
Vetëvrasja e Perëndimit
nga Nosh Mernacaj
Marr shkas nga libri me titull “Vetëvrasja e një kombi” i Kol Bibë Mirakaj për të zgjedhur këtë titull “Vetëvrasja e Perëndimit”, që me shumë ngjasa do të sjellë fundin e civilizimit dhe ta çojë botën në kohët e errëta.
Më duket se në jetë kam qenë gjithmonë me vonesë. Kërkoja të isha i madh, por kur u rrita nuk ishte më interesante pasi repsketi për të rriturit u zhduk. Në Komunizëm ëndërronim botën perëndimore; lirinë, demokracinë, dhe kapitalizmin që sillte kjo jetë. Kur e arritëm, Perëndimi mori kthesën majtas dhe çdo ditë i jep më shumë gaz shpejtësisë. Ka kohë që them se unë do të arrij ta shoh Perënimin në Socializëm, ose më keq, ndërsa shumica e vendeve të Europës Lindore do të kërkojnë Kapitalizmin. Shembulli më i mirë sot është Gjermania kundrejt Polonisë.
Sa kanë ndryshuar kahe këto dy vende!
Roma nuk është shkatërruar nga asnjë ushtri, sado e fortë të ketë qenë, apo ndonjë i zgjuar. Ajo u shkatërrua nga popujt barbarë, ose turma njerëzish të prapambetur. Perëndimi po bie në të njëjtën mënyrë, të udhëhequr nga grupe injorantësh që nuk kuptojnë matematikën e thjeshtë, historinë, apo marrëdhëniet shoqërore. Një gjeneratë e tërë është rritur dhe indoktrinuar në shkollat më prestigjioze dhe valvit flamurin e Social-Komunizmit ndërsa jeton në bollëk e liri që janë komplet e kundërta e asaj çfarë sjell Social-Komunizmi. Ky fenomen është në kundërshtim me çdo llogjikë apo shkencë.
Socializmi është si skemat piramidale. Në fillim, merret nga disa dhe u jepet të tjerëve. Por një ditë, ashtu siç e pat thënë Margaret Thatcher, “problemi i socializmit është se një ditë mbarohen të pasurit që t’u marrësh pasurinë.” Pra socializmi ashtu si skemat piramidale janë të bukura vetëm për një kohë të shkurtër. Ata që dalin prej tyre herët fitojnë, por nëse e ndjek deri në fund, të gjithë humbin.
Socializmi perëndimor është edhe më i keq se ai Lindor sepse sjell elemente të tjerë të rrezikshëm për rendin shoqëror. Duke qenë se themeluesit e kësaj çmendurie janë rritur në bollëk dhe rehati, mendojnë se mund të vazhdojnë të gëzojnë çdo gjë që e kanë sot, por edhe do të shtojnë utopinë e barazisë dhe zhdukjen e kriminalitetit duke eliminuar rregullin shoqëror – të vetmin aspekt që garanton rendin. Domethënë, duan të hanë me dy lugë por s’do të kenë asnjërën.
Hapjet e kufijëve dhe eliminimet e policive dhe të ligjeve janë vetëm disa ide të çmendura që ata propozojnë. Për të vazhduar tek euforia e bindjeve seksuale dhe numrin e gjinive që e ka kaluar numrin e shkronjave te alfabetit dhe vendosjen e kësaj teme në plan të parë. Të paktën në rastin e Lindjes, për mirë apo për të keq, shteti autoritar ishte pikërisht ai që e mbajti popullin nën fre, por në atë Perëndimor që kërkon zhdukjen e policive që mbajnë rendin, sikur të gjitha këto ide të implementoheshin kjo me siguri do sillte anarki, luftra civile, dhe fundi do të jetë një katastrofë njerëzore e paevitueshme.
Ligji i xhunglës do të ishte i vemti ligj që do të sundonte.
Albert Einstein ka thënë: “Nuk e di se me çfarë armësh do të luftohet në luftën e tretë botërore, por e katërta do të luftohet me shkopinj.” Pra bota do të shkojë në primitivizëm. Shumë mendojnë se kjo do të vijë si pasojë e armëve bërthamore që mund të përdoren nga ndonjë udhëheqës me sëmundje psiqike, por unë mendoj se kjo do të vijë nga degradimi i popujve perëndimorë naivë dhe sistemet që ato do të instalojnë. Pra, nga Socializmi Perëndimor që përmbledh çdo gjë të keqe që ka krijuar historia njerëzore dhe e gërsheton me një injorance të kuptimit të natyrës njerëzore.
Asnjë sistem nuk është ngritur për një ditë, dhe në fillim shumë ide që më vonë ja kanë dalë, janë quajtur shumë absurde dhe janë përqeshur në fillim. Dhe kur njerëzit e kanë kuptuar, ka qenë shumë vonë. Ashtu edhe kjo ide që mund të duket shumë e largët sot, do të mund t’ia dalë. Mjafton të flasësh me fëmijët tuaj dhe të kuptosh bindjet e tyre. Shkollat i kanë indoktrinuar me kohë. Në Democraci sundon shumica dhe ata do të jenë shumica së shpejti dhe do të votojnë përfaqësuesit e tyre që përkrahin këto ide. Në SHBA, për shembull, po ndodh çdo ditë e më me shumë vrull. Grupe komuniste marshojnë nëpër rrugë dhe çdo ditë e më shumë të tillë zgjidhen në poste shtetërore: Kryebashkiaku i New Yorkut është njëri prej tyre. Popullariteti i tyre rritet çdo dite, ndërsa shoqëritë perëndimore kanë rënë në gjumë. Në pyetsorin për shtetësinë Amerikane është pyetja, “A keni marrë pjesë në ndonjë shoqatë komuniste?” Po sot Amerikanët dalin haptas në mbështetje të Komunizmit.
Sot janë pak. Nesër më shumë. Shumë shpejt do të jetë tepër vonë.
Zakonisht dua të kem të drejtë, por këtë herë do të dëshiroja të isha gabim.
Një fjalë e urtë thotë, “Po drua, se nuk po dua!”