
Viti 93 – i Viktor Hygosë
nga Erl Kodra
Romani “Viti 93” i Viktor Hygo (botuar në vitin 1874) është kryevepra e fundit e gjeniut francez. Madhështia e Hygoit nuk qëndron tek fuqia e artit, as tek stili i papërsëritshëm, por tek dilema ekzistenciale e luftës, në raport me viktimat e pafajshme të saj.
“Viti 93” është romani i gjithëkohëshëm që ndanë të mirën me të keqen. Fabula është kjo:
Romani përshkruan revoltën dhe betejat revolucionare dhe kundërrevolucionare në 1793, gjatë Revolucionit Francez. Ngjarjet e romanit ndodhin kryesisht në Bretanjë dhe në Paris. Markez de Lantenac, Goveni, Simurdeni, Batalioni Blu, Mbretërorët, Michelle Fléchard dhe tre fëmijët e saj gjenden përballë në një luftë për jetë a vdekje në kështjellën e Bretanjës. Fitorja ose humbja e betejës do të thotë fitore ose humbje e kauzës. Megjithatë, fitorja ose humbja ka çmimin e jetës ose të vdekjes së humanizmit njerëzor, të jetëve të pafajshme. Lufta gjithmonë është e ashpër, por Viktor Hygo, ky humanist i përmasave planetare përvijon qartë ndarjen e koncepteve të luftës së drejtë dhe krimeve të luftës.
Në kryeveprën e Viktor Hygo fiton humanizmi.
Batalioni Blu ose ndryshe Ushtria Republikane ka adoptuar tre fëmijët e Michelle Fléchard, viktima të luftës. Goveni, Komandant i Ushtrisë Republikane është nipi i Markes De Lantenac, një monarkist që luftonte për kauzën e mbretërorëve në Francë. Simurdeni është një prift revolucionar, një lloj udhëheqësi politik i Ushtrisë Republikane. Finalja e romanit është tronditëse; beteja për Kështjellën e Bretanjës. Mbretërorët rrethohen në Kështjellë nga republikanët, ndërkohë që tre fëmijët gjenden në duart e monarkistëve. Komandant Goveni lufton kundër xhaxhait të tij Markez De Lantenac në një betejë për jetë a vdekje. Zjarri përfshin Kështellën e Bretanjës, ndërsa Markezi largohet nga një dalje e fshehtë. Kur dëgjon ulurimat e Michelle Fléchard në ikje e sipër, kujtohet se në sallën e bibliotekës në Kështjellë, gjendeshin tre fëmijë të pafajshëm që po digjeshin të gjallë. Markez De Lantenac kthen rrugën nga po arratisej, futet mes flakëve në kështjellë.
Papritur në dritaren e Kështjellës së Bretanjës, shfaqet Markez De Lantenac, me tre fëmijët në krahë, si një ëngjëll shpëtimtar. Armiku i betuar i Revolucionit Francez, falë kauzën e tij për jetën e tre fëmijëve. Në një luftë që nuk njeh kompromise, Markez De Lantenac e bën zgjedhjen: Jetët e tre fëmijëve të pafajshëm janë një çmim i lartë për kauzën mbretërore, ndaj, në djall kauza dhe jeta e tij!!
Por asgjë nuk mbaron këtu!
Goveni, nipi i Markez De Lantenac dhe njëkohësisht Komandant i Ushtrisë Republikane, tronditet nga gjesti madhështor i xhaxhait. Natën, si kryekomandant i Batalionit Blu, Goveni viziton Markezin në qeli. Ai e lë të lirë Markez De Lantenac, i cili largohet nga burgu, i maskuar me rrobat e Govenit. Të nesërmën, në çastin kur Gjykata Ushtarake do të gjykonte Markezin, në qeli, në vend të tij, ata gjejnë Komandantin e tyre! Simurdeni, prifti revolucinoar dhe njëkohësisht edhe babai shpirtëror i Komandant Govenit, do të gjykojë birin e tij në shpirtë. Trupa gjykuese përbëhet nga tre njerëz. Simurdeni ishte kryegjykatësi.
Dy votat e para ishin kundër njëra tjetrës; njëra që Komandant Goveni duhet të jetojë, sepse gjesti i tij është thjesht human; dhe Komandant Goveni i duhet Revolucionit Francez, ndërsa vota tjetër ishte që Goveni duhet të vdesë, sepse me veprimin e tij ai tradhëtoi Revolucionin. Vota e priftit Simurden është vendimtare.
Simurdeni jep verdiktin e tij; Komandant Goveni duhet të dënohet me prerje koke në gijotinë!
Në çastin që koka e bukur e Komandant Govenit, birit në shpirtë të priftit Simurden shkëputet nga shpatullat, me një buzëqeshje të ngrirë në buzë, dëgjohet një krismë:
Revolucionari Simurden vret veten.
Huh! Çfarë madhështie tragjike e përbotëshme!
Marrë nga Muri i FB, Erl Kodra, 20 shtator 2021