matjeve të sakta 1 vit është i barabartë me 365,2421897 ditë, ose 365 ditë, 5 orë, 48 minuta dhe 45,2 sekonda. Në këto kushte duke ditur ditët e çdo muaji (janari 30, marsi 31…), rezulton që shkurti duhet të ish me 28 ditë, në mënyrë që viti të kish 365 ditë. Si i bëhet me pjesën tjetër, bishtin e 365-ës? (afërsisht 0,25 ditë në vit ose 1 ditë në 4 vjet). Për këtë u vendos që një herë në 4 vjet shkurti të kish 29 ditë dhe kjo mundësonte që ndarja e ditëve të që në përputhje me vrojtimet astronomike. Ky është ai që njihet sot edhe si Kalendari Gregorian, i ndërtuar nga Papa Gregori i XIII -të, në vitin 1582.
Për romakët viti kish 365 ditë dhe Viti i Ri për ta fillonte me 1 mars. (Kjo është arësyeja që psh. Shtatori që për në është muaji i 9-të, për ta ishte i 7-ti). Sipas kësaj ndarje humbisnin afërsisht 6 orë dhe kjo çoi në spostime të riteve fetare dhe punëve në bujqësi, duke sjellë edhe pasoja të dëmshme.
Jul Cezari, në vitin 45 p.e.r. thirri nga Aleksandria astronomin e njohur Sozigjen, i cili propozoi që një herë në 4 vjet, muaji shkurt të ketë jo 28 por 29 ditë… dhe lindi kështu Kalendari Julian.
A u rregullua çdo gjë me këtë reformë? Sigurisht që jo, sepse llogaritë u bënë që viti kalendarik të kish 365 ditë dhe 6 orë. Në të vërtetë kemi një diferencë prej gati 11 minutash që tregon se kalendari julian e festonte Vitin e Ri me 11 minuta vonesë. Ndërkaq, kur Krishtërimi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake (sipas Ediktit të Milanos, 313 e.r.), lindi problemi se kur do të festohej Dita e Pashkës. Për këtë qëllim u vendos të përdorej Ekuinoksi pranveror, i cili ndodh në 21 mars, me fazat e Hënës. Por duke llogaritur vitin me 365 ditë dhe 6 orë, ekuinoksi ndodhte rreth 11 minuta më përpara, që për 1 vit nuk krijonte problem, por pasi kaluan shumë e shumë vite, ekuinoksi filloi të vinte gjithnjë e më përpara datës 21 mars. Kështu nga pikëpamja astronomike më 1582, kur në Vatikan ishte Papa Gregori i XIII-të, ekuinoksi ndodhi 10 ditë më përpara, me 11 mars dhe jo në 21 mars. Por dita e Pashkës së Krishterë kur do të festohej!? Edhe këtu erdhën në ndihmë astronomët. Në krye të tyre ishte Aluis Liliusi, i cili i shpiegoi Papës se sipas Kalendarit Julian, çdo 400 vjet (me saktë 384 ditë) ekuinoksi natyral ndodhte 3 ditë përpara datës 21 mars. Kështu u krijua Kalendari Gregorian, sipas të cilit, çdo 400 vjet, të mos kemi 100 vitë të brishtë, por 97, për të kompensuar 3 ditët e mospërputhjes se ekuinoksit me 21 marsin.
Që nga ajo kohë e deri më sot përdoret Kalendari Gregorian, si më i sakti i mundëshëm.
(p.s.Vendet muslimane, që përdorin vitin hënor, ata kanë tjetër kalendar, por kjo është një temë më vete).
Marrë nga muri i fb. i Klodi Strallës 29 shkurt 2016