back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Unë Jam Teatri… – Opinione nga Namir Lapardhaja, Andi Bejtja Aleks Kapllaj

Gazeta

Avni Delvina - Teatri Kombetar 2019
Avni Delvina – Teatri Kombetar 2019

Unë Jam Teatri…

Opinione nga Namir Lapardhaja, Andi Bejtja Aleks Kapllaj

Pushtet i dehur

nga Namir Lapardhaja

Pushteti i ka çuar në ekstazë. I ka dehur. Nuk ke mundësi të komunikosh me asnjë. Ta kthejnë sandraç. Si pijaneci i rëndomtë i lagjes, që flet ç’t’i vijë përmbarë dhe nuk mban përgjegjësi për asnjë nga marrëzitë që nxjerr nga goja.
I pari i tyre duket sikur ka mbledhur rreth vetes të gjithë të marrët e nahijes dhe në çakërqejf e sipër shajnë dhe përsëndysin gjithçka. Herë të shfaqen në qeveri, herë në parlament. Banalë të rëndomtë që të fusin krupën. Kryeimarri synon që kanabizimin e vendit ta inventarizojë në arritjet e qeverisë. Loloja i tij në bashkinë e Tiranës, lejfeni sarkastik, i cili me mufkat e tij të trazon stomakun sa herë që hap atë që ka në vend të gojës, është shndërruar në kamikaz dhe me dialektin e “çunit tirons” kërkon rrafshim të Teatrit Kombëtar dhe “mbjelljes” të kullave. E trishtë për këtë shoqëri se si personazhe të tillë kaq të poshtmë të ngjiten aq lart.
Bijtë e marrëzisë dhe të verbërisë, nën parimin “kemi urdhër nga shefat”, shkojnë gjobisin për dy ditë radhazi një televizion informativ. Mesazhi është i qartë: s’të mbyllim dot gojën, të mbyllim ekranin. Pikërisht në një kohë kur kriza ekonomike është në derë, kanë guxim të shpenzojnë miliona euro për të “ndërtuar” Teatrin dhe për t’u përballur në gjykatë me paligjshmërinë e tyre që do të shoqërohet me dëm të madh ekonomik, si në rastin e Agon Channel.
Sa më sipër, bëhen në emër të popullit. Në ditë me diell. E gjithë Shqipëria është shndërruar në një teatër gjigant. Vetëm se tragjedia ia ka lënë vendit komedisë.
Firmat e Bashkisë për rrënimin e Teatrit Kombëtar
Firmat e Bashkisë për rrënimin e Teatrit Kombëtar

Për këta të peticionit të fundit

nga Andi Bejtja

Sapo, pashë një peticion të një pjesë të aktorëve, (qëndrimet e të cilëve në fakt kanë qënë të ditura botërisht) ku i kërkohet Presidentit, Opozitës që teatri ri të ndërtohet aty ku është i vjetri… Ajo “Aty”, tingëllon aq fort, sidomos tani në këto momente, saqë ashtu si Pushteti, duket sikur më shumë dhe këtyre artistëve u intereson më shumë shëmbja, se rindërtimi… Nuk thonë të paktën, sa arriti të thotë mbrëmë dhe Karlo Bolino, se “mund të shikohej mundësia të ndërtohej dhe në një vend tjetër”. Nuk thanë të paktën aq sa tha Komisionerja e BE apo Ambasada Britanike që bënë thirrje për dialog… Por, “Aty” dhe vetem “Aty” të shëmbet dhe pikë.
Në fakt, po ta shikojnë me vëmendje këtë peticion, do kuptojnë që në vetvete është një peticion unik: me shumë peticion për “shëmbje”, se për “rindërtim”… Në këtë kohë kur Shqipërisë i kanë rënë brekët ekonomkisht, nuk thonë as të rikonkunstruktohet meqë Europa Nostra ka gjetur 80 përqind të lekëve, por jo “Aty” të shëmbet dhe pikë… Këta mund të jenë aktorë të Republikës së Shqipërisë, po për të qënë qytetarë të saj këto momente… Boh vështirë… Nuk i paragjykoj, as për naive as për bashkëpunëtorë, as servilë të pushtetit… madje do i lehtësoj duke treguar një ngjarje që më ka ndodhur të jem dëshmitar dikur: Një djalë që kishte nënën sëmurë, me një sëmundje të veçantë dhe e shpëtonte vetëm një operacion prej 80 mijë eurosh jashtë, pikërisht, në këtë kohë shkoi pikërisht aty, m’u aty në bankë dhe i mori 80 mijë euro kredi për të blerë një Benc Mercedez…!!
.
Protesta per Teatrin
Protesta per Teatrin

Edhe Isis ka shkatërruar Teatrin romak në Palmira

nga Aleks Kapllaj

Rama e Veliaj janë si talebanët dhe Isis që shkatërruan sitet arkeologjike në Afganistan, në Mosul të Irakut, në Palmira të Sirisë.
Por pa ikur shumë larg, ata janë si paraardhësit e tyre, që e shkatërruan me dinamit Kishën mesjetare të Shën Mërisë në Vau i Dejës, ku legjendat tregojnë se vuri kurorë heroi i ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbe.
Çdo debat që është bërë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, e kam parë në zhvillimet e fundit politike, si debat mes atyre që mbrojnë vlerat kulturore historike kombëtare, dhe atyre që duan t’i shkatërrojnë ato.
Insistimi patologjik i Ramës dhe i veglave të tij qorre, ligjvënëse e ligjzbatuese, e vendosin aleancën e qelbësirave në llogoret kundër vlerave kulturore e historike siç ishin paraardhësit e tyre që shkatërruan të gjitha ndërtesat antike të kultit ku më e famshmja ishte ajo e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, që komunistët e hodhën në erë. Kjo kishë me vlera gotiko-romane, sipas legjendave, ishte kisha ku vuri kurorën heroi i ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

…………………

Prandaj mbrojtja e Teatrit Kombëtar i cili mbrohet edhe nga “Europa Nostra”, është mbrojtja e Shqipërisë nga talebanët e kulturës dhe historisë, por sidomos është mbrojtja e demokracisë në Shqipëri.
Urrejtja e Ramës dhe Veliaj kundër Teatrit Kombëtar, janë të ngjashme me shkatërrimin në mars të 2001 nga talebanët të “Budhës” në Bamiyan të Afganistanit, Muzeut Kombëtar në Kabul-it i shkatërruar nga viti 1992 deri në vitin 1998, dhe të shkarrimit që i bëri Isis me 21 janar të 2017, teatrit të Palmirës në Siri, që ishte një teatër romak i fillimit të shekullit të dytë mbas Krishtit.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.