back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Vargje në kaushin e farave të lulediellit… – nga Arjola Kondakçiu

Gazeta

Vargje në kaushin e farave të lulediellit...
Vargje në kaushin e farave të lulediellit…

Vite më parë, lashë jashtë hyrjes së pallatit tim në Durrës,
disa kopje të librit tim të parë, botuar në Itali “Il regno del proibito”
(Mbretëria e gjërave të ndaluara”). “Dikush do t’i marrë për t’i lexuar…”,
mendova. Nuk e di ç’fat patën të gjitha ato kopje, por është e sigurt
që disa prej tyre i kishte marrë një shitës farash luledielli.
Duke blerë një kaush të tillë, u njoh me poezitë e atij libri,
gazetarja, shkrimtarja dhe redaktorja Arjola Kondakçiu
Ajo, me dashuri e respekt për vargjet e zbuluara rastësisht,
prej një prezantimi të tillë grotesk me autorin e panjohur, shkruajti këtë ese
të mrekullueshme për atë libër veçanërisht të dhimbshëm për mua.
Autori – Shpend Sollaku – Noè!

.⁠

Shpend Sollaku Noe
Shpend Sollaku Noe

Vargje në kaushin e farave të lulediellit…

nga Arjola Kondakçiu

 “Shkëmbi tashmë u gërrye
Por edhe dallga është e vdekur!”
 
Më befasuan këto fjalë të shkruara në stilin e një poezie të shkurtër moderne e filozofike, të cilat i shijova ndërsa po hapja me kujdes kaushin e ngrohur nga fara luledielli të pjekura që të ngacmonin me aromën e tyre më të fortë se ngjyra. Nuk i preferoja për shkak të problemeve me dhëmbët, por ndonjëherë kur kaloja në atë anë të bregdetit në Durrës më vinte keq për trishtimin e atij zotërisë që shiste, ndaj i blija në mënyrë simbolike për ta ndihmuar. S’më shkonte mendja që atë ditë, përtej edhe trishtimit tim që fashitej nën ledhatimin e puhizës dhe humbjes pas valëzimit tingëllues të dallgëve, të merrja inkurajim letrar edhe në këtë formë. Ndërsa po e hapja me delikatesë kaushin kureshtja m’u shtua, sepse në atë fletën e bardhë me shkronja të zeza përzier me të zezën e farave të vogla si shkronja, lexova:
“I prenë duart/ Pastaj i dhanë një shkop dirigjenti/ për të dirigjuar Verdin…”
.
Arjola Kondakçiu
Arjola Kondakçiu
Kaq mjaftoi për të ndalur rrufeshëm hapat ngaqë kuptova vetveten nëpërmjet vargjeve të tjetrit, dhe bëra rrotullimin befasues që të nxitoja për te shitësi i lulediellit. Nën drithërimën e zemrës si gjethe dhe valëvitjen e tonalitetit të zërit më shumë se intensiteti i valëve të detit, e pyeta nëse e kishte atë librin ku gjeta fletën e shndërruar në kaush. U çudit se s’i interesonin librat, por kur pa ngulitjen time përgjëruese, ngaqë më njihte, më la të shikoja në koshin e tij të punës afër një triçikli të vjetëruar. Kërkova, e madje i përpiva me tretjen e shikimit të shpejtë, por fleta s’përputhej me të tjerat. Ndërsa psherëtiva me dënesë ngaqë për herë të parë shikimi im i mprehtë i syve të mëdhenj dështoi, vështrimi m’u ndal te disa prej kaushave të mbushur, të cilët ngjasonin me të njëjtën cilësi letre e prerje formati karakterizuar nga poezi të shkurtra. Seç ndjeva një gëzim të papritur brenda vetes, dhe ia bleva të gjithë kaushat: gjithsej 12, e i thashë me një merak shitësit se mos më gjente edhe fletëza të tjera të librit në shtëpi. Ai libër, që përveç poezive në shqip dhe italisht nuk i dija as titullin e as autorin, mori formë kur u zhyta me ankth në ato pak fletë të zhubravitura që kisha, nëpërmjet së cilave filloi në imagjinatën time të krijohej këndvështrimi letrar dhe imazhi i botës reale të autorit mes ëndrrave, dhimbjes e shpresës.
Diku lexova shqetësimin:
Të zgjohesh në fund të greminës/ Sa të rënda eshtrat!/ – vargje ku titulli “Pas një ëndrre” plotësonte kuptimin, aq sa e mbylla analizën memece vetëm me një psherëtimë çliruese… Ah!
Më tej, më tërhoqi nostalgjia me elementin e “baltës” (simbolikë karakteristike për ne të rriturit në Myzeqe), krahasuar me një largim rrënqethës te poezia “Braktisje”: Shkretia e rrugës/ hamall i baltës/ që shkon të prehet/ Psherëtin dielli/ i shuar në pellg.
Pamundësia e realizimit krahasuar me kontrastet e dukshme të elementeve të natyrës, theksohej nën ndikimin e një psikologjie elastike te vargjet: Jeta e ylberit/ më tërheq thellë/ atje, në detin e të përkohshmes/ ku e kam të vështirë të lundroj.
Apo meditime interesante si: “Natyrë e qetë” Një palë këpucë/ të hequra në një kënd/ Ëndërrojnë për dy këmbë.
Dhe: “Delir”: Fantazma/ shket lirshëm/ trotuareve/ Syri im, pus i braktisur – më mahnitën me detajet e mbylljeve inteligjente.
Përshkrim emocionues më ngjalli dhe fleta tjetër me poezi për ndjenjat, elegante në stil edhe pse me nota pesimiste: “Ditë pa bukuri” – Isha i lumtur pa të të njohur/ Tani/ më kot përpiqem të rikrijoj/ ditët kur nuk të njihja.
Nga poezia “Kavie” hodhi dritë tek unë dhe një pjesë e mjegulluar edhe e dhimbshme e autorit, pasi dëshira për lirinë fizike dhe atë të mohimit në të menduar, e kishte detyruar të shpërthente përbrenda duke u shprehur fuqimisht: Kafaze që frymën ta mbysin/ udhë vetëm për erën/ Kavie me sy të bindur/ pulitur në të errët/ Ëndrra e plagosur e qiellit/ jep shpirt pas kangjellave.
Por dhe shprehje poetike të goditura metaforike të paralelizuara si: “krehja e gishtave të vdekur në flokë; erë e panjohur në pyll të vjetër; qerpik i lodhur në pritjen e zbrazët; arkivoli i ëndrrës; ndrydhja e hijes; buzë të kalbura shpojnë ajrin, – pasqyronin më së miri botën e thellë artistike të autorit dhe qasjen e tij shpirtërore me letërsinë si një njohës dhe përdorues i spikatur i fjalës artistiko-letrare.
Dhe në ato raste kur nuk mundej dot të shprehej, kishte folur nëpërmjet Pantonimave, një formë të shprehuri nëpërmjet vizatimeve (e në pak pak fletë që kisha), specifikuar në: pantonimat e trurit, miqve, karrierës, ndërgjegjies etj. Tepër interesante kjo strukturë ndërtimi me vizatime domethënëse, pasi ishte si një kod zbulimi plotësues i enigmës së vargut.
Kështu, gjatë leximit të këtyre poezive të përkthyera edhe në italishten tingëlluese e të dashur për brezin tim, gjatë kënaqësisë që mora nga përfshirja ethshëm nëpër vargjet e lira e të thella, krijova një përshtypje dhe respekt edhe për autorin, që me sa kuptova ishte një letërshkrues profesional, por se imagjinoja dot se ç’paraqitje mund të kishte derisa pak ditë më vonë kur kalova nga bregu i detit, shitësi më thirri që të afrohesha dhe më dha kopertinën e librit. O Zot, çfarë gëzimi! Ajo kopertinë e vogël nuk i shërbente pjekësit të farave të lulediellit për kaush sepse ishte pak e fortë, por edhe fëmijët s’ia kishin hedhur ngaqë kishin parë një vizatim paksa të çuditshëm në qendër të saj dhe e kishin kopjuar me fletë sipër. E pashë, dhe ishte “Harta e Shqipërisë me dy këmbë të zeza mbi të” (që më krijonte pështjellim ndërsa po e rifreskoja me disa nga vargjet e lexuara), dhe lart emri i koduar i shkrimtarit “Noé” (i shpëtuari), një pseudonim që menjëherë më solli në mendje personazhin e mbijetuar biblik. Por jo emri konkret!
.
Noé - Il Regno del Proibito -
Noé – Il Regno del Proibito –
Nuk e dija se si i kishin shkuar gjërat këtij “Noé-je” që në dy vargje të cilat m’u ngulitën shkruante: “Nëse lulëzojnë vetëm lule të hidhura/ si mund të jetë i ëmbël mjalti?”, por përderisa kishte arritur ta botonte librin edhe pse mes shumë vështirësish e me pseudonim, sigurisht që ishte triumfator. Dhe mua, fletët me vargje nuk m’i solli pëllumbi i Noe-së së vërtetë, por u përhapën nëpërmjet kaushave të farave të lulediellit, tamam si simbol qëndrese e spirancë shpëtimi vazhdimësie për çlirimin e mendimeve të shpirtit tim “të robëruar” në atë periudhë.
“Shkëmbi tashmë u gërrye/ por edhe dallga është e vdekur…” – thotë Noé. Megjithatë, vargjet e thurura me elasticitet gërmash përjetimi çasti, ankthi ore, pritjeje ditësh, shprese muajsh e pafundësi vitesh, i qëndrojnë si mesazh dëshmie humane mbijetese duke udhëtuar në çdo kohë.
Vargjet që shkruhen nga përvojat e jetës ndikojnë duke depërtuar në të tjerë persona, përderisa kjo histori ka ndodhur 11 vjet më parë, por unë e shkrova vetëm tani. Për më tepër që identitetin e autorit Shpendi Sollaku me pseudonimin “Noé” e mësova rastësisht pak kohë më vonë nga rrjeti social FB. Dhe nuk kisha gabuar gjatë përshtypjeve të leximit. Për shkak të persekutimeve nga sistemi i atëhershëm ai ishte larguar në vitin 1992, nga Shqipëria për në Itali si refugjat politik, dhe atje, gjatë periudhës ku ndër të tjera punoi dhe në fushën e të shkruarit si gazetar, pedagog letërsie e shkrimtar, botoi edhe mbi 15 libra me tematika të ndryshme. Kjo histori për mua ka qenë një burim frymëzimi, pasi shkrova variantin tim, por autori ka të vetin, sepse kur i rrëfeva sesi kisha rënë në kontakt me vargjet e tij, më tregoi se qëllimisht e kishte lënë librin “Il regno del proibito” te shkallët e një hyrjeje pallati në Durrës. Për fat të keq libri ra në dorë të dikujt që e grisi për nevojë pune, por nga ana tjetër fatmirësisht, nëpërmjet përhapjes çuditërisht frymëzuese nga kaushi i farave të lulediellit, unë pata njohjen me poezinë e këtij autori edhe pa e takuar asnjëherë….
.
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.