back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Vajzat e Shqipërisë të fitojnë një edukatë moderne… – Ligjerata e Zonjës Sevasti Dako (1931)

Gazeta

Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Sevasti Qiriazi (1871-1949)

Vajzat e Shqipërisë të fitojnë një edukatë moderne…

Ligjerata e Zonjës Sevasti Dako (1931)

Me të drojtur po paraqitem sot përpara Zotnisë S’Uaj, se, sikundër e dini ashtë një gja shumë e vështirë të flasë njeriu për punën e vet; me gjith këtë nuku më pëlqente të refuzoj lutjen e Komisionit Nisiator për më thanë pak fjalë mbi historin’ e këtij Instituti.
Shumë prej Z. Suaj e dini këtë histori; e ata që nuku e dinë do t’a mësojnë sot dyke parë pjesën theatrale që kanë pregatit vajzat, e që do të lojet sot para Z. Suaj. Si e shifni nuku më mbetet për të thanë veç se pak fjalë, sapër zakon.
Ky Institut që qëndron sot mbi këtë kodrë të bukur e po vazhdon, në heshtje e qetësi, veprën u tij dobiprurëse për hir të Atdheut, derisa të mbrinjë këtu, ju ka dasht të banjë një rrugë të gjatë e të vështirë. Posi një gocë e njomë, e pa rrahur nga dallgët dhe furtunat e kësaj bote, e armatosur vetëm me një vullnet dhe me një ideal të shenjtë, i niset kësaj rruge pa kujtuar edhe pa mejtuar mbi pengimet e vështira që do të takonte për të mbri caktimin e saj. Ëndrat e ndritëshme, në vepërim, janë edhe dalin shumë herë të vështira; po as gja në këtë botë nuku ashtë ma e ambël se shieja e vitores. Pa bërë shumë hapa në këtë rrugë, i çfaqet në funt të udhës, një fytyrë angjëlli, me në Shtyllë-Flakë në dorë edhe me një za të ulët por të kthjellët, i thotë: “Mundime edhe rrezike shumë të mëdha ke për të parë, por veglat e forta me të cilat je armatosur do të të nxjerrin faqe-bardhë; prandaj të thom, “shko përpara; mos u tremp, as mos u tut sepse do të mbrish qëllimin që ndjek, mundimet e tua do të kurorëzohen me kënaqësin’ e ndërgjegjes s’ate!”
Rruga ishte e shkretë edhe e errët nga drizat edhe ferrat që e kishin mbuluar, e plot me fole gjarprinjsh; me gjith këto, këtu-këtje, nëpër majat e drurëvet, që kishin dalë në dritën e djellit, zoqtë po këndonin, fluturat po fluturonin edhe jepnin pak shpresë edhe kuxim se errësira dhe shkretëtira munt të ndëpërtoheshin me vullnet.
E armatisur me kasmën e drejtësisë, me kmesën e trimërisë, me dikelë të idealit edhe me tëplotën e vullnetit, goca e mitur po i futet kësaj rruge; e, dyke ecur pastron më të djathtë e më të mëngjër pa vënë re lodhje, as dirsët që po rrithnin si pika shiu; e Shtylla e Flakës, që po ndritte që së largu, i jepte gjallësi e fuqi.
.
Mësueset dhe mësuesit e “Shkollës së Vashave në Korçë”
Mësueset dhe mësuesit e “Shkollës së Vashave në Korçë”
Befas, kur ishte dyke rrëmuar, një ushëtimë të fortë dëgjon: ushëtimë egërsirash të tmershme, zëri i të cilavet i ngrite flokët përpjetë edhe i ngjethte tërë trupin. E pushtuar edhe e ngritë prej këtij tmeri, po i afronen që mbrapa, me dinakëri dhelpërake, dy armiq, dorë-për-dore me shpata të helmatisuna, vdekë-prurëse, gati t’i bijen edhe t’a çdukin një herë e për gjithmonë. Kur njëri prej syresh i turet si i tërbuar që t’e goditnjë, tjatri ja pret hovin edhe i thotë: “Si kuxon ti të më dalç përpara? A nuku jam unë ay që sundon mbi këtë vënt? Ty të dua vetëm për ndihmë, që të ve në vepërim edhe të mbaronj qëllimet e mia. Ti të më ndihmosh me anathema, me mallkime, me çkishërime edhe me çdo tjatër mjet që munt të shkakëtojë dëshpërim edhe paralizim. Unë, që kam fuqinë në dorë, do të burgos, do të bëj ret, do të vras e do të pres; me një fjalë do të përdor të gjitha mjetet që do të më vijnë përdorësh për t’a tret, për t’a shtri për tokë edhe për t’a lanë këtë gocë pa frymë; se, me ato vegla që ka mbi krahë edhe përdor po na shkul rrënjët, po na heth në greminë edhe po na ze vendin që prej pesëqint vjet kemi nënë sundim. Duke punuar me ato vegla, ky vend do të rilindet, do të forcohet, do të kërkojë dritë, edhe do të mos durojë më të jetonjë në mes të drizavet, plot me vrer të sklavërisë. Një herë në dritë, ky vënt do t’i verë çelësin folevet tona e kështu do të mbyllen për jetë; prandaj duhet të punojmë me dinakëri, për prishjen e kësaj goce, ndonëse e vogël edhe e mitur – Po, çpo thom kështu? Neve dy fuqira të mëdha, a munt të tutemi prej një mize të armatosur?“ Nga këto fjalë, nga këto mburje madhështi-treguëse, duket se Qejtë u zemëruan, sepse një rrebesh i rreptë u vërsul; e, me vetëtima, me bubullima, me rrufera i çon armiqtë nëpër shtegje e kështu e harruan gocën e vogël për ca kohë.
Si mbeti vetëm, ca nga ca e mori vehten edhe përsëri zuri të vazhdojë punën edhe rrugën e saj me trimëri. Ndjekjet, mallkimet, kërcnimet për t’e bë ret e për vdekje nuku i banin mâ pështypje, por me kmesën e trimërisë dhe me dikelë të idealit po qëron e po pastron rrugën me durim; dhe me kazmën e drejtësisë po çkul rrënjë kërcunjsh shekullorë dhe me tëplotën e vullnetit po hap rrugë të gjerë hapë pas hape. Ditë dhe natë dirsë gjaku po i rritnin nga trupi, tepër e mundueme nga mendimi: a do të muntte të mbrinjë qëllimin për të cilin kishte shti jetën e sajë në rrezik.
Rrugës, herë-herë, po shifte shkëndija drite edhe gjyrmat që po linte pas po i shtonin kuximin edhe fuqinë për të vazhduar në detyrë.(…) Në mes të këtyne përpjekjeve, kur ishte dyke shkulur një kërcu rrapi posëqint vjeçar, përsëri angjëli i del përpara edile i thotë: “Ndalo! Një lak ke përpara, gati të të mbytnjë; bëju azër edhe me kujdes ktheu më tëdjathtë për shpëtimiii t’ënt!” Kur e pa laknë shpirti ju trondit; po me buzë të qeshur thotë: “Ti tëplotë e kasmë, e ti kmesë e dikel, ju që më ndihmuat për të qëruar edhe për të pastruar këtë vënt, më këshilloni, qysh t’a kapërxonj këtë greminë të tmerëshme; si e shifni kam mbri në gojë të ujkut, para një vorri të ftohtë, në lule të jetës s’ime; jepmëni krahë të fluturonj edhe të pështonj nga kjo vdekje e frikëshme. Qendroni pranë meje! Mos u mërgoni! Mos më lini në përdëllim të prishësit tim! Ju jeni jeta, nderi edhe shpëtimi im!”…
Lutja ju dëgjua edhe që së largu, prapë Shtylla e Flakës i sjell ushëtime ngushëllimi edhe gëzimi: “Më te djathtë, me të djathtë! kam dalë të të ndrit rrugën edhe të të jap lajmën gazmore se dola mâ e fortë se armiqt’ e tu: mposhta edhe i vura nënë thundrë! (…) Gëzoju pra se me ndihmën e veglave të tua verigat e padijës u këputnë; e paskëtaj ke për të korur pemë të ambla për gjith atë dirsë që ke derdhur. Nënë hijen time ke për të pasur liri veprimi edhe lumtëri sepse ti e hapë këtë rrugë të re, ti e qërove e e pastrove, e paskëtaj për bri të kësaj rrugë ka për të rrit lule edhe fidane të njoma, të cilat do të bâhen shtylla të kombit edhe do te plotësojnë lumtërinë e vëndit…
 
* * *
Gëzimi ynë sot âshtë i math se goca e vogël edhe e mitur dolli nga kjo rrugë edhe nga kjo luftë jo vetëm fituese por edhe me një fuqi shpirtnore të re edhe të fortë e kështu munt të vazhdojë veprën e saj të shenjtë për t’i shërbyer Atdheut nën hijen e lartër të Nalt-Madhërisë Tij, Suveranit tonë August, Zogut Parë, Mbretit Shqiptarëvet, interesi i të Cilit për arësimin e vajzave gjithmonë ka qënë për ne një frymzim shpirtnuer për t’i dhanë këtij Instituti shdrivillimin mâ të plottë e mâ të sosur, e kështu t’u japin vajzave të Shqipërisë një rast të fitojnë një edukatë moderne në kuptimin e plotë të fjalës në vëndin e tyre, dyke pas për bazë zakonet edhe traditat tona kombtare.
Sevasti Dako
Kâmbëzë, 24 Maj 1931
.
(Marrë nga “Foleja Kombëtare – Broshurë Komemorative – botuar me rastin e dyzetvjetorit të Institutit Kyrias 1891 – 1931, Tiranë, 1931) (përgat. A.Morina)
Marrë nga muri i fb i Agim Morinës 12 mars 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.