
Uliksi – Si Thelbi jonë njerëzor
nga Artan Kafexhiu
Xhoisi te Uliksi (Ulysses) me një shprehje gjysmë frëngjisht, jep esencën e heroit të tij: “A decent man, tout court.” (Një njeri i mirë, e kaq). Xhoisi ishte realist, heroi i tij, është veçse një njeri i zakonshëm, plot sensualitet e ndjesi.
Ngjan një zgjedhje paradoksale. Por nuk është. Uliksi i Xhoisit është në thelb njerëzor, aspak heroik; kjo e bën atë më të pavarur në zgjedhjet që bën në jetë. Uliksi në këtë mënyrë, shfaqet me të gjitha potencialet, negative, apo pozitive, për të qenë, thjesht një njeri; artist, intelektual, baba, filozof, një mendimtar, dikushi e çdokushi, i përpjekur, i ndeshur, e i pasur me jetën.
Xhoisi është besnik i mitit të Uliksit.
Esenca, pra shpirti njerëzor, përcaktohet nga zgjedhjet që bëjmë. Siç dëshmon Plutarku te“Republika”: Agamenoni dëshiron të jetë një shqipe, Ajaksi një luan, kurse Odiseu zgjedh “për një jetë pa ngjarje të zhurmëshme, të jetuarit e një njeriu krejt të zakonshëm”.
Në ngjashmëri me Odisenë e Homerit, Uliksi i Xhoisit duke qenë tepër njerëzor, me këmbët në tokë, pavarsisht kurthit, joshjes momentale, të provokuar nga agjentë të jashtëm (dikur Zeusi, sot pa emër, ose shumë emrash), ruan arsyen dhe qendrueshmërinë, rezistencën njerëzore përballë paqendrueshmërisë së botës rrethuese. Vazhdimisht, duke u mëdyshur midis sensualitetit, (pa)mëshirshmërisë, provokimeve, tmerreve, indiferencës, joshjeve, pabesive, duke ruajtur në thelb, fleksibilitetin e identitetin e tij njerëzor.
Kavafi te “Udhëtimi për në Itakë” shkruan:
“Edhe nëse do ta gjesh të varfer, Itaka nuk të ka zhgënjyer,
Me urtesinë që ke fituar pas kaq shumë udhëtimesh, eksperiencash,
Së paku, arrite të kuptosh se çfarë do të thotë, të jesh Itakian.”
Të gjithë ne, në një formë, apo në një mënyrë, jemi përballë me jeten, e ndaj edhe themi se e jetuam atë. Nuk di, në këtë udhëtim, akoma të pasosur, a kemi arritë të ankorohemi në ndonjë molo, port permanent? A mundemi t’i japim përgjigje pyetjes që zbulon thelbin tonë: kush jemi ne, esenca jonë e vërtetë?
Marrë nga Muri i FB Artan Kafexhiu, 21 tetor 2025