back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Vangjush Mio, – piktori i parë profesionist në Shqipërinë e shekullit XX Suzana Varvarica Kuka

Gazeta

Piktori Vangjush Mio (1891-1957)
Piktori Vangjush Mio (1891-1957) 

Vangjush Mio, – piktori i parë profesionist

në Shqipërinë e shekullit XX

nga Suzana Varvarica Kuka

(Korçë, 5 mars 1891 – Tiranë,  30 dhjetor 1957)

Kritikja e Arteve Suzana Varvarica
 Suzana Varvarica – Kuka – Studiuese Arti

S’më bën përshtypje asgjë përpara artit…
Duhet që popullit t’ia shtojmë guston për art.
Vangjush Mio

Qyteti i Korçës, në kohën kur lindi Vangjush Mio (1891) ishte sanxhak i Vilajetit të Manastirit. Asokohe atdhetarët më të ditur korçarë u bashkuan për rizgjimin dhe edukimin e shqiptarëve me dashuri për kombin dhe pavarësinë e tij. Gjyshërit e Vangjush Mios ishin bujq, të cilët kishin zbritur nga Vithkuqi në fund të shekullit XVIII. Thimi Mio, babai i piktorit, merrej me punët e bujqësisë. Nëna e tij, Polikseni Ramizi – Mio, ishte shtëpiake. Ata patën tre djem: Anastasin, që shkroi thekshëm me pseudonimin Tasi Pika dhe emigroi i pari në Bukuresht; Vangjushin, piktor i edukuar në Bukuresht dhe Romë; Sokratin, regjisor, i edukuar në Paris. Vangjush Mio ndoqi në Korçë mësimet fillore dhe dy vite të shkollës së mesme, në shqip dhe greqisht. Në vitin 1908, në moshën 17-vjeçare, emigroi në Bukuresht, ku jetoi për disa kohë pranë të vëllait. Fillimisht bëri punë të zakonshme për restorantin e kushërirës së tij nga nëna, Thomaidhës, e cila e mirëpriti dhe e sistemoi me banim dhe punë. Mio aftësohej në vizatim dhe në vitin 1914, konkuroi dhe fitoi të drejtën e studimeve për pikturë në Scoala Nationale de Arte Frumoase din Bucuresti, apo Shkolla Kombëtare e Arteve të Bukura të Bukureshtit. Vangjush Mio u diplomua në vitin 1919. Anastasi dhe Vangjushi ishin anëtarë patriotë të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, për të cilën Asdreni1) shkruante se “Bukureshti paraqiste lulen më të bukur të Shqipërisë në botë”. Në mjediset e kolonisë, Mio i sapo diplomuar në vitin 1919, çeli ekspozitën e parë vetjake dhe anëtarët e Kolonisë i blenë dy piktura me pamje nga Baia Mare.2) Thimi Mio vdiq nga një epidemi gripi në vitin 1918. Në fillim të vitit 1920, Vangjushi kthehet në Korçë dhe brenda po atij viti filloi punë si mësues i vizatimit dhe i historisë së artit në Liceun Francez3), hapi studion e vet si piktor dhe çeli ekspozitën e parë vetjake me pikturat që kishte sjellë nga Bukureshti. Në këtë ekspozitë shiti mjaft piktura. Paratë e grumbulluara nga shitja e pikturave dhe ndihma e dhënë nga shteti shqiptar, në formë burse, i shërbyen për të vazhduar studimet në Romë, që i nisi në shtator të 1920-s, në Instituto Superiore di Belle Arti di Roma/ Akademia e Arteve të Bukura të Romës. Në Romë fitoi dy diploma si restaurator dhe piktor. Kthehet në Korçë në vitin 1924. Në vitet 1924 -1926, ndoqi Bienalen e Venecias. Kështu Mio nis jetën profesionale dhe pikturon vazhdimisht e në çdo situatë. Më pas iu kthye punës si mësues në Liceun Francez, ndërsa pas vitit 1944, punon skenograf dhe kostumograf në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Përgjatë 40 vjetëve Mio pikturoi shumë peizazhin, kompozimin dhe portretin, por vizatoi po kaq shumë. Veprat u ekspozuan në dhjetëra ekspozita vetjake dhe në grup, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Vitin e fundit të jetës sëmuret rëndë dhe ndërron jetë në Tiranë, më 13 dhjetor 1957.
Andon Kuqali4), e përshkruan Mion kështu: “Vangjush Mio ishte piktori që bëri kapërcimin e pikturës shqiptare në konceptime moderne, duke e çliruar nga format mjaft të ngrira e disa herë diletanteske të pikturës rilindëse… (rilindase e ka fjalën për pikturën e zhvilluar në Shqipëri nga fundi i shek. XIX e deri në shpalljen e Pavarësisë së saj në vitin 1912).

Vangjush Mio - Vjeshte
Vangjush Mio – Vjeshte

Vangjush Mio nis të vizatojë aty nga viti 1898, kur ishte ende i mitur. Në moshën e adoleshencës vizatimi e shtyu drejt shkollës së artit në Bukuresht. Krijimtaria e tij e ruajtur nga familjarët e tij, daton që nga viti 1906, e cila vazhdoi deri me pikturimin e veprës së papërfunduar e që ekspozohet në Shtëpinë Muze “Vangjush Mio” në Korçë. Është një peizazh nga Berati, vendi ku u sëmur në fund të verës së vitit 1957. Vangjush Mio është piktori i parë profesionist, i cili i përket gjysmës së dytë të shekullit XX, pasi jo vetëm studioi në dy akademi të artit në Europë, por gjatë gjithë jetës së tij artistike u soll si një artist me parime klasike figurative dhe tradicionale. Respektoi parimet 300-vjeçare të Akademisë San Luka5), të cilat ia frymëzuan krijimtarinë, që e krijoi i nisur kah ndjesitë impresioniste dhe i mbështetur më pas në teknikat dhe shprehitë realiste. Historisë së artit shqiptar i ka lënë imazhe që së bashku vlerësohen si shkollë e pikturës së re, e cila erdhi pas imazheve fetare të kulturës pasbizantine dhe laike amatore shqiptare. Fillimisht, vizatoi me laps dhe në sepia portrete, figura, kompozime, nudo dhe peizazhe. Më pas pikturoi kompozime nga jeta e njeriut në përditshmërinë e zakonshme, figurën dhe portretin familjar, peizazhin baritor dhe atë të fshatit, peizazhin e tokave dhe liqeneve, kalimin e karvanëve dhe kalorësve. Mio ishte i dashuruar me peizazhin e vendit ku lindi, me rrethinat e tij, natyrën e tij të ftohtë e me dëborë, vjeshtën e shpejtë dhe pranverën e vonë, me mjediset e rrugicave dhe të oborreve të shtëpive të Korçës. Ai mësoi të fotografonte dhe bashkë me mikun e tij, fotografin e njohur korçar Kristaq Sotirin, shkrepën klishe të natyrës shqiptare, që Mio i përdorte më pas për kompozimet e peizazheve. Ai vizatoi e pikturoi site arkeologjike, kisha, kanale lundrues, kala në Romë, Venecia, Bolonja, Piza, Firence, Durrës, Butrint, Ulqin e Shën Naum; pikturoi qendrën e Tiranës, bregun e detit në Durrës, Vlorë e Sarandë; liqenin, rrugë e rrugica në Pogradec, Shkodër, Përmet, Gjirokastër, Berat. E gjithë krijimtaria tij numëron mbi 500 piktura, rreth 200 vizatime dhe 80 qelqe nga fotografimi i tij. Qelqet ruhen në Shtëpinë Muze “Vangjush Mio” në Korçë, ku ekspozohen dhjetëra piktura, ashtu si dhe në shtëpinë e vajzës së tij Rozeta Mio. Në Galerinë e Artit në Korçë koleksioni i tij përbëhet nga 13 piktura në vaj. Kolegët bashkëkohës e cilësuan impresionist.

Vangjush Mio - Varka në Gjirin e Vlorës
Vangjush Mio – Varka në Gjirin e Vlorës

Në të gjallë, Vangjush Mio cilësohej piktor me shumë vlera dhe personalitet në pikturën realiste shqiptare. Në ditët e sotme është autori fillimtar i historisë së artit të ri profesionist shqiptar të shekullit XX. Krijimtaria e Mios u bë e njohur për publikun shqiptar dhe mori shumë publicitet nga mesi i viteve ’20 të shekullit XX. Madje, edhe sot është emri më i ditur nga një publik me njohuri të përgjithshme. Pas viteve ’90, në ndryshimin e sistemeve politike dhe të tranzicionit, u shfaq edhe fenomeni negativ i vjedhjeve të veprave të artit, i cili e preku thellë krijimtarinë e Mios; ditët e sotme nuk dihet ende se kujt i përkasin rreth 52 piktura të tij. Përgjatë 40 viteve, veprat e tij u bënë pjesë e dhjetëra ekspozitave vetjake dhe në grup, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Rumani, Kinë, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqi, Egjipt, Kosovë, Turqi, Rusi, ish-Jugosllavi e Mal të Zi. Me dhjetëra vepra të tij, përmes shitjeve të rregullta të familjes, janë pjesë e koleksioneve të njohura private në Shqipëri dhe jashtë saj.

Vangjush Mio - Rrugicë në Korçë
Vangjush Mio – Rrugicë në Korçë

Ikonografia e Mios është shumë e rrallë dhe dallon nga tërësia e krijimtarisë së artistëve të tjerë të kohës së tij. Këtë e përcakton tema dhe koncepti i veçantë kompozicional. Ky i fundit nuk gjendet i përsëritur nga piktori në ndonjë telajo tjetër, ndonëse figura e gruas është tipike e konceptit të tij figurativ. Gjithashtu, kompozimi dhe ngjyrat që përcaktojnë atmosferën e temës së pikturës, pikturimi figurativ i objekteve dhe nxjerrja në pah e volumeve të tyre, pikturimi i hijeve të theksuara me blu mavi dhe tonalitete të okrave të ndryshme, përdorimi i shpejtë i penelatave impresioniste mbi figurat njerëzore, drita shkëlqyese në kontrast me hijet e objekteve ku ajo shpërndahet, ngjyrat realiste dhe përshkruese deri në të vërtetën e njohur, shprehen të gjitha së bashku për një kombinim estetik të interpretimit poetik të subjektit artistiko-arkitektonik, gjë që asokohe mund ta arrinte vetëm Mio. Aftësia dhe edukimi me pikturën në dy akademi me sistem figurativ, me kahe të preferuara dhe të diferencuara artistike; edukimi me pasqyrimin racional në shkollën e Romës, ndikimi i natyralizmit lirik të pikturës së 800-s italiane dhe ndikimi i procesit të pikturimit emocional ndjesor en plain air7) në Bukuresht, e bënin Mion piktor tipik individual, të pakrahasueshëm me bashkëkohësit e tij.

Piktori Vangjush Mio në studion e tij
Piktori Vangjush Mio në studion e tij

1.Atdhetar e rilindës, emri i plotë është Aleksandër Stavër Drenova (1872-1947), poet dhe shkrimtar. Autor i Himnit të Flamurit Kombëtar.
2.Një zonë fusharake në afërsi të Bukureshtit.
3.Liceu Kombëtar i Korçës, u çel me vendim të Qeverisë Autonome të Korçës dhe funksionoi nga vitet 1917-1939.
4.Kritik dhe historian i artit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX (1924-2002).
5. Në fillim të 1700-s Papati i kohës mbrojti politikën artistike të lidhur me arkeologjinë dhe restaurimin, që zbatoheshin nga studentët e Akademisë San Luka (1478-1874), ndërsa në vazhdim Instituti i Lartë i Arteve të Bukura u shkëput prej saj, por Mio ishte njëri prej atyre studentëve që u diplomua në restaurim e në pikturë.
6.Mjekë francezë që kanë vizituar Shqipërinë dhe Shtëpinë Muze “Vangjush Mio” në vitet 60 të shekullit XX.
7.Një shprehje franceze e përdorur që në kapërcyell të shekullit XIX dhe që e mori kuptimin nga akti i gjithë artistëve europianë të asaj periudhe, të cilët dolën të pikturonin në natyrë, jashtë mureve të studiove.
Tiranë, Janar 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.