
Vazhdoj t’i lutem Zotit për dashurinë e humbur…
letra e një gruaje të panjohur
Sonte po i lutem përsëri Zotit, siç i jam lutur shumë vjete të shkuara, por tani me të tjera fjalë dhe jo më si atëhere…
Sonte po i lutem të ma rikthejë një borxh që më ka, të më kthejë një shpjegim: Përse, përse më plotëson dëshira kur e di shumë mirë që janë dëshira të hidhura, përse më më trajton kështu?! Mos ndoshta nuk duhet t’i vë faj… ndoshta ka të drejtë, sepse i jam lutur shuuummëë, por kam qenë e paditur, një adoleshente e dashuruar marrëzisht… edhe pse të gjithë ishin kundra dashurisë sime thuajse të verbër… dhe më kishte mbetur vetëm Zoti të më ndihmonte…!
A të kujtohet?!
Ishte një ditë me shi dhe unë nuk e ndjeja shiun as në fytyrë, as në rrobat e lagura, as në flokët e shpupurisur, ndjeja vetëm lotët e nxehtë që e lagnin gjithë qenien time… Dhe ecja nëpër shi me kokën lart e të lutesha ty o Zot, atje lart në qiej: “Të lutem ma plotëso dëshirën! Të lutem ma jep dorën dhe më ço atje ku dua të jem, të lutem më bashko me dashurinë time… të gjithë janë kundra meje, por unë jam e dashuruar, dhe dua të jem me atë njeri, dua të jetoj e të vuaj me të… Të lutem o Zot ndihmomë, të luuuteeemm… dhe ti ma plotësove dëshirën! Ishe aty kur unë të lutesha, po pse s’më tregove, përse nuk më the se me dashurinë time po më çoje në një burg pa një datë mbarimi, po më çoje në një varr të hapur me duart e mija…
Ti e dije shumë mirë se ku po më çoje. Unë isha e verbuar, përse ti ma plotësove atë dëshirë të çmendur…
Sa shumë vite të një jete hedhur në plehra… S’e di: nëse kështu më qe e shkruar o pse unë t’u luta aq shumë, dhe ti ma dëgjove klithmën time…
Sonte po të lutem sërish: Ma kthe borxhin! Kujdesu të lutem për engjëjt e mi, kujdesu për ta, vetëm kaq dua! Për vete s’dua më asgjë! S’të kërkoj me lutje asgjë për vete! Kur isha e verbuar dashurie ti erdhe e ma dhe dorën, dhe s’ështa faji yt pse kisha zgjedhur greminën… Sot po të lutem vetëm për ata, do të lutem derisa t’i mbyll sytë: Kujdesu për dy engjujt e mi, mos i lëndo, mos u jep mërzi, jepu ëndrrat që m’i morën mua, jepu lumturinë që unë s’e pata asnjë ditë të vetme, jepu buzëqeshjen që ma kthyen në përlotje… Të lutem kujdesu për ta, kujdesu të mos vuajnë fatin tim. Ma ke borxh këtë lutje, mos harro! Nëse vërtet je atje lart, nëse vërtet ekziston madhështia jote, kujtoje stë ditën me shi dhe bëje detyrën tënde më mirë, për këtë lutjen time të fundit…
Sonte nëpër shi po të lutem si dikur, i bindur se ti më dëgjon!
Shkrim i marrë nga Adelina H…