back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Vangjel Koça dhe Branko Merxhani në një rrëfim të rrallë nga Genc Koça

Gazeta

Vangjel Koça (Vangjo Nirvana)
Vangjel Koça (Vangjo Nirvana)

Nji mbasdite fundprilli të viti 2014,
mbas disa bisedash paraprake me të bijën Enin,
te nji nga baret e shumta te ish Kinema 17 Nëntorit,
e kishim lënë të bënim nji bisedë të gjatë me Genc Koçën,
i biri i vetëm i nji prej figurave më të ndritura të gazetarisë shqiptare.
Vangjel Koçës, i njohur ndryshe edhe Vangjo Nirvana,
vdekja tragjike e të cilit, mbetet nji nga humbjet e mëdha të kulturës shqiptare.
E bija, më kishte shpjeguar se babai 77 vjeçar ishte mjaft i lodhur,
dhe ndoshta s’do të mund ta mbulonte si duhet nji intervistë të tillë.
Unë i kërkova asaj që ta ndihmojë, e mos ta tensionojmë,
e nëse ndjehet i lodhur, ta ndërpresim bisedën e ta linim për nji herë tjetër!
Genc Koça, erdhi i qetë dhe qe nji burrë mjaft i shtruar e i paqmë.
Kujtesa e tij qe brilante, e veç pak nga fundi u detyrua të shpjegonte,
nën nji çaj boronice bëmë nji bisedë që unë e kam fort për zemër
dhe vetëm nji shi i rrebeshtë, na e kujtoi se nata e parakohshme
po zbriste mbi tiranë e ajo ndërtesë e xhamtë
sikur na e zbriti aty mbi tavolinë…
dhe bashkë me portretin e lodhur të Genc Koçës
u ngritëm të përshëndeteshim me ndjesën e sjellshme
se bisedën mund ta vazhdonim njiherë tjetër… jozef radi

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)

Vangjel Koça dhe Branko Merxhani 

në një rrëfim të rrallë të Genc Koçën, biri i Vangjel Koçës

bisedoi Jozef Radi

Branko Merxhani dhe Vangjel Koça janë dy prej figura më të ndritshme të publicistikës dhe kulturës shqiptare… të viteve ’30! Si do ta gjykonit këtë fakt duke e ditur se ende nuk është folur sa dhe si duhet për ta… Do ta filloj kët intervistë me një histori! Gazetari i njohur, Nebil Çika takon mbretin Zog, (nuk e di në ç’vend e në ç’rrethanë), edhe e pyet: “Mbret të shoh të pezmatuar!” Po, – i thotë mbreti – kam hall se veç tjerave, populli shqiptar ka mungesë të madhe kulture. Unë kërkoj që ky popull të kulturohet, se nuk janë të këqija vetëm fukarallëku dhe skamja që ka ky popull, po edhe kultura. Ky popull nuk e njeh kulturën…!
I thotë Nebili: “Unë do t’Ju rekomandoja dy vetë, të cilët mund t’i sjellin mjaft kulturë popullit shqiptar. E këta janë Vangjel Koça dhe Branko Merxhani. Ata janë dy njerzit më të kulturuar të këtij populli, dhe mund të përhapin kulturë në këtë popull…
Por… Vangjel Koça është në Gjirokastër dhe Branko Merxhani është në Stamboll…!!! Dhe Zogu i thotë: “Do të përpiqem t’i bie këtu!” Efektivisht diskutohet rë jetë aty nga fillimi i viteve ’30, kohë kur Zogu kishte hallet e tija, e më pas erdhi ’39 dhe Zogut iu desh të iki nga Shqipëria… Kjo është e shkruar edhe në shtyp nga vetë Nebil Çika, që simbas meje Nebili e ka shkruar kët gjë edhe një herë të dytë.
Vangjeli shkonte shpesh në Janinë, meqë aty kishte kryer studimet dhe kishte edhe motrën… Në Janinë, ai kishte mjaft miq edhe shokë, dhe ndër të tjerë ai pi kafe edhe me Branko Merxhanin, dhe e pyet se ku ka studjuar… “Kam studjuar, në Gjermani… – i thotë Branko – Kam mbaruar studimet për filozofi në Gjermani, por babanë e kam prej Maqedonie, ndërsa nënën e kam shqiptare. Por unë do të dëshironja të jepja kontributin tim për shqiptarët, nga ana tjetër dua të gjej mundësinë të nxjerr jetesën time…” I thotë Vangjeli: “Shiko Branko, ne do ta bëjmë kështu. Ti do vish në Shqipëri. Unë kam një rubrikë të përditshme në gazetën Demokratia, do ta lë ty atë. Për punën ti do shpërblehesh, dhe to të jetosh me ato para!”. “Po mirë, – i thotë Brankoja, – po unë kam edhe një të keqe, se unë nuk e di aq mirë edhe shqipen!” “Po çke ti – i thotë Vangjeli, – s’prish punë, shkruaj edhe në frëngjisht, ose në çdo gjuhë që e ke më të lehtë dhe për përkthimin do të përgjigjem unë.”
Dhe kështu u bë. Ja kështu u vendos Branko Merxhani në qytetin e Gjirokastrës.

Unë besoj se duhet të jetë fjala për vitet ’20, pra simbas meje duhet të jenë  vitet 1926-1927…? Besoj të jenë vitet nga ’28 deri në ’32, kohë kur Vangjeli dhe Brankoja kanë qenë në Gjirokastër. Pastaj ata vendosën ndryshe. Meqë gazeta “Demokratia”, nuk ishte ndonjë botim që lexohej në gjithë popullin, veç në pellgun e Gjirokastrës, ata vendosën të hapin një revistë të re në Tiranë. Kryesori do të qe Branko Merxhani, sepse Vangjeli e kishte punën e tija si noter dhe me të e nxirrte jetesën e familjes. Kështu vjen në Tiranë Branko Merxhani dhe hapin gazetën “Përpjekja Shqiptare”. Ndërkohë botojnë edhe një numër të Neoshqiptarizmës, ku drejtor qe Vangjeli, ndërsa artikullin kryesor e kishte shkruar Branko. Vetëm një numër i saj u botua, numër të dytë nuk pati. Pse është kjo? Ndoshta qenë arsyet ekonomike, ndoshta mundet që i ndaluan, por dihet që numër të dytë nuk pati… Edhe gjatë komunizmit, më tepër se gjithçka dënohet Neoshqiptarizma…! Tashti, krahas kësaj, dua të theksoj edhe një gjë tjetër. Ahmet Zogu, duke vlerësuar punën e të dyve, urdhëron Ministrin e Brendshëm: “Do t’u paguash nga dhjetë napolona flori, të tre këtyre: Vangjel Koçës, Branko Merxhanit dhe Petro Markos, i cili në atë kohë punonte në redaksinë e “Përpjekjes Shqiptare”! Kjo punë vazhdoi përreth dy muaj. Vangjeli nuk pranoi të merrte pagë, dhe duket se Zogu e pa këtë veprim të tij si kundërshtim dhe e pezulloi urdhërin. Di që ata e morën kët shpërblim për dy-tre muaj.

Në ç’raporte ishin Branko Merxhani dhe Vangjel Koça mes tyre? Branko Merxhani, siç më thoshte nëna, qe gjithmonë me një ekonomi të dobët, por qe nga ata njerëz që edhe një javë të mos hante nuk e shfaqte. Branko Merxhani, i përkiste Dojç Kulturës, dhe me italianët nuk shkonte mirë. Kur erdhën italianët këtu, ai i thotë Vangjelit: “Unë do iki!” I thotë Vangjeli: “Mirë bën, se këta do të lenë, do të lenë dhe do të interrnojnë. Unë nuk të mbroj dot. Vangjeli qe për vete shumë i shqetësuar, meqënëse influencën më të madhe e kishte në Greqi, mendoi se këta do me lenë për disa kohë dhe do të sajojnë ndonjë gjë. Në 1939-ën, Brankos i jep peshqesh nji arkitekt që kishte mbaruar në Gjermani, një radio, të cilën ai e shiti për nja 30 napolona flori, dhe i thotë Vangjelit: “Ika Vangjel!” dhe iku, u arratis, kaloi nëpërmjet Greqisë dhe doli në Egjipt. Nga Egjipti, e nga Kajroja, ai i dërgon nji letër Vangjelit, ku i përshkruan gjithë historinë, dhe së fundi duke dashur të mos e kompromentojë Vangjelin, e mbyll letrën me shënimin Madam Baterfly, (M. B.) që i linte të kuptonte se ishte Merxhani Branko. Vangjeli e kuptoi menjëherë se kush e dërgonte letrën. Kështu u largua njëherë e përgjithmonë, nga Shqipëria Branko Merxhani.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, ai shkoi në Amerikë ku kishte dy vajza, të cilat thuhet se janë sjellur shumë keq. Atyre iu kërkua nja dymije dollarë për t’u botuar vepra e Brankos. Mbas kësaj periudhe Branko kishte ikur nga Amerika dhe ishte vendosur ne Turqi. Atje ai vdiq, dhe aty e ka varrin.

Ju jeni i biri i vetëm i Vangjel Koçës, nji nga figurat më të ndritura të publicistikës  shqiptare të viteve ’30. Si do ta përcaktonit Ju sot figurën e tij si njeri dhe si intelektual? Vangjel Koça u përket atyre personaliteteve, që me përpjekjet e tija u ngjit deri në atë që e theksoni edhe ju. Ai rridhte nga një familje e varfër. I ati, qe një rrobaqepës i zakonshëm. Ata në familje qenë pesë fëmijë dhe nuk kishin mundësi ekonomike. Bile ka edhe një kuriozitet të këtillë. Në kohën e Zogut, për arsye të rezultateve të shkëlqyera të Zosimesë, ku ai kish studjuar, vit për vit i dilte e drejta e bursës, në vende të ndryshmë të Europës, pasi pak shkonin në atë kohë në Itali… shumica shkonin në Francë! Mirëpo Vangjeli kish tre motra për të martuar, një vëlla e çoi për të mësuar zanatin e rrobaqepsit në Korfuz, ku ai edhe u martua dhe nuk erdhi më në Shqipëri. Kjo gjë e nervozoi Vangjelin me të vëllanë dhe një ditë i thotë të atit: “Unë nuk t’ia di se ç’bëhet me Nikon. Nikua, erdhi në 1940, këtu në Tiranë, kur mbetën keq në Greqi… Erdhi t’i kërkojë ndihmë Vangjelit. Unë di që Vangjeli nuk i dha ndonjë ndihmë të madhe, sepse aq ishin edhe mundësitë e tija. Asokohe (është fjala për kohën e Italisë), ai paguhej me 35 napolona letër, nga të cilat 17 napolona kalonin për qiranë e shtëpisë. Punonte edhe nëna ime gjithë kohës që të mbahej familja. Kështuqë ai nuk i dha ndonjë ndihmë të madhe të vëllait, dhe ai u kthye në Greqi. U vendos në Athinë dhe aty punoi si rrobaqepës. Qe edhe ai me tipare intelektuale, po asnjëherë nuk mori pjesë në hallet familjare të familjes, kështu që familja dhe tri motrat i mbeti Vangjelit. Në vitin 1935, ai u martua edhe vetë. Fejesën ia ka bërë Spiro Vinjau, i cili qe edhe daja i nënës sime. Jo tamam dajë, por kushëri i parë me gjyshen time. Megjithatë Vangjelin në Gjirokastër e donin dhe e përkrahnin të gjithë! E përkrahu edhe drejtori i Gjimnazit Thoma Papapano, i cili e pranoi aty nënën time si mësuese, megjithëse ajo kishte vetëm shkollën e mesme… Kështu ajo qe kolege me Eqerem Çabejn, me Kiço Fundon e të tjerë personalitete të kësaj shkolle. Paguhej me 10 napolona flori në muaj si pedagoge. Duke qenë mësuese në Gjimnazi e Gjirokastrës, ajo pati shumë nxënës prej atyre që më pas do përkrahnin luftën si Pirro Kondin, Teme Sejkon, Javer Malon, e plot e plot të tjerë, të cilët e respektuan gjithnjë duke ia lehtësuar të keqen e mëvonshme.

Revista e Neoshqiptarizmes - Perpjekja shqiptare
Revista e Neoshqiptarizmes – Perpjekja shqiptare

Në ç’lëndë jepte mësim nëna juaj në Gjimnazin e Gjirokastrës? Ajo jepte lëndën e vizatimit, të muzikës, me një fjalë lëndë të dorës së dytë… Ndërsa Eqerem Çabej, kur kthehesh nga Vjena ku ishte me studime, i ati i tij, i cili ishte Kryetar Gjyqi i thoshte të birit: “Eqerem, erdhe në Gjirokastër?” Po erdha. “Mos m’u zabërhanis me çunat… (se Eqeremi kishte qenë me një klasë me Enverin…) Po ik e shko te Vangjel Koça ne Noteri, nëse do të zësh mend. Ai të jep mënd! Dhe për një periudhë të gjatë, Eqeremi shërbeu në noterinë e Vangjelit. Po kjo qe e pjessshme, sepse më vonë, kur qe në pozicione më të shëndosha, Vangjeli e ndihmoi Eqeremin, duke e dërguar në Itali, ku edhe ka shkruar veprën e tij gjuhësore. Odhise Paskali, meqënese e kishte gruan italiane, e dërgoi në Torino, tjetër… ai e ndihmoi edhe poetin Lasgush Poradecin, duke i dhënë rrogë… dhe kështu Lasgushi u vendos në Tiranë. Vërtet këto rroga nuk qenë ndonjë gjë e madhe, po për atë kohë jetohesh mirë. Kjo ka ndodhur edhe me mjaft intelektualë të asaj kohe, të cilët ai i ka përkrahur në mënyra nga më të ndryshme… Ai shkonte dhe i thoshte Jacomonit në kohën e Italisë: “Filani duhet përkrahur, Jacomoni si Mëkëmbës i Mbretit të Italisë, e dëgjonte Vangjelin, bile nëna tregonte një histori të tillë. Unë nuk kisha dëshirë të shkoja në ato drekat e darkat e mëdha, se nuk e haja dot supën. Aman ajo supa është me lëng mishi dhe ti nuk e ha??! Njëherë na kishte ftuar për darkë Jakomoni. Vajtëm tek Pallati i Brigadave, hymë në katin e parë dhe gjetëm Jacomonin dhe Dona Maian, gruan e tij. U thotë Jacomoni Erdhët! Hajde ngjitemi në katin e tretë. Se atje do të serviret darka. Mor Vangjel, i thotë Jacomoni, këta pushtetarët shqiptarë i kuptoj të gjithë, ty s’të kuptoj!!” Po pse? – i thotë Vangjeli. “Po ja, të gjithë këta janë interesuar dhe kanë ndërtuar shtëpi, kurse ti gjithmonë me qira, gjithmonë me qira. “Po, i thotë ai – kam blerë edhe unë copë një truall, në Tiranën e Re, dhe me kohë do ta ndërtoj edhe unë një shtëpi.” I thotë Jacomoni: Po nxito o Vangjel, se nuk është zor i madh për të ndërtuar. Vende ke sa të duash!” “Jo, ajo nuk bëhet – ia ktheu ai.” Kështuqë ne, sot e kësaj dite s’kemi pasur shtëpi në Tiranë.

Vangjel Koça ka qenë fanolist. Po e vërteta është se aktivitetin dhe përkrahjen më të madhe ai e ka pasur gjatë kohës së Ahmet Zogut… A mund të na thoni diçka rreth kësaj? Fan Noli erdhi nga Amerika, para votimeve të 1923, dhe ndërmori nji vizitë në gjithë krahinat e Shqipërisë. Shkoi edhe në Gjirokastër, ku u takua edhe me Vangjelin. Vangjeli në atë kohë ishte mësues në Frashtan të Dropullit, dhe aty biseduan bashkë. Fan Noli e vlerësoi shumë, si një kapacitet shumë të madh… edhe Vangjeli, pas këtij takimi u apasionua mbas Fan Nolit dhe pati përshtypjen, që Fan Noli ishte njeriu që mund ta sillte demokracinë dhe kulturën në Shqipëri. Këto qenë fiktive sipas meje. Për ç’arsye do të thoni ju? S’kishte ekonomi Shqipëria. Ekonominë mundi ta krijojë vetëm Zogu, qoftë edhe nëpërmjet borxheve që mori te Italia. Dhe e vërteta është kjo, që edhe gjatë qenies së Fan Nolit si kryeministër, veç mungesave të tjera, që pati Fan Noli, është se ai nuk pati para për ta mbajtur këtë vend, dhe nuk bëri asgjë për ta çuar përpara. Tani unë nuk mund të lë pa e theksuar, kjo është timja gjithmonë, Fan Noli nuk mendoi asnjëherë, se do të sulmohej nga Zogu dhe qëndroi pa një shtab oficerësh që mund t’i bënte një rezistencë Zogut. Gabimi i tij më i madh i tij qe, që desh të lidhej edhe me Bashkimin Sovjetik, në një kohë kur gjithë vendet e Europës, nuk e pranonin Rusinë!! Në Jugosllavi, në atë kohë qenë vendosur bijellogardistët e carit, të cilët bënin një shkollë që dikur e vazhdonin nga Rusia. Mbasi mbaruan shkollën ata mbetën pothuaj pa punë, kështu që kur u bëri thirrje Ahmet Zogu që të vinin me të në Shqipëri, ata qenë të gatshëm dhe erdhën. Një pjesë e madhe e ish oficerëve bijellogardistëve erdhën me Zogun në krye. Edhe diçka tjetër: Zogu kishte njerëzit e tij edhe në Greqi edhe në Itali. Ata erdhën të gjithë me këtë rast dhe Fan Noli u gjet krejt i papërgatitur për ta përballuar Zogun, kështu që vendosi të ikte. Në fillim rruga qe nëpërmjet Durrësit, pastaj u vendos që nga Vlora të hidhej në Itali. Këta njerëz që menduan, se kishin përgjegjësi, me mendimin se ata i kishin bërë një gjyq kundër Zogut, ku e kishin dënuar me vdekje, pra kur të vinte Zogu, menduan ata, se do t’i pushkatonte. Në këtë kohë, Vangjeli duke e pasur familjen pa ndihmë, nuk kish ku të shkonte, dhe vendosi të qëndrojë në Shqipëri. Ai punonte te firma “Ciu”, dhe te një firmë në Sarandë, duke iu bërë gjithë planet ekonomike dhe duke i mbrojtur në gjitha gjyqet, pra ai ishte jo vetëm konsulent juridik, por mbulonte gjitha veprimet e këtyre firmave. Bile prej tyre kam dëgjuar, që kemi edhe dosjet për gjithë punët që na ka bërë Vangjeli për ndërmarrjet tona… Më vonë, kam një të dhënë, po nuk e kam të sigurt, që Zogu e emëroi Vangjelin, sekretar të Prefekturës së Gjirokastrës. Më vonë ai dha provimet dhe u muar pedagog në shkollën franceze të Gjirokastrës, ku Vangjeli ka qenë së bashku me Brezhoan, bile ne e kemi pasur fotografi atë në shtëpi. Vangjeli me Brezhoan, Enveri me një djalë tjetër kur ishin ende të rinj. Më vonë ai dha provimet dhe fitoi të drejtën për noter, dhe me dekret mbretëror u emërua Prefekt i Shtetit Shqiptar. Ne e kemi pasur, lejen e noterisë të varur në shtëpi, me firmën origjinale të Ahmet Zogut.

Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare
Vangjel Koça në Instituti i Studimeve Shqiptare

Si është historia e Vangjel Koçës që bëri rezistencë si fanolist, në periudhën e dhjetorit të 1924, kur Zogu u rikthye në pushtet? Ai nuk e mori përsipër… Zogut ia kanë thënë… Në dasmën e Mbretit Zog qe i ftuar edhe Vangjeli. Të gjithë figurat, disi pa vlerë si Lalë Krosat e të tjerë mbreti nuk i donte në dasëm. Po ç’na bëni kështu Naltmadhni, ju po ftoni Vangjel Koçën dhe këta të tjerët që kanë qenë kundërshtarët e tu… “Pse cilët duhet të ftoj? – iu kthye mbreti – Unë ftoj njerëzit e kulturës, ata që dinë pesë gjashtë gjuhë të huaja dhe kanë brumë për të folur e dëshmuar. Në dasmën time janë gjithë figurat e njohura të Europës dhe unë s’mund të lejoj aty njerëz dosido… Nëna më tregonte se mbreti i kish dhënë urdhër Lalë Krosit se: “Të pashë në sallat e dasmës, të mori dreqi!!”
Në 1924, kur Ahmet Zogu u pa në kufijtë e Shqipërisë, të gjithë fanolistët, dhe gjithë ata që e ndjenin rrezikun, kishin kishin marrë pushkët me vete dhe shkuan në kufi. Edhe Vangjeli me një shokun e tij, Eqerem Çano nga Libohova, shkoi dhe bëri njëfarë rezistence… Po qe rezistencë e kotë, për arsye se nga ana e qeverisë nuk pati asnjë njeri. Rezistuan sa rezistuan, Zogu i theu dhe i vuri përpara… dhe nga kufiri në Peshkopi e deri në Gjirokastër, ata e bënë rrugën më këmbë, ku ngrënë e ku pangrënë. Më tregonte edhe një gjë Eqerem Çano: “Kemi kaluar në 24 dhjetor 1924, nëpër Tiranë. Qe një i ftohtë i llahtarshëm. Ne kaluam nëpër Tiranë, dhe ma ka treguar këtë ngjarje në një tjetër 24 dhjetor, qe ishte i ftohtë i madh… Ja si sot – më tha… dhe mbas nji vuajtje të patregueshme sosëm në Gjirokastër të leckosur e të dërmuar…
Vangjeli u fut në punë se i duhej të punonte e të mbante familjen. Hyri në punë te firma e Mit’hat Ciut. Mit’hat Ciu ishte pasunar dhe jepte para me interes dhe nuk lejonte që t’i merrte një person qoftë edhe një gjysëm napoloni. Kur e arrestuan xhandarët Vangjelin, për ta çuar në burgun e Krujës, ai ju thotë xhandarëve: “Më lini të shkoj në shtëpi, sa të marr ndonjë pallto dhe ndonjë para se çfarë do të hamë rrugës!! Dëgjo i thanë: “Kemi urdhër të të çojmë kështu!” Gjatë rrugës kur futa dorën në xhep – tregon Vangjeli, – kam gjetur pesë napolona flori. M’i kishte futur Mit’hati… Ja ai Mit’hat që s’ta falte një grosh, me kish futur në xhep, pesë napolona floriri!!!
Po ku qenë këta agallarët e mëdhenj që bënë qeverinë ishte edhe ai, edhe pse Vangjeli s’qe kurrë as ministër dhe as gjë tjetër. Vangjeli qe thjesht një idhtar i Fan Nolit, i bindur në kulturën dhe dijet e tij. Ai nuk gëzonte asnjë post dhe as pati ndonjë privilegj. Të gjithë ata të privilegjeve ua mbathën këmbëve. E di kush qe në atë vaporr: qe Fan Noli, Luigj, Gurakuqi, Stavro Vinjau,  Sejfulla Malëshova – ja ai komunisti i mëvonshëm, qe edhe Bahri Omari, Qazim Mulleti e plot të tjerë. Shiko sa njerëzor u tregua Zogu me Bahriun. Ai iku vetëm, por Zogu pak më vonë e lejoi të shoqen dhe të birin që të shkonin të ai në Bari. Edhe Bahriun, Vangjeli e kishte mik për kokë.
Zogu, duke qëndruar në Beograd u konsultua me politikanët e huaj. “Mirë ti po e rimerr Shqipërinë, – i thanë ata – po mos ndërmerr raprezalje se nuk shkon ajo… Sillu njerëzor! Dhe vërteta është, që ai u soll i kulturuar…

Cili ishte raporti mes Branko Merxhanit dhe Vangjel Koçës? Është e vërtetë se këta dy persona u konsideruan nga intelektualët shqiptarë, si personalitetet më të larta të kulturës shqiptare dhe shpesh thuhej se kulturën shqiptare e përfaqësojnë mjaft mirë këta të dy, mirëpo me ardhjen e pushtimit të italisë dhe vetvetiu kjo humbi pasi Branko Merxhani si Dojçkulturë që ishte, u largua, kurse Vangjeli mbeti dhe vazhdoi të punojë në një përiudhë të vështirë… E theksoj, Vangjeli ndihmoi mjaft për kulturën, fjala vjen ai e ndihmoi mjaft Lasgushin, që i shkruajti poezitë e tij, të cilat nuk iu vlerësuan më pas asnjëherë gjatë kohës së regjimit komunist. Lasgushi u mor me përkthimin e poetëve rusë, të cilët edhe pse nuk i kishte fort për zemër qe i detyruar t’i përkthente. E caktuan për disa kohë edhe pedagog, po ai nuk rrinte. Mua më vjen keq, sepse kam udhëtuar njëherë përballë me Lasgushin nga Tirana në Pogradec, dhe nuk i dhashë të njohur se kush isha, edhe pse e dija që im atë e kishte pasur shumë mik dhe e kishte ndihmuar mjaft. Mund të kishim bërë muhabet gjatë me Lasgushin, ndërkohë ai qëndroi gjithë atë kohë, i vetëm në Pogradec, në një vetmi  e fukarallëk të skajshëm…
Me një fjalë në kulturën shqiptare për aq kohë sa ajo u vu në lëvizje, promotorë të saj ishin edhe Branko Merxhani e Vangjel Koça…
Ma kanë thënë edhe profesorë të marksizmit, që neve kur botoheshin artikujt e Vangjel Koçës e kishim festë. Se aty ne e merrnim vesh, se ç’ishte kultura botërore, dhe cilat ishin reflekset e saj në Shqipëri.
Lidhja e tyrë e mëvonshmë ka qenë vetëm ajo letër që ai i dërgoi nga Kajro, ku Brankoja, e njoftonte se kishte mbrritur në Egjipt.
Përsa i përket fillimeve të bashkpunimit mes tyre, mund të them se Brankoja qe dobët ekonomikisht, ndërsa Vangjelit, Zogu  i dha mundësi të bëhesh noter, dhe si i tillë ai fitonte mjaft… mirëpo natyra e Vangjelit qe e tillë, që nuk dinte ta rezervonte pasurinë. Vangjeli ishte një përkrahës i gjithë njerzve të kulturës, edhe me botime, edhe me të holla edhe me mënyra të tjera. Në Gjirokastër, Vangjeli arriti të bëhet një figurë mjaft e njohur e qytetit, dhe është e drejtë të thuhet se përkrahej mjaft edhe nga qeveria. Bile ndodhi edhe një ngjarje e tillë. Vangjeli kishte shumë mik Et’hem Toton edhe të vëllanë e tij, Ismet Toton, që më pas e varën. I thonë Vangjelit ata: “Do bëjmë një kryengritje kundër Zogut!” U thotë Vangjeli: “Mosni, se nuk keni gjë në terezi!” “Po ne do ta bëjmë! Na erdhi ky Zogolli që nga malet, dhe po na sundon!” Mosni, – u thotë Vangjeli – se nuk keni gjë në terezi!” “Në këto momente Italia qe e bllokuar në punët e veta, bile ne do të bëjmë edhe një gjë të këtillë: do të nxjerrim edhe të burgosurit nga burgu, mbasi Ismeti kishte qenë edhe Ministër i Brendshëm, dhe ai s’e kish kapërdirë dot shkarkimin. Vangjeli u tha edhe njëherë: “Mosni mor djema, se me këtë që do bëni, do të ngatërroheni më keq. Sepse të burgosurit do të shkojnë të vrasin ata që i kanë futur nëpër burgje, prandaj kjo nuk është gjë që bëhet…!” Po ata e bënë, e bënë edhe atë që i hapën burgjet… dhe së fundi Zogu mbasi i theu, Et’hemi vrau veten, kurse Ismet Toton e vari në litar!
Sa i përket vëllait të tretë, Selaudini, qe partizan i fortë, dhe qe edhe kryetar i Institutit të Shkencave, sepse kishte mbaruar për shkenca natyrore në Itali. Ishte deputet. Enveri e shihte që s’e kishte të dorës së tij dhe e futi në burg, e dënoi dhe e pushkatoi. Prokuror i gjyqit të këtyre deputetëve qe Josif Pashko, i cili i thotë Selaudinit: “Ti atë mendje ka pasur, se ke qenë miku i Vangjel Koçës! I thotë Selaudini: “Unë kam qenë mik, apo s’kam qenë mik, kjo s’ka të bëjë me këtë punë. Unë kam qenë partizan, me tepër se ti. Kështu, e dënuan me pushkatim, dhe e pushkatuan Selaudinin, po ama nuk harruan t’ia përmendnin miqësinë me Vangjelin!!

Një itinerar letrar në stacionet më të rëndësishme në të cilat ka ecur vepra e Vangjel Koçës. Para pushtimit Vangjeli botonte në të gjitha revistat e kohës. Pothuaj qe i përjavshëm, se atëhere kështu botoheshin revistat, dhe i vazhdueshëm. Me ardhjen e Italisë, botonte kryesisht te revista Shkëndija e Koliqit, po edhe te revistat e tjera. Atëhere Vangjeli e kishte shumë të thjeshtë të botonte në një libër të veçantë e t’i përmblidhte gjithë shkrimet e veta, për arsye se ai qe përgjegjës për shtypiin e asaj kohe. Pra nuk qe gjë e madhe botimi i nji vepre. Kur binte biseda që i thoshnin: “Po pse o Vangjel nuk i përmbledh në një libër këto që shkruan?! Nëna më tregon që ai u përgjigjej: “Unë vërtet e kam në dorë këtë punë, por nuk dua të bëhet. Kështu që ai nuk botoi para çlirimit asnjë vepër të përmbledhur të tijën.

Me sa di, Vangjel Koça ka bërë mjaft shkrime kritike për shkrimtarët dhe veprat letrare të kohës, çfarë mund të na thoni… Po, është e vërtetë ai ka shkruar për Sterjo Spassen, për Vedat Kokonën, për shkrimtarët e mëdhenj italianë e shumë të tjerë, por nuk desh ta përmblidhte këtë punë të tij në një vepër… për faktin se ai ishte i bindur se do të thuhej që meqë Vangjeli e ka në dorë këtë, po e bën për veten. Kjo është e gjitha.

A ka bërë përkthime letrare Vangjel Koça? Po ka bërë edhe përkthime letrare. Ai ka përkthyer fjalimin e metodës së Dekartit. Ajo është vepra më e madhe filozofike që qëndron edhe sot. Ia botoi mbas ’90, Sorosi, bile e vërteta është se nga ajo punë mora të vetmin shpërblim nga krejt vepra e tij, nja 500 dollarë.

Revista letraro-kulturore "Perpjekja Shqiptare"
Revista letraro-kulturore “Perpjekja Shqiptare”

Cilët janë pseudonimet që ka përdorur Vangjel Koça nga periudha e Gjrokastrës deri në periudhën mbas pushtimit. Pseudonimi kryesor i tij qe Vangjo Nirvana, po edhe thjesht me inicialet V. K. Diskutohet edhe për ca pseudonime të tjera, por unë nuk jam fort i sigurt… këtë mund ta provojnë vetëm ata që janë ekspertë të kësaj pune. Me Aleksin gjeta edhe një tjetër problem: Më thotë Aleksi, që në librin e Vangjelit janë nja dy shkrime që u takojnë të tjerëve. Shiko Aleks i thashë. Shkrimet kanë një vulë të madhe simbas stilit të atij që shkruan. Nëqoftë se ka shkrime që nuk i shkojnë stilit të Vangjelit, do t’i pranoja edhe unë me qejf të hiqeshin. Mund të jetë ndonjë gabim i ndodhur padashje, kur i ka mbledhur Ndriçim Kulla, mund të ketë hyrë tek-tuk edhe ndonjë shkrim i ndokujt tjetër, po gjëra pa shumë rëndësi.

Martesa e Vangjel Koçës ka qenë nji dasmë mjaft e bujshme në Qytetin e Gurtë të Gjirokastrës, diçka si ju a ka rrëfyer nëna Juaj… Ç’është e vërteta, kur hapi noterinë në Gjirokastër pas ’29, ai mori edhe nja pesë sekretarë, Vangjeli u bë kështu personaliteti më i njohur në Gjirokastër dhe qe respektuar si i tillë. Në këtë kohë, Spiro Vinjau, qe inxhinjer shteti në Gjirokastër dhe kishte shumë miqësi me Vangjelin. Ai i propozon Vangjelit, për martesë një kushërirën e tij arsimtare në Përmet. Vangjeli e pa dhe e pëlqeu vajzën dhe kështu u bë fejesa me zonjushën Milla Kasapi… Ndërkohë Vangjeli kishte probleme ekonomike në familje, pasi motra e vogël qe e pafejuar. Në Gjirokastër punonte një grek dhe ai kishte dëshirë të fejohej me hallën time, mirëpo ai kërkonte si prikë 250 napolona flori. Vangjeli e bisedoi dhe ra dakort me nënën e tij dhe më pas u pranua edhe kjo gjë, dhe më 250 napolona u bë martesa e motrës së Vangjelit.

Nga fotot krejt të pakta të mbetura prej Vangjel Koçës vura re një fotografi mjaft interesante të Dasmës së Vangjelit ku duken mjaft njerëz dhe ceremoni e organizuar mirë… disa hollësi rreth kësaj martese mjaft të zëshme në qytetin e Gjirokastrës. Në atë kohë nuk qenë ndërtuar këto urat, dhe nëna që vinte nga Përmeti me tregonte se makina kur dola nuse nuk mund të kalonte për në Gjiroksatër. Lumi i Vjosës u kalua me varka, derisa dikur sosi në qytet. Një gjë nuk më pëlqente në Gjirokastër – më thoshte nëna – se kur këndonin këta burrat e qytetit këngët labçe – s’e merrja vesh pse ata këndonin e këndonin dhe në një moment të caktuar ndërpritesh kënga. Rrinin një copë herë, pastaj vazhdonte dhe përsëri ndërpritesh… gjë që më dukej pa kuptim… Ne në Përmet, nuk e kishim kështu.

A shkuan gjëkundi për muaj mjalti çifti i ri? Jo nuk shkuan, pasi dasma u nxitua pak, sepse niste viti shkollor dhe Vangjeli ishte i interesuar që Milla të fillonte punë si mësuese, pasi drejtori Thoma Papapano, ia kishte ruajtur vendin e punës. Nëna ishte grua mjaft e emnacipuar, sepse ata kishin qenë në Amerikë. Vangjeli me thënë të drejtën qe natyrë krejt tjetër. Ai qe një intelektual i rafinuar dhe ndër të rrallët në Shqipëri, tjetër punë se ç’qe familja e Vangjelit.

Si është historia e vdekjes tragjike të Vangjel Koçës dhe e pjestarve të tjerë të familjes? Ne në familje qemë pesë vetë: Vangjeli, e shoqja, unë dhe nëna e nënës me të bijën. Gjatë vitit 1943, kunata e Vangjelit, tezja ime sëmuret rëndë, dhe mjekët i thonë se kurimi i saj në Shqipëri qe i pamundur, prandaj duhet të shkonte të kurohesh në Itali. Erdhën pushimet verore, dhe Vangjeli merr pesë bileta udhëtimi me vaporrin “Citta di Catania”. Kjo ngjarje më kujtohet mirë edhe mua… por në shtëpi Vangjeli u kthye me tre bileta!!! – Dhe na thotë: Më zuri njëri në rrugë dhe m’i mori dy bileta. Nëna u nxeh: Po si more Vangjel, ti mori ato bileta? “Po kishte një hall. Ishte një tregtar tiranas, edhe ai e kishte vajzën sëmurë, bile dhe bëri llafe me mua. “Ju, jeni autoritete dhe merrni bileta sa të doni! Unë u detyrova dhe i dhashë dy bileta. Kështu që duhet të caktojmë kush do të udhëtojë dhe kush do mbetet nga ne të pestë… U soll e soll biseda dhe mbetëm unë dhe mamaja; kurse motra e mamasë, nëna e saj dhe Vangjeli u vendos të udhëtonin për në Itali. “Unë do të shkoj të sistemoj në Itali vjerrën dhe kunatën – u tha Vangjeli, – dhe do të kthehem t’ju marr edhe ju të dy…” ishte fjala për mua dhe nënën. Kështu që ne me avion do të shkonim në Itali. Kjo është historia.
Tashti po tregoj atë që më kanë treguar. Eh, si është puna e fatit të njeriut! Në Milano banonte Lec Shllaku, i cili vite më pas botonte revistën e “Koha Jonë”. Ai jetonte në Milano dhe shkonte në Paris. U takuan me Vangjelin në rrugën tregtare, dhe u gëzuam që atë natë do të ishim bashkë dhe do të bisedonim për letërsinë. Kur në mes të rrugës i del një mik dhe i thotë: “Do kthehesh të hash darkë te unë!” Bëhet s’bëhet, bëhet s’bëhet… dikur ma mbushi mendjen dhe u ktheva të ha darkë te miku. Vangjeli me kunatën dhe vjerrën vazhduan dhe hypën në anije, në të cilën ishin edhe nja nëntë ushtarë italianë të çmobilizuar, që kishin dalë jashtë mundësive për luftë… Edhe ata hipën në vaporr. Këtë ma ka treguar nji njeri që ka qenë në anije. Një çerek ore para se të mbrrinim në portin e Brindizit, u del një nëndetëse angleze, e cila e urdhëron vaporrin të ndalojë për një kontroll. Kapiteni i anijes nuk desh t’i linte ushtarët italianë që t’i merrte si robër nëndetsja angleze dhe e vazhdoi udhëtimin… kurse ajo i qëlloi me silura anijen. Predha e parë nuk e kapi, kurse silura e dytë e kapi mes përmes… Brenda pak minutave vaporri “Citta di Catania” u mbyt… Ne që qemë në tarracë të anijes, shumica studentë të shkollës ushtarake, u hodhëm nga anija, kush me not, kush me salvaxhente, kush me ndonjë copë druri për t’u mbajtur. Nga porti i Brindizit kur e panë këtë skenë, erdhën motoskafët edhe na mblodhën të gjithëve dhe na nxorrën në breg. Vangjeli sipas dëshmitarëve, ka qenë në katin e poshtëm të vaporrit, për nevoja personale, dhe nuk doli dot lart. Kunata e tij qe lart, ata i thanë tezes që hidhesh në det. Ajo e tmerruar siç ishte për fatin e kunatit dhe të nënës, mbeti lart… kështu pranoi edhe ajo fatin e përbashkët… duke u mbytur të tre.

Nuk u gjetën më pas trupat e tyre? Jo nuk u gjetën. Mbreti i Italisë dërgoi ngushëllime në familje. Duke shprehur edhe habinë se si Vangjeli që e kish pasur vendin e udhëtimit në aeroplan, pse duhej të udhëtonte me anije, në atë kohë të vështirë lufte.

Si ju erdhi lajmi në familje dhe si e përcollët ketë humbje kaq të madhe? Ra dera te Pallatet e Bardha ku jetonim… Del nëna dhe e hap derën. Ishte dikush që kërkonte Vangjelin sepse kishte sjellë ca kaçkavall… Vangjeli ka ikur në Itali, i thotë nëna. Me çfarë mjeti ka ikur? – e pyeti ai. Me “Citta di Catania”, ia ktheu nëna me qetësi… Mos more! – bërtiti ai – Po ajo anije u mbyt… Nëna nuk e mblodhi dot veten e dha një ulërimë. Në këtë kohë, doktor Loci, që jetonte përballë nesh, erdhi bashkë me të shoqen dhe na ngushëllëlluan dhe na u gjendën në atë tragjedi tonën… Më pas erdhën përfaqsues nga gjithë institucionet e shtetit…
Kjo qe e gjithë historia…

Sa vjeç ishit ju në atë kohë, dhe si e keni përcjellë këtë moment? Unë isha i vogël, gjashtë vjeç, dhe mund të them se nuk arrija as ta kuptoja mirë se çfarë kish ndodhur. Di të them që na erdhën ndihma ekonomike të jashtzakonshme, veç faktit që shumë nga ato firmat ku babai kishte punuar dhe investuar menjëherë na u gjendën pranë me ndihmë konkrete. Nëna si arsimtare që ishte, nuk e ndërpreu punën. Edhe unë vazhdova rregullisht në shkollë. Në shtëpi kishim edhe një shërbyse, që e kishte marrë babai dhe ajo jetonte me ne.

Periudhën e okupacionit gjerman dhe më pas në çlirimin e Tiranës, ju keni qenë pak më i rritur… Si e i keni përcjellë këto ngjarje deri në vitin 1944. Më kujtohet se në atë kohë vinin ca shoqe të nënës, ato qenë komuniste dhe rrinin aty. Një ditë erdhi një togë gjermanësh për kontroll. Dikush u tha se aty ka ndodhur një vdekje e rëndë e burrit të shtëpisë, dhe oficeri gjerman na nderoi dhe u largua, pa u futur fare në shtëpi.

Cili qe qëndrimi komunist ndaj Vangjel Koçës? Komunistët mbajtën një qëndrim totalisht negativ. Bile, kishte nga këta komunistët kryesorë, fjala vjen Haki Toska që kishte qenë në rini sekretar i Vangjelit, i cili e çmonte mjaft, dhe kur i është dhënë rasti ka thënë: “Se Vangjel Koça ishte një, dhe nuk ka të dytë! Na vjen keq që nuk e patëm ne nga krahu jonë, ta ndihmonte pushtetin komunist…!” Mirëpo unë them, se po të kish qenë gjallë Vangjeli, edhe t’u kishte shërbyer, zor se mund t’u kish shpëtuar kthetrave të këtyre… Mund të them se gjatë 50 viteve askush s’e ka përmendur, duke e mbuluar vazhdimisht me heshtje… Ai ishte miku më i ngushtë i Bahri Omarit, dhe Bahriu sado që ishte, kunati i Enverit e pagoi me kokë, them me siguri se edhe Vangjeli do ta kishte paguar rëndë!!

Për veprën e Vangjel Koçës gjatë 47 viteve nuk është folur pothuaj kurrë. Si do të interpretonit kët gjë. Ehh… Megjithëse komunistët kanë qenë shumë të shtrënguar në këtë problem. Unë nuk e kuptoj, sepse për Ernest Koliqin flitej, kurse për Vangjel Koçën nuk flitej. Me një fjalë kjo më ka mbetur mua në mendje.
E vërteta është se komunistët kanë folur për Ernest Koliqin gjithmonë keq… Për Vangjelin vetëm kanë heshtur… Kanë folur keq, por veprën e tij e kanë botuar. Tani kam përballë një fakt historik. Kur vdiq At Gjergj Fishta, në 1940, autoritetet italiane urdhëruan që në varrimin e tij Vangjel Koça do të jetë personi kryesor. I dhanë makinë Vangjelit, dhe ai shkon në Shkodër. I kishin caktuar hotelin dhe gjithçka tjetër. Kur shkon atje, i del përpara i ati i Ernest Koliqit dhe i thotë: “Vangjel, do vish të flesh në shtëpinë teme! S’ke me ma ba kët turp, me shkue në hotel. Se mue më kanë tregue tre djemtë e mi, sa herë kanë hangër dreka e darka në shtëpinë tande! “Jo – i thotë Vangjeli, kështu është ceremonia e kësaj humbje të madhe…!” – Unë nuk i di këto punë, unë di me të thanë se të pres në shtëpinë teme!!
Ajo që më ka trishtuar është fakti se Marubi, në fotografitë e varrimit, nuk e nxjerr asgjëkundi praninë e Vangjelit. Shumë veta më kanë thënë: “Pse ç’doje ti, që Marubi të nxirrte fotografitë ku qe Vangjeli në varrimin e Patër Gjergjit!”. Po unë nuk e besoj! Marubi qe aq i madh e nuk merrej me kësi vogëlsirash!

Cili ishte roli i Vangjel Koçës në Institutin e Studimeve Shqiptare? Në tetor të vitit 1941, një grup intelektualësh shqiptarë, më në krye Dhimitër Beratin, shkojnë dhe vizitojnë Kosovën. Bile nënës sime i thashë një gjë: Si guxoi Vangjeli të shkojë në atë kohë në Kosovë, kur mundesh shumë kollaj të hante ndonjë plumb?! Ai vajti – më tregon nëna – bashkë me Omer Nishanin, me të cilin qe shumë shok dhe shkuan në grup në pjesën e Kosovës së Jugut dhe ka lënë edhe ato shkrime që janë të rralla. Edhe në Komitetin Qëndror, habiteshin si ka mundur që i ka shkruar ata artikuj të jashtëzakonshëm, të botuar në gazetën “Tomorri”. Unë i kam në shtëpi dhe shpresoj t’i botoj. Tani vonë, kur unë shkova në Tetovë, dhe i them kryetarit të Partisë Ali Ahmetit: “Kam pesë artikuj të Vangjel Koçës për Maqedoninë i kam sjellë sepse i gjykoj të rëndësishëm dhe dëshiroj të botohen pa shpërblim…!” Ai ngarkoi zëvëndësministrin e brendshëm, një djalë i vogël, dhe i thotë: Merri dhe botoi! Më pas ai më bën mua një bisedë kot më kot… Nuk do jem nesër këtu, po do t’ia lë amanet dikujt tjetër. Filluan të tallen edhe këta mendova dhe nuk ia dhashë fare shkrimet. I kam dhe besoj se do të botohen në veprën e dytë. Po mund të them se të gjithë që i kanë lexuar i kanë vlerësuar shumë… bile edhe Sofo Lazri, thoshte në rrethin e tij të ngushtë se: “është e pamundur, që të ketë artikuj kaq konçizë, kaq të hartuar saktë, sa këta të Vangjelit…
Tiranë, 26 dhe 28 prill 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.