back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Visar Zhiti: Komunizmi vrau “Lajmëtarët e Europës”!

Gazeta

Visar Zhiti - Antologji -Lajmtarë të Europës
Visar Zhiti – Antologji -Lajmtarë të Europës

Visar Zhiti: Komunizmi vrau “Lajmëtarët e Europës”!

Mbi librin “Lajmëtarë të Europës”, te Visar Zhitit

“Më dukej sikur ndjeja shpirtrat e tyre,
që enden vazhdimisht mbi ne
si shpendë mitikë”
Visar Zhiti

“Lajmëtarë të Europës” është libri më i fundit i poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti, botim i UET-Press dhe OMSCA-1.
Zhiti këtë herë ka zgjedhur të shkruajë historitë e të vrarëve në diktaturë, të “ringjallë” poetët që ëndërronin një Shqipëri si Europa, poetë e intelektualë që lanë të ardhmen e tyre europiane dhe u kthyen në vendin amë, ku për fat të keq, gjetën internimin dhe pushkatimin. Janë të gjithë të shkolluar në shkolla perëndimore dhe Zhiti i quan ata “lajmëtarë të Europës”. Dhe nuk janë vetëm poetë, shkrimtarë e intelektualë brenda kufijve të Shqipërisë; të bie në sy një histori në fund të librit, që është ajo e poetit Agim Ramadani. Kjo histori duket sikur del nga koha në të cilën kanë ndodhur historitë e tjera, sepse ndodh në vitin 1999, ku poeti nga Gjilani lë Zvicrën dhe kthehet për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe vritet, siç e përshkruan Zhiti, “me gurin e kufirit mbi kurriz”. Zhiti ka zgjedhur që krahas historisë së jetës të sjellë dhe krijime të ‘lajmëtarëve”, ndaj ai e quan librin e tij një antologji.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Zhiti, pse ky libër tani, si lindi kjo ide për të sjellë në një botim histori të poetëve e shkrimtarëve të vrarë në komunizëm, në kapërcyell të ardhjes së tij, dhe më tej edhe poetë nga Kosova, të vrarë në luftë në vitin 1999? Si është bërë përzgjedhja? Librat kanë kohën e tyre dhe fatin e tyre ashtu si njerëzit dhe jo rrallëherë, ndryshe nga krijuesit e tyre. Ka libra që kanë më fat se autorët e tyre, i dua këta libra, shpesh janë kryevepra botërore dhe ka autorë që kanë fat më shumë se librat e tyre, dyshoj tek kjo letërsi. Po le të kthehemi tek libri ynë, duhej të dilte më parë, por më mirë se sa më vonë, ndërkohë do të ishte ende më mirë të mos kishim nevojë për libra të tillë, që rrëfejnë krimet shtetërore dhe tragjeditë. Del “tani”, duhej dhe duhet. Mungonte. Ideja për një antologji të tillë është e 10-15 vjetëve më parë. Ishte dëshira dhe misioni i përbashkët për të treguar nga e vërteta, sado e rëndë qoftë. Nuk ka letërsi pa të vërtetat dhe të rëndat. Ndërkaq duhej një si altar që të nderoheshin ata që u vranë nga të vetët, kur ne, si të thuash ishim dhe të vrarët dhe vrasësit. Jam marrë me këtë letërsi, “letërsia tjetër” quhet ndonjëherë, “letërsi sirtari” e quajnë në Perëndim, por ka ndodhur që shkrimtarët shqiptarë të kësaj letërsie të mos kenë pasur as sirtar, as shtëpi, as jetë e as vdekje e as varr e as shtatore. Letërsia e tyre është ajo e burgjeve dhe e internimeve, e dënuar si dhe ata. Ngaqë lihet mënjanë, që harrohet, e ndjej se jam njëri nga ata që duhet të kujtohet dhe t’ua kujtojë dhe të tjerëve.
Shoh se kjo antologji është e para e këtij lloji, me autorë të vrarë dhe ndoshta e vetmja në botë. Asnjë diktaturë s’ka bërë kaq plojë me poetët, shkrimtarët, pedagogët e popullit të vet sa diktatura e Enver Hoxhës. Një vend i vogël me një krusmë të madhe. Dhe pamë se fat të tillë tragjik kishin dhe poetë të tjerë shqiptarë përtej kufirit shtetëror, në Jugosllavinë e dikurshme, po i vriste shteti, ku ishin jo vetëm nënshtetas, por dhe autoktonë, rrënjës shekullorë në trojet e tyre. I bëmë bashkë të vrarët në një antologji, e cila nis me luftë, kur po mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe mbaron po me luftë, atë në Kosovë, kur po mbaronte shekulli dhe mijëvjeçari, në harkun kohor kur sundoi komunizmi. Pra gjaku shqiptar, i derdhur nga plagët e plumbave, që ia hapëm vetes, e ka shkruar së pari këtë antologji.
Ju i quani ata, lajmëtarë të Europës, çfarë është Europa në këtë rast? A është vetëm një konotacion gjeografik apo simbolikë e lirisë? Po, ata janë lajmëtarë të Europës, të vrarë nga ky shkak. Pothuajse të gjithë kishin studiuar në metropole të Europës, në Austri, Vjenë  e Grac, Francë, në Sorbonë e Gjermani, në Berlin, në Itali, Romë, Firence etj., në Greqi, Athinë e Selanik, në Turqi, në universitete amerikane në Stamboll, por dhe në Beograd e Moskë etj. Europa për ta, thënë thjesht, ishte jo vetëm shtëpia e tyre, por dhe familja e natyrshme e shqiptarëve, e ardhmja e Shqipërisë. Dy autorët, p.sh., me të cilët nis kjo antologji, Safet Butka e Zai Fundo, do ta shikoni, janë marrë drejtpërdrejti me hartime programesh të mëdha, i pari për të patur shqiptarë të bashkuar e një Shqipëri Europiane, kurse i dyti është mes ideatorëve të një Europe të Bashkuar, kur këto ishin ende ëndrra. Prandaj Europa për ne nuk duhet të jetë dhurata që na vonohet, por të guxojmë të themi se është “toka e mohuar”, jemi pjesë e saj, jo vetëm si gjeografi e histori, por dhe si ideal, kulturë e shpirt. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një nga kryekomandantët e saj që para 5 shekujsh. Në piedestalin e shtatores së tij në Romë, dëshiroj ta kujtoj prapë, shkruhet me shkronja të arta: “Mbrojtës i paepur i qytetërimit Perëndimor”. Europës duhet t’i kërkojmë më shumë, aq sa i kemi dhënë.
Historitë e të vrarëve në komunizëm duken si histori që vijnë nga ferri në kontrast me poezitë e tyre, çfarë ke ndjerë ndërsa po hulumtoje mbi këto histori njerëzore? Ashtu është, siç thoni ju, jetët e tyre janë dhe rrëfime ferri, danteske, mahnitëse, të pabesueshme, kanë madhështi dhe bëma supreme atdhetare, kanë dashuri dhe dritë dhe tërëtherje, siç i thotë sakrificës një miku im, kurse në poezitë e tyre, në përsiatjet dhe ditarët ka ideal dhe vegime, frymë naimjane e fishtjane, lirizëm, borë, flamuj, rrugnaja, aromë buke, paqe, por dhe qëndresë njerëzore e kundërshti flijuesish, dhembje e vuajtje dhe përkushtim të lartë. Kam vuajtur dhe unë duke kërkuar nëpër jetët e tyre; ja, etërit e Klerit Katolik të Shkodrës, ata që bënë fe atdhedashurinë, i sharruan plumbat e skuadrës së pushkatimit që mjerisht ishte shqiptare ashtu si dhe urdhëruesit e saj, apo Babai i Teqesë së Tomorrit, Olimpit të shqiptarëve, u pushkatua dhe ai dhe janë pushkatuar edhe gra. Në internim, pas një burgu të gjatë, mbylli sytë Musine Kokalari, gruaja e parë shkrimtare, disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, makina e zhavorrit, pa funeral, e hodhi në një gropë. A nuk është vrasje makabre kjo? Po kështu dhe tragjediani i parë e i vetëm që kemi, Et’hem Haxhiademi vdiq në burg ca ditë para lirimit, edhe ministri i Arsimit, më i kulturuari në Ballkan, Mirash Ivanaj. Ata i vranë më parë si intelektualë, si shkrimtarë, si njerëz, si emra. Dhe ishin të nivelit europian. Dhe poeti Trifon Xhagjika thirri për të gjithë në gjyq, para se ta pushkatonin: “Më jepni një top t’i bie sistemit tuaj!”. Jusuf Gërvallën e vrau UDB-ja në mërgim, në Gjermani, etj., etj.
Më dukej sikur endesha nëpër ankth, zbrisja nën tokë, në gropa masive, sikur gjeja eshtra, kafka të mëdha si ato dy kokat e bronzta të skulpturave të dy të pushkatuarve të Librazhdit, ajri dridhej nga lëkundjet e të varurit të fundit të perandorisë komuniste, Havzi Nelaj, vinin fantazma, ndjeja shpirtrat e tyre që enden vazhdimisht mbi ne si shpendë mitikë.   Por sa frikë, sa e rëndë do të ishte po të mos i kishim ata, sa mirë që i kemi ! I bënë ballë së keqes dhe porosia e tyre tani është më i fortë se ata vetë, se diktatura po se po. Një poet francez thotë për të rënët se vdekjet e tyre janë jetë e atdheut.

Të shkruash nën pranga...
Të shkruash nën pranga…

Mendoni se kjo antologji e ka çuar në vend amanetin e tyre për të mos mbetur në harresë? Çfarë duhet bërë që këta poetë e shkrimtarë të njihen për vlerat e tyre letrare, bashkangjitur jetës së tyre në diktaturë? Ju keni qenë dhe ministër, a mendoni se njihet sot brezi i ri në shkollë mjaftueshmërisht me këtë pjesë të historisë së letërsisë? A duhet të jenë këta poetë e shkrimtarë që iu ndërpre jeta më dysh, pjesë e veçantë e letërsisë shqipe? Amaneti i tyre nuk është vetja, jemi ne, Shqipëria, madje ka nga ata që edhe para pushkatimit kanë thirrur për lirinë dhe Shqipërinë.
Botimi nga UET-PRESS në bashkëpunim me “Omsca-1”, pra nga Universiteti Europian i Tiranës, i ngjan plotësimit të një testament, të ndërtosh “Europë” në truallin tënd, gjë të cilën ata e ëndërruan dhe lanë jetët për të. Europa fillon nga kultura, nga universiteti…
Po ç’mund të bëjmë ne për europianët tanë të vrarë? Mund të ngrihen varreza të mermerta monumentale, statuja, të mbahen kuvende etj., por nuk do të ishte e mjaftë. E shtrenjtë si shpirtrat e tyre, si përvoja e therortë që përçojnë, është fryma, kjo ka rëndësi. Koha duhet të mbartë frymën e tyre, që metaforikisht duhet të jetë si ajri. Nuk e kam fjalën që ne të jetojmë me pengun e së shkruarës dhe me vuajtjen, jo, përkundrazi, porosia e tyre është jeta, dashuria, ndërtimi, duke mos harruar, se po harrove, je i dënuar të përsëdytësh. Të kujtosh, pa e patur pengesë të kaluarën, as dogmë e idolatri, që do të thotë, ta lësh mënjanë gjithnjë e më shumë të keqen, të bësh gjithnjë e më mirë veten dhe vendin.
Gjestet e larta të të gjithë të rënëve tanë, kudo e të çdo kohe, porositë e tyre dhe sa më i kulturuar zëri, aq më shumë duhen dëgjuar, veprat e tyre duhet të jenë të pranishme në tekstet e shkollave, të mësohen, të jenë frymë-zim dhe t’i ndjejmë si rrënjët nën tokë, që sa më shëndetshëm t’i mbajmë ato, aq më shumë do të kemi blerim, pjellori frutash, gjithmonësi.
Emrat e tyre, p.sh., duhet t’i kenë rrugët tona, bibliotekat, sheshet…
Letërsia e tyre s’ ka pse të jetë pjesë e veçantë e letërsisë shqipe, por lëndë përbërëse e saj, pjesë e magmës.
Jo rastësisht antologjia mbyllet me poetin nga Kosova, Agim Ramadani; atë e vranë teksa hiqte gurin e kufirit, që ndante padrejtësisht një komb, një popull, një gjuhë, një kulturë, me realitete aktuale të ndryshme.   Simbolikisht, shkulja e atij guri ishte heqja e kufirit “mes vedi”, që na ndante dhe nga historia jonë e së ardhmes, nga Europa e bota. Letërsia e dënuar nuk erdhi për të zëvendësuar, por solli vetveten për ta pasuruar letërsinë shqip me atë që mungonte, me vuajtjen e kthyer në vlerë, me jetët e ndërprera, të kthyera në përjetësi ëndrrash dhe idealesh të përbashkëta.
Prandaj botimi i kësaj antologjie është shumë më tepër se një akt letrar dhe nuk mund të quhet si kthim i kokës pas, por ecje përpara, me një traktat europian në dorë, pergamena e të cilit është nga lëkura e profetëve tanë paraprijë.
marre nga Minerva

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.