
Vikatjet “revolucionare” për rreshtim akritik apokaliptik…
nga Nest Zefi
Ndërsa fb më rikujtonte nji shënim të shkurt mbas thirrjeve për “shejtnim”, madje edhe si disident i komunizmit, të Ismail Kadaresë dhe anullimin e çdo zani kritik mbi figurën e tij, mendoj se ka ardhë koha me trajtue me realizëm e ndershmëni çështjen dhe prototipin e disidencës gjatë periudhës të komunizmit, për të cilën personalisht jam mundue me dhanë disa kontribute e koordinata studimore afër të vërtetës efektive. Mungesa e bonifikimit të ktij terreni të helmuem, po krijon ende nji klimë të polarizueme, ku protagonistë janë prep të njejtit individë sherrbudall që vikasin në rrjetet sociale, tue kallxue antologji të rreme të “heroizmit” të tyne ordiner. Madje edhe në krye të disa shoqatave lokale të demek ish të persekutuemish janë persona të dënuem për krime ordinere. Sigurisht, në nji regjim kriminal si ai i Enver Hoxhës përveç klerit martir katolik dhe pjesë që orbitonte afër tyne, pjesa e tjetër e viktimave asht kenë efekt përplasjes në kuadrin e revolucionit. Përqëndrimi i sproprocionuem te efektet e ksaj dialektike persekutore autolegjitimuese e regjimit, tue viktimizue persona të rrethit të vet, e kuptueshme nga pikpamja njerzore, nuk mundet me na largue prej detyrës morale me reflektue mbi shkaqet: kush i bashkangjitet nji kauze të gabueme, kjoftë edhe ne aspektin ideal, nuk mundet mos kenë përgjegjës në nji farë mnyre për rreshtimet e veta euforike apo të leverdisë së momentit. Në fakt, kush i ka qëndrue me dinjitet e inteligjencë persekutorit komunist, ka vazhdue të persekutohet edhe ma shumë në kto vite postmonizëm, tue iu mbyll portat e kontributit social e politik në Shqipni. Cilësia mjerane e personelit politik, akademik e në tana implikimet dhe defaktorizimi i njerëzve me taban familjar e personal, asht produkt i mobilizimit sistematik të ktyne “brigadave të plehut” ordinere, sa herë klyshët drejtues të Ramiz Alisë kishin nevojë për ekonominë e tyne të sundimit. Prandej, nuk u hapen as dosjet, se ndryshe nuk ishte e mundun me organizue mitingje e ba mbledhje Partie me këtë model…
Ende sot, kto rriqna të ndyta, prostituta ambulante në botën reale e virtuale, mundohen, edhe me koston me u ba qesharakë, me zhurmue çdo analizë e qëndrim parimor të njerëzve me arsye e dashni të ktij vendi. Prandej të shkruejmë e të kallxojmë të vërtetën se shoqnia shqiptare nuk mundet me mbet peng i këtij modeli plot helm e vner. “Fatwat” e tyne moraliste, autoviktimizuese janë nji kriter i saktë me i njoftë në poshtërsitë e tyne. Kto janë arsyeja pse tallet Edi Rama me ta e krejt Shqipninë.
Status i datës 3 korrik 2024

Dy fjalë për “Xhematin” e Ismail Kadaresë
Në pak orë prej ndamjes prej jetet të Ismail Kadaresë, nji ortek ofendimesh e sulmesh inatçore po shprazen prej “adhuruesve-besimtar fideist” të tij ndaj atyne pak vetëve që artikulojnë publikisht në rrjetet sociale rezerva e kritike në adresë të shkrimtarit, tashma të ndjemë.
Ky autoviktimizim artificial, tregon që ushqimi me veprën e Kadaresë paska kenë nji helm i vërtet për ta e shej i nji vasaliteti psikologjik e kulturor të frikshëm.
Personalisht, në statusin e pardjeshëm, sikur edhe në shkrime të tjera, nuk jam marrë aspak me biografinë e Kadaresë nën diktaturë edhe pse asht e rëndësishme me e reflektue, mbasi kam mendue se, vepra e tij, e lexueme me shqisat e së vërtetës, ka në thelb helmin e lirisë totalitare dhe mirazhet e njirit të trazuem prej utopive autoreferenciale.
Po ashtu, ndaj shumë shokëve e miqve, të dashnuem me veprën e tij, kam tregue respekt e mirëkuptim, tue njoftë “magjinë” ushqyese iluzore të veprës të Kadaresë në kohën e hermetizmit kulturor hoxhist. Në fakt, regjimi diktatorial i kishte dhanë Kadaresë “liçensën” speciale me kenë ura lidhëse diplomatike informale me qarqet masone europiane në këmbim të shërbimeve të tij ndaj projektit me krijue njirin e ri apo luçidue njirin e vjetër otoman arnaut. Letërsia e orientueme, në regjimet diktatoriale, asht arma e vetme diplomatike për me ruejtë statuquone gjeopolitike të pushtetit.
Prandej, me largimin fizik të Kadaresë ka ardhë koha me “shkmes” klishetë e randomta që janë afirmue rrotull e me kontributin e tij dhe etalonet krahasuese me poetë e shkrimtarë të tjerë të mëdhej në historinë e tokës arbnore. Psh. Asht e kotë me ba krahasime ndërmjet tij e Patër Gjergjit e plejadën fisnike të shkrimtarëve katolikë, mbasi itinerarët e tyne kanë korsi që nuk mund të kryqëzohen as në 3D e Edi Ramës..
Ismail Kadare i vilajetit të Janinës, bashkë me Rexhep Qosën e vilajetit të Kosovës, janë nji projekt mason otoman, i lindun prej inferioritetit kulturor, për me u ba kundrapeshë e Lavdisë së paarratishme të shkrimtarëve katolikë që fillojnë me Imzot Frang Bardhin e deri te Kolosi i letrave shqipe Patër Gjergj Fishta e të tjerë të njohun e të panjohun.
Kadare, si bubrrues i talentuem, fort i ndihmuem e sponsorizuem me kujdes kapilar prej ktyne qendrave të pushtetit kulturor e politik, asht kenë “gjeni” i nji letërsie dëshpëruese e rrafshuese të çdo vlere autentike njerzore, me theks të veçantë nihilizimin e letërsisë katolike shqiptare.
Letërsia në thelb asht forma artistike e ideve, mendimeve dhe imagjinatave të shëndetshme të njirit që buron prej natyrës të tij trashendente dhe aspak loje, zbavitje apo evazion për të “burgosunit” fizik e kulturor të nji regjimi diktatorial, të cilit Kadare në rastin konkret, po i shërbente me zell. Letërsia autentike merret me njirin konkret, pyetjet ekzistenciale mbi fatin e tij, kujtimin e jetës, dekës, të mirës, të keqës, lirisë, ndërgjegjes, rolin e Zotit e të historisë në rrugën e vet plot nevoja e mistere dhe mbi të gjitha jep konturet e shpresës finale.
Realisht Kadare nuk e kishte konstitucion shpirtnor, ndryshe prej Patër Gjergjit e të tjerë kolosë të letrave shqipe, me iu përgjigjë modelit të letërsisë me ftyrë e shpirt njerzor e kshtu ai u lshue në nji antiletërsi që tjetërsonte e dhunonte realitetin simbas nevojave të njirit të reduktuem në “kafsh urbane” e depozitueme në pallatet mbytëse sovjetike dhe kineze, mendësia e të cilëve ka molepsë kolektivisht krejt ish proletariatin shqiptar, me krejt fshatarsinë kooperativiste, klasën punëtore dhe medemek inteligjencën popullore të djeshme. Fatkeqësisht, ky model shqiptari pa imunitet kulturor, me instinktin e tufës, me repertorin e papagallit retorik apo merakun e statusit të epërm të “gjelit maje plehut”, asht kacavjerrë mbi kufomën e Kadaresë për me gjet pshtimin e atij grumbulli plehnash kulturor që ka grumbue në jetën e vet “anti” kulturore. Pikërisht ky model plehut asht në politike e kudo që sundon dhe frytet po shihen mirë në tana rrafshet. Keqardhje për shumë katolikë që i shkojnë mrapa helmit të veprës të Kadaresë, madje edhe shumë prej tyne meshtarë të shuguruem e me nji farë reputacioni në publik. Patër Zefin e patëm falë për dashni kristiane e si homazh për vuejtjet e psueme gjatë atij regjimi për amnistimin e turpshme që u bani Kadaresë e këlyshëve të ish bllokut komunist me letërsinë e tyne kriminale, tue i dhanë patentën e europianit të madh. Sigurisht, Patër Zefi, mendonte me nji farë deliri të kuptueshëm se, tue pasë ndejtë me të mëdhejtë, ishte edhe ai i madh fort e kshtu kishte tagrat me dhanë “viza” europiane për disa otomanë të ish regjimit, tue u ba dame grigjës katolike, ndaj të cilës shpesh herë kishte sall ankesa..
Në këtë trase klerikale vasale psikologjikisht, të hapun prej Patër Zefit, po ecin edhe disa meshtarë të tjerë, adhurues të mshehtë apo publikë të Kadaresë. Ndoshta shumë prej tyne, mos të kishte ra regjimi, në vend të priftënisë, ishin ba sekretarë partie e në këtë kontekst duhet inkuadrue vena e tyne thellësisht ateiste, edhe pse janë të stolisun me sakramentet e shejta. Nji adhurues i Kadaresë asht me konstitucion ateist e hedonist i frustruem, pavarisht rolit që ka në jetën shoqnore. Shpresoj, në kto pak rreshta të thukun, të kem dhanë nji shej a horizont me u marrë me veprën e Kadaresë me kriteret kritike të së vërtetës efektive,
Status i datës, 4 korrik 2026