
URA – një shembull i televizionin shqiptar
nga Nilda Baxha
Në median shqiptare pak programe kanë arritur ta mbajnë gjallë lidhjen shpirtërore midis diasporës dhe atdheut për aq shumë vite sa emisioni “URA”. Që prej fillimeve të tij, emisioni është kthyer në një urë komunikimi, mallëngjimi dhe identiteti për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke e bërë ekranin televiziv një dritare ku mërgimtari gjen veten, rrënjët dhe historinë e tij.
Vlera më e madhe e emisionit me drejtues Artur Bejzade qëndron në faktin se ai nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e suksesit apo vështirësive të emigrantëve, por ndërton një mozaik njerëzor, ku përzihen brezat, kulturat, kujtesa dhe përpjekja për të ruajtur gjuhën, traditën dhe dashurinë për atdheun. Çdo episod është një dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar që nuk shuhet pavarësisht largësisë.
Nga ana profesionale dhe televizive, qëndrueshmëria e këtij formati për vite të tëra tregon përkushtim, vizion editorial dhe respekt ndaj publikut. Pavarësisht ndryshimeve teknologjike, tematike apo sociale, emisioni ka ditur të përshtatet me kohën, duke ruajtur autenticitetin dhe frymën e tij njerëzore. Realizimet filmike, intervistat, lidhjet e drejtpërdrejta me bashkëpunëtorët kryesisht në Evropë, por edhe më larg, kanë përfshirë platforma digjitale të cilat kanë mbajtur programin aktual dhe të dashur.
Në planin emocional, ky emision është bërë një “shtëpi shpirtërore” për emigrantët, një pasqyrë pozitiviteti e gjithçkaje që ne në emigracion zotërojmë dhe shfaqim. Artur Bejzade me historitë e të ftuarve, mesazhet nga larg, intervistat por edhe bashkëpunimet personale që kam pasur, më ka krijuar ndjesi të thellë përkatësie dhe ngrohtësie. Ai nuk është thjesht një program televiziv apo detyrë e përjavshme për mua ashtu sikurse korrespondentëve të tjerë, por një obligim javor, një monument bashkimi midis atyre që janë larg dhe atdheut.
Historia e gjatë në vite e ngre tashmë në institucion mediatik me vlera kombëtare, që i ka shërbyer jo vetëm informacionit, por edhe kujtesës kolektive, kujtesës së të përmalluarve.
Emisioni URA mbetet shembull në televizionin shqiptar, sepse është drejtuar me respekt për njerëzit dhe misionin shoqëror që mbart. Ka qenë dhe mbetet forcë lidhëse!!!