back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Unë… nxënësja e Sami Frashërit… Musine Kokalari

Gazeta

Musine Kokalari studente
Musine Kokalari studente

Unë… nxënësja e Sami Frashërit…

nga kujtimet në dorëshkrim të

Martires Musine Kokalari

Në vetmi kanë kaluar afro 33 vjet revolucion.
Në odën time të vogël, ballë meje kam vënë fotografinë e iluministit të shquar Sami, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, punonjësit të gjuhës shqipe dhe të lëvizjes kombëtare Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, mendimtarit Naum Veqilharxhi, të nderuarit De Rada dhe të urtit Aleksandër Xhuvani…
Në vetminë time nuk jam vetëm.

Musine Kokalari - Laurea e Sapienza-s
Musine Kokalari – Laurea e Sapienza-s

Jetoj me njerëz të nderuar, të ditur, demokratë që kanë punuar për vendin, për mëmëdheun gjersa mbyllën sytë. Unë jam nxënësja e tyre.
Kam ndjerë dhembjen e përçarjes dhe pata pasojat më të dhimbshme në jetën time!
Si furtuna më luftë mbrriti revolucioni.
Me 12 Nëntor, gjatë luftës së Tiranës na muarrnë dy vëllezër, dhe i vranë. Pasoja të naivitetit dhe besimit se nga ata nuk vjen gjë e keqe. I vranë pa bërë gjë.
Të parat thika mbas shpine.
33 vjet me radhë, dallgët e revolucionit më goditën pa ndërprerje. Më ndajtën nga të gjithë. Më izoluan nga gjiri i familjes, më shkëputën përgjithmonë. Lidhjet tona u dobësuan.
Më duket sikur s’kam qenë kurrë midis njerëzve.
U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu, po më keq se kafsha. Në fqinjësi që kanë krijuar një batak. Në punë që më shfrytëzuan si një kafshë për një copë bukë, aq sa u detyrova dhe e lashë vetëm një muaj para pensionit.

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Më lajmëroi Komiteti Ekzekutiv të veja dhe të kërkoja punë tjetër. Donin që unë të kërkojë punë tjetër…! (që ta fshihnin I. K…n si thika pas shpine me nënën dhe me motrën e saj. Asaj i dhanë të drejtën e profesionit, vendim mbi luftën e klasave. Loja filloi me grekun nga Athina, e donin të ballancoja Radio Athinën që e shpalli diversant të jatin e saj. Ai gjallë, ato gjashtë vjet ishin familje dëshmori. Tani akoma i gjallë, në vitin e dytë të interrnimit, i dhanë të drejtën e profesionit. Unë të bëja rolin e budallait, dhe ato të ngriheshin lart, të forcoheshin akoma më shumë nga Sigurimi.
Dy thika që shtrijtën përdhe dy burra një 48 vjeç dhe një 46 vjeç, dhe tre thika pas shpinës sime që të fitoja të drejtën prej I. Os..nit)
Ja këto rri e mendoj, sot në ditën e parë të vitit 1977, në odën time, ballë mësonjësve të mi të nderuar. Isha dhe mbeta nxënësja e tyre. Kështu kaloi një jetë njeriu që e dëshironte punën, kulturën, bukurinë e jetës në formimin e njeriut demokrat, modest, të pastër në ndjenja e të thellë në mendime… (dhe jam e detyruar të jetoj mes këtyre vajzave që njera bën një jetë të ulët kurse tjetra së bashku me Dajon fusin njerëz në burg, vjedhin, heqin njerëz nga puna, largojnë nga Rrësheni, dhe i interrnojnë. Këto janë dy të bijat e I. Os…it.)

***
…Unë u formova me bindjen e thellë të kulturës humaniste që e lartëson njerinë si individ si në mardhënie me të tjerët edhe në shoqëri e në punë…
U formova në ambientin tim familjar dhe shoqëror me respektin për çdo punë.
Kam qenë brezi i fundit i gjithë trashëgimtarëve të Rilindjes, që jetuan në kohën e ngritjes së flamurit në 1912, dhe në rrethanat e trubullta e shqetësuese të vendit ndoqën në mënyrë individuale rrugën e kulturës kombëtare, laike, demokratike.
Unë jam nxënësja e fundit e formuar në atë shkollë, me konceptin e shëndoshë që atdheu mbrohet me kulturë, me qëndrim parimor për barazinë ekonomike politike të njeriut modest të punës.
Bashkëkohës, që në jetën e shkurtër si njeri i lirë kam ecur krah më krah me brezin e vjetër si Sotir Kolea, Mati Logoreci, Ibrahim Shyti, Aleksandër Xhuvani, Kristaq Cipo, nxënëse e Urani Rumbos, Sevasti Dakës dhe Parashqevi Kyriazit, duke u prirë për të renë në jetën shoqërore, për një jetë të pasur në ndjenja, në mendime e në punë të njeriut të thjeshtë, si vazhdimësi e gjithë trashëgimisë kulturale popullore të trashëguar brez pas brezi.
Krijimtaria ime e shkurtër, pjesërisht e botuar, pjesërisht e humbur, u mbështet mbi tabanin kombëtar të shtratit etnik dhe në realitetin objektiv të kushteve të veçanta të zhvillimit të diferencuar… (fillova nga jeta shoqërore e një ambienti lokal të Gjirokastrës, të periudhës parashkollore, deri në 1920 kur hynë përfundimisht në administratën shtetërore brenda kufirit të 1913. Pjesërisht munda të ve ne dukje edhe ato përmbledhje etnografike folklorike.
Kam lexuar veprat më të mira të kohës të letërsisë franceze, italiane, ruse angleze, që më kanë apasionuar dhe më kanë tronditur.
Edukata time është ajo e shkollës së Rilindjes. Gjithë kolektivi arsimor e ka kryer me nder këtë detyrë në kohën tonë, në kohën që u bë unifikimi i shkollave, sidoqë mungonin tekstet, etj.
Unë nuk e kam njohur varfërinë, nuk kam njohur pasurinë. Ne në familjen tonë të gjithë kemi qenë me shkollë, 3 vëllezër dhe unë katër. Të gjithë kemi punuar dhe kemi kërkuar si e si të përhapim kulturë. Ambienti im familjar ka qenë shumë i thjeshtë dhe i kufizuar në mardhëniet orientuese të kohës, në lidhjet farefisnore e tarafe… (Ne në familjen tonë nuk e njihnim këtë ambjent shoqëror. Nga gjyshi që prindët e kishin kryer birësinë, që pasuria t’u mbetesh fëmijëve të njerkës, nuk trashëguam gjë tjetër  veçse një shtëpi. Dhe marrdhëniet me ta mbaruan për shkak të kësaj arsye ishin të largëta, të ftohta dhe u bënë akoma më të kufizuara mbasi kemi qëndruar edhe në gurbet u kthyem më 1920.)

Kujtimet e Musinesë - Dorëshkrime
Kujtimet e Musinesë – Dorëshkrime

…Nuk kam njohur konflikte shoqërore.
Kam njohur burgje në familjen time. Me 1924, vëllezërit e mi shkuan bashke me të tjerët, pavarësisht se u thyen. Ishin profesorë të dy. Muntazi, i madhi ishte kryetar i shoqatës Bashkimi në Gjirokastër. Organizator i footbollit. Ai pikturonte mirë. Ishte portretist (diletant). (Më kujtohet emri i një demokrati Nazim Hiqmet, më duket në vitin 1917) Vëllai i dytë vizatonte mirë dhe ai. Merreshin të dy me pirografi dhe kopshtari. Hamiti, më i vogli ishte kryetar i grupit të mandolinistëve, një nga lojtarët më të mirë të tenisit. Ai meresh me akuarel. I binte mirë kitarës. Vetë mësoi fizarmonikën. Në Tiranë dhe pianon. Babai im ishte avokat. Gjyshi im myfti, bëri çmos që të dy djemtë të ishin me shkollë. Dhe xhaxhai im i drejtësisë ishte. Djali i tij Salimi, mësues, gjer në Paris shkoi me familjen për të vazhduar akoma më shumë, po të lartën s’mundi ta mbaronte se iu shtuan fëmijtë dhe s’pati mundësi…
…Unë trashëgova pasionin e muzikës. Studiova disa vjet piano. Po emocionohesha shumë. Më 1932, kur vëllai tim ra në burg, unë ndjeva një melankoli të madhe, kur veja e shihja midis shokëve të njohur. Dhe atëhere pianua për mua u bë një torturë. Nuk mundesha të përqëndrohesha dhe heshtja. Më vinte ndër mend kalaja në Gjirokastër, kur veja dhe shikoja të mbyllur brenda të dy vëllezërit, me dy shokë të tjerë. Më ngjethej mishtë në korridoret e ftohta kur kaloja. Kur dilja jashtë, dridhesha nga një mundim i brendshëm. Dhe nuk mund të gëzohesha. Ky shqetësim më pushtonte dhe në vitin 1932, nuk mund të luaja piano. Pasioni tim u kthye në stërmundim dhe në një mbyllje në veten time. Frau Gertruda, një gjermane, u alarmua. Ajo kishte zakon që nxënëset që s’i bënin mirë ushtrimet i qëllonte me një shkop të hollë dhe bërtitte. Me mua, pas gjendjes së dëshpëruar time, ajo ndjente keqardhje. Kur gaboja, i binte anës së pianos. Sa pa lot bërtitte. Pastaj më mirrte me të mira: “Ma petite pourgoi?” dhe vazhdonte me frëngjishten, duke pyetur se ç’më mundonte. Unë dridhesha, më mbusheshin sytë me lotë dhe heshtja. Mundohesha ta kuptoja pse njerëzit duhet të punojnë, të përpiqen fshehtas. Pse të futen në burg, se duan një gjë të drejtë.
Kjo gjendje e ndërpreu hovin e parë dhe shpresën e madhe që kishte frau Gertruda që të më bënte një pianiste të madhe.
Edhe mua më pëlqente vizatimi.
Në ekspozitat vjetore të shkollës paraqitesha me pamje të trishtuara të natyrës, me kënde të vetmuar, punuar me karbon. Ngjyra e zezë më mbërthente dhe s’më lëshonte…
Në një udhëkryq të një krize ideologjike demokracie u rrita, në mes të ambientit intelektual të kohës së rinisë time, e cila mundohej të gjente rrugën për t’ia përmirësuar gjendjen e vajtueshme të popullit, me ndjenja te thella njerëzore.

Musine Kokalari... ëndrrimtarja e përjetshme
Musine Kokalari… ëndrrimtarja e përjetshme

Lëvizjen e fshehtë revolucionare nuk e kam kuptuar kurrë!
Edhe sot që jam ndeshur me revolucionin në çdo aspekt të jetës sime, prapseprapë unë mbeta për luftën e hapët politike.
Mendime të çastit më vinë në kokë sa herë që shoh veten, ose rri në odë dhe s’më lexohet. Shikoj me sytë e mendjes dhe peshoj gjithë sa ka ndodhur në jetën time dhe rrotull meje.
Ky revolucion përmbysi çdo gjë që kishim trashëguar nga e kaluara. Vazhdimisht është një luftë shoqërore me njerëz që një çikë ndahen, bien thyejnë hundët. Është një gjyq i pandërprerë që bëhet me të gjallët, me të afërmit, me të njohurit dhe me të vdekurit.
Sa njerëz në rrugën e nisur e kanë ndihmuar në kuptimin e vërtetë zhvillimin shoqëror dhe sa prej tyre, në emër të këtij zhvillimi e kanë penguar atë. Mardhënie të ndërlikuara.
Në mendjen time kam menduar vazhdimisht se dobësia e shtresës demokratike që u gjend në kontradiktë të hapur me regjimin e sotmë duhet të kishte ruajtur solidaritetin në dinjitetin personal, duke i bërë ballë punës së krahut, duke punuar në kushte e duke jetuar në mënyrë modeste. Dhe përse vallë duhet t’i shmangeshim kësaj rruge kur gjithçka që menduam e vepruam nuk e bëmë për ndonjë interes personal!? Gjersa na e dhanë punën e krahut pse të trëmbeshim, duke humbur atë nevojë morale që duhet të na lehtësonte këto kthesa të rënda në jetën tonë?!
Duhet t’i mbanim lidhjet tona. S’kishim asgjë për të humbur më tepër dhe asgjë për të fituar. Pse u shkëputëm?
Unë në hallet e mia, asnjë çast nuk u ndava me mësuesit e jetës që në mes të një realiteti të mërzitshëm kam bërë çmos t’i kem pranë, për t’i bërë ballë poshtërsisë së jetës dhe padrejtësisë që më bënë, për të ngrënë një copë bukë.
Shkolla e ndritur e Rilindjes nuk duhet të njolloset. Unë jam nxënëse e fundit dhe gjer në fund, gjer në vdekje do të mbetem një demokrate e thjeshtë, një punëtore e thjeshtë e punës së krahut dhe e pendës. Mendimet e errta, shpirtngushtët i kanë të ralla rrezet e dashurisë.
Brezi i jonë është një brez fatkeq.
U ndodh midis dy epokave. Midis të kaluarës dhe përmbysjeve të mëdha shoqërore. Me sa kam parë, gjithë ata që duallnë nga radhët e tyre, që rrëshqitën vetë, apo për shkak të prindërve të tyre nuk dalluan një farë dinjiteti. Gjithë shëmtime dhe qëndrime të pahijshme. Ne të shkollës së Rilindjes dhe ata që vinin nga ambiente tradicionale i kemi bërë ballë gjendjes më me urtësi. Dhe kush u mor me informacion, nuk dëftoi një fytyrë kaq të shëmtuar, (si bënë këto vajza me (shpirtin grabitqar dhe) me hajdutllek… Jo, jo N..a është njerëzore megjithëse kalon nga një dashuri në tjetrën dhe kalon për të nxjerrë ndonjë fjalë, e për të përfituar. Dëshmia është tepër e ulët. Dhe kur e ngritën, shpirtin prej matrapazeje nuk diti ta fshihte. Ajo është një e tërbuar.) Deformacioni fizik u shpreh në gjithë qënien e saj, në kuptimin moral, psikik. Po ama edhe burri që ia prunë nuk është vetëm një injorant, por dhe kapadai. I duket vetja se po na e hedh. Një gjë di të thotë: Filani është spiun, filani tjetër është i lidhur me Sigurimin. E di i shkreti, e sheh që nuk e qasa fare. E kupton se jo vetëm dyshoj, po është edhe qesharak…

Vepra I e Musine Kokalarit
Vepra I e Musine Kokalarit

Një e vërtetë e hidhur! (Sido që kemi qënë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të merrnin një vend të mirë në jetën e lirë.
Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, sa që persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.
Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë.
(Që ditën që shkela në Rrëshen, që në çastin e parë që shkova në shtëpinë që më caktuan fillova t’i studjoj këto tri gra që gjeta. Në gjendje të mjeruar qenë. Në shtëpinë e tyre mblidheshin mostra pazot, Vasili Grek, xha Jani i ndershëm. Që kur fillova punën u ndesha këmba këmbës me probleme të ndërlikuar dhe të rënda të punës, të punës bazë alla bashibozukçe. Në lidhje me njerëz të pagdhendur, me drejtues mospërfillësa, me organizim të dobët, të ardhur nga qendra pune si të burgosur, dhe e ndjeje menjëherë që mungesa e disiplinës ishte një fatkeqsi.
Zhvillimi im intelektual mori një kthesë, nga fusha e mendimit në atë të praktikës të punës së përditshme, duke u thelluar në mendimin e zgjidhjes së problemeve të përditshme të punës së organizuar me normë kolektive po arritje me aftësi të prodhuese të diferencuar…)
I studiova njerëzit e vrazhdë, të paditur në punën e rëndë të ndërtimit, jo me romantikën demokratike të dikurshme. Gjithësekush për vete, pa asnjë shenjë solidariteti. Përkundrazi, kush e kush t’ja hedhi duke thënë se unë punoj dhe ai tjetri s’punon…
(Po e gjitha kjo si në punën e realizimit të normës, asnjeri s’ka ide të normës. Aty një brigadier dhe shko tutje. Në ishe i zoti mirrje, s’ishe i zoti, shko tutje.
Pa forcë fizike s’ke pavarsi. Ji i mençur sa të duash, ji i ditur sa të duash. Po s’pate dhe forcën fizike që t’u bësh ballë vështërsive dhe njerëzve, duke mos u poshtëruar.
Qëndrimi i tij ndaj realitetit të punës së krahut, në përmbysjen e madhe shoqërore. Njerëzit më zinxhirët e këputur të së kaluarës…)
Marrë nga Muzeu Kokalari

(Këto kujtime, janë përcjellë shkrimin “Monumenti në Këmbë i Musinesë… nga Jozef Radi)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Në këtë artikull kam ndalur në dy shprehje: “Në vetminë time unë nuk jam vetëm” dhe “…nëse nuk ke forcën fizike, që t’ju bësh ballë poshtërsive të njerëzve pa u poshtëruar,ji i mençur sa të duash, nuk ka pavarësi…”
    Këto dy shprehje flasin shumë, sidomos shpirti i lodhur i një femre…
    Komplimente autorit

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.